Flasin aleatët e PD-së/ PDIU, Mediu: Rama do të krijojë opozitë informale. Shehi: Bojkoti, jo përfundimtar

0
113

 Gëzim Saliu

Fatmir MediuKreu i PR-së: Nuk e kemi braktisur Kuvendin, jemi në një marrëdhënie të kushtëzuar

Aleatët e Partisë Demokratike mbështesin vendimin e bojkotit parlamentar, por duke theksuar rëndësinë e rikthimit në Kuvend në një kohë të dytë, pasi, sipas tyre, vendi i opozitës është Parlamenti. Në përfundim të takimit me kryetarin Basha dhe kryesinë e grupit parlamentar demokrat, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se opozita nuk e ka braktisur Kuvendin, porse kanë një qëndrim të kushtëzuar. “Unë mendoj se opozita u dhunua për të dalë jashtë Parlamentit. Opozitës i janë mohuar të gjitha të drejtat e saj Kushtetuese, duke marrë një rast siç janë rastet e komisioneve hetimore. Mazhoranca e shpërfill në mënyrë totale qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se Parlamenti duhet të jetë vendi, ku opozita duhet të zhvillojë debatin politik. Kuvendi nuk është braktisur nga opozita, por për momentin kemi qëndrim të kushtëzuar”, – tha ai, duke akuzuar nga ana tjetër kreun e qeverisë se po kërkon të krijojë opozitë informale, duke iu referuar indirekt rastit të pjesëmarrjes së PDIU-së në votimin e dy ditëve më parë në Parlament të dekreteve të kreut të shtetit. “Ajo që është e turpshme është fakti që Kryeministri tenton të krijojë opozita informale, thjesht sa për të krijuar idenë që këtu ka edhe qëndrime të tjera, jashtë Parlamentit, të mënyrave të ndryshme apo interesave të ndryshme. Por, rolin e opozitës nuk e përcakton dot Kryeministri, e ka përcaktuar vetë opozita me qëndrimet që ka mbajtur. Ecurinë e këtyre qëndrimeve do ta ndjekim”, – u shpreh Mediu.

 

Bojkoti

Për kreun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtare, Dashamir Shehi, vendimi i marrë për bojkot nuk është përfundimtar dhe ai mund të ndryshojë në varësi të kthimit të Parlamentit në kushtet e funksionimit normal. Ndërkaq, sipas tij, muaji shtator pritet të ketë zhvillime politike, për të cilat Shehi u shprehet optimist se do të ndikojnë në normalizimin e situatës. “Rezerva për vendimin ka, jo vetëm nga aleatët, por edhe nga kolegë brenda PD-së dhe unë gjykoj që qëndrimi nuk është definitive. Por unë them se gjatë shtatorit do të ketë zhvillime të mjaftueshme politike dhe shpresoj që nga të dyja krahët do të ketë një normalizim të marrëdhënies për të arritur më pas në një funksionim normal të legjislativit. Ndryshe gjykojë që nga këtu e deri në fund të vitit do të kemi zigzage, pozicione të kundërta, ulje ngritje, gjë që nuk më pëlqen. Unë gjykojë që ky vendim në atë kohë është marrë i përbashkët dhe mendoj se edhe hyrja do të jetë një vendim i përbashkët”, – u shpreh kreu i LZHK-së. Ndërkohë, kryetari i PR-së tha se çështja e bojkotit nuk lidhet më së shumti me përcaktimin e një date për rikthimin e opozitës në Kuvend, porse me përcaktimin e qëllimit për ta vendosur Parlamentin në standardet normale të një shteti normal. “Ne kemi diskutuar edhe qëndrime të ndryshme edhe rreth kësaj çështjeje dhe ka qenë një debat nga më të mirët, më normalët, ku gjithsecili ka dhënë mendimin e vet për funksionimin e opozitës jashtë Parlamentit, meqenëse jemi një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin dhe njëkohësisht të gjithë platformën që duhet të kemi deri në momentin e hyrjes së opozitës në Parlament. Disa lëvizje duhen kryer, por çështja është se këto lëvizje duhen shoqëruar me një plan konkret veprimi të opozitës, e cila duhet ta shikojë opozitën si vendin ku debatohet me mazhorancën për çështje që janë çështje të interesit publik shqiptar. Ne nuk mund t’ia lëmë Kuvendin Partisë Socialiste dhe as LSI-në, ne duhet që atë vullnet të shqiptarëve të shprehur për ne ta kthejmë në një marrëdhënie me opinion publik shqiptar, me grupet e interesit dhe me faktorin ndërkombëtar”, – theksoi Mediu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency