Durrës, zbulohen dy baza / “Klienti” shkatërron rrjetin e prostitucionit, arrestohen 7 persona, mes tyre 3 femra

0
125

prostitucion Policia e Durrësit shkatërron një rrjet prostitucioni në këtë qytet. Kanë qenë dy baza prostitucioni, të cilat u goditën nga policia në Durrës. Gjatë operacionit të koduar “Klienti”, mësohet se 7 persona kanë rënë në pranga, 4 prej tyre meshkuj dhe 3 femra. Një person i dyshuar si i përfshirë në këtë rrjet prostitucioni u shpall në kërkim.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit bënë të ditur se të ndaluar janë shtetasit Dorjan Çakrri, Armando Tahiri, Adenis Selimi, Sonila Ymeri, Malvina Skurra dhe Luljeta Reza. Ndërkohë, në pranga ka rënë edhe menaxheri i hotelit, Veljan Mazniku, ndërsa është shpallur në kërkim Mateo Dulaj. Mësohet se tri femrat e arrestuara ushtronin aktivitetin e prostitucionit ndaj pushuesve në këtë hotel, që konsiderohet vepër e paligjshme në Shqipëri.

Ndalimi i të sipërpërmendurve u bë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ngritur një rrjet të shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit në dy pika në qytetin e Durrësit e konkretisht te Ura e Dajlanit dhe te Stacioni i Trenit.

Në kuadër të këtij hetimi filloi edhe procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të Dh. Xh., 43 vjeçe, banuese në Durrës për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Ndërkohë, po procedohen penalisht në gjendje të lirë, edhe katër persona të tjerë, të cilët kishin paguar një shumë të hollash në këmbim të seksit me këto vajza. Të njëjta burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit bënë të ditur se për veprën penale të “Dhënies së shpërblimit për përfitim të prostitucionit” nisi procedimi penal për R. S., 47 vjeç, me banim në Maqedoni, Ç. C., 23 vjeç, me banim në Durrës, A. N., 17 vjeç, me banim në Durrës dhe J. M., 14 vjeç, me banim në Zvicër.

Dy hotelet te Ura e Dajlanit dhe te Stacioni i Trenit, që ofronin këtë shërbim, synonin klientelë kryesisht nga radhët e pushuesve në bregdet. Zbulimi erdhi pas dy muajsh hetimi nga sektori për trafiqet.

Materialet procedurale për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, “Ushtrimit të prostitucionit”, “Moskallëzimit të krimit” dhe “Mbajtjes së ambienteve për prostitucion” i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës.

 

Të ndaluar

Dorjan Çakrri, 21 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës

Armando Tahiri, 17 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës

Adenis Selimi, 24 vjeç, banues në lagjen nr. 8, Durrës

Veljan Mazniku, 21 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Durrës

Sonila Ymeri, 31 vjeçe, banuese në Durrës

Malvina Skurra, 17 vjeçe, banuese në Durrës

Luljeta Reza, 22 vjeçe, banuese në Durrës

 

Në kërkim

Mateo Dulaj, 17 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës

 

Has/ Shpëton fëmijët, babait i shpërthen granata në dorë

Një person ka humbur jetën, si pasojë e shpërthimit të një granate në Krumë të Hasit. Mësohet se viktima, i identifikuar si Musa Gjeca, ishte duke nxjerrë granatën nga shtëpia, e cila më pas ka shpërthyer. Musa Gjeca, nga zona e Krumës e Hasit, ka qenë në banesën e tij paraditen e djeshme kur dy fëmijët e tij i kanë sjellë në shtëpi një granatë, të cilën e kishin gjetur në një banesë të braktisur. Sapo i ka parë i ati, ua ka larguar nga duart, duke tentuar ta hidhte diku larg. Në këtë moment granata i ka shpërthyer në dorë, duke i marrë jetën atij, ndërsa fëmijët nuk janë lënduar.

Musa Gjeca ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pa mundur të marrë ndihmë. Sipas informacioneve paraprake, dy fëmijët e viktimës kanë gjetur në një banesë të braktisur një granata, të cilën e kanë marrë në shtëpi, ku më pas ndodhi dhe ngjarja e rëndë.

 

 Gramsh/ Plagos me thikë bashkëmoshatarin, prangoset

Një 27-vjeçar, i cili ka plagosur me thikë një bashkëmoshatarin e tij, është vënë në prangat e policisë së Gramshit. Burime të Komisariatit të Policisë së Gramshit bënë të ditur se Ervis Hoxha, me banim në lagjen Holta të këtij qyteti, u arrestua, pasi po në këtë qytet gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë 29-vjeçarin E. B.

Nga kontrolli i policisë në banesën e Ervis Hoxhës iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale nëntë fishekë pistolete.

Pas plagosjes, i dëmtuari u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga ana e uniformave blu po punohet për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency