Bankat, individët iu trembën vjedhjes së BSH, tërhoqën depozitat

0
115

Ervin Kaduku

depozita –  Efekti “Fullani”: Depozitat në lekë dhe në valutë të huaj rezultojnë të jenë rritur në sasi globale, por janë ndërmarrjet më të madha ato që kanë rritur shifrat, ndërkohë që personat privatë dhe familjarë i janë larguar derdhjes së parave të tyre në banka

–  Bankat “shpëtojnë” nga korporatat, që e çojnë shumën e depozituar në afro 6.5 miliardë euro

Efekti i vjedhjes skandaloze në Bankën e Shqipërisë nuk ka vonuar të ndihet në sistemin bankar shqiptar, pavarësisht nga deklaratat pompoze të guvernatorit Fullani se sistemi mbetet i shëndoshë dhe se nuk janë 7 milionë dollarë të vjedhur nga thesari ata që do të ndikojnë në sistemin bankar shqiptar. Në të vërtetë, ajo që po ndodh, është negative, aq sa edhe kuptimplotë.

Le t’u referohemi statistikave zyrtare.

Kursimet e shqiptarëve rezulton të jenë shtuar në bankat e nivelit të dytë për të katërtin muaj radhazi, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në korrik, totali i depozitave në ekonomi arriti në 957.8 miliardë lekë apo 6.48 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej rreth 0.3% në raport me qershorin e 2014-ës. Si kursimet në lekë, ashtu dhe ato në valutë kanë parë rritje gjatë periudhës përkatëse. Por, nga një vëzhgim më i detajuar i të dhënave rezulton se rritja e depozitave ka ardhur kryesisht nga korporatat dhe jo nga individët, megjithëse këta të fundit zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në banka. Madje, depozitat e individëve, si në lekë ashtu dhe në valutë, kanë rënë me 6.4 miliardë lekë në korrik, në raport me qershorin.

Në krahasim me dhjetorin 2013, depozitat totale në ekonominë janë rritur me 0.8%. Me bazë vjetore (korrik 2014/korrik 2013), kursimet në ekonomi janë shtuar me 2.4%. Megjithatë, dy vitet e fundit, ritmet e rritjes së depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm. Janë disa arsyet e kësaj ecurie të dobët të depozitave në sistemin bankar. Së pari, kriza ekonomike ka dobësuar buxhetet e njerëzve dhe aftësinë e tyre për të kursyer. Së dyti, interesat e depozitave kanë rënë ndjeshëm, në rreth 2% për afatet 12-mujore, duke i detyruar njerëzit të gjejnë metoda alternative për të investuar kursimet e tyre.

 

Shqetësimi i FMN-së

Nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe skandali i vjedhjes në thesarin e BSH, duke qenë se ka qenë ky institucion i cili i ka rekomanduar që prej vitit 2006 Bankës së Shqipërisë se duhet të përmirësonte mënyrat e auditit të brendshëm, këshillë që duket se nuk është ndjekur nga drejtuesit e lartë të tij. Pas një takimi prej disa orësh dje në selinë e BSH me guvernatorin Ardian Fullani dhe drejtues të tjerë të BSH, kreu i misionit të Fondit, Nadeem Ilahi, deklaroi: “Ky është një incident serioz. Mendojmë se qeveria dhe të tjerët duhet të presin që të plotësohen hetimet penale për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe vetëm atëherë mund të merret një vendim për të ardhmen. Kjo vlen edhe për qëndrimin ndaj drejtuesve të Bankës”, – u shpreh ai.

Më 8 shtator, pritet të ketë një konferencë të përbashkët për media nga ana e FMN-së dhe guvernatorit Ardian Fullani si dhe ministrit të Financave, Shkëlqim Cani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency