Vlorë, tjetër atentat ndaj një biznesmeni/ Pritë te dera e shtëpisë, plagoset me armë 48-vjeçari

0
105

vlore-300x162Një biznesmen 48-vjeçar është qëlluar me armë zjarri nga dy persona ende të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës. I plagosur ka mbetur Arben Veliko, 48 vjeç, biznesmen në fushën e ndërtimit.

Ngjarja e cila është konfirmuar edhe nga polica lokale, mësohet se ka ndodhur rreth orës 09:30. Polica e Vlorës ka marrë njoftim se në afërsi të stadiumit “Flamurtari” ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar oficerët kundër krimeve të rënda dhe shërbimet e komisariatit të policisë, të cilët kanë kryer veprimet e para procedurale. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se dy persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Arben Veliko, vjeç 48, banues në Vlorë, i cili ka pësuar dëmtime të lehta, pa rrezik për jetën.

Nga hetimet paraprake mendohet që të kenë qenë dy persona të armatosur me pistoletë ata që kanë qëlluar 48-vjeçarin. Dy personat ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri 48-vjeçarin në momentin kur ka qenë duke dalë nga një apartament në katin e pestë në zonën Kullat e Aleksandrisë në Skelë, në afërsi të stadiumit “Flamurtari”. Dyshohet se Veliko është qëlluar teksa po thërriste ashensorin në sheshpushimin mes apartamenteve. Po ashtu dyshohet se ai është qëlluar me silenciator.

Një nga plumbat e ka kapur biznesmenin pranë veshkës, ndërsa një tjetër në këmbë.

Biznesmeni 48-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Vlorës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se ai i ka përshkruar policisë dy autorët.

Policia e Vlorës bënë të ditur se po kryen hetime intensive në lidhje me këtë rast si dhe ka shoqëruar disa persona.

Arben Veliko njihej si ndërtues në Vlorë, ndërsa në 2008-ën u arrestua, pasi u akuzua për trafik të lëndëve narkotike. Dyshohej se ai ishte pronari i drogës prej 11.8 kg heroinë të kapur në Itali.

Vuajti vetëm pak vite burg në Shqipëri, pasi më 20.3.2013 Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj tij dhe hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, e cila e dënoi me 12 vjet burg.

Ky është atentati i dytë brenda pak ditëve që u bëhet biznesmenëve në qytetin e Vlorës. Vetëm pak ditë më parë, në një atentat me eksploziv humbi jetën 42-vjeçari Isuf Brahimaj, pronar i një hoteli në Radhimë, që pritej të përurohej këto ditë, si dhe u plagos rëndë, me djegie të shkallës se tretë, 19-vjeçarja Ornela Gjini.

 

 Vetëdorëzohet autori/ Përleshen taksistët me thika, plagoset njëri prej tyre

Dy taksistë janë grindur me njëri-tjetrin dje në mëngjes në Tiranë dhe sherri ka përfunduar dhunshëm me plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ka ndodhur pranë Tregut Elektrik të Tiranës.

Taksisti i plagosur është përcjellë menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i plagosjes i identifikuar si Sajmir Vejsia është vetëdorëzuar në polici.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes dy taksistëve, ndërsa policia ka rrethuar zonën. Vijojnë ende hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

 Lezhë/ Procedim penal për katër zyrtarë të Komunës Selitë

Policia e Qarkut të Lezhës ka nisur hetimin për katër zyrtarë të Komunës Selitë, të cilët akuzohen për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Burime zyrtare nga Policia e Qarkut të Lezhës bënë të ditur se “filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit, V. Gj., 38 vjeç, me detyrë kryetar i Komunës Selitë, K. Ll., 34 vjeç, me detyrë kryetar i Këshillit Komunës Selitë, K. C., 42 vjeç, anëtar i Këshillit të Komunës Selitë dhe Gj. Ll., 62 vjeç, anëtar i Këshillit të Komunës Selitë, që të katër banues në Kurbnesh, Mirditë”.

Sipas policisë, procedimi ndaj tyre filloi, pasi dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dërguar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, një akt verifikimi të falsifikuar duke i sjellë si pasojë humbjen e gjyqit shtetasit F. B., banues në lagjen “Varosh”, Lezhë.

Materialet iu referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Lezhës, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency