Rrëfehet Nexhmije Hoxha/ Historia me mjekun që më dha raporte false sikur isha e sëmurë. 13 letrat që më shkroi Enveri

0
173

Intervistoi: Roland Qafoku

enveri dhe nexhmijaPrindërit donin të më mbulonin me çarçafë kur isha 12 vjeç. Konferenca e Pezës e tradhtuan nacionalistët, Mukja, tradhti e pastër.

Bashkëpunëtori im më i ngushtë Qemal Stafa dhe Nako Spiru. Abaz Kupi donte të tërhiqte kurorën e Viktor Emanuelit

 Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-diktatorit Enver Hoxha rrëfen jetën e saj që nga koha e fëmijërisë së saj e deri tek ngjarjet historike të kohës së para, gjatë dhe postregjimit. Në një intervistë për emisionin “debati në Channel One”, Hoxha komenton marrëdhnënien e saj me bashkëshortin, miqtë sic i cilëson ajo Qemal Stafën dhe Nako Spirën si edhe momentete e para të bashkimit me komunistët. Po ashtu ajo rrëfen ngjarje interesante nga jeta e saj që lidhen me marrëdhënien me prindërit apo për “historinë” e bashkëpunimit me mjekun që e ndihmonte të merrte raporte false për tu hequr si e sëmurë.

 

Zonja Hoxha, ju keni qenë pjesëmarrëse aktive në jetën ilegale dhe më pas në çetat partizane. Ju, si shumë protagonistë të tjerë, keni shkruar kujtime dhe i keni në librat tuaj. Madje, janë shumë persona që kanë lënë kujtime të asaj kohe. Unë pothuajse i kam lexuar të gjitha kujtimet, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të huaj që kanë shkruar për Luftën e Dytë Botërore. A ka ndonjë episod të veçantë që ju nuk u shkitet nga mendja?

Po, tani do t’ju them përse zgjodha në ilegalitet në qytet. Kjo erdhi natyrshëm, në bazë të kërkesave që ngrinte Partia ku unë beja pjesë dhe isha një nga anëtaret kryesore të ditëve të para pas themelimit. Kështu që, me themelimin e Partisë filloi aktiviteti ynë, për shembull u thirr mbledhja e rinisë komuniste, që do ishte si një bërthamë e rinisë.

 

Pas themelimit të Partisë Komuniste?

Po. Deri në vitet 1939, ne i bënim vetë aksionet, sigurisht nën drejtimin e komunistëve. Unë isha ngarkuar nga Qemal Stafa për punën që duhet të bënim me grupet. Ishim tre-katër veta, me grupe të vogla në çdo klasë dhe ishte një punë e kufizuar. Merreshim me njohjen e letërsisë revolucionare. Pas vitit 1941, ne e ndryshuam, mbledhje luksi dhe filluam të merreshim me punë tjetër. Unë personalisht, si militante e kësaj partie të re fillova të kryeja po ato detyra që më ngarkonte Partia. Dua të them që e para mbledhje e themelimit të rinisë komuniste, u bë dy javë pas themelimit të Partisë ku unë isha si përfaqësuese e grupit të Shkodrës.

 

Domethënë ishit edhe ilegale edhe rrogën ua jepnin?

Nexhmije Hoxha: Jo. Pas kësaj filloi. Se unë shkoja në shkollë mësuese. Për shembull si anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë, nuk dihej kjo. Gjithë natën ishim në mbledhje dhe kur shkoja në mëngjes, gati më vinte për të fjetur. Dhe që të mos flija, e ngrija klasën që të bënte ndonjë gjë që të zgjoheshin.

 

Ky është moment më i vështirë?

Ky është momenti që më bëri të dal ilegale. Paranteza ishte se unë duhej të bëja raporte mjekësore për të marrë rrogën. Tani janë intelektualët si mjekë, arsimtarë, që më dhanë raporte mjekësore për një kohë dhe drejtori i shkollës dhe Inspektori i Arsimit i justifikonte tek Ministria e Arsimit, që unë të merrja rrogën. Nga mjekët, që as nuk më njihnin. Ishte atëherë mjeku Mokin, që tip misterioz dhe unë e pata njohur kur isha fëmijë, por nuk është se më kishte njohur.

 

Përse e bëri ai këtë?

Pa më njohur, duke e ditur që po jepte një raport fals. Petraq Leka, neurolog, ka hedhur edhe ai firmën, që unë të merrja rrogën. Kjo tregon se intelektualët shqiptarë nuk ishin komunistë, por antifashistë.

 

Zonja Hoxha, sot kur dëgjojmë ne, brezi tjetër apo më të rinj, i bëjnë disa gjëra përshtypje. Çfarë ishte për një vajzë si ju, vetëm 20 vjeçe, që të bënte këto gjëra. Çfarë thoshte babai e nëna juaj? Çfarë thoshte vëllai, që kjo vajzë ikën papritur nga shtëpia dhe angazhohet me rezistencën ndaj pushtuesve? A nuk ishte kjo një herezi, për më tepër që ju ishit një vajzë? Mund ta kuptojmë ne sot, për një djalë dhe përsëri ishte e rrezikshme, një gjë e jashtëzakonshme, po që këtë ta bënte një vajzë në vitin 1940? A ju thoshte njeri juve zonjë, a jeni mirë nga mendja?

 

 

Unë dua të shpjegoj për këtë transformim të madh në mentalitetin e njerëzve, që nga prindërit e mi që më donin të mbulonin në çarçaf, që në moshën 12 vjeçe. Unë dhe mësuesja bëmë presion mbi prindërit e mi që unë të vazhdoja shkollën dhe më në fund, e fitova këtë të drejtë për të vijuar studimet në Institutin Femëror në Tiranë “Nëna Mbretëreshë”. Pikërisht për këtë gjë, i përgjërohem Luftës Nacional-Çlirimtare, sepse ajo solli një përmbysje në jetën time, edhe të vajzave shqiptare. Mua personalisht më bëri kjo që jam. Por unë pashë tek prindërit e mi që donin të më mbulonin me çarçaf, ata vetë u internuan, u bënë shokë të mi, bashkëluftëtarë. Shtëpia e tyre shtatë herë u kontrollua, për mungesën time dhe për shkak timin, e shumë të tjera. Pastaj vështirësia ishte se çfarë thoshin. Unë isha çdo ditë në luftë me këtë mentalitet. Unë me prindërit e mi si dhe të tjerët, aq më shumë të rrethit të krahinave të përcaktuara, si Dibra. Ne punonim shtëpi më shtëpi. Unë vetë kur isha edhe në Dibër, u thosha: “Ja dhe unë, dibrane jam. Mua më ka lënë babai im, ti pse nuk e lë vajzën”. Dhe e merrnim edhe në besë. Jo vetëm kaq, por kjo tregoi edhe patriotizmin e popullit. Për hak të atdhetarizmit, ai bënte akte dhe e jepte vajzën. Prandaj u bë kjo përmbysje në emancipim.

 

Zonja Hoxha, ju keni njohur shumë protagonist te tjerë që sot nuk jetojnë më, por që janë personazhe shumë të rëndësishme të historisë së asaj kohe. Si i keni njohur ju disa personazhe si Qemal Stafa, Mihal Duri, Vojo Kushi, që në një formë apo tjetër janë heronjtë e asaj lufte?

Unë jam njohur me ta dhe shumë të tjerë. Me Vasilin dhe Qemalin jam njohur që në vitin 1937, ku unë u futa në grupin komunist dhe unë shkoja lirisht në shtëpi, sepse ishin edhe këto rrethana. Unë shkoja shpesh, se motrën e Vasilit e kisha shoqe klase dhe aty ishte dhe Qemali. Jo vetëm që Qemali ishte njëkohësisht dhe edukator i grupit tonë të shoqeve. Kështu që e njihja. Ndërmjet Vasilit dhe Qemalit kishte një lidhje të jashtëzakonshme të respektit reciprok, dashurie reciproke. Ai si më i moshuar e punëtor dhe Qemali si më i ri.

 

Pse, sepse dihet që kishin diferencë?

Ata ishin krejt natyra të ndryshme. Vasili i qetë, i heshtur dhe shikonte me një buzëqeshje shpërthimet rinore të Qemalit, i cili nuk rrinte dot në një vend ulur, qoftë në debat politik, qoftë në shaka. Vasili e shikonte me kënaqësi të madhe. Vojo Kushin e kam njohur shumë pak. Gjatë kohës që unë isha anëtare e qarkorit të Partisë së Tiranës e Vojo ishte anëtar për njësitet guerile. Pra në mbledhje më shumë e në njësitë e ilegalitetit. Ishte një trup i madh, por krejt në kundërshtim me pamjen e tij të vërtetë. I qetë, me sy bojëqielli, fjalëpak, por zhivë në aksione. Nuk ishte e rastit që ai ishte përgjegjës i njësive guerile, derisa u vra. Kam ndjekur edhe zhvillimin e luftimeve nga larg. Një dhimbje tjetër në ato që kemi ndier ne është edhe lajmi i vrasjes së këtyre shokëve, kur një natë më parë ishte në mbledhje. Kujtoj rastin me Misto Mamen, ku ne një natë më parë ishim në mbledhje e pastaj bëmë muhabet, qeshëm, dëgjuam muzikë. Në mëngjes, ai iku herët se mezi priste të hapej ndalimqarkullimi se vazhdonte deri në gjashtë të mëngjesit. Megjithëse ne u munduam që ta mbanim, ai donte me patjetër të merrte një makinë shkrimi dhe aty u vra në aksion. Ishte shumë e vështirë. Ndërsa Qemali u vra dy ditë pasi kishim qenë në mbledhje me rininë, për Qarkun e Tiranës. Ishim në rrugën “Ali Demi”, në shtëpinë 66, meqë ajo dhoma ishte buzë rrugës, kalonin patrullat edhe ishim shumë të shqetësuar, nga zhurma e lehjes së qenve me të tyren. Ishim të shqetësuar, pasi nuk e dinim nëse ishin duke kaluar apo thjesht do trokisnin në derë. Qemali, që ishte një vit më i madh se unë, 21 vjeç, u tha atyre që mos u shqetësoni. Do të vijë dita që do çlirohet vendi dhe ne, siç jemi, do të dalim në bulevard krah më krah, do këndojmë edhe do të thonë njerëzit çfarë janë këta të çmendur, e ne aq na bën. E tha në këtë mënyrë, që të ngrinte moralin.

 

Në fakt, është diskutuar shumë për Qemal Stafën. A mund të jepni me një fjali, atë që quhet si variant se Qemal Stafa vrau veten?

As mund të mendohet. Nuk kishte se përse të vriste veten. Ai u mundua të shpëtonte. Qemali edhe në këtë rast, tregoi edukatën e tij, shpirtin e tij të një intelektuali, fisniku. Ai u vonua për të shpëtuar shoqet, që t’u linte mundësi të largoheshin dy shoqet. Kurse Kristo Themelko, punëtor, çau për vete dhe nuk u interesua as për Qemalin e as për shoqet. Ai luftoi deri në fund, derisa kishte patllakja.

 

Po ju, zonja Hoxha, si një njeri që keni ruajtur shumë nga arkiva, mund të na tregoni diçka të veçantë?

Nga lufta unë kam ruajtur vetëm letrat e Enverit që më ka dërguar mua. Janë 13 copë dhe unë i kam fshehur në dysheme te një familje që ishte baza jonë. Ndërsa letrat e mia, që i kam dërguar Enverit, ato nuk janë mbajtur, sepse gjatë operacioneve të armiqve, nga lëvizjet që bënin erdhi një kohë që jo vetëm letrat e mia, por dokumentet e Enverit e të Komitetit Qendror, që të mos rrezikoheshin, i futëm në qypa të raketave të Luftës edhe i groposëm në një vend.

 

Ju i keni ruajtur ato të Enverit, ndërsa ai nuk i ka ruajtur?

Me shaka i thosha gjithmonë që, shiko unë i kam ruajtur letrat e tua, në kushtet e ilegalitetit. Por këto ishin rrethanat, sepse kështu u groposën edhe florinjtë që kishte shtabi, që ishin dorëzuar edhe nga aleatët edhe nuk u gjetën më. Ishin groposur në një pyll. Gjoja mbajtën mend edhe trungun.

 

Florinj? Sa ishte sasia e tyre?

Nuk e di dhe nuk u gjet më.

 

Në cilin vend ishte groposur?

Andej nga pyjet e Elbasanit. U dërgua Sami Baholli dhe një tjetër, që kërkuan. Por ndoshta, kishin punuar fshatarët, e kishin gjetur dhe e kanë marrë. Nuk e gjetën, nuk po orientoheshin dot. Pyll ishte ai, me shumë dru.

Nga këto 13 letra që më kishte dërguar Enveri, se u bë 70 e ca vite, nga ‘42 deri në ‘44 letra e fundit. Unë kam mundur të ruaj në kushte. Një karakteristikë për këto letra është se shumë prej tyre janë pa data. I ka shpëtuar Enverit, pa data dhe sidomos vendi nga i ka shkruar. Në këto shënime, unë kam gjetur datën në bazë të ngjarjes që ka ndodhur.

 

Dhe e keni shënuar?

Po, e kam shënuar. Konkretisht, letra ka 70 e ca vite dhe është vjetruar dhe shkrimi është zbehur. Por që në atë kohë, ka qenë e thyer dhe pak e ndotur, e nxirë nga prapa sepse ato paloseshin dhe viheshin ose në këpucë, ose në ndonjë vend tjetër dhe ajo ka marrë formë. Kështu kalonte postblloqet, korrieri që na e sillte ne në Tiranë.

 

Zonjë, këto letrat që t’i dërgonte Enveri, sepse ju ishit e lidhur në atë kohë, e fejuar me Enverin, këto janë letra intime apo letra të përziera intime dhe për çështje të punës?

Atje ka shumë gjëra për punë, sepse Enveri kur më shkruante, më jepte porosi. Por janë letra intime. Ja t’ju lexoj një fragment. “E dashura Nexhmije, 7 tetor 1944! Letra jote më gëzoi pa masë, jam i gëzuar dhe i lumtur që ke punuar dhe po jep rezultate me punën që bën. Kështu të dua unë”.

Por nga ana tjetër, kam në letra edhe shumë kritika që më bën për punën. Madje disa herë, më dukeshin të padrejta dhe nuk është kollaj ta pranosh kritikën. Thosha se përse më shumë më bie mua, ai kishte frikë se isha shumë e re dhe nuk arritëm të njiheshim shumë, por mendonte se mos më rritej mëndja dhe shkruante. Ka pasur raste që unë merrja funksione jo të vogla. Për shembull, në reaksionin e madh të datës 4 shkurt ose të një rasti tjetër, kjo treshja e Komitetit Qendror që drejtonte Tiranën, punën e Partisë në Tiranë, Vojo Nushi, Nako Spiru dhe Ymer Dishnica, në momente të vështira të reaksionit të madh, që të mos goditeshin, dilnin jashtë Tiranës, në Priskë apo në një vend tjetër. Dhe më linin mua në Tiranë, si grua që kishte mundësi që të fshihesha më kollaj e të mos bija në sy. Kryeja një detyrë si zëvendësuese. Natyrisht ato ktheheshin shpejt, e nuk më linin mua në këtë gjendje. Në këtë rast, apo në rast tjetër kur Nako iku, mua m’u ngarkua posti si sekretare organizative. Por Enveri në vend që të më uronte, në një rast apo në një tjetër, më shkruante që puno mirë, mos të të rritet mendja.

 

Janë dy ngjarje të rëndësishme gjatë Luftës së Dytë Botërore, është konferenca e Pezës dhe konferenca e Mukjes. Për të dyja konferencat ka versione të ndryshme, nacionalistët e quajnë tradhti konferencën e Pezës dhe komunistët e quajnë tradhti konferencës e Mukjes. Ju si protagoniste, por edhe si sekretare në konferencën e Pezës, çfarë mendimi keni për të dyja këto konferenca?

Për sa i përket që e kanë cilësuar Partinë Komuniste si tradhtare të konferencës, as që e kam dëgjuar. Nuk qëndron fare, pasi Partia Komuniste vazhdoi deri në fund të Luftës të respektonte shtyllat kryesore të konferencës të Pezës, thirrjen për bashkim, luftën kundër okupatorit deri në fund, ngritjen e Këshillave Nacional-Çlirimtare, ndaj unë nuk e diskutoj fare këtë variant që ngrenë ata. Janë pikërisht nacionalistët që tradhtuan konferencën e Pezës. Ne ata i thërritëm, si Ndoc Çobën, Abaz Kupin dhe shumë nacionalistë që ju mund t’i keni lexuar në dokumente. Madje, në krye të presidiumit u vu Ndoc Çoba, Abaz Kupi pastaj dhe Haxhi Lleshi si dhe Myslym Peza. Kurse Enveri ishte krejt në anën tjetër dhe u la atyre hapja e mbledhjes. Atyre i’u bënë krejt nderimet dhe ata erdhën shumë të ndrojtur. Unë kam qenë prezente si sekretare, sepse mbaja procesverbalet dhe e kam kopjen me dorëshkrimin tim. Mirëpo edhe Këshilli që doli në konferencën e Pezës, ishin gjysma komunist dhe gjysma nacionalist si dhe Myslym Peza. Kanë qenë shtatë veta dhe kryetari i tyre ishte një zogist, një ushtarak. Sapo mbaroi mbledhja që u mbajt në shtator, ata në nëntor shpallën krijimin e Ballit Kombëtar me dekalogun. Ata tradhtuan konferencën e Pezës.

 

Po e Mukjes?

 

Mukja është tjetër gjë. Partia dënohej me tradhti, në radhë të parë në delegacionin e vet sepse ata rrëshqitën nën influencën e Mustafa Gjinishit, i cili ishte në shërbim edhe të anglezëve, kurse nacionalistët tradhtuan, sepse thirrja e konferencës së Mukjes nga Partia por edhe aleatët që nxitën këto nacionalistë, ishte tërheqja në luftë. Aleatët bënë shumë presion që nacionalistët të luftonin, të ishin aktiv, të kishin kontribut. Ata kujtuan se u bë deti kos, se në ato ditë kapitulloi Italia dhe o burra të marrim pushtetin. Krijuan një Komitet për shpëtimin e vendit sikur të kishin luftuar me vite të tëra si Këshilli i Frontit Nacionalist-Çlirimtar. Natyrisht kjo u quajt tradhti nga ana e tyre. Unë kam lexuar në dokumente, që i kanë kërkuar Abaz Kupit, që të jepte forcat që të marrin Krujën e të shpallnin qeverinë. Donin edhe të zhduknin atë aktin e tyre që ishte vetë Hasan Dosti me shokë, ish-ministër i Zogut që të tërhiqe kurorën nga Viktor Emanueli dhe të shpallnin Krujën si kryeqytet. Ka një letër që Hasan Dosti i shkruan një miku të tij, e kam parë në shtypin e tanishëm, “të bëjmë një gjë të tillë në mënyrë të shpejtë dhe të mos e marrin vesh as aleatët”. Domethënë ta bëjnë fakt të kryer, se aleatët nuk ishte vendosur forma e qeverisë gjatë luftës. Ne e kishim pranuar atë, edhe Zogu në Përmet tha që kur të vij do të vendoset se çdo jetë mbretëri apo do shpallet republikë. U shpall republikë. Për Mukjen, ishte një gjë e dështuar nga të dyja palët. Natyrisht Partia edhe këtu vendosi Enveri. Në fund, më tregonte një shoqe, Fiqeretja, që ishte prezent, tha që i ra tavolinës me grusht dhe Enveri tha: “Tradhti”. Qoftë që ato krijuan Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, jo që të marrim pjesë në luftë, qoftë ata që e pranuan këtë komitet. Hodhëm një trakt, e firmosëm dhe u shpërnda dhe për këtë trakt, Enveri ka kritikuar Komitetin edhe Komitetin e Qarkut të Tiranës, sepse ju nuk influencuat. Në këtë mes, mora edhe unë kritika, që përse e lejuam një rrëshqitje të tillë. Këtu unë nuk kisha asnjë dijeni, sepse edhe ato të Komitetit Qendror nuk këshilloheshin se çfarë thoni, çfarë mendoni.

 

Zonja Hoxha, a keni bërë ndonjë gabim ju personalisht gjatë luftës?

Nuk kam ndonjë gabim. Nuk jam kritikuar për ndonjë gjë të madhe.

 

Por Enveri ju ka kritikuar. Ka qenë shumë kritikues?

Po, e kam thënë edhe në libër. Ishte i rreptë, shumë i rreptë me mua.

 

Po Partia Komuniste ka bërë gabime gjatë Luftës?

Ka bërë.

 

Do të ishte shumë interesante të tregonit ndonjë episod nga jeta partizane?

Unë kur dola, shkova nga Korça, Tiranë, Elbasan me autobus. Edhe ato jo pa incident sepse më ndaluan me letërnjoftimin si Vera Hysi. Ata thoshin se emri Vera ishte emër sllav. Më në fund shpëtova dhe shkova në Korçë. Aty u pajisa jo me këpucë për mal edhe ndonjë veshje, edhe me një skuadër shoqëruese që na priste jashtë Shkodrës, u nisa për në Panarit, ku ishte shtabi i përgjithshëm edhe Enveri. Kisha gjashtë muaj që nuk kisha pasur asnjë komunikim.

 

Ju kishte marrë malli?

Nejse ajo. Nuk kisha marrë asnjë letër. Që të dilja në mal, kishte vendosur Partia, nuk vendosa unë, sepse Gogo Nushi e Nako Spiru do të bënin një raport për Enverin, lidhur me gjendjen në Tiranë edhe në përgjithësi. Edhe thanë sikur të dërgojmë Nexhmijen që të dërgojë edhe raportin me gojë, meqë unë isha në dijeni të shumë gjërave. Prandaj në sajë të këtij vendimi, u nisa dhe dola partizane e nuk u ktheva më.

 

Keni qëlluar ndonjëherë me armë?

Kam qëlluar.

 

Keni vrarë ndonjë?

Jo, ballë për ballë me armikun, jo. Kisha një automatik anglez, shumë të lehtë. Kisha edhe një revole angleze.

Ke qëlluar për qef por jo në Luftë?

 

Në Pezë, për herë të parë që bënin qitje me Abaz Kupin. Unë me qetësi qëllova në gur, kurse Abaz Kupi jo. Pastaj bëri histori Haxhi Lleshi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency