Më vjen turp të qaj i heshtur…!

0
215

Jorgo Bllaci

pikaso dora maarPostmortum/ Poezia e frymëzuar nga Esenini, Pushkini apo Gëte që e shndërruan përkthyesin Jorgo Bllaci në një qelq të mbushur me ndjenja. Sjellim më poshtë në kujtim të poetit një pjesë nga krijimtaria e Bllacit, të përmbledhur në disa vëllime me poezi, ndër të cilat “Ligjërimet e pyllit” (1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Ndërsa janë emblematike shqipërimet nga Shevçenko, Pushkin, Esenin, Gëte etj., si dhe vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini” dhe “Ujërat pranverore” të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë

 

                 Dy hapa larg

Dy hapa larg e vite për t’arritur

Atje ku bujarisht fal jetën djell i ndritur

Atje ku po na qajnë për së gjalli

 

Dy hapa larg, dy hapa larg metanë

Pas mureve të lagësht e të errët,

po na vajton liria, që prej saj na ndanë

sepse më fort e deshëm nga të tjerët!

 

                     Dëshirë

Më vjen turp të qaj i heshtur,

si një shelg përbri moçalit!

Dua të gjëmoj pareshtur

Porsi lisi majë malit.

 

Rreth kurorës, shpesëria

Le të mos me cicërojnë

Që prej zgavrave të mia

shkabat të të vigjëlojnë.

 

Degët e fuqishme dua

të më tunden nëpër ere

Papushuar përmbi mua

borë e virgjër le të bjerë.

 

Sipër akujve të ftohtë

do të ngjitem der te retë

S’do më vijë keq në ndodhte

të zhuritem nga rrufetë!

 

Se n’u dashtë të zhuritëm

do zhuritem majë malit

Po s’do qaj e s’do nemitëm

i përulur, bri moçalit.

 

Të varri i tim vëllai

E di që më ke pritur, vëlla

E mbase dhe ke thënë me vete:

“Po ky njeri pse s’bëhet i gjallë? Ç’ka,

që thuajse në jetë,

nuk vjen këtu, së paku, për t’u çmallur?

***

S’i mbaj mëri për vitet e rinisë,

Që një nga një po m’ikin pa gëzim

As jetës plot andrralla, as dashurisë,

Që u tall ashtu siç desh me fatin tim.

 

Askend nuk e kujtoj për keq në botë, –

Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka

Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë,

Që të më bësh prapë mik e prapë vëlla.

1967

 

                                ***

Sa pisk e kam, sa dhembje ndiej, sa dua

Të më përpijë brenda dheu i zi!

Oh, zgjate dorën sonte edhe mbi mua,

Të ngrohtën dorë, o mëma Shqipëri!

 

Jam i sëmurë, buza po më dridhet,

Këtu në gjoks diçka më shpon, si gjemb,

Një lëmsh, nj’i fortë xhung në fyt më mblidhet,

S’marr frymë dot, çdo pjes në trup më dhemb.

 

Një çast më merr në gjirin tënd të shenjtë

Të mbështes kryet e të qaj, të qaj,

Ashtu siç mund të qajnë, o mëmë e shtrenjtë,

Veç foshnjat dhe fajtorët e pafaj!

1964

 

                              ***       

Ti këdo mbi dhe do ta çuditje,

Mike moj, që s`vure mend një herë

Kur më sheh me vajza në shëtitje,

Pse sërishmi bëhesh pikë e vrerë?

 

Foshnjë ishe, foshnjë, mike mbete,

Ndonëse për dikë tani je grua

Ç`dreqin ke, ç`tu shkrep pas kaqë vjetësh,

Qe xheloze behesh prap per mua ?

 

Unë kurrë ty s`ta kam rrëfyer

Brengën, që në shpirt mezi përmbaj

Dashuria, dashuri e fyer,

Gur më bën e nuk më lë të qaj

 

Ja kështu, moj mike, qenka jeta

Ndodh që nganjëherë, për çudi,

Lodhet prej mësimeve të veta

Edhe bëhet foshnjë porsi ti.

 

Ne s`e qeshim tekanjozen jetë,

Po kur ne gabojmë, ajo harron

Ndonse marrëzira bën dhe vetë,

Rëndë ne na tall e na ndëshkon.

 

Mike, që më bërë të trishtuar

Të të qesh, as që më shkon ndërmend

Eshtë i gjerë shpirti i përvëluar

Ka një vend dhe për gabimin tënd!

                            ***       

Ne fshehtazi shkëmbejmë shpesh vështrime

Po sot një hon i thellë po na ndan;

Në fund të tij, si foshnjëzë jetime

Me dhembje dashuria jonë qan

 

Pa ditur se përse, pa lot, pa fjalë

Pa puthje, në u ndame nëpër terr

Pasionet u ronitën me ngadalë

Dhe humbën në një mjegull plot mister

 

Dhe sot, që me pendim, me mall a vojtje

Të shkuarën sikush në shpirt përmban

Ne heshtim kryeulur e me drojtje

Si vjollca, anës honit që na ndan

1961

 

                        ***

Brengën e madhe mbyta në një gotë;

Si qenkam dehur sonte s’e kuptoj!

Për gjërat më të bukura në botë

Sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj

 

Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës

Po ku të lë mendimi të dëfresh?

Demon, demon i madh i hapësirës

Akoma ti kërkon të më gënjesh?

 

Ti po ma nxin me brenga djalërinë

Ti po m’i shqyen brinjët, po më ç’mend,-

Ose më kthe sërishmi qetësinë

Ose më sill këtu tërbimin tënd!

 

Se do t’i qepem qiellit kësaj nate

Për flokësh ta kap hënën e më të

Të sillem hapësirës së pamatë

E të mos zbres mbi tokë kurrë më!

1957

 

                      Plaku i urës

Qëmoti, thonë, te një urë e gurtë

Tre vetë deshën t’iknin nga kjo botë

Por ua kuptoka mendjen një i urtë:

“Ç’e keqe ju ka gjetur?” – vjen u thotë

 

Ia kthen m’i riu: “Miken që më deshi,

Një tjetri sot ia shpien me dasmorë…”

“Ja ti shpëtove, – foli plaku e qeshi, –

por kur të marrë vesh ajo e gjorë

Ç’ia gjeti mikun, pika mund t’i bjerë

Nuk t’ardhka pakëz keq?” Ky mbeti shtangur

Dhe në mendime ra një copëz herë,

Pastaj u ngrit e shkoi nga kish ardhur

 

I vjen të dytit radha: “Mos më pyet!

Lirinë humba e kot që rroj në botë!” –

Rënkon së thelli, ky pa ngritur kryet.

“Po nuk ke humbur jetën! – plaku i thotë –

Dhe kur ke jetën, ke një lumë gjaku,

Paguaje me çmim të tij lirinë!”

U bind dhe ky nga fjalët që tha plaku

La urën pas e humbi në luginë

 

I treti fillikat mbi urë mbeti

Nga pamja e vrarë, dukej më i mjeri

“Po ty, – i flet i urti, – ç’hall të gjeti?”

Ai mezi përgjigjet: “Humba nderin…”

Dhe seç kërkon të shtojë nëpër dhëmbë

Po nuk e lënë drithmat edhe lotët

Ahere plaku merr një gur të rëndë

Ia var në qafë e “Mos e zgjat!” – i thotë

“Mos është i ftohtë uji…” – mërmëriti

tek dridhej tjetri, por nga buza shkau!

Dhe s’tha njeri për të: “I ndrittë shpirti!”

As lumi që e mori nuk e qau

1989

 

                       Natës

 Kushtuar P.J.

Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,

Ti vërtet nuk paske shembëllim!

Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur

Çmendurisht i deshte miku im!

 

Nëse këtë çast i ngrysur me ta

Duke të vështruar ty kështu

Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta

Më kujtuan mikun sytë e tu

 

Sa dëshirë do të kisha sonte

T’ju vështroja bashkë që të dy:

Vetëm ta dëgjojë të këndonte

Vargjet që me zjarr t’i thuri ty!

 

Ndoshta sot, që vite pas la jeta,

Miku prap në shpirt të mban diku…

Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,

Aq sa ç’jane edhe dy sytë e tu

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency