Letra e 1950/ Ish-prefekti i Mitrovicës në Egjipt, si zbuloi shqipen në gjuhën semite…

0
203

ago agajKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Një cikël tjetër letërkëmbimi i Krujës është ai me ish-prefektin e Mitrovicës, me origjinë nga Vlora, emigruar në Egjipt

Një nga letrat që Ago Agaj i dërgon nga Egjipti në Amerikë Mustafa Krujës lidhet me një zbulim të herët mbi shqipen. Ai ka lexuar në gjuhën armene dy vëllime mbi Krishtin dhe aty ka gjetur ligjërata që e afrojnë me shqipen, duke sjellë argumentin e ndikimit të semitishtes mbi shqipen. Ky fakt sot vërtetohet lehtë pas studimeve që janë prezantuar së fundi mbi këto ndikime apo prejardhje. Megjithatë, këtë fakt gjuhësor ne e përcjellim si trajtë të veçantë të punës së emigrantëve për të ushqyer ditët e jetës së tyre jo vetëm me çështje personale, por edhe në kontribute të tilla historike. Këto letërkëmbime, siç e kemi thënë, zbulojnë raportet që Kruja kishte me miqtë e tij, sidomos të asaj periudhe kur të gjithë ishin të arratisur jashtë Shqipërisë.

Letrat e Ago Agajt (1897-1994) plotësojnë kuadrin e mërgatës shqiptare të periudhës së regjimit komunist, të paraqitur nga ky vëllim. Ago Agaj ishte vlonjat, kishte studiuar agronomi në Austri dhe gjatë luftës kishte marrë anën e krahut nacionalist, duke vënë gjithë entuziazmin e tij atdhetar në shërbim të ribashkimit të Shqipërisë, në detyrën e tij si prefekt i Mitrovicës. Ishte një nga intelektualët e shquar të Jugut e me M. Krujën kishte bashkëpunuar edhe për përkthimin  e librit të Hans Krahe-s “Ilirët dhe indogjermanizimi i Evropës”.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

 Mahdiyeh, 11 – XII – 55

I dashuri Lalë,

Shyqyr Zotit që gjete një furrik të futesh, të rrish në të me mëndje të mbledhur e të punosh. Ajo puna e tepruar të dëmton shëndetin se nuk i zbërthen qetë dy sahat në ditë që të prehesh, por moralisht të ka ndihmuar shumë se nuk ka ilaç më të mirë për vuajtjet shpirtërore se sa puna. E di me kohë që ti vuan sepse nuk rron dot krejtësisht me mjetet e tua, por nuk më thua a është më mirë kështu apo si të tjerët që rrojnë me mjetet e të tjerëve duke shërbyer si nuk i përshtatet një burri krenar ?

Më së fundi, dhe pakë kohë të mbeti dhe yt bir mund të të marrë atje ku është vetë dhe atje do të keshë fushë më të gjërë veprimi dhe Haxhireja do të mund të punojë lirisht e pa pengime. Veç kësaj vullneti të punosh dhe aty ku je për mikun s’të ka munguar. Në kohërat e para paguheshin njerzit e zot prej të mëdhenjve për të kryer vepra arti. Ti shkruan historinë t’onë. Prandaj hidhja palës ato skrupula se s’janë me vënd. Më kënaqe me lajmin se miku vete mirë me shëndet se, përveç arsyeve të tjera, m’a do shpirti t’i dëgjoj të mirën. Me duhan si vete ? Na kish dhënë fjalën se do t’a linte me të shkelur në vapor. Unë e lashë e s’e zura më.

Këtu në këtë shtëpinë e vetmuar kam ndrequr një qoshe në të cilën rrihet rehat, ndez në darkë dhe një sobë të vogël dhe shkruaj letra si nashtinë, apo këndej ndonjë gjë. Mëngjes më 5½ e ndez prapë dhe bëj kafenë vetë, shtrohem këmbëkryq mbi qilim dhe e pi kafenë “pranë zjarrit” me qetësi e kënaqësi të madhe. Pastaj shkoj në punë që, për shkak të baltës së shumtë, është bërë e mërzitëshme. Kur m’erdhi letra jote u ndodhën Konstantinët të gjithë këtu, u a këndova pjesën që u interesonte dhe u kënaqën. Që atëhere s’kanë ardhur më se ka zënë të bjerë shi dhe rrugët s’janë të mira.

Letrën po e shkruaj sot por nuk e di se kur do t’a nis, prandaj t’uroj që sot për vitin e ri të gëzuar me gjithë ç’ke. Vatanin s’po e zë me gojë se u bë bajate.

Me shumë të fala ty dhe Xhires.

I juaji

Ago

Homage, nderime e të fala ku duhet.

 

 Mahdiyeh, …… – II – 56

I dashuri Lalë,

S’ka dyshim që jeta ime këtu është e mundimshme por e bukur. Puna me bujqësi e bagëti është e bukur, plot gëzim por edhe plot vrerë kur nuk venë mirë bagëtija me shëndet si këto të mijat këtu. Paska hedhur  Zoti sëmundjet e dynjasë në berrat e këtushëm që të më shkaktojnë dëshpërim mua. E sa për librat, ata të shkretë janë gjithënjë një lloji e nuk të dëshpërojnë. Këto ditë hodha nga një sy në darkë në një libër të Hans Krahe-s dhe gjeta se emrat Ibër (lumi i Mitrovicës), Bolitani, Ibali (Iballje ?) etj. rrjedhkan prej Iberikëve. Gjithashtu emëri Morina ose Murina qënka i një gjuhës mesdhetare para-greke-latine…. Si ç’e sheh krymbin që më fute nuk kam mundur t’a mbyt.

Nga Kapidani dhe i biri kam marrë letra të përzemërta e më njoftojnë se më kanë zgjedhur si anëtar të Këshillit Drejtues. Nga familja kam letra e telegrame, çupës së madhe që është sëmurë i kanë dërguar ilaçet që duhen, por nuk di në i ka marrë. Dhe një telegram me përgjegje të paguar që i kam dërguar sot dhjetë ditë ka mbetur pa përgjegje.

Me punë e shëndet si gjithënjë e pa as një ndryshim.

Doktoraqi paska ardhur me kohë por mua nuk më ka lajmëruar për shëndetin e mikut të madh.  Po deshe mos u sëmur dhe tinë duke ndënjur brënda gjithë ditën, por përfito nga bukurija e natyrës se të bën mirë fizikisht e moralisht, dhe do të shohësh që pas një shëtitjes së gjatë – mundësisht vetëm që t’i bluash mirë mendimet e idetë e tua – puna do të të vejë shumë më mbarë.

Atyre që më kujtuakan e të pyetkan për mua u thuaj të gjitha të mirat nga ana ime. Për veten tënde dhe Xhiren po e dini që veçse ju vetë mund t’i dëshironi vetes t’uaj më mirë e më tepër se sa u dëshiroj e uroj unë.

Me mall i Yti

Ago

 

 Mahdyeh, 5 – IX – 56

 U përgjigja më 10 – X – 1956 (postuem më 12) (Shënim i M.K.)

I dashuri Lalë,

Nga një herë Baba Allahu bën mrekullira dhe për neve të varfërit që duket se na ka harruar. E besoj plotësisht që je në një gjëndje shpirtërore në të cilën edhe vënde më pak të bukura se ato të atyshmet do të të dukeshin si pjesë të xhenetit. Zotit i qofshim  falë për këtë të mirë që bëri.  Dhëntë Zoti e të marrtë për mirë klima e atyshme se vajte kaqë vjet që s’je mësuar me mjegull e borë.

Më kujtonen Muzinjotë e Hiqmet Beut. Muzina është një fshat në qafë që kapton nga Delvina në fushë të Gjirokastrës. Në dimër bën ftohtë shumë, por në verë s’ka më mirë, të ngrë zëri i thëllëzave të malit dhe për këtë muzinjotët krenohen shumë. Po t’a pyesish muzinjotin në behar nga është, të përgjigjet me njëherë plot gaz e krení: jam andej nga këndojnë thëllëzat. Mirpo në dimër, i mbledhur e i rëgjuar nga të ftohtit të përgjegjet se është nga ajo Muzina e shkretë. Dimërin që vjen, na zëntë gëzuar e dimërofshim shëndoshë, do të llafosemi. Unë, në qoftë se do të vij ndonjëherë aty, do të rri vetëm sa të çmallemi e do të shkoj poshtë nga Texasi, ku ka diell e bagëti.

Sidoqoftë gëzimi i juaj është i madh se gëzimi në të cilin marrin pjesë shumë veta shumohet vetiu.

Xhires s’ia kam merakun se është aktive e do të gjejë një punë të përshtatëshme. Nuk di nëse do mundesh aty të gjesh mënyrë për të botuar ndonjë nga veprat që ke pregatitur këtu. Atëherë do të jesh dhe më i lumtur kur të shohësh në dritë edhe të pjellët e mëndjes e të vullnetit t’ënt. Pjekja me miq të mirë e të vjetër, ambjenti i ri e i kënaqshëm, sigurisht do të të forcojnë e do të shtyjnë më shumë nga sa të shtynte monotonia e këtushme. Miqvet të atyshëm që janë dhe të mijtë thuaju të fala. Në letrën tjetër më shkruaj se si u ndave me mikun e madh.

Nga vatani dhe nga miqt e vjetër në Itali s’kam ndonjë gjë të ré për të thënë.

Nga vëllai në Italí s’kam lajme dhe shpresoj se do të thyhet këmba e dreqit këtë rradhë dhe atëherë do të kem edhe un një merak më pak. Adresën e Reshatit po t’a shënoj këtu poshtë dhe jam i bindur që jo vetëm do gjejë kohë të vijë e të piqet, por do të jetë për të një kënaqësi e madhe.

Jeta ime këtu vazhdon monotone dhe përfundimi i punës njëvjeçare nuk do të jetë i kënaqshëm, por jo për faj t’imin. Kështu që ndërgjegjeja vazhdon të jetë e qetë.

Konstantinët janë mirë të gjithë, vazhdojnë jetesën në harmoni e të lumtur. Vijnë nga njëherë këtu dhe sjellin ndryshim e gëzim me vete dhe atëherë s’u lëshojnë nga goja. Kimit e Haxhiresë të fala shumë. Të përqafoj me mall.

Ago

R.A.c/o Dominion fuit

St.David

Ont. Canada

 

 Mahdyeh, 16 – XII – 56

I dashuri Lalë,

Letrën t’ënde plot dhëmshurí, siç i themi na Labërit, e kam marrë para shumë kohe, por s’ka qënë koha për t’u përgjegjur. Nashti besoj se kjo letër do të të bjerë në dorë.

Me shëndet jam mirë dhe puna vete mbarë. Dhëntë nuk më ngordhin më, kanë filluar të pjellin dhe ngado që vete dëgjoj blegërimat e tyre e kullos sytë kur shtjerrat bredhin tufa tufa poshtë e përpjetë. A do të më sjellin fitim është tjetër hesap, por kënaqësi më japin. Sidoqoftë, edhe në mos fitofsha gjë, pasi nuk vuaj prap i fituar jam. Mundimi fizik, në këmbë e në kalë, që nga mëngjesi deri në darkë, vitin e parë më lodhte shumë sa dhe natën nuk gjeja prehje dhe ngrihesha me pahir (shprehje tipike toskërishte) në mëngjes, por nashti u stërvita aq mirë sa e ndjej veten të gjallë e të shkathët e gati të përball çdo mundim trupor. Nuk mund të rri pa t’u lutur që dhe tinë të bësh pakëz lëvizje trupore në erë të pastër e do të shohësh se punohet më mirë maqina e shkrimit pasandaj.

Unë kam pasur e kam vuajtur gjithënjë nga tensioni i ulët, por nashti kam arritur 13 plot, gjë që mjekët e konsiderojnë nga lëvizja që bëj. I izoluar jam shumë, sikundër e thua vetë dhe në ç’do pikëpamje. Rrallë më vjen njeri, rrallë marr ndonjë letër, shumë më rrallë më takon të zbres në qytet dhe me kë (të sigurtë) të dërgoj ndonjë letër nuk kam. Kështu shkruhen e mbeten këtu letrat e mija për shumë kohë dhe kur i nis nuk jam shumë i sigurtë se do të arrijnë atje ku janë nisur.

Miqtë e Skënderijes nashti në dimër e sidomos në këto kohëra nuk kanë si vijnë por shyqyr janë mirë siç më thanë në telefon. Përgjithësisht Shqipot, kudo që ndodhen këtu janë mirë.

Më shkruaje për Baba Rexhepin që mase do  e bjerë rasa të piqesh me të. Un besoj se po se Teqetë janë të të gjithëve, e në u pafsh me të, i thuaj të më falë që nuk i kam shkruar e se shumë herë e kujtoj me mall këtu në këtë vetëmí.

Broshura që ke ndërmënd t’a botosh besoj se do të ketë sukses e se do më shtyjë të përkthej e të t’a dërgoj edhe një broshurë tjetër po të atij autori.

Mënyra e ndarjes me të madhin  , që m’a përshkrove me pakë fjalë, më ka kënaqur shumë fare.

Dimri këtu filloi: një vesë shi dhe pastaj diell. Më vjen keq që nuk mund të të dërgoj këtë diell e dritë që kemi ne këtu.

Gjersa të mund t’a nis unë këtë letër do të ketë afruar Viti i Ri të cilin t’a uroj me zemër: për shumë vjet e gëzuar me gjithë ç’ke.

Xhires e Kimit të fala të përzemërta. Të përqafon me mall.

Ago (firma)

 

 Alexandrí, 10 – I – 1957

I dashuri Lalë,

Kam  ditë që ndodhem këtu në qytet: ndodhem me leje. 14 ditë në vit, të lira plotësisht, nuk janë pak por mua më shkuan shumë shpejt, aqë shpejt sa s’munda të piqesha me të gjithë miqtë. Vajta pakëz ditë dhe në Kajro, por nuk banova atje ku keshë zakon se ai vënd nuk është më i yni.

Viti financiar bujqësor u mbyll me një fitim shumë të vogël për mua, sa për të mos thënë, siç thonë gjirokastritët: “motë mot në Hundëkuq, më vate mundimi huq.” Jam mjaft i dëshpëruar, jo se s’fitova shumë, por se m’u mbush mëndja se nuk ka mundësi që të fitoj më shumë se kaq. Prandaj i shkrova Reshatit që të hetojë atje s ç’mundësi ka për mua dhe në qoftë se më mbushet mëndja të filloj dhe unë nga formaliteti i duhur. Do t’ishte shumë më e lehtë puna ime sikur të kish vajtur edhe vëllai i mesëm tek Reshati, por fatkeqësisht atij i a kanë bërë gardh më të gjitha anët dhe mbeti në kamp.

Nga miku i madh nuk kam asnjë lajm dhe nuk di as se si gjëndet me shëndet. Nga shtëpija asnjë lajm. Shkrova “nga shtëpija” se hala s’e harrojmë dot që kemi pasur shtëpi e prokopi megjithë që ato janë bërë shkrumb e hí….

Që je i kënaqur aty, e di, e më gëzon aq sa e di vetë, por me ç’punë merresh ? Ç’idé të re e punë të re ? Besoj se aty ke mundësira më të shumta. Me Priftin  a je pjekur. Do të doja të ndodhesha observator në një pjekje t’uajën. I bekuari mund të ketë burime historike që mund të të vlejnë.

Nga Prishtina dëgjova një komentim shqip të një veprës së Bariçit mbi origjinën e Shqiptarëve Ilirianë, Thrakas, fis me Ermenët etj. Me gjithë që nuk di gjë mbi autorin e veprën e tij m’u duk interesante, sado që nuk sillte gjë të re.

Letrën e shkruaj në “Delice” e po lë dhe një copë vënd se mos ka për të thënë gjë zonja Rasi kur të kthehem në darkë.

Zonja Rasi mendon të shkruajë vetë veçanërisht.

Të fala me mall të treve.

Ago (firma)

 

 Alexandrí, 23 – 8 – 1957

I dashuri Lalë,

Të falem nderit për letrën që më dërgove. M’a solli Myftiu dhe më kërkon një  senet për 10 grosh që ka harxhuar për arabanë që e solli tek unë. Do t’i a jap për në bankë të Nako Liles në Gjirokastër pasi ai (Myftiu) ka shumë simpathí për atë qytet.

Me shëndet jam mirë, këmba s’më dhemb më dhe temperatura nashti është prej shumë ditësh fare normale. Miqtë, e sidomos Konstantinët, nuk lënë kusur. Ila e Nuçi kthehen këtë javë nga Zvicra ku kanë vajtur për të gjetur një shërim për dhimbjet e përherëshme të Ilës.

Plot dy vjet punova me gjithë fuqi e fare pak fitim për vete por rezultati qe i shkëlqyer dhe Shoqërija vendosi t’a zmadhonte sekcionin tim në një masë jashtzakonisht të madhe dhe, natyrisht, edhe fitimi im do të ishte shumë më i madh. Mirëpo mushka që nuk qe pyetur me një të hedhur përmbi mua e anulloi gjithë programin. Pasi të ngrihem, vallë do të jem i zoti t’i bëj ballë fizikisht një pune kaqë të madhe? Zoti e di. Mbase është më për hair kështu. Ku t’a dish ! Mbase kjo ngjarje më shtyn më shumë të vete te Daveri. Sidoqoftë formalitetet vazhdojnë. Deri sa të shërohem – gjë që mund të zgjasë edhe dy muaj – kam nge të mendoj e të këndoj. I mbërthyer në dyshek, si pata në gjetkëz, s’më mbetet veçse të përsëris gjithënjë fjalët: sabër Tajib.

Kam kënduar një vepër 2 vëllimesh mbi Krishtin. Rezulton që të gjitha fjalët e frazat e përdorura prej tij e që janë ruajtur të shkruara në gjuhën e tij arameene, kuptohen me një herë prej atyre që dinë pakëz arabisht. Më tej. Krishti thërret një djalë: “Ja bar Jonas” që d.m.th. “O bir i Jonasit” . Fjala Homar e gomar (emri i babait të mushkës që më vrau mua) po t’a ka hequr vrejtjen me kohë. Janë këto ndëkime të semitishtes në gjuhën t’onë rrjedhja e Kolonisë semite në Finiq të Delvinës ? Ka më të tjera ndëkime? A thua të kuptohen prej meje fjalë e fraza ilirjane, thrake, maqedonase ose epirote-sikur të gjenden ndonjëherë-me kaq lehtësi ?

Të fala me mall ty, Xhires dhe Kimit. I yti

Ago (firma)

 

Alexandrí, 4 Tetor 1957

I dashuri Lalë,

E mora letrën e dytë e të falnderoj.

Në fillim të majit ndodhesha këtu në Alexandrí për të blerë disa ilaçe për të mjekuar dhëmbët. Pasi gjeta – me shumë mundim – sasinë e duhur dhe festova me miqtë të pestën ditëlindje të Zizikës së vogël, u nisa për në fshat. Me këtë rasë bleva dhe ndërresa, pantallona e këpucë behari se keshë shumë nevojë për to. Këpucët ishin të forta e të lehta por kishin thembrën pakëz të ngushtë dhe humbisja shumë herë ekuilibrin, sidomos ndër ara me plisa. Më vate mëndja se mund të rrëzohesh e të përdredhë a të thyejë këmbën. Shkuan muaj dhe u mësova me to. Më 15 korrik pas mesnate m’u bë në ëndërr sikur keshë thyer këmbën. I meruar u zgjova dhe të dy duart më vanë te këmba. Si u sigurova që s’qe gjë, vazhdova gjumin. Më 17 korrik u thye ajo këmbë dhe tamam po në atë vënd që e kisha parë në ëndërr. Kësaj ç’i thua ?

Nashti jam hala në spital dhe këmba njëra më rrëzë të kofshës në allçi, por kam tri ditë që kam nisur të eci nga pak. Nuk kujtova të ishte një punë kaq e rëndë. Ngrihem 10 herë në ditë dhe eci 20 m. çdo herë. Më shumë s’bëj dot nga shkaku i dhëmbjeve e i lodhjes, por më duket se sakat nuk do të mbetem dhe kjo më mjafton.

Historinë e Krishtit e ka shkruar një Profesor e tre herë Doktor belgjian i quajtur Quiodbach, katolik fanatik në spiegimet që jep por nuk ndryshon faktet historike dhe kjo është mjaft  për neve të paanëshmit. Por nuk t’a rekomandoj t’a këndosh se do pësosh një desiluzion të madh përsa i përket Shën Mërisë e cila s’tregon as një ndjenjë mëme dhe s’ka luajtur asnjë rol të hijshëm në jetën e të birit i cili ja shpërblen me të njëjtën ftohtësi.

Miqtë më vizitojnë për herë dhe Myftiu qe dje këtu. Mua, zyrat përkatëse, më ftuan të emigroj për në Chili por refuzova. Se nga u erdhi kjo mëndje nuk e di dhe kur të shërohem do vete t’i pyes për këtë dhe në se vëndi ku ndodhem përfshihet në kuptimin Orient i mesëmmbasi këndova në një fletore se Shtetet e Bashkuara paskan vendosur të pranojnë 70.000 veta nga Evropa e Jugës dhe Orienti i mesëm.

Me shumë mall e të fala trinitetit mbarë.

Ago (firma)

 

 

 Mahdyeh, 25- VII – 1958

I dashuri Lalë,

Dikur më pate dërguar një copë fletorje që fliste për një ligjë të re për sa i përket imigrimit në Sh.B. prej vëndeve të Orientit. Menjëherë i u drejtova zyrës kompetente në Alexandri dhe m’u përgjigjën se është bërë vetëm për çifutët. Megjithatë i u drejtova konsullatës në Kajro. Më dhanë formulare e i mbusha, më vonë më kërkuan spiegime më të gjëra e u a dërgova. Ka tri ditë që m’u përgjegjnë se ligja në fjalë nuk më përfshin mua e se duhet të pres sa të më dalë kuota për të cilën formalitetet po vazhdojnë e që në kohën e duhur do të më lajmërojnë. Për këtë kuotë të shkretë lutjen e kam bërë që në fillim të 953-së.

Reshati e Daveri më shkruanin, dje, se ata po përpiqen me sa munden që të më thërresin atje por se Qeverija e paska ndaluar fare imigrimin atje për shkak papunësije.

Reizi ka 1½ muaj që është sosur në Paraguaj por njer më sot nuk kam lajm në se ka gjetur punë, prandaj hezitoj të nis një formalitet për të vajtur atje se mos nuk gjej punë as unë dhe atëherë ç’bëjmë tre veta pa punë në një vënd ku nuk kemi asnjë njohje ose lidhje ?

Këtu klima s’më bën mirë këto kohët e fundit, por nga t’ia mbaj ? Kam menduar të kthehem në Romë por nuk m’a ha mëndja që të kryhen formalitetet para se të më mbarojë rezidenca e këtushme.

Kam menduar t’i drejtohem Gjokës – se atij ia di adresën – që mbase më rekomandojnë ku duhet për të vajtur në Libí e për të gjetur punë. Më parë se të drejtohem dua dhe mendimin t’ënd se a është gjë që bënet.

Reshati do të të thotë se sa më shanë këto kohët e fundit Tirana, në shtyp e radio. Edhe Koliqi më ka shkruar për këtë fushatë që kanë hapur.

Me shëndet jam mirë, këmba pothuaj se s’më pengon fare në punë në të cilën kam një sukses të jashtzakonshëm, i cili shpresoj të më mbyllë plagët ekonomike të vitit të shkuar.

Ju si jeni me shëndet e a dëgjoni ndonjë herë se ç’bëjmë na këtej? Me shumë të fala me mall ju përqafon të treve.

Ago (firma)

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency