Vjedhja e bankës/ Inventarizuesit dalin para Gjykatës, 2 kryetarët në burg, 5 lënë qelitë

0
193

Prokurori dhe avokatët, kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës

bsh 2Në seancën e djeshme, për njohjen me masën e sigurisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës liroi nga burgu 5 nga 7 të dyshuarit për “shpërdorim të detyrës”, të cilët gjatë ushtrimit të funksionit si punonjës të Bankës së Shqipërisë, nuk kishin konstatuar vjedhjen e lekëve. Në qeli ngelën vetëm dy ish-kryetarë të komisionit të auditit të arkës.

Gjatë dy orëve që vazhdoi seanca e djeshme, gjyqtarja Fida Osmani, pasi dëgjoi palët, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarin Bahri Alushi dhe Gentjan Jahja, ish-kryetarë të komisionit të auditit të arkës. Ndërsa për anëtarët e këtyre dy komisioneve, të dyshuarit Mehdi Molla, Ilir Dede, Fatbardha Gurthi dhe Mehdi Marku, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në zbatim të këtij vendimi, gjykata urdhëroi të dyshuarit të mos largohen nga banesa e tyre dhe të mos kontaktojnë me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes. Ndërsa të dyshuarin Emiljano Lamçe, gjykata e liroi nga qelia duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje” për shkak edhe të gjendjes se tij shëndetësore.

Shtatë inventarizuesit e Bankës u ndaluan ditën e premte, më 29 gusht, nga Policia e Shtetit.

Deri tani, numri i të dyshuarve për vjedhjen e 713 milion lekëve të Bankës qendrore, qe po procedohen penalisht ka arritur në 17 persona.

 

Prokuroria

Në fillim të seancës së djeshme gjyqësore, punonjësit e ndaluar për vjedhjen e Bankës, të ngarkuar me inventarin e parave, Gentian Jahja, Ilir Dedja, Emiljano Lamçe, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Mehdi Molla dhe Fatbardha Gurthi u njohën me akuzën e Prokurorisë, e cila kërkoi arrest me burg për të shtatë të ndaluarit, sikurse kishte kërkuar më herët edhe për nëntë  punonjësit e mëparshëm dhe një të jashtëm, që janë tashmë në qeli.

Prokuroria kërkoi gjatë shpjegimeve të saj në seancat për vlerësimin e masës së sigurisë për 7 punonjësit e sektorit të inventarizimit në bankë. Sipas prokurorëve ata shpërdoruan detyrën duke mos kryer një inventar të plotë. Prokuroria tha se edhe pse vjedhja ka disa vite që ka ndodhur inventari nuk u krye, duke i dhënë mundësi të akuzuarve të tjerë të vazhdojnë vjedhjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, përgjatë dy viteve të fundit, në raportet e tyre nuk kanë konstatuar asnjë mangësi në arkën “stok” dhe në arkën “në veprim”. Emrat e të dyshuarve dolën në dritë pas hetimit prej më se një muaji, të skandalit të ndodhur në godinën “X” në Linzë.

 

Avokatët

Përkundër pretendimeve të prokuroisë, avokatët kundërshtuan kërkesat e akuzës, ndërsa kërkuan lënien e lirë të tyre. Avokatët sqaruan se, klientët e tyre nuk kanë konsumuar ndonjë vepër penale. Sipas avokatëve, inventarizuesit dhe inventarët e tyre janë kontrolluar nga zëvendësguvernatorja e Bankës sipas ligjit. Ato janë gjetur të rregullta dhe punonjësit nuk kanë pse të përgjigjen se kanë shpërdoruar detyrën, përderisa ka qenë një inventarizim jo i plotë, por me përzgjedhje nga një auditues i caktuar nga banka.

Avokatët hodhën dyshime mbi deklarimet e të dyshuarit Ardian Bitraj.

“Kutitë e përzgjedhura ishin në rregull. Inventari nuk bëhej i plotë, por me përzgjedhje. Inventarizuesit nuk shpërdoruan detyrën, Ardian Bitraj po mbron veten”, u shprehën avokatët në seancën e djeshme gjyqësore.

Për avokatët, problemi shtrohet se personat akuzohen se kanë kryer vjedhjen nga viti 2012 e në vazhdim, por ky është një fakt që duhet marrë me dyshim, sepse nuk dihet kur ka ndodhur kjo vjedhje, ku është kryer, në se është kryer jashtë Bankës apo brenda saj dhe fakti që inventarizuesit dhe inventarët e tyre janë kontrolluar nga drejtues të lartë të Bankës së Shqipërisë.

 

Vendimi

Në përfundim të pretendimeve të palëve, gjyqtarja Fida Osmani, në vendimin e saj në emër të gjykatës caktoi masat e sigurisë ndaj ish-anëtarëve të Komisionit të auditit të parave, që ndodheshin në arkën stok dhe arkën për veprim në qendrën e emisionit të monedhës në Linzë gjatë periudhës 2012-2013, sipas të cilit, pesë prej inventarizuesve, Mehdi Marku, Mehdi Molla, Ilir Dedja, Fatbardha Gurthi dhe Emiljano Lamçe, lënë qelitë, ndërsa dy të tjerë, ish-kryetarët e komisioneve, Bahri Allushi dhe Gentian Jahja, do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli.

Disa minuta pas përfundimit të seancës së djeshme, katër 4 personat me “arrest shtëpie” dhe personi i peste më “detyrim paraqitje” lanë qelitë ku ndodheshin prej tri ditësh të ndaluar.

Kundër vendimit të djeshëm të gjykatës, u shpreh si prokuroria, ashtu edhe avokatët mbrojtës.

Pas vendimit të Gjykatës, prokurori i çështjes tha se këto vendime do të apelohen pranë Gjykatës së Apelit, pasi kërkesa e akuzës ishte mbajta e të dyshuarve në burg deri në përfundim të hetimit. Prokuroria vuri theksin se në seancën e apelimit, do të kërkojë që personat që akuzohen të lihen të gjithë në “arrest me burg”.

Ndërsa avokatët deklaruan  se, inventarët kanë qenë me përzgjedhje dhe jo të plotë e si të tillë, kanë rezultuar të rregullt. Sipas avokatëve, arkat e parave janë përzgjedhur nga audituesi i caktuar nga Banka, ndërsa raporti i auditit është pranuar si i rregullt nga zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë.

 

 “Arrest me burg”

Bahri Allushi

Gentian Jahja

 

“Arrest shtëpie”

Mehdi Marku

Mehdi Molla

Ilir Dedjan

Fatbardha Gurthi

 

“Detyrim paraqitje”

Emiljano Lamce

 

Dosja/ Detajet e ndalimit të 7 inventarizuesve

Burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, sqaruan pas lëshimit të 7 urdhër-ndalimeve, se komisioni i inventarizimit, të paktën gjatë dy kontrolleve në vitet 2012 dhe 2013, nuk ka verifikuar të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkat e dëmtuara, çka do të shmangte vjedhjen në të ardhmen.

Prokuroria sqaron më tej se, verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5 për qind e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Nga këqyrja e kolive në arkën për veprim, rezulton se tetë kolitë e prekura (në të cilat janë vjedhur lekët) kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare, do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin me të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21 qershor 2014.

Nisur nga hetimet e deritanishme, prokuroria sqaron gjithashtu se, nga komisionet e inventarizimit në vitet 2012 dhe 2013, këto mangësi duhet të ishin evidentuar, nëse inventari fizik do kryhej sipas rregullores

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency