Lulëzimi i Call Center

0
138

(Marrë nga Monitor)

callKostoja ende e ulët e punës në Shqipëri dhe kriza ekonomike në Itali, po bëjnë që bizneset call center të zhvillohen me hapa të shpejtë. Numri i ndërmarrjeve ka arritur në 233 në fund të qershorit 2014, duke u dyfishuar në vetëm një vit. Por kujdes! Në këtë sektor që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, rreziku për të dështuar fillon të rritet. ..

Nëse ka një sektor që u rrit me shpejtësi dhe me ritme të larta prej 60-70% në 2013-n, teksa pjesa më e madhe e ekonomisë vendase ishte e mbërthyer nga kriza, është ai i call center.

Të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për dy kompanitë kryesore, Intercom Data Service dhe Albacall flasin për një zgjerim të qarkullimit vjetor me ritme dyshifrore, mbi 50%.

Për Intercom Data Service (IDS), kompania më e madhe call center në vend, 2013-a ka qenë një vit i mbarë. Qarkullimi vjetor i kompanisë, sipas bilanceve të dorëzuara tek tatimet ishte 2.56 miliardë lekë (rreth 18 milionë euro), me një zgjerim vjetor prej 71%. Fitimi u dyfishua, nga 322 milionë lekë në 2012, në 690 milionë lekë (para tatimit). Norma e fitimit të kompanisë është rritur në 27% në 2013, nga 21.5% një vit më parë (para taksave). Kosto e punës (paga+sigurime shoqërore) zinin 70% të totalit të shpenzimeve në 2013-n.

Edhe Albacall realizoi një xhiro prej 2.25 miliardë lekësh (rreth 16 milionë euro) në 2013-n, me një rritje prej 60% në raport me një vit më parë. Fitimi u dyfishua nga 318 milionë lekë në 2012-n, në 605 milionë lekë në 2013-n, sipas bilancit të dorëzuar te tatimet. Kosto e forcës punëtore përbënte 76% të totalit të shpenzimeve të Albacall. Edhe kjo sipërmarrje call center pa një rritje të normës së fitimit (para taksave) në rreth 27% në 2013-n, nga 22.6% një vit më parë. Albania Marketing Service (Teleperformance) kishte një xhiro rreth 10 milionë euro në 2012-n, ndërsa shifrat për 2013-n nuk janë ende të disponueshme, por që nga 2009 kur filloi aktivitetin, deri në 2012-, zgjerimi ka qenë tepër i shpejtë, nga rreth 500 milionë lekë, në 2009-n, në rreth 1.4 miliardë lekë në 2012-n.

 

Norma e fitimit, para taksave (%)

Numri i kompanive që veprojnë në këtë sektor është dyfishuar në vetëm një vit. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, “subjektet aktive në sipërmarrje call center janë 233”. Nga këto, 110 biznese janë regjistruar që nga shtatori i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i bizneseve të regjistruara është rritur me 39%, sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Mes këtij fluksi sipërmarrjesh, 4 biznese janë çregjistruar, ndërsa kanë pezulluar aktivitetin 29. Në këtë rast, ekspertët e QKR-së shpjegojnë se ato mund të fillojnë të jenë aktive sapo të sigurojnë kontrata.

Nuk ka të dhëna për numrin e saktë të të punësuarve në këtë sektor, por vlerësohet që ai i ka kaluar 10 mijë vetë.

 

Arsyet e rritjes

Zgjerimi masiv i universiteteve vitet e fundit është parë si një mundësi për të zënë “me punë” të rinjtë shqiptarë. Një vend si Shqipëria, të cilit i mungojnë industritë e mëdha prodhuese, ndërsa fshati vazhdon të mos shihet me simpati nga të rinjtë, mundësinë për të punësuar të rinjtë e ka të kufizuar. Por, një zhvillimi mbase jo të qëllimshëm për të qëndruar sa më shumë në bankat e shkollës, po i kundërpërgjigjet më së miri, nisma private e biznesit call center.

Sipërmarrje të tilla kanë njohur dhjetë vite më parë potencialin e të rinjve shqiptarë për të komunikuar në gjuhë të huaja. Ritëm që është përshpejtuar kohët e fundit, për shkak të forcimit të krizës ekonomike në Italinë fqinje.

“Kërkohen operatorë” është njoftimi masiv që mund të gjeni në faqet online të punësimit. Dhe vrojtimet në faqet e internetit, apo udhëtimet në Tiranë e Durrës flasin për një industri që “gumëzhim” e të lë të kuptosh që është një sektor shumë më tepër i zgjeruar nga shifrat zyrtare.

Një biznes që po zhvillohet me ritme të shpejta, që zë kate pallatesh, apo madje edhe ndërtesa të tëra shumëkatëshe, ku hyjnë e dalin të rinj, e rrugica ku gati dëgjohen bisedat e disa personave njëherësh, flet për një industri që po merr përmasat e asaj të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, për nga numri i bizneseve dhe masiviteti i të punësuarve. E për fat të keq, ngjason edhe me shkallën e lartë të informalitetit. Ndërsa industria fason arrin të matet me eksport-importet e materialeve, ajo e call center, në këtë rast, është pothuajse e pamatshme. Ato ofrojnë një shërbim. E si niveli i xhiros së këtyre industrive, edhe numri i të punësuarve, mbetet ende një hap i largët. Madje, sipërmarrësit e call center gjejnë terren më të përshtatshëm në këtë rast, krahasuar me fasonët, pasi një pjesë të mirë të punësuarve i kanë part-time. Bizneset nuk janë të organizuar në një shoqatë apo grupim që mbron interesat e tyre dhe asnjë institucion nuk arrin të na thotë sa të punësuar ka ky sektor.

Por kjo, nuk i ka penguar sipërmarrësit të realizojnë kontrata me kompani private a publike në shumë vende të botës, por me fokus kryesor Italinë.

Ndërsa gati dhjetë vite më parë, të rinjtë shqiptarë u tregonin italianëve se ku do të gjenin restorantin më të afërt, apo në cilën orë niset treni për destinacionin e kërkuar, sot gjenerata e re u shpjegon si duhet të montojnë aparatet, ku duhet të rregullojnë pajisjet teknologjike, u sigurojnë një teknik që të rregullojë ashensorin e pallatit, pa folur për agjentët e shitjes “që ua postojnë në shtëpi”, pasi i bindin të kalojnë nga një operator telefonik te tjetri.

Një industri që, pavarësisht informalitetit të lartë, mund të vlerësohet si një biznes me ndikim të rëndësishëm social, pasi u mundëson të rinjve të sigurojnë shpenzimet për studime, apo shpenzimet e tyre personale për të jetuar larg familjes.

Pagat e të rinjve që punojnë në këtë lloj biznesi janë të ulëta krahasuar me standardet e Europës Perëndimore (rreth 300 euro në muaj për një punë të plotë). Por, kjo pagesë është e vlefshme për të rinjtë që përballen me përvojat e tyre të para në punë, që kanë nevojë të marrin përvojë. Ndërsa ky nivel page nuk do të kishte të njëjtën vlerë edhe për një familjar, që i duhet të paguajë kredinë apo të rrisë fëmijët.

 

Monitorimi: Rritje e përshpejtuar

Në vitin 2010, kur revista “Monitor” shkroi për këtë lloj biznesi, vuri në dukje se Agjencia për Nxitjen e Investimeve të Huaja e shikonte si një potencial të madh shërbimin call center. Drejtuesit e agjencisë asokohe vlerësonin se mund të punësoheshin deri në 20 mijë të rinj në këtë sektor, por kur kanë kaluar 4 vite, agjencia e ndryshuar disa herë në emër e strukturë, nuk duket se i ka ardhur në ndihmë biznesit potencial. Sot, ajo nuk ka asnjë të dhënë për sektorin, ndonëse e vlerëson si një mundësi të mirë për investimet e huaja. Ritmi i përshpejtuar i kësaj industrie vërehet nga vrojtimi i këtyre bizneseve, të cilat, jo vetëm efektet e krizës, por as strukturat e dobëta të industrisë, nuk kanë arritur ta pengojnë. Administratori i një prej kompanive më të mëdha në vend, Intercom Data Service (IDS), e nisi punën me një hapësirë sa sipërfaqja e një apartamenti. Me optimizmin që e karakterizonte, që në fillim, tregonte për dhjetëra kompjuterët e vënë në dispozicion të operatorëve, duke theksuar se do të merrte së shpejti hapësira të reja. Sot, rreth 6 vite më vonë, hapësirat që mbajnë emrin e kompanisë së tij nuk i gjeni vetëm në disa zona të Tiranës, por edhe në qytete të tjera të vendit.

 

 Rritje e përshpejtuar, rrezik për dështim

Drejtimi i automjetit me shpejtësi rrit rrezikun për aksidente, e kjo mund të shihet edhe te sipërmarrja e “nxituar” në call center. Në këtë rast, ashtu si dhe në rrugë, rreziku është më i lartë për drejtuesit e automjetit që nuk e kanë marrë patentën, apo kanë pak përvojë.

Ndërsa vitet e fundit, bizneset vendase po luftojnë me krizën ekonomike në vend, kompanitë e këtij sektori nuk e kanë ndier këtë.

Një dekadë më parë, numëroheshin më pak se 10 kompani call center, ndërsa numri i tyre është rritur 23 herë. Operatorët pranojnë se numri do të vazhdojë të rritet edhe më tej në vitet në vazhdim, nisur nga interesi që perceptojnë në treg. Përveç kapitalit të vogël financiar për ta nisur këtë biznes, me interes shihet edhe marzhi i lartë i fitimit, i cili llogaritet në gati 20%. Shqipëria mbetet ndër më konkurrueset për shkak të nivelit të ulët të pagës mesatare dhe afërsisë gjeografike me shtetin italian.

Sipas operatorëve, kostoja e punës është deri në tre herë më e ulët në krahasim me koston në Itali, duke përfshirë edhe kostot e infrastrukturave të tjera (kryesisht të shërbimit të internetit). Në Shqipëri, paga mesatare shkon 280-350 euro në muaj, krahasuar me 900-1000 euro në muaj në Itali. Por, hapja e kompanive të reja ka rritur konkurrencën në treg, duke bërë presion mbi ato ekzistuese. Ndonëse numri është shtuar, janë katër kompani që zotërojnë thuajse gjysmën e tregut. Etja e vërejtur një vit më parë për të hapur një biznes të tillë është bërë edhe më e theksuar muajt e fundit, e kjo nuk shihet aspak si pozitive nga këndvështrimi i sipërmarrësve. Nëse në pamje të parë mund të mendojmë për një xhelozi që vjen për shkak të forcimit të konkurrencës, argumenti i tyre ka brenda disa të vërteta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency