Letra e 1950/ Një spiun kundër Zogut, dështimi i përpjekjes për lëvizjen republikane të Shqiptarëve

0

AzoguKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Një cikël tjetër letërkëmbimi të Krujës është ai me ish perfektin e Mitrovicës, me origjinë nga Vlora, emigruar në Egjipt

Loading...

 Letrat e Ago Agajt (1897 – 1994) plotësojnë kuadrin e mërgatës shqiptare të periudhës së regjimit komunist, të paraqitur nga ky vëllim. Ago Agaj ishte vlonjat, kishte studjuar agronomi në Austri, e gjatë luftës kishte marrë anën e krahut nacionalist, duke vënë gjithë entuziazmin e tij atdhetar në shërbim të ribashkimit të Shqipërisë, në detyrën e tij si Prefekt i Mitrovicës. Ishte një nga intelektualët e shquar të Jugut e me M. Krujën kishte bashkëpunuar edhe për përkthimin  e librit të Hans Krahe-s “Ilirët dhe indogjermanizimi i Evropës”.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit

***

 Kairo, 12 – I – 1949

Mjeshtër i dashur,

U bënë shumë ditë që ndodhem këtu dhe nuk Ju kam shkruar për arsye që i mendon vetë. Puna e parë qe pjekja me Tahir Pashën dhe u krye brënda 3 ditëve në mënyrë që ai dha pëlqimin e vet për të hyrë në shërbim të Muhamet Beut pas një bisedimi që pati me këtë. Ç’kanë biseduar nuk e di mbasi pëlqimi m’u komunikua prej sekretarit të Tahir Pashës e me anë të telefonit. Me Muhamet Beun nuk kam pasur asnjë pjekje dhe pres një lajmërim me anën e Nexhos. Fjalët e fundit të T. Pashës qenë këto: “është vështirë për mua të ju këshilloj mbasi M. Beu është kushëriri im, por nuk mendoj që atje të kini aq shumë punë sa të mos mundeni të bëni herë mbas here ndonjë expertim edhe gjetkë. Sidoqoftë do të flas me M. Beun edhe do të ju njoftoj telefonisht mendimin t’im.”

Pakot i dërgova si për Shqipëri ashtu edhe për Austri tue vënë në gjithësecilën nga 900 gr. kaffe, 700 gr. çokolatë, 70 gr. kakao e 500 gr. sheqerllëke. T’i mbushja vetëm me kafe nuk më lejuan. Pesha kaloi të 2 kilet por më sigruan se nuk sjell ndonjë pengim në dërgimin e tyre. Mbështjellja u bë me kujdes e në teneqe. Gjithë shpenzimet për të 2 pakot arritën 3 lira pa 8 grosh.

Me mundim të madh munda të hedh në dorë aparatin fotografik të Xhaferit e po mundohem të gjej Fortuzin që t’i a dërgoj.

Prej vëllezërve mora letër, janë mirë e janë transferuar në Jesi. Shqipot e tjerë janë shpërndarë në 3-4 kampe të ndryshëm. Një Vangjel Qirko ka vajtur nga Greqia atje dhe bën propagandë vëllazërimi të partive shqiptare. Disa kohë më parë ka folë kundra Mbretit.

Nderime e të fala.

Ago

 

Kairo, 31 – I – 1949

I adhuruari mik,

Letra që mora mbrëmë prej Myfti efendiut më siguroi edhe më shumë për mbarëvajtjen shëndetësore ‘Uajën. Më siguroi e më gëzoi për së tepëri. Është e vërtetë që mëndja nuk m’a ka pranuar kurrë që kjo sëmundje të të sillte rrezik, mbasi e dija që keshët marrë masa preventive, por shumë herë ndjenjat nuk i nënshtrohen logjikës. Veç kësaj Ju e dini mirë se ç’ide kam unë për logjikën e cila na ka munduar e po na mundon hala dhe Zoti e di në se do të ndryshojë në t’ardhmen sjelljen e saj kundrejt neve. Prandaj kam qënë shumë i brengosur me gjithë sigurimet e Pallatit, të Irfan Beut, Abaz Agës etj. Nashti jo vetëm që mendoj por edhe ndjej që rrezik nuk ka më dhe më vjen vetëm keq për vuajtjet. Por edhe me këto u mësuam si ai Labi i mjerë që tha :

Shkoni moj të liga shkoni

Mbi mua të ziun kaptoni

Se jam mësuar i gjori.

Këto të ligatë t’ona

S’kanë të sosur akoma

Lëshojnë lule të njoma.

Kënaqësi kam ndjerë për interesimin që tregon shumë kush për gjëndjen t’Uaj. Fortuzi ka mbetur i habitur për dhëmbshurinë që ka treguar mbreti. Kapidani pyeti telegrafisht dhe ju përgjegja po ashtu. Dje mora një letër po pej tij, në të cilën më  siguron se nuk e zë gjumi nga meraku dhe kërkon spjegim “me një herë e pa vonesë”. Dhe unë urdhërin e plotësova. Motra dhe Bashkimi duket që nuk dijnë gjë.

Për këta të dy më sigurojnë se u ka dalë leja për të ardhur këtu dhe kështu do të kini fatin t’i mblidhni rreth vetes pjesën oxidentale të familjes.

Nga Xhaferi nuk kam marrë më asnjë letër. Vehbi Frashëri, që erdhi këto ditë prej Rome, më thotë se ndodhet, që prej pak kohe, atje.

Nesër do përpiqem mbase mund të flasim në telefon bashkë, se ndoshta keni ndonjë porosi. Inshallah nuk më vete kot si herët e tjera.

Me urime për shpëtimin dhe shumë të fala të përzemërta. Juaji

Ago

 

Kairo 11 – XI – 1950

I dashuri Lalë,

Kur ika prej aty i u drejtova kampit, por gjëndja atje qe bërë aq’e papëlqyer sa i u drejtova Teqesë. Këtu më dhanë një odë të mirë, por gjithënjë odë Teqeje : pa vënd për rroba, për libra e as tyezë për të shkruar. Vizitorët e shumtë të Teqesë, në të shkuar hidhnin edhe nga një sy nëpër penxhere në odën t’ime, mbasi ishin pa perde. Dal ngadalë i plotësova d.m.th. i zhduka këto të meta dhe nashti jam fare në rregull për sa i përket banesës. Çështja tjetër e më kryesorja nuk është sqaruar hala mbasi as Nexhua as unë nuk jemi pjekur me Mohamed bejnë që kur jemi larguar nga Alexandria. Besoj që këto 10 ditë do mundet Nexhua të piqet me të dhe mbase rregullohet. Përfundimin negativ o pozitiv do të t’a lajmëroj.

Nga Xhaferi mora një letër dhe kërkonte të dinte nëse i u dhanë instrukcionet e premtuara Bazit e në ndodhje të Koços. Prej B.K.I. mora një qarkore në të cilën spiegohen veprimet e Partisë. Nga të dy letrat kuptohet se nuk kanë gjë në vijë për sa i përket pjesëmarrjes së B.K.I. në Komitet dhe presin çdo të bëjnë të tjerët. Kurse nga një letër e H. Dostit rezulton se ai vjen në Romë me qëllim afrimi e bashkëpunimi me të gjitha partitë. Natyrisht Xhaferi të dërgon shumë të fala.

Do të keshë shkruar më përpara por m’ish ngatërruar letra “famosa” për të cilën të ka shkruar Nexhua dhe nuk mund t’a gjeja. Sot desh Zoti dhe gjeta e po t’a dërgoj. M’a dërgoi zonja Fritzi me porosi  që t’a djeg, pasi ta keshja kënduar e me qëllim që t’a njihja  edhe  më mirë karakterin e shkruesit të saj. Unë e ruajta për të t’a treguar kur t’a shihja se nuk keshje formuar gjykim të saktë mbi shkruesin në fjalë, por nga disa shprehje të t’uat para meje dhe të tjera para zonjës Fritzi, kuptova se nuk kish më nevojë fjale ose dokumenti, mbasi gjykimi qe formuar tamam si ç’duhej. Dhe atëherë e quajta si një çqetësim të kotë të t’a jepja letrën. Në fillim d.m.th. atë ditë që mora letrën jeshë shumë i zëmëruar dhe në dilemë se ç’të bëja. Rasti pruri Nexhon të cilin e pyeta për një këshillë në këtë dilemë. Nuk mbaj mënd këshillën e tij, por unë vendosa të veproja si ç’shkrova më lart. Nashti besoj se të çqetëson më shumë mosnjohja e përmbajtjes së saj se sa ajo vetë dhe po i a bashkangjit kësaj letre.

Sa për miqësinë t’ime me Nexhon mos u çqetëso se ai nuk më nxori një sekret tek një i huaj, por i a tha atij para të cilit unë nuk kam sekrete të mijat. Në e pastë thënë edhe gjetkë atëherë ndryshon puna, por nuk e besoj.

Në qofshin rethanat materiale të favorshme do të shihemi me 28 Nëntor, përndryshe Allahu e Baba Fetahu.

Me shumë të fala Lalës dhe motrës.

Ago

 

 Teqe, 9 – XI – 1951

I dashuri Lalë,

Letrën e mora dhe u gëzova shumë që Bashkimi qënka nisur për në Amerikë. Me ikjen e tij u sigurua jeta e jetesa e tij dhe tinë vetë, sidoqë të vijë halli – qeni qepë të hajë – si i themi ne Labërit, sigurove pleqërinë tënde. Të uroj e të përgëzoj nga zëmra. Mehmetit i shkrova sikundër që më këshillove.

Era e keqe e shiu për mua nuk mbaruakan dhe sot mora një letër nga Reizi që kam në Itali, në të cilën më thotë se tue i pasur të gjitha formalitetet në rregull e tue qenë gati për t’u nisur, nëpunësi kompetent ose konsulli i paska thënë : “ Ti nuk mund të shkosh në Kanada” dhe ka refuzuar t’i japë spjegime. Të shohim se cila është gjëndja juridike e vëllait të vogël që ndodhet në Greqi, a konsiderohet ushtar apo emigrant e a do t’a pranojnë. Për vete u shkrova disa miqve të më informojnë se ç’duhet bërë që mbase më pranojnë atje.

Nga Nexhua nuk kam asnjë lajm dhe duket që do të kalojë 28 Nëntorin aty e nga fillimi i Shëndreut mund të vijë. Kështu u shtyjt edhe zgjidhja e problemit tim me Mohamet bejnë.

Të fala

Ago

 

 Teqé, 6 – XII – 1952

I dashuri Lalë,

Letrën “mustagel” të datës 27 – XI – e mora mbrëmë. Kish bërë një udhëtim të gjatë dhe plot aventura. Po e dërgoj zarfin se është për t’u parë.

Letra nga Shqipërija është dërguar nga vajza e sëmurë dhe ka një përmbajtje shumë të shkurtër : kërkon ilaçe për sëmundjen nga e cila vuan, kërkon t’i dërgoj 1000 dollarë, dhe njofton se është mirë me gjithë fisin e saj. Mora vesh se festa aty paska nisur me një farë dissonance jehona e së cilës po vazhdon të ndihet edhe këtu. Prandaj u bë mirë që nuk u ndodhëm fare.

Në të shkuarën kemi derdhur lot në këtë festim se qëllimi qe ideal. Nashti u kthye në realizmë, materializmë dhe prandaj na lë të ftohtë në qoftë se nuk na mbush me neveritje. Fatkeqësi që nuk do të vazhdojë shumë se na e shkuam jetën t’onë e ata pas neve janë rritur në materializmë dhe nuk do të ndiejnë e nuk do të ruajnë.

Nga mideja jam mirë por vuaj pak nga palpitacionet.

Çështja tjetër ka mbetur siç qe : vartur.

Përshëndetje me mall

Ago

 

 Teqé, 24 – II – 1953

I dashuri Lalë,

Njetin e pata t’u shkruaj përpara se të merrnja letrën e Kapidanit e shënimin përcjellës, por Spiuni kish vendosur ndryshe. Duke marrë për bazë (!) një letër t’imen që i kesh drejtuar Koliqit me të cilën flisja vetëm mbi punët e partive e personalitetet shqiptare dhe politikën që duhet të ndjekim, Spiuni kish trilluar një raport të gjatë kundër meje. U thirra në Zyrën e mbësheftë e u pyeta. Një nga pyetjet qe : “Ju këshilloni mbledhjen e partive rreth Mbretit ?” Ju përgjigja se po, këtë këshilloj, por rreth Mbretit t’im e jo t’Uajit. Duhet të theksoj se oficeri që më pyeti u suall shumë mirë e gjentil.

Mbi raportin që kish bërë Spiuni kish dijeni dhe zonja Myrvete së cilës ai i kish thënë se për së shpejti Agon do t’a nxjerrin jashtë Egjyptit në bazë të raporteve të tija. Ajo e kish këshilluar të mos bënte të tilla raporte pa u këshilluar me Dervish Bajramin ! Kur mendoj se Spiuni e ka gjetur punën në bazë të nji dëshmije të lëshuar nga Legata më duket se përgjigja e zonjës është një çikë tepër tolerante.

Besoj që me kaqë – për këtë rradhë – kjo punë u mbyll. Me këtë rast më ka shërbyer Qerim Haxhiu dhe Dervish Bajrami.

Kapidani në letrën e tij nuk thotë gjë të re veçse përsërit po ato preokupime mbi sa i përket lëvizjes republikane të Shqiptarve. Shton vetëm se Ali Këlcyra nuk paska aderuar. Ky shënim lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një përpjekje që synon grumbullimin e të gjitha partive antizogiste (nuk guxoj të them antimonarkiste se, kush e di,  më raporton prapë spiuni) nën një çati të vetëme.

Nga Babai as një lajm tjetër. Dervishët kur më panë se erdha më pyetën : po z. Kruja ku mbeti ? Nga letrat që gjeta këtu më gëzoi njëra që thotë se im vëlla me gjithë të shoqen po nisen nga mezi i Marsit.Me shëndet jam mirë dhe merrem me mbjellje pemësh e krasitje.

Shumë të fala edhe Bibës

Ago

 

 Mahdiyeh, 3 – XI – 1955

I dashuri Lalë,

Letrën e mora dhe jam plotësisht i një mendimit me atë frëngun e mënçëm që nuk ka gjë të qëndrueshme veç së të përkohëshmes, se vetë jeta është e përkohëshme, veprat të mira ose të këqija zgjatin më shumë si dhe idetë e shkëlqyera. Nga të trija këto na të zetë Shqipo jemi të prasmit, se asnjë nuk rron më pakë se neve, qoftë nga sëmundja, qoftë nga rrethanat e çdo lloji. Nga idetë e shkëlqyera jemi e kemi qënë të larë e shpëlarë e vetëm ndër vepra të këqija mund disi të konkurojnë.

Jemi të shqyer vetëm në megalomani e në të gënjyer vetë veten dhe shyqyr Zotit që i kemi dhe këto vese se përndryshe do të jeshem bindur me kohë që nuk vlejmë gjë dhe do të jeshëm çdukur me kohë.

Unë këtu kam fare pakë kohë të merrem me politikë dhe merrem me bagëtinë e bekuar. Dhe, për çudi, dhe ato instiktivisht e ndjejnë që i dua dhe më afrohen vetë, kurse nga të tjerët largohen me vrap.

Me shëndet jam fare mirë me gjithë se plaga hapet e mbyllet sikur luan cicmic. Nga vëllezërit kam lajme të mira dhe nga njerka kam marrë e telegrama dhe nga çupa dy letra. Shyqyr Zotit nuk më thonë ndonjë gjë të keqe e që vuajnë atë e dimë vetë.

Më vjen shumë keq që nuk je instaluar si duhet e ke mbetur me plaçka në krahë që s’të lënë të punosh se ilaçi i vuajtjeve shpirtërore është puna. Konstantinët qenë pardje këtu e gjithënjë më telefonojnë, kështu që me anën e tyre kam lidhje me botën se përndryshe do të jeshë i izoluar fare. U përqafoj me mall të dyve.

Ago

Omage e nderime ku duhen.

 

 

 

Loading...