Standard.al

Strategjia e opozitës / Çdo vendosë PD: Bojkot apo rikthim në Kuvend?. Alternativat për zgjedhjet lokale të 2015-ës

grupi i pdGëzim Saliu

Të hënën, PD mbledh grupin parlamentar, ku pritet të vendoset për vazhdimin e bojkotit ndaj Kuvendit. Ndarja territoriale “shtyjnë” opozitën ti thotë “jo” zgjedhjeve me hartën e re

Ndërkohë që Parlamenti do të mblidhet ditën e hënë në orën 17:00 për të hapur seancën e parë të sesionit të ri, opozita do të vendosë në të njejtën ditë nëse do të vazhdojë bojkotin apo do të rikthehet në Kuvend. Ditën e nesërme paradite, pritet të mblidhet grupi parlamentar i PD-së, ku do të merret vendimi zyrtar lidhur me marrëdhënien e ardhshme të forcës më të madhe opozitare me Parlamentin. Burime pranë selisë blu bën të ditur për gazetën se vendimi më i pritshëm është ai i vazhdimit të bojkotit parlamentar, nisur nga fakti se që prej periudhës kur opozita shkëputi marrëdhënien me Kuvendin për shkak të goditjes së deputetit demokrat, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e mazhorancës qeverisëse. Të njëjtat burime pohuan se jo vetëm që mazhoranca nuk ka reaguar, por se ka vazhduar në rrugën e saj të paligjshmërisë me votimin e reformës territoriale, rrëzimin pa shkak të dekreteve të Presidentit dhe shkeljen e Kushtetutës. I pyetur pak ditë më parë lidhur me qëndrimin e PD-së ndaj Kuvendit, kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se, : “ka një vendim të grupit parlamentar të Partisë Demokratike i cili është vendim në fuqi dhe është i padiskutueshëm deri sa të ketë një vendim tjetër”, duke iu referuar vendimit të marrë më 10 korrik, pas agresionit fizik të ndodhur në parlament kundër opozitës. Lidhur me këtë ngjarje, në përgjigje të gazetarëve në konferencën e fundit për shtyp, kryeministri Rama deklaroi se rastet e dhunës janë të dënueshme, por se nënvizoi se të gjithë deputetët socialistë kanë dëshmi penaliteti të pastër, duke hedhur poshtë akuzat e PD-së të mbështetura mbi vendime gjykate. Në këto kushte, kur qeveria nuk ka ndryshuar kursin e saj, rikthimi i demokratëve në parlament duket i pamundur, pavarësisht se një pjesë e aleatëve kanë kërkuar thyerjen e bojkotit me argumentin se vendi i opozitës është në Parlament.

Harta e re, kodi zgjedhor dhe vendoret e 2015-ës

Ndarja e re territoriale e vendit, e votuar me vetëm votat e mazhorancës, përbën pengesën kryesore mes mazhorancës dhe opozitës për të bashkëpunuar lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore të vitit 2015. Sipas demokratëve, përmes hartës së re shumica vendosi në plan të parë synimet elektorale, duke lënë pas interesat e qytetarëve dhe mundësitë e thellimit të decentralizimit të pushtetit vendor. Në këto kushte, PD ka bërë të ditur se,- “me ndarjen e re nuk do të ketë zgjedhje vendore”, deklaratë që kjo nga njëra anë nënkupton kundërshtinë me çdo mjet ligjor të hartë së re, nga Kushtetuesja e deri tek referendumi popullor e nga ana tjetër mundësinë e bojkotimit të vendoreve të 2015-ës. Nisur nga ky diskutim, mundësia e bashkëpunimit mes palëve për ndryshimet e mundshme në kodin  elektoral në kuadër të zgjedhjeve, duket e pamundur. Ndërkaq në agumentin e ti kur ktheu reformën territorial, presidenti Bujar Nishani solli si arsye edhe faktin që ky ligj kërkon dhe paraprakisht ndryshim të kodit zgjedhor. “Në një kohë kur na ndan rreth 1 vit nga zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe vetëm 5 muaj nga detyrimi kushtetues që ka Presidenti i Republikës për të caktuar me dekret datën e zgjedhjeve, mbështes faktin se reforma e ndarjes administrative -territoriale duhej të ishte shoqëruar medoemos edhe me ndryshimet përkatëse në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, theksoi kreu i shtetit. Nga ana e tij, kryeministri ka bërë të ditur se ndryshimet ne kodin zgjedhor nuk do të jenë të shumta, duke thënë se ai mund të preket vetëm për çështje teknikaliteti. Nga ana e saj opozita, duke marrë shkas nga votimi i reformës territoriale, ka theksuar se mazhoranca ka si synim që me ndryshimet e pritshme në kod dhe në KQZ, të rikthejë vitin 2001, ku kodi elektoral u votua me forcën e kartonëve të PS-së, duke sjellë sipas demokratëve, zgjedhjet më të këqija që janë zhvilluar në Shqipëri.

 

 

Reforma në drejtësi

Mazhoranca: Parësore, e mbyllim edhe vetëm. Opozita: Pa ndërkombëtarët, s’marrim pjesë

Kreu i qeverisë si edhe përfaqësues të lartë të mazhorancës kanë bërë të ditur se reforma në sistemin gjyqësor do të jetë parësore për këtë vit, pasi sipas tyre, me këtë sistem drejtësie vendi nuk mund të hedh asnjë hap më shumë drejt aspiratës evropiane. Ndërkaq lidhur me këtë reformë, opozita ka bërë të ditur pjesëmarrjen e saj, por duke vendosur si kusht udhëheqjen e saj nga ndërkombëtarët. Sipas demokratëve me vendimet e ndërmarra deri më tani nga mazhoranca, kjo e fundit ka treguar dëshirën e saj për kapjen e insitucioneve të pavarura, si rasti i ILDKP-së dhe AMA-s. Por mes këtyre argumenteve, kryeministri i vendit, në mënyrë indirekte i ka bërë të ditur opozitës se reforma në drejtësi do të bëhet edhe pa pjesëmarrjen e saj. Sipas Ramës, “mazhoranca është votuar për të dëgjuar, por duke udhëhequr”, parim i cili është cilësuar si diktatorial nga ana e përfaqësuesve të së djathtës.  Në këto kushte, shanset e një bashkëpunimi të mundshëm mes palëve për një reformë të tillë janë të pakta, pavarësisht se si mazhoranca ashtu edhe opozita bien dakord për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në sistem, por se ndahen për formën dhe mënyrën se si ko reformë do të zhvillohet.

 

Riorganizimi i ri në Tiranë

Flasin krerët e rinj të degëve 3 dhe 10: Si po ndryshon PD-ja e kryeqytetit

Organizimi i degës më të madhe të PD-së në Tiranë do të sjellë një funksionim më efikas të forcës më të madhe opozitare, duke qenë më afër elektoratit. Kështu e komentojnë ndarjen e re të degës së kryeqyetit në 11 të tilla, krerët e degëve nr.3 dhe 10, duke theksuar se në këtë formë, edhe problematikat që kanë qytetarët e zonave që ata administrojnë do të kenë më shumë mundësi për tu zgjidhur. “Krijimi i 11 degëvë të tjera do të bëjë një funksionim shumë herë më efikas të PD-së, ku kryetarët do të jenë më afër elektoratit më afrë anëtarësisë, më afër problemeve dhe halleve për degën që përfaqëson. Kjo ka filluar ti japë frytet që tani”, tha për ora-news kreu i degës nr.3 Uran Metko. Ndërkaq sipas kryetarit të degës nr. 10  Eduard Kelmendi, ndarja që iu bë Tiranës ishte për karaktere organizitv, : “sepse Tirana është metropol me një numër popullsie shumë të madh dhe menaxhimi i punëve të partisë në terren duhet bërë sa më efiçent. Tani qytetarët vijnë kontaktojnë në zyrën e PD-së me një anketim të problemeve dhe halleve që kanë dhe mundësitë që opozita ti përcjellë në institucionet vendimarrëse”, tha ai. Në të njëjtën linjë, Metko theksoi se se secili prej krerëve të degëve fokusohet në problemaikën e degëve që drejton në një hapësirë gjeografike shumë më të vogël sec kishte vetëm një kryetar. “Të gjitha problematikat e zonës me strukturate e ngritura brenda degëve, mbasi analizohen në kryesi dhe strukturat përkatëse, mund të gjejnë zgjidhje brenda tyre dhe duke marrë kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e PD-së”, tha ai. Lidhur me vështirësitë e detyrës së re, kreu i degës nr.10 tha se puna ka filluar me verifikimin e të gjithë anëtarësisë, me të zgjedhurit, : “dhe me një platformë pune, me kontakt të strukturave përkatëse , duke bërë ndarjen e degës nr.10 me ndarjen në 6 grupseksione përkatëse dhe do filloi puna edhe për organizimin e PD-së në këtë degë”. Sipas Kelmendit, i gjithë suksesi i PD-së qëndron tek forcimi i strukturave të PD-së në të gjithë organigramën e partisë në bazë të udhëzimit të PD-së qëndrore. “Njëkohësisht edhe verifikimi i të gjithë problematikave që ka zona duke i përcjellë në administratën qëndrore të PD-së këto shqetësime si edhe duke bërë një opozitë të fortë ndaj vendimarrjeve të mazhorancës qeverisëse”, deklaroi ai.

 

 

 

 

Comments are closed.