Standard.al

Dyshimet / Nuk u regjistrua numri i serisë së kartëmonedhave të asgjësuara

banka-300x200Në të paktën 30 procedura asgjësimi të kartëmonedhave janë shkelur rregullat

Grupi hetimor që po hetohen vjedhjen 713 milionëve në Bankën e Shqipërisë, gjatë hetimit është ndodhur përballë një fakti mjaft të rëndë.

Burime nga ky grup hetimor ngritur nga task-forcë e Prokurorisë së Tiranës konfirmojnë se të paktën për tre vitet e fundit nuk janë mbajtur shënim numrat e serive të parave që do të asgjësoheshin.

Sipas hetuesve në procesverbalet e departamentit “X”, i cili ndodhet në Linzë, nuk janë mbajtur shënim dhe dokumentuar asnjë nga seritë e kartëmonedhave të shkatërruara.

Sipas grupit hetimor, ka dyshime se në të paktën 30 procedura asgjësimi të kartëmonedhave të jenë shkelur rregullat nga punonjësit e bankës, ndërsa pohohet se po verifikohen edhe disa procedura të tjera të tre viteve të fundit.

Ndërkohë nga grupi hetimor, mësohet se, bankat e nivelit të dytë, të cilat dërgonin para për asgjësim në departamentin e emisionit dhe këto të fundit i kanë mbajtur shënimin seritë në blloqet e tyre. Prokurori e kryeqytetit mësohet se ka kërkuar informacion nga bankat dhe është në pritje të tij. Por sipas hetuesve kjo është një punë voluminoze pasi janë të gjitha bankat e nivelit të dytë që do të dërgojnë të dhëna dhe kjo procedurë do i kushtonte mjaft kohë grupit hetimor.

 

 

 

Arrestohen dy policë të qarkullimit rrugor në Tiranë

I kërkuan para emigrantit për të mos e ndëshkuar me gjobë

Dy policë të Komisariatit Rajonal të Rrugores në Tiranë u arrestuan pasi denoncimit nga një qytetar, të cilit i kishin marrë para. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, mësohet se, në datë 29. 08. 2014, në ora 21.30 minuta, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm Tiranë, arrestoi në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore. Arrestimi i shtetasve Artan Hasanaj dhe Avdulla Dafku, u krye për veprën penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.

Të njëjtat burime sqaruan se, personi me inicialet A. V., emigrant në Itali denoncoi dy policët Artan Hasanaj dhe Avdulla Dafku. Mësohet se policët i kërkuan dhe i morën para emigrantit për të mos e ndëshkuar me gjobë. Pas denoncimit të tij, dy policët janë mbajtur në vëzhgim dhe është vënë re se të njëjtën metodë përfitimi e zbatonin edhe me persona të tjerë.

Të dy punonjësit e policisë u prangosen dhe akuzohen për “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”

Disa ditë më parë, agjentët e SHKB-së arrestuan shefin e stacionit të policisë së Velipojës, Ernest Paluku, pasi rezultoi se ishte përfshirë në një skandal seksual.

Ministria e Brendshme njoftoi se oficeri i policisë kishte shfrytëzuar detyrën e tij kur një shtetase kishte shkuar për të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti.

Oficeri Paluku, pas pyetjeve që i kishte bërë denoncueses, i kishte dhënë asaj një numër telefoni tjetër, duke i thënë që ta kontaktonte, si dhe më pas i kishte ofruar një natë në një hotel të Velipojës.

Madje, pas refuzimit polici kishte tentuar ta puthte me forcë gruan, por ajo mundi të largohej dhe pak ditë më vonë bëri denoncimin në komisariatin e Shkodrës, ku tregoi mesazhet, telefonatat dhe postimet në Facebook nga oficeri i policisë.

Pak ditë më parë, gjykata dha masën e ‘ndalimit me burg’ për Palukun, pas verifikimit të mesazheve që ai i kishte dërguar shtetases R.M, përmes telefonit celular dhe rrjetit social Facebook.

 

313 raste të ndërtimeve pa leje, procedohen penalisht 315 persona

Policia e Shtetit në një njoftim për mediat ditën e shtunë bën me dije se në përmbushje të detyrave institucionale dhe të objektivave të vendosura në mbrojtje të territorit dhe të mjedisit, prej 5 ditësh po vijon zbatimin e masave të posaçme në të gjithë vendin, përmes kontrollit të territorit, grumbullimit të informacioneve, si dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin, me synim parandalimin e goditjen e krimit mjedisor.

Policia e Shtetit njofton se “gjatë këtij harku kohor, në sajë të këtyre masave të ndërmarra, nga punonjësit e policisë në të gjithë vendin janë evidentuar 313 raste të ndërtimeve pa leje, për të cilat janë proceduar penalisht 315 persona. Për 28 autorë është marrë masa e arrestit në flagrancë, 278 prej tyre janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë dhe 9 autorë të këtyre ndërtimeve të paligjshme janë shpallur në kërkim”.

Po ashtu, Policia e Shtetit pohon se “Strukturat e policisë po vijojnë me të njëjtin intensitet, ditë pas dite, kontrollin e territorit, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë evidentuar 82 ndërtime të paligjshme dhe janë proceduar penalisht 83 persona autorë të këtyre ndërtimeve abuzive, nga të cilët 3 janë arrestuar në flagrancë. Numri më i madh i këtyre ndërtimeve të paligjshme është evidentuar në qarqet Tiranë me 82 raste të evidentuara deri në këto momente, Durrës me 49 raste, Elbasan me 40 raste, Fier me 31 raste të ndërtimeve pa leje etj”.

“Ky operacion i ndërmarrë nga strukturat e Policisë së Shtetit do të vijojë me të njëjtin angazhim dhe vendosmëri, me qëllim goditjen e parandalimin e krimit mjedisor, veprave penale që cenojnë regjimin e tokës dhe në mënyrë të veçantë të ndërtimeve abuzive, si dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë atyre individëve që janë përfshirë në një aktivitet të tillë kriminal, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

 

 

Comments are closed.