Standard.al

Atentati në Vlorë / Flet e mbijetuara Ornela Gjini: S’kam dijeni për konfliktet e Isufit

gjini

Hetimet për vrasjen e biznesmenit, në udhëkryq

 

 

Ngjarja e pak ditëve më parë në Vlorë, mbetet ende larg zbardhjes dhe identifikimit të mundshëm të autorëve dhe motiveve që çuan në ekzekutimin e biznesmenit Isuf Brahimaj.

Prokurorët e çështjes kanë mundur të marrin edhe dëshminë e 19 vjeçares Ornela Gjini që gjendej në makinë me viktimën në momentin e atentatit, por edhe në këtë rast, bashkë me dëshmitë e rrethit të ngushtë familjar dhe shoqërorë, nuk kanë mundur të zbulojnë më shumë detaje dhe rrethana.

Burime të prokurorisë së Vlorës, bënë të ditur se, 19 vjeçarja e cila mbeti e plagosur rëndë në atentatin e 28 gushit edhe pse në gjendje të rëndë, ka mundur të artikulojë vetëm pak fjalë për llogari të hetuesve. Sipas prokurorëve ajo ka deklaruar se nuk mbante mend asgjë rreth asaj dite dhe se me viktimën kishte rreth 2 vjet e lidhur. Në asnjë rast ajo nuk ka deklaruar se ndihej e rrezikuar nga ndonjë sulm fizik.

Ndërkohë, pas zgjimit, sipas mjekëve ajo kërkoi Isuf Brahimajn, personin me të cilin ndodhej në makinë dhe qe mbeti i vrarë gjatë shpërthimit. Ndërsa të afërmit dhe mjekët u kujdesën të mos i tregojnë për fatin e tij. Ajo ka folur me vështirësi, por nuk ka kujtuar asnjë detaj nga ngjarja.

Mjekët thanë se, pacientja ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e poshtme të gjymtyrëve.

Tre ditë pas atentatit, për prokurorët motivet mbeten ende të paqarta, ndonëse pista ku janë përqendruar hetimet është ajo e larjes së hesapeve. Po kështu, nga policia e Vlorës ende nuk ka të dyshuar për atentatin me 500 gramë C4. Hetimet janë përqendruar dhe në faktin se një ekzekutim i tillë i bujshëm, është porositur nga jashtë vendit për shkak të konflikteve që ka pasur viktima dhe një prej vëllezërve Brahimaj.

Sipas hetuesve Brahihaj njihej si një person, i cili udhëtonte shumë. Ky fakt konfirmohet dhe nga sistemi TIMS, ku hyrje-daljet e viktimës janë mjaft të shumta. Ai udhëtonte kryesisht në vendet e Europës si Austri, Turqi, Maqedoni, Greqi dhe përdorte më shumë si aeroport transit atë të Selanikut për të kaluar në destinacionin përfundimtar.

Për grupin hetimor kanë mjaftuar informacionet nga TIMS për hyrje daljet e Brahimajt nga Shqipëria edhe drejt Belgjikës, Spanjës, Gjermanisë, Holandës. Sqarohet se po shqyrtohet ky detaj, për të mbledhur informacione dhe mbi aktivitetin e 42-vjeçarit.

Madje edhe udhëtimin për në Brazil, hetuesit e kanë servirur si mundësi për të zbardhur ngjarjen. Burime nga grupi hetimor ngritur nga Prokuroria e Vlorës dhe policia e këtij qyteti konfirmojnë se viktima për disa vite ka jetuar në vendin amerikano-latin.

Prokurorët thanë se nuk dinë ende vendndodhjen e Bashkim Brahimajt, vëllait të viktimës i cili kohë më parë ka bërë në polici denoncime për marrjen e telefonatave që e kërcënonin atë me jetë.

Ndërkohë, në duart e prokurorëve janë të gjitha pamjet filmike që janë siguruar nga kamerat e bizneseve në vend-ngjarje por edhe ato pranë hotelit ku ka kaluar orët e fundit biznesmeni 42 vjeçarë.

Në dy vjet ndaj vëllezërve Brahimaj u bënë tre atentate. Në dy të parat vëllezërit mundën të shpëtojnë pa pasoja të rënda, për tu përmbushur me ekzekutimin e  28 gushtit me shpërthimin në erë të automjetit të Isuf Brahimajt, në sedilen e të cilit ishte vendosur më shumë se 500 gramë tritol C4.

 

 

Hetohen investimet e viktimës

Grupi hetimor konfirmon se një nga pistat e hetimit është investimi i Isuf Brahimaj në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku ai po ndërtonte një hotel. Ky investim kap shifrat e disa qindra mijëra eurove dhe do të inagurohej brenda pak ditësh.

Kjo ka bërë që të merren në konsideratë dhe konfliktet e mundshme të Brahimaj për këtë investim të madh në bregdet. Një pistë tjetër ku po hetohet intensivisht nga organi i hetimit janë dhe investimet e tjera të 42-vjeçarit në Vlorë. Bëhet me dije se viktima ishte investitor në disa projekte në qytetin bregdetar, kryesisht ndërtim.

 

 

Kapen 10 kg mariuanë në kufi me Malin e Zi

Transportuesi i shpëton policisë

Policia Kufitare e Shtetit ka deklaruar se mëngjesin e djeshëm, rreth orës 05.00, ka arritur të lokalizojë një person ndërsa orvatej të kalonte në këmbë kufirin me Malin e Zi, me rreth 10 kg mariuanë me vete.

Personi në fjalë ka mundur ti shpëtojë ndjekjes së Policisë Kufitare në pyll, në Hanin e Hotit, por gjatë largimit ka hedhur dhe çantën që mbante me vete. Në çantë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 10 kg mariuanë.

 

 

Asgjësohen 12410 rrënjë bimë narkotike

Aksioni anti cannabis, arrestohet kryeplaku

Strukturat e Policisë së Qarkut Shkodër, me mbështetjen e forcave të FNSH-së dhe grupeve speciale RENEA, vijuan edhe dje, kontrollet në disa zona të thella të komunave Pult, Shalë dhe në një zonë të komunës Shkrel, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore vijojnë veprimet hetimore në vendet e ngjarjeve, ku janë gjetur bimët narkotike.

Burime zyrtare nga policia e qarkut Shkodër bëjnë të ditur se është bërë ndalimi me iniciative i shtetasit Marash Martini, 64 vjeç, kryeplak i fshatit Nicaj, komuna Shalë, për konsumim të elementëve të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit”. Sipas policisë, Martini nuk ka bashkëpunuar me strukturat e policisë për identifikimin e parcelave të mbjella me bimë të dyshuara cannabis sativa në territoret e këtij fshati.

Për sa i përket aksionit policor, burimet në fjalë bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme janë angazhuar më shërbim 4  grupe kontrolli, në përbërje të të cilëve janë 75 punonjës policie të forcave operacionale. Transporti i këtyre forcave për në vendet,  ku do të kontrollohen, është bërë me 7 automjete. Ndërkohë, në një përmbledhje të aksionit të ditës së djeshme, gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatrat e komunave Pult, Shalë dhe Shosh, u bë i mundur identifikimi i 34 parcelave, në të cilat ishin kultivuara 12410 rrënjë bimë të dyshuara cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.

 

 

 

 

Comments are closed.