Standard.al

Vjedhja e Bankës/ Ndalohen edhe 6 persona të tjerë, një në kërkim

banka e thesaritArrin në 17 numri i të akuzuarve për vjedhje e 713 milionë lekëve

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës firmosi dje, urdhër-ndalime dhe për 7 punonjës të tjerë të Bankës së Shqipërisë si të dyshuar për “shpërdorim detyre”, në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga kjo bankë. Deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, mësohet se ishin ekzekutuar 6 urdhër-ndalime ndërsa pritet ekzekutimi i urdhër-ndalimit edhe për një punonjës tjetër të bankës. Numri i personave të ndaluar dhe arrestuar për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë shkon në 16.

Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se urdhër-ndalimet janë prerë për shtetasit, Ilir Dedja, Gentian Jahja, Bahri Allushi, Fatbardha Gurthi, Emiliano Lamçe, Mehdi Molla dhe Mehdi Marku pas analizës në Prokurorinë e Tiranës. Emrat e të dyshuarve dolën në dritë pas hetimit prej më se një muaji, të skandalit të ndodhur në godinën “X” në Linzë.

Burime të Prokurorisë së Tiranës, sqaruan se ata, si anëtarë të Komisionit të Inventarizimit të Bankës në vitet 2012, 2013, nuk e kanë kryer me korrektësi detyrën e tyre. Sipas të njëjtave burime, mësohet se të akuzuarit, kanë qenë inventarizues të bankës në vitet 2012, 2013, të cilët kanë thënë se nuk mungojnë lekë nga inventarët që kanë bërë në Bankën e Shqipërisë. Në deklarimet e këtyre personave, për inventarizimin e viteve të fundit, mësohet se ata kanë thënë se s’ka mangësi në arkën stok dhe në veprim.

Pas ndalimit, të akuzuarit do të njihen me akuzat që rëndojnë mbi ta. Do të jetë Gjykata që do të vendosë në se do t’i arrestojë ata po do t’i lirojë.

Hetimet për vjedhjen e 713 milionë lekëve, nisën më 21 korrik kur Banka e Shqipërisë kallëzoi dy punonjësit e saj, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Fillimisht shuma e vjedhur u tha se ishte 600 milionë lekë por pas inventarizimit, zyrtarisht Banka e Shqipërisë më 29 korrik deklaroi se mungonin 713 milionë lekë ose 7.13 milionë dollarë.

Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator dhe Bashkim Xhilaga, përgjegjës i të dyja arkave, akuzohen nga prokuroria që me veprimet e mosveprimet e tyre kanë shkaktuar vjedhjen e bankës nga kolegët e tyr e tyre, Ardian Bitraj dhe dhe Mimoza Bruzia. Ndërkohë disa ditë më vonë,  Policia e Tiranës arrestoi edhe shtetasin Dorian Çollaku, ish-Drejtor i Drejtorisë së Qendrës së Emisionit në Bankën e Shqipërisë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Në qeli ndodhet edhe Klevis Bejtaj, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”. Ai është nipi i të akuzuarit kryesor për vjedhjen në Bankës e Shqipërisë, Ardian Bitraj. Sipas prokurorisë, mësohet se, Bejtaj kishte dijeni për vjedhjen e thesarit të shtetit, por nuk e ka denoncuar këtë gjë.

 

 Të ndaluar

1. Gentian Jahja, lindur në 1970

2. Ilir Dedja, lindur në 1954

3. Emiljano Lamçe, lindur në 1982

4. Mehdi Marku, lindur në 1970

5. Bahri Allushi, lindur në 1954

6. Mehdi Molla, lindur në 1950

7. Fatbardha Gurthi, lindur në 1961

 

Të arrestuar

1. Ardian Bitraj, përgjegjës i zyrës së stokut të Thesarit

2. Mimoza Bruzia, punonjëse në Departamentin e Emisionit

3. Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës në veprim

4. Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim

5. Lavdim Cani, specialist i arkës stok (transit)

6. Myzejen Belba, specialiste e arkës stok (transit)

7. Dhimitër Davidi, vëzhgues-operator

8. Bashkim Xhilaga, shef i arkës stok dhe në veprim

9. Dorian Çollaku, Drejtor i Thesarit

10. Klevis Bejtja, nipi i Ardian Bitrajt

 

Prokuroria jep detajet e ndalimit të 7 inventarizuesve/ “Inventarizuesit s’hapën të gjitha kolitë, nuk parandaluan vjedhjen e mëtejshme”

Burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, sqaruan dje pas lëshimit të 7 urdhër-ndalimeve, se komisioni i inventarizimit, të paktën gjatë dy kontrolleve në vitet 2012 dhe 2013, nuk ka verifikuar të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkat e dëmtuara, çka do të shmangte vjedhjen në të ardhmen.

Prokuroria sqaron më tej se, verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5 për qind e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Nga këqyrja e kolive në arkën për veprim, rezulton se tetë kolitë e prekura (në të cilat janë vjedhur lekët) kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare, do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin me të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21 qershor 2014.

Nisur nga hetimet e deritanishme, prokuroria sqaron gjithashtu se, nga komisionet e inventarizimit në vitet 2012 dhe 2013, këto mangësi duhet të ishin evidentuar, nëse inventari fizik do kryhej sipas rregullores

 

Inventarizimi i vitit 2012

Komisioni i ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga Gentian Jahja – Kryetar, Emiljano Lamçe – anëtar, Ilir Dedja – anëtar dhe Mehdi Molla – anëtar.

Inventarizimi nisi më 14 dhjetor 2012  dhe përfundoi më 24 dhjetor 2013.

Rezulton se gjendja kontabël më datë 21 dhjetor 2012, është e njëjtë me gjendjen e pasqyruar në inventarizimin fizik të kryer me datë 24 dhjetor 2012. Pra, do të thotë se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare.

Nga aktet e hetimit, rezulton se në muajin Dhjetor të vitit 2012, përgjegjës i “Arkës për veprim” në Departamentin e Emisionit, ka qenë personi nën hetim Petrit Ramohitaj, së bashku me dy koleget e tjera të ngarkuar me vlera, personat nën hetim Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola.

Edhe në këtë rast, komisioni i inventarizimit nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkat e dëmtuara, çka do të shmangte vjedhjen në të ardhmen.

Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga Kryetari Gentjan Jahja dhe anëtarët Ilir Dedja, Emiljano Lamçe dhe Mehdi Marku.

Gjithashtu përgjegjësi penale kanë edhe të ngarkuarit me vlera, personat nën hetim Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola.

Në këtë konkluzion arrihet duke ju referuar procesverbaleve të deklarimit të personit nën hetim Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, për faktin se vjedhja në arkën për veprim, është kryer në kohën kur Ardian Bitraj ka qenë përgjegjës i arkës për veprim, pasi vetëm në këtë periudhë, ai ka pasur mundësi veprimi për të vjedhur shuma të konsiderueshme nga arkat (kolitë) e parave me prerje 5.000 lekëshe, siç është pasqyruar edhe në procesverbalin e këqyrjes me datë 22.07.2014.

Në momentin që në arkën për veprim, është emëruar shtetasi Petrit Ramohitaj dhe më pas si e ngarkuar me vlera edhe personi nën hetim Liljana Kola, këto koli të cenuara, duhet të ishin konstatuar.

 

Inventarizimi i vitit 2013

Komisioni i ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga, Bahri Allushi – Kryetar, Fatbardha Gurthi – anëtare, Ilir Dedja – anëtar dhe Mehdi Molla – anëtar.

Inventarizimi nisi më 9 dhjetor 2013 dhe përfundoi më 24 dhjetor 2013, si në degën qendrore ashtu edhe në të gjitha degët.

Rezulton se gjendja kontabël më datë 06. 12. 2013, është e njëjtë me gjendjen e pasqyruar në inventarizimin fizik të kryer me datë 09. 12. 2013. Pra, do të thotë se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare.

Nga aktet e hetimit paraprak rezulton se në muajin Dhjetor 2013, përgjegjës i “Arkës për veprim” në Departamentin e Emisionit, ka qenë personi nën hetim Petrit Ramohitaj, se bashku me dy kolegët e tjera të ngarkuar me vlera, personat nën hetim Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola.

Nga këqyrja e kolive në arkën për veprim, rezulton se tetë kolitë e prekura(në të cilat janë vjedhur lekët) kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare , do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin me të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21 qershor 2014.

Komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolite me vlera monetare në brendësi te tyre dhe konkretisht 8 arkat e dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin. Verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5 për qind e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një.

Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen.

Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga Kryetari, Bahri Allushi dhe anëtarët Fatbardha Gurthi, Ilir Dedja dhe Mehdi Molla.

Gjithashtu përgjegjësi penale kanë edhe të ngarkuarit me vlera, personat nën hetim Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola.

 

 Vlorë, hetimet për zbardhjen e atentatit, ende asnjë i dyshuar si autor 

 Isuf Brahimaj i ruhej atentateve, kishte denoncuar në polici kërcënimet

 Dy ditë pas ngjarjes, atentatit me lëndë eksplozive në Vlorë, policia lokale, ka bërë të ditur se ende nuk ka ndonjë të akuzuar. Gjithashtu, policia sqaron se tri ditët e fundit viktima e atentatit me bombë Isuf Brahimaj ka qëndruar në hotelin e tij në Radhimë, të cilin do ta përuronte këto ditë. Hetuesit kanë sekuestruar të gjitha kamerat e resortit, për të verifikuar personat që e kanë ndjekur. Larja e hesapeve është pista kryesore e hetimit për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së enjtes në Vlorë. Policia dyshon se atentati i tretë ndaj vëllezërve Brahimaj ka të njëjtin motiv si në dy rastet e vitit të kaluar, kur ata I shpëtuan bombave me telekomandë.

Dy djemtë e familjes Brahimaj, ishin kërcënuar me jetë disa herë, nga persona të cilët nuk janë identifikuar nga policia. Bashkim Brahimaj, vëllai i viktimës, Isuf Brahimaj, ishte drejtuar disa herë në dyert e policisë dhe prokurorisë për të denoncuar kërcënimet që kishte marrë për jetën e tij dhe të familjes.

Madje, ai ka pohuar para hetuesve dhe oficerëve, se kërcënime të shumta kishte marrë dhe i vëllai. Por, pavarësisht këtyre denoncimeve, policia dhe prokuroria nuk ka dërguar prapa hekurave ndonjë të dyshuar.

Pas ngjarjes së dy ditëve më parë, mësohet se policia po heton kallëzimet e depozituara nga vëllezërit Brahimaj, për kërcënimet që ata kishin marrë. Gjithashtu policia pritet të bashkëpunojë me vendet ku ka jetuar viktima me policinë italiane dhe atë holandeze.

Në shkurt të vitit 2013, Isuf Brahimajt iu be atentati i pare, kur lëvizte me një motor, por ai arriti të shpëtonte me lëndime të lehta. Por në 31 gusht 2013, pothuajse një vit më pare, po në rrugën Transballkanike, u hodh në ere makina “Benz” me të cilën lëvizte Ermal (Bashkim) Brahimaj, dhe besohet se shënjestër ishte vëllai i Isufit. Mjeti shpërtheu sapo drejtuesi futi makinën në lavash dhe kishte zbritur.

Ndërkohë, ngjarja më e fundit e rëndë ndodhi rreth orës 07:15 të mëngjesit të së enjtes, në rreth-rrotullimin e njohur si “Omonia”, në rrugën Transballkanike, në qytetin e Vlorës. Automjeti tip “Mitsubishi” i bardhë me targa AA 848 JX ishte duke udhëtuar nga Skela në drejtim të daljes së qytetit kur ka shpërthyer në ecje. Pas shpërthimit, makina është përfshirë nga flakët dhe ka ecur edhe disa metra, duke u përplasur me murin rrethues të një banese.

Drejtuesi i mjetit, Isuf Brahimaj, 42 vjeç, mbeti i vdekur në vend. Forca e shpërthimit kishte nxjerrë jashtë automjetit pasagjeren Ornela Gjini, 19 vjeçe. Vajza e cila kishte pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtë, fytyrë dhe krah u mor nga kalimtarë të rastit dhe më vonë u transportua drejt spitalit ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas mjekëve, 19-vjeçarja ka pësuar në pjesë të ndryshme të trupit djegie të shkallës së tretë dhe po mbahet në terapi intensive nga mjekët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

 

Plagosja në Fier, dyshime për një krim në vitin 1997

Autori ishte pa maskë, ende i paidentifikuar

Policia ka zbardhur detaje te reja rreth krimit të ndodhur gjatë mesnatës midis të enjtes dhe të premtes, në Fier, ku mbeti i plagosur rëndë pronari i një lokali. Sipas policisë së Fierit, mësohet se ngjarja ka lidhje me vrasjen e një pronari lokali në vitin 1997.

Jorgaq Kule, pronari i lokalit i cili u qëllua dy net më parë me katër plumba, në vitin 1997 ishte hetuar për një krim në qytetin e Fierit. Ai u dyshua për vrasjen e Mitat Dokos, pronar i një lokali tjetër në këtë qytet, fare pranë biznesit të Jorgaq Kules të cilit edhe më herët i ishte vënë tritol.

Jorgaq Kule, u plagos dy net më parë, ndërsa autori hyri në lokalin e tij i pamaskuar dhe qëlloi mbi të katër here, prej të cilave, njëri prej plumbave e goditi në kokë. Polica ende nuk ka bërë të ditur, emrin e ndonjë të dyshuari të mundshëm si autor të kësaj plagosje

 

Mosdeklarimi i pasurisë/ ILDKP gjobit Fatos Klosin dhe pesë zyrtarë të tjerë

ILDKP ka gjobitur me nga 100 mijë lekë, 6 zyrtarë për refuzim të deklarimit në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme të deklaratës së pasurisë. Mes tyre është edhe Kryetari i Agjencisë Kombëtare Bërthamor Fatos Klosi.

“Pas përfundimit të këtij procesi, përsëri vijojnë të konstatohen shkelje nga ana e subjekteve deklarues. Fatkeqësisht, si rezultat i keqmenaxhimit të institucionit vitet e fundit, janë konstatuar subjekte deklarues të cilët nuk kanë përmbushur detyrimin e tyre ligjor në plotësimin dhe më pas dorëzimin e dokumentit zyrtar ‘Deklaratë e Interesave Private’ pranë ILDKPKI”, bënë të ditur burime zyrtare ILDKP.

Ndër të gjobiturit, janë edhe Anesti Dhimojani, ish-Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë,

Vangjel Ndreka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, Hamdi Pasha, Kryetar Komune Kodër Thumanë, Krujë, Qarku Durrës, Viktor Popaj, Kryetar i Komunës Kastrat, Qarku Shkodër,

Lek Bibaj, Kryetar i Komunës Hajmel, Qarku Shkodër

“Në zbatim të nenit 40, të ligjit nr. 9049, datë 10. 04. 2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, Inspektori i Përgjithshëm vendosi masën administrative ‘gjobë’ në shumën prej 100.000 (njëqind mijë) lekë për refuzim për deklarim në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme. Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi dhe institucionet eprore për marrjen e masave administrative ndaj tyre”, sqaron ILDKP.

Comments are closed.