Operacioni antikanabis/ Qëlluan policinë në Dukagjin, dosja kalon për hetim të Krimet e Rënda

0

Sonila Mesareja

Loading...

leke thani dhe fatmir shpatiGjykata e Shkodrës caktoi dje masat “arrest me burg” për Lekë Thanin dhe Fatmir Shpatin, të akuzuar si anëtarë të grupit të zjarrit

Pas hetimit të operacionit antikanabis në Lazarat dhe marrjes nën hetim të “Grupit të zjarrit” që qëlloi ndaj policisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë dje dosjen “Dukagjini” për hetime të mëtejshme. Për shkak se edhe në këtë operacion policia është pritur me armë nga një grup personash, edhe këta të cilësuar si “grupi i zjarrit”, çështja i ka kaluar për kompetencë Krimeve të Rënda. Ndërkohë që paraditen e djeshme, Gjykata e Shkodrës ka vijuar me caktimin e masave të sigurisë për dy anëtarë të tjerë të “grupit të zjarrit”, të dyshuar se kanë qëlluar ndaj policisë në ditën e dytë të operacionit antikanabis në zonën e Dukagjinit. Para togave të zeza kanë dalë Lekë Thani dhe Fatmir Shpati, për të cilët gjykata ka lënë në fuqi masat e kërkuara nga prokurori, përkatësisht “arrest me burg”.

 

Seanca

Gjykata e Shkodrës caktoi paraditen e djeshme masat e sigurisë “burg pa afat” për Lekë Thanin dhe Fatmir Shpatin, të arrestuar për goditjen e dy helikopterëve Cougar dhe BO 105 në ditën e dytë të operacionit. Fillimisht gjykata e nisi me të akuzuarin Lekë Thani, të cilit pasi iu komunikua akuza nga prokurori dhe u lexua dinamika e ngjarjes, deklaroi para togave të zeza se nuk ekziston asnjë sipërfaqe toke në pronësi të tij e mbjellë me kanabis, përveçse me misër. Trupi gjykues nuk i mori parasysh kërkesat e avokatit mbrojtës të Thanit apo pretendimin se klienti i tij është vetëdorëzuar, duke marrë në konsideratë akuzën e prokurorit, provat e paraqitura prej tij dhe caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Të njëjtën masë sigurie gjykata caktoi edhe ndaj Fatmir Shpatit, që dyshohet se ka qëlluar helikopterin në fshatin Mgullë. Avokati mbrojtës, kërkoi lirimin e tij, pasi 25-vjeçari është dorëzuar vetë në polici dhe nuk ka fakte shkresore se telefoni i përgjuar është në pronësi të të dyshuarit. Po sipas avokatit të Shpatit, nga kontrollet e ushtruara në banesë nuk u gjet asgjë e paligjshme dhe se në asnjë sipërfaqe toke në pronësi të tij apo familjes së tij nuk u gjet e mbjellë lëndë narkotike. Trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e këtij të fundit duke e cilësuar si te ligjshëm ndalimin e të dyshuarit nga policia dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohe organi i akuzës, ka kërkuar që të dyja këto raste t’i dërgohen për gjykim Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë. Dy ditë më parë, togat e zeza lanë në burg edhe 19-vjeçarin Pal Dushku dhe kryekomunarin e Pultit, Gjon Bungu, këtë të fundit me afat 15-ditor.

 

Transferimi

Dosja e Dukagjinit njësoj si e Lazaratit vjen në Tiranë. Destinacioni i hetimit për kultivuesit e kanabisit dhe grupin e zjarrit që rrëzoi një helikopter të Ministrisë së Brendshme, do të jetë Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Burime zyrtare nga kjo prokurori konfirmojnë se dosja është referuar pranë këtij institucioni, për të hetuar mbjelljen e drogës dhe sulmin që i është bërë policisë. Mësohet se të premten e 29 gushtit, prokuroria e Shkodrës e ka dërguar dosjen drejt Krimeve të Rënda, pasi mbi kultivuesit është ngritur akuza e kultivimit të lëndëve narkotike dhe vrasjes të mbetur në tentative ndaj efektivëve të policisë. Madje, edhe vetë prokurori i çështjes në Shkodër ka deklaruar në përfundim të seancave të caktimit të masave të sigurisë se dosjet do t’i dërgohen për gjykim Krimeve të Rënda. Nga të njëjtat burime bëhet me dije se për të arrestuarit e Dukagjinit do të ndiqet e njëjta procedurë, si në rastin e Lazaratit. Pritet që në ditët në vijim të akuzuarit të dalin përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat dhe masën e tyre të sigurisë. Ndërkohë që në Dukagjin vazhdon aksioni i policisë në ditën e tij të 9,ku deri në këto moment janë asgjësuar rreth 120 mijë rrënjë kanabis. Aksioni i uniformave blu pritet të vazhdoje deri në fillimin e javës së ardhshme, ku pritet të përfundojë dhe krehja e gjithë zonës, për identifikimin dhe asgjësimin e kanabisit në këtë zonë të thellë malore.

 

Operacioni

Ka hyrë në ditën e nëntë operacioni antikanabis në Shkodër. Në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm, 145 forca policore të ndara në 9 grupe, janë transportuar me 20 automjete për në zona të thella të Shalës, Shoshit dhe Pultit në Shkodër. Deri në mbrëmjen e dy ditëve më parë, gjatë operacionit antikanabis në Dukagjin ishin asgjësuar 115 mijë bimë kanabis. Ndërkohë që dje në Komunë Shalë dhe Shosh janë identifikuar 6 parcela, në të cilat ishin kultivuar 2000 rrënjë bimë të dyshuara cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.

 

 

Loading...