Samiti i Berlinit/ Merkel: BE e hapur për Ballkanin. Rama: Na shihni si aleatë, do të kryejmë detyrat

0
136

Gëzim Saliu

rama, barroso, merkel. samiti i berlinitKonferenca me kancelaren e Presidentin e KE-së, Rama: Harmonia fetare një nga arsyet sepse Papa viziton Tiranën. BE të na shohë si aleatë, ne do përmbushim detyrimet tona

Bashkimi Europian shpreh interes për integrimin më të shpejtë në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti i Komisionit Europian Barroso deklaruan dje në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, pas mbylljes së punimeve të Samitit të Berlinit, se në vendet e rajonit ka një gadishmëri të madhe për tu integruar në BE. “Ne jemi të interesuar dhe ne mund të themi që në këto vende ka patur zhvillime të shumta. Ka një gadishmëri të madhe për t’u integruar në Bashkimin Europian, ç’ka e konfirmon edhe pjesëmarrja e Presidentit Europian”, tha Merkel. Ndërkaq, kreu i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso i pranishëm në forum, deklaron se këto vende të rajonit të Ballkanit brenda harkut kohor 6 vjeçar do të mund të përfitojnë investime në vlerën e 10 miliardë eurove, që nuk do të jenë vetëm fonde të parashikuar për paraantarësimin në Bashkimin Europian. “Ka shumë rëndësi që vendet e ballkanit perëndimor të përshpejtojnë investimet. Dhe këtu duhet të marrin dhe fonde dhe investime nga institucione të rëndësishme financiare. Dhe mesazhi që do doja t’ua përçoja popujve në rajon është: Nëse ka një perspektivë të qartë për integrimin e tyre: Po, ka një perspektivë të qartë!”, tha ai. Në të njejtën linjë, kancelarja gjermane theksoi se vendi i saj si edhe BE kërkon ta shtyjë më tej procesin e integrimit, por se sipas saj, cdo gjë mbetet në dorën e vendeve aspirante.

 

Kryeministri Rama

Në krah të Kancelares Merkel dhe Presidentit Barroso, i përzgjedhur për të përfaqësuar kryeministrat e 8 vendeve Ballkanike pjesëmarrëse në forum, Kryeministri Edi Rama nënizoi rëndësinë që ka për të ardhmen e rajonit ky samit. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë garantoi se takimi i djeshëm do të ketë një rëndësi të veçantë për konsolidimin e marrëdhënieve politike mes vendeve të rajonit përmes bashkëpunimit ekonomik. “Ky ka qenë një moment i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor sepse po të kthejmë kohën pas në Luftën e Parë Botërore duhet të ndalojmë në një moment dhe të reflektojmë. Jam i vetëdijshëm se ka dyshime brenda BE, dhe ndoshta zëmeratë, megjithatë ne e shohim BE, duke qëne jashtë si frymëzim dhe shpresë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor bashkohen ne rrugën e reformave që të bashkohemi në familjen evropiane, por nuk duhet harruar se 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore ishte viti i parë pa asnjë konflikt mes vendeve të ballkanit”, tha Rama, duke nënvizuar se tolerance është më se e nevojshme në kohën kur anë e mbanë botës shohim konflikte të ndryshme. “Është harmonia fetare një nga arsyet sepse Papa viziton Tiranën si destinacionin e parë, një vend ku të krishterët jetojnë në harmoni me myslimanët. Le të jemi ata që ruajme vlerat e harmonisë fetare ne dyert e Europës. Duhet të sigurojmë që BE të na shohë si aleatë dhe si vende që qeverisen nga shteti i së drejtës. Jemi të vetëdijshëm që jo vetëm na duhet të themi se çfarë duhet të bëjmë , por edhe ta bëjmë atë, nga të dyja palët, e të vijojmë të kryejmë ndryshimet e nevojshme për të siguruar që BE-ja të na shohë si partner dhe aleatë të besueshëm”, deklaroi kreu i qeverisë.

 

Deklarata e përbashkët e Samitit të Ballkanit Perëndimor/ Konferenca do zgjasë për 4 vite: Përmirësimi i qeverisjes për demokracitë e vendeve të Ballkanit

Në Samitin e Berlinit, ku merrnin pjesë kryeministrat e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë anëtarësuar në BE u ra dakord që konferenca e këtij niveli të zgjasë për 4 vjet me radhë. “Ballkani Perëndimor hyn në një proces katërvjeçar të bashkëpunimit dhe asistencës së ngushtë nga ana e vendeve të Bashkimit Europian. Gjermania, Austria dhe Francajanë shtetet që do ta menazhojnë dhe monitorojnë këtë proces”, thuhej në përfundim të deklaratës. Në kapitullin e vecantë që lidhet me rrugën drejt BE-së në deklaratë nënvizohet se, : “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor besojnë fort se e ardhmja është në BE. Qeveria gjermane shpreh mbështetjen e saj për prespektivën e integrimit europiant të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha vendet Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë të hyjnë në BE nëse plotësojnë kushtet e anëtarësimit”. Ndërkaq në kapitullin për forcimin e qeverisjes, theksohej se përmirësimi i saj mbetet një sfidë e veçantë për demokracitë e reja të Ballkanit Perëndimor. “Vendet pjesëmarrëse kanë rënë dakord se masa të mëtejshme duhet të merren për të zhdukur korrupsionin dhe krimin e organizuar.”. Nga ana tjetër në fushën e tregtisë dhe investimeve, shtetet pjesëmarrëse ranë dakord që të forcojnë  përpjekjet e tyre për të zbutur deficitin e llogarive korente, për politika europiane për energjinë si edhe krijimin e një komunitet për transportin në Ballkanin Perëndimor.

 

Përgjimet e Gjermanisë/ Rama: Vende të NATO-s, rrisin sigurinë. Merkel: Mbështes kryeministrin

Kryeministri Rama ka deklaruar në konferencën e përbashkët nga Berlini se përgjimet që i janë bërë Shqipërisë nga ky shtet janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta, tashmë edhe si anëtarë të NATO-s për të rritur sigurinë dhe kur është fjala për këtë, aty nuk ka vend për asnjë spekulim dhe asnjë paragjykim. Ndërkaq Kancelarja Merkel u përgjigj shkurt kësaj pyetje, duke mbështetur kryeministrin shqiptar.

 

 Kryeministri: Vizitoj Serbinë më 22 tetor

“Do të vizitoj Beogradin në 22 tetor. Kemi një datë përfundimtare, pas ftesës që është bërë nga Kryeministri Vuçiç. Është një hap më tej, drejt së ardhmes. Kemi kaq shumë gjëra për të diskutuar dhe kaq shumë potencial për bashkëpunim, saqë duhet të punojmë sëbashku, të gjithë sëbashku në rajon, por, sigurisht, edhe mes shqiptarëve dhe serbëve, për të siguruar që nga kjo erë e re në Ballkan, njerëzit të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur. Është viti i parë në historinë tonë që jemi në paqe në të gjithë kufijtë”.

 

Diskutimet gjatë konferencës/ Merkel: Qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mërzitur me korrupsionin, duhen masa

Në Berlin u mbajt dje Samiti për Ballkanin Perëndimor në Berlin nën drejtimin e kancelares gjermane Angela Merkel. Samiti u zhvillua në sallën e mbledhjeve të qeverisë gjermane me dyer të mbyllura, ndërsa të pranishëm ishin kryeministrat e Ballkanit perëndimor si dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso. Gjithashtu i pranishëm në këtë samit ishte edhe Kryeministri austriak Michael Spindelegger. Në fjalën e saj hapëse, Merkel, teksa falënderoi pjesëmarrësit për pranimin e ftesës, theksoi se “nevojitet një intensifikim i marrëdhënieve mes vendeve tona, pasi shumë gjëra mund të bëhen bashkarisht”. Po ashtu, Kancelarja u është drejtuar me një mesazh të gjitha vendeve pjesëmarrëse në samit se korrupsioni mbetet problemi më madhor dhe vetë qytetarët e këtyre vendeve janë të mërzitur, dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Sipas Merkel çdo vend ka mundësi për t’u anëtarësuar në BE por se kjo do të varet nga implementimi i reformave të kërkuara nga vendet anëtare të familjes evropiane. “Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Keqmenaxhimi, krimi i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve. Prandaj çdo vend, duhet të krijojë premisat për pranimin në Bashkimin Evropian në sektorët e sundimit të ligjit dhe punën efikase të administrates”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency