Letra e 1958/ Rrëfimi i ish ministrit të ’43,  e vërteta e ngjarjeve të Shqipnisë së 7 Prillit 1939, e dokumentuar

0
130

pushtimi italianKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Një cikël tjetër letërkëmbimi të Krujës është ai me ish ministrin e brendshëm në vitin 1943, Kolë Bibë Mirakaj, njoftuar si  më interesante për studiuesit dhe historianët

Janë katër letra të drejtuar Mustafa Krujës nga Kolë Bibë Mirakaj, të cilat kanë më shumë karakterin familjar të lidhjes së një krushqie mes djalit të Mustafait, Fatosit, dhe mbesës së Kolës, vajzës së madhe të Pashukut, Klorës, që u bë në Savër të Lushnjes, ku familjet ishin të internuara. Por biseda e tyre zhvillohet edhe në lidhje me polemikat e vazhdueshme në gjirin e mërgatës shqiptare, polemika në të cilat Kola, ish ministër i partisëe i punëve të mbrendëshme në vitin 1943, dha një ndihmesë të jashtzakonëshme në pamfletin “Deri kur në shërbim t’anmikut?”. Ishte një letër e hapur, drejtuar Prof. Abaz Ermenjit, ku shpjegoheshin arsyet e bashkëpunimit të krahut nacionalist me italianët dhe gjermanët e, njëkohësisht, të pjesës së Ballit Kombëtar e të Legalitetit me anglo-amerikanët dhe me lëvizjen nac.-çl. të drejtuar nga komunistët. “Besoj se është një nga dokumentat më të vlefshme për ata që duan të shkruajnë historinë e vërtetë të Shqipërisë, të trazirave e të tragjedisë së  saj në vitet e luftës së dytë botërore”, shkruan për në këtë grup letrash, trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Romë, 13 – 3 – 58

I dashtuni Z. Mustafë,

Ȃsht nji rasë e papritun – e prej meje e mirëpritun – qi po m’ep shkas t’u shkruej ; të thej heshtjen shum të gjatë në mes nesh.

Besoj se kjo heshtje e deritashme, arsyen e ká pasë të njajtën nga të dy palët : nuk kishim gjâ të ndonjifar randsije me kumtue njani tjetrit o me shtrue në bisedim. Ruej gjithnji për Juve stimën mâ të thellë si burrë shteti, patriot i pá leqe, kulturë e karakter të pathyeshëm ; megjthkëte, nuk kishim ndonji shtytje të posaçme marrëdhanjesh, sa me Të ngarkue e me të humbë kohën me shkëmbim  letrash vetëm falmeshndetesh.

Ȃsht rasa qi përmênda në fillim, qi po më shtynë me thye heshtjen. E qe : mora prej familjes nga Savër i Lushnjës telegramin që po përshkruej “Fejuem Klorën për Fatos Merlikën qi gjindet me familje ktu me neve”.

Klora âsht vajza e Pashukut, 21 vjeçare.

U tham me zemër haptë, se âsht i pari lajm gzimi qi marr tash gati katërmëdhet vjet. Shpresoj se edhe Ju keni me e mirëpritë, e ndoshta edhe Juve u kan lajmue familjartë t’Uej.

Sigurisht as Ju  as un, nuk e kemi mendue as pritë ; por me qi ata (familjet t’ona) qi tash mâ se dymdhet vjet bashkjetojnë tue ndá vuejtjet e dhimbjet e zemrave me shoqi shoin, mue nuk më mbetet me shprehë mendim tjetër, veç me urue me zemër qi ky vendimi i tyne, të jetë fatbardhë për dy të fejuemit, e të mundet me kenë i dobishëm edhe në kuptim mâ të gjânë, tue afrue edhe mâ tepër e lidhë me gjak familjar dy fise qi kurr nuk kursyen gjâ për të mirën e Atdheut.

Me kaq, U dërgoj të fala të përzemërta edhe prej t’im vllá Palit, si Ty, ashtu motrës e djalit.

I Juej përherë mik

Kolë Mirakaj

 

Romë, 30 Mars 1958

I dashtuni Mustafë !

Kam marrë letrën t’Ande të datës 21 të vazhduesit, e gzimi me të cilin e paskeni pritë Ti me motrën e djalë fejesën e Fatosit me t’eme mbesë (Klorën e Pashukut), e dyfishon gzimin që un ndjeva kur pata marrë at lajm fatbardhë. Vërtet, as Ty as mue nuk n’a kish shkue mêndja se do t’arrijshim nji ditë edhe në lidhje gjakut ; por qe se martesa, vërtet kenka e paracaktueme prej Zotit.

Jemi njoftun për së larg (si thue vetë) me shkëmbim letrash në Qershorin e vjetit 1926 tue u përpjekë për nji kryengritje, qi mendojshim se do t’i siguronte fate mâ të mira Atdheut, e cila dështoi për gabimin fatal të Dom Loro Cakës. Kam ende në kujtesë përmbajtjen e artikullit qi Ti pate shkrue mbas dështimit të kryengritjes, nën titull “Viktima të naivitetit” e vërtetë ashtu ishte. Nuk ka dyshim që rrjedhimet e atij dështimi, kanë ndikue mjaft në fatin e mbasandejshëm të Vendit t’ynë. Por kjo tashmâ i përket historisë.

Un jo vetëm që prej asajë rase, po shumë mâ përpara të kishem njoftë në jetën t’ande politike – kombtare, e prandej, mbas dekës të të pashoqit Luigj Gurakuqi, të kam pasë cilsue depozitarin e idealeve të tija, e si të tillë të kam ndjekë. Fataliteti i historisë, që rrethanat ndërkombëtare suellën, nuk Të lanë mundësinë, me bâ aq sa e di qi zemra të ka dishrue për të mirën e Kombit, e që sod gjindemi në kët gjendje të pameritueme, e aq mâ keq, të shamë e të përbuzun, prej njerzish të pa asnji meritë. Por kjo nuk duhet të n’a ligshtojnë. Ti, e disa tjerë prej nesh, kemi bâ ate çka pat kenë e mundun për dobi t’Atdheut, pa as mâ të voglën dobi vehtjake. Këte e ka provue gjendja e sodshme e jona, që më vështirsi e therorina po mundemi me sigurue kashatën e gojës. E vetmja pasuní qi na fituem gjatë përpjekjeve të gjithë jetës t’onë âsht ndërgjegja e qetë, e kjo nuk paguhet me krejt pasuninë e botës. Prandaj nuk ligshtohemi.

Na erdhi keq si mue ashtu Palit për vuejtjen e Bashkimit, e i urojmë shërim e shndet të plotë sá mâ parë.

E qe tani, sá dishron rreth Klorës, e familjes t’eme :

Klorën e kam lânë pá i mbushë tet vjet, e ndiqte klasën e dytë fillore. Ishte trup-zhdërvjelltë, flokëverdhë, sy ngjyrë deti, ngjyrë ftyre bardh e kuq. Di se ka krye shkollën unike e kujtoj se edhe kursin rrobaqepse, pse para do muejshë më pat kërkue kataloge e tjera gjâna rrobaqepsije. N’at rasë, më pat dërgue edhe nji foto, të cilën e kam dhânë me e riprodhue, e mbasnesër po t’a nisi mbyllun në ket letër. Shpresoj se ka me dalë martesë e zojë-shpije e mirë me qi âsht rod i mirë e i shndoshë edhe prej dajash. Dy dajët e saj i kanë pushkatue komunistat. Ka nji nânë qi mâ fisnike grue nuk e ka veshë xhubletën.

Familja : Pashuku (em vllá) kje vrá në Btoshë të Merturit në korrik të 1946-ës, nji muej e pak mbas Markut të Kapidanit. Ká lânë gruen, dy çika Klora e Katrina, e nji djalë, Zefi. Të tre janë si molla në rrem. Ndoci (em bir) kje vrá në luftim me 29 gusht 1949 në malet e Iballes. Ka lânë gruen, nji çikë e nji djalë qi tash gjinden në Tiranë. Cuca quhet Lela e djali Bibi. Un kam në Shqipní gruen (Gjina) e dy djelm : Mojsi e Leka, i pari, kto ditë mbush 20 vjet e i dyti 16 në Tetuer. Ky i dyti âsht në Tiranë te tezja e vet e ndjek shkollën e mesme të gjeometrisë. Mojsin nuk e patën lejue me vazhdue mësimet mbas kryemjes t’unikes, e pat fillue me nxânë për mekanik, por prap nuk e lanë e tani gjindet edhe ai i internue në Savër të Lushnjes.

Pali ká gruen, nji vajzë e dy djelm. Grueja e eme me Mojsin, e Pashukut me tre fëmijtë dhe e Palit me të vetët janë t’internuem qyshë në Prandverë të 1945-ës, e tani të gjithë ndodhen në Savër të Lushnjes.

Me të tanë tragjedinë qi kemi psue, nuk jam shue. Kemi gjasht djelmoça, mâ i vogli 14 vjeç e mâ i madhi 20 vjeç, e ata qi i kanë pá ndepër kampet më kanë thanë se të gjithë janë djelm sokola.

Kam edhe nji motër me dy çika në Shkodër, qi ishte e martueme për të nipin e Ded Gjo Lulit, major Gjelosh Lulin, i cili ka dekë i arratisun në Hot më 1947. Motra ishte drejtore e nji shkollet fillore në Shkodër e tani e pushuene prej pune.

Ktu jemi un, Pali e nipi Viktori. Pali, mbas shtat vjet qendrimi në malet, pat dalë në Jugosllaví. Viktori (13 vjeç) âsht djali i s’eme bije Lulës e i Mark Daragjatit (ish nënprefekt) e vdekë nën torturat komuniste më 1946-ën. Kte e pat prue me veti e âma, hikë prej Shqipnije më 1950 në Jugosllaví e mbas dy vjetësh pat arrijtë këtu.

Lula (eme bijë) tani gjindet në burg në Paris, në pritje gjykimi. Qe tragjedija e sajë shkurtimisht; Kundra mendimit e kshillave të mija, kje martue ktu, me nji djalë (arkitekt) origjinet hungareze. Ishte sarahosh e sadist. Keqpërdorimet qi i ka bâ nuk përshkruhen. Mbas dy vjetësh qi i mbajta un ktu, e mbasi gjeta punën si arkitekt e nuk ndigjoi me punue, në Gusht të 1956, shkuen burrë e grue për Paris. Atje Lula punonte, ai e shfrytzonte.Mbetë me shtatzanë, ai kish dashtë me e detyrue me shti (abortue) e ajo nuk kish ndigjue. Rrahë qinda herash e torturue, në kohën shtatmujore të shtatzanies, e kish përzânë në rrugë të madhe, pa nji frang në xhep. Me 13 shtatuer 1957 Lula e shtrini dekun përdhé me gjashtë plumba rrevolje ! Tri dit mbas ngjarjes i ká lé fmija (djalë) qi tash e ká me vete në burg. I kam bâ nji avokat të mirë, e kujtoj se në korrik ká me pasë gjygjin.

Viktorin e kam ktu në nji kolegjë e bân klasën e parë gjimnaz. E kam ruejtë pa harrue shqipen, e t’a dij për nderë (po të keshë) me më dërgue nji abetar për te.

Ti, posë zojës e Fatosit, ke ké në Savër ?

Pali ká bâ formalitetet për emigrim n’U.S.A. e âsht në pritje. Un kam mbetë n’Italí. Sa për vete jam në gjendje me e përballë jetesën, dhe diçka me ndihmue familjen. Punoj për I.N.A. dhe kam nji pension (si i gjymtuem lufte) 25.000 lira në muej. Pali ktu âsht pá punë. Uzdaja në Zotin!

Me kaq u dërgoj të fala të përzemërta e përqafime vllaznore, si prej Palit, ashtu të mijat, Ty, Angjelinës e Bashkimit.

I yti

Kola

Ps.Nuk di me spjegue se kah vjen emni Klorë. Kujtoj se âsht sinonim i emnit Klarë (Chiara

 

 Romë, 5 – V – 1958

I dashun Mustafë !

Pak dit mbasi pata marrë letrën t’ande (se më vonoi riprodhimi i fotografisë së Klorës) të kam shkrue. Vonesa e nji letre prej teje, më ká vû mjaft në kujdes, kryesisht për Bashkimin, që më thojshe se u ishte shtrue dy operacjonevet. Uroj që ay t’a ketë kalue fatbardhisht e edhe Ti e Angjelina të jeni mirë ; por ankthi nuk më hiqet deri sa mos të marr ndonji lajm prej jush.

Në letrën e maparshme, të kishem njoftue se ke kam në kamp tash tremdhet vjet, e gjânë e gjatë mbi krejt familjen t’eme (familje patriarkale). Të kam dërgue po me at letër edhe nji foto të Klorës. Shpresoj t’a keni marrë.

Na me shndet nuk ankohemi, e me të tjerat , po e shtyjmë ashtu si e ká gjykue fati. Pali besoj se ket verë mund të niset për Amerikë, e ka me xânë vend në Cleveland ose në Buffalo.

Pres të më lajmërojsh si u bâ Bashkimi dhe si jeni Ti e Angjelina.

Me kaq u dërgojmë të fala të përzemërta të treve, si un ashtu Pali.

I yti

Kolë Mirakaj

 

 Romë, 15 – 10 – 1958                 

I dashun Mustafë !

Shpresoj e uroj të jeni të gjithë mirë, ashtu edhe un nga shndeti nuk ankohem. Për të tjerat po rropatem.

Do të kujtohet qi disa vjet mâ para, kur ishe n’Egjypt, të pata njoftue qi kishem pregatitë nji tregim bajagi të dokumentuem mbi ngjarjet e Shqipnisë që prej 7 Prillit 1939 e kndej, për t’u a vue përballë trillimeve e gënjeshtrave të kundërshtarëve t’onë që janë përpjekë e vazhdojnë të përpiqen me n’a bâ të vdekun moralisht e kombtarisht.

Nuk kam pretesën të kem bâ nji punë të përsosun, por edhe me ndejë gjithmonë në heshtje, pa lânë diçka të “zezë në të bardhën”, duket sikurse na nuk kemi kenë në gjendje me përligjë veprën t’onë para historisë e, për rrjedhim, me pranue çka kanë thânë e shkrue kundërshtarët, tue na cilsue “tradhtarë”.

Me pranue me heshtjen t’onë nji cilsim të tillë qi nuk i përgjigjet së vërtetës, mue m’âsht dukë se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historisë e kundra fmijve e njerzve t’onë, qi do të mbeteshin me kryeultë për breza para shoqnisë. Kjo ka kenë arsyeja qi më ká shty me i a hy ksajë pune. Me i lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a ketë për studim e krahasim.

Dorshkrimin e kam pasë pregatitë qyshë më 1951 dhe dy kopje të daktilografueme keq në nji makinë rrapçape (diffettosa) siç po e shef.

Nuk kam pasë mundësinë financiare t’a botoj, e nuk di kur kam me e pasë, por ket dimën due t’a pregatis për shtyp, d.m.th. t’a daktilografoj si duhet. Para se të vehet në shtyp, dishroj të kem mendimin t’and  e t’Ernestit. Po të dërgoj nji kopje me rasën qi po vjen Pali n’Amerikë. Të lus t’a vrejshë e t’i bâjsh korigjimet qi të shofish t’arsyeshme dhe nëse ké gjâ për të shtue qi të plotsohet mâ mirë të m’a shkruejsh.

Kam mênd me shtue në vêndin e përshtatshëm edhe diçka mbi partinë komuniste, tue u mbështetë edhe mbi dokumenta qi përmban libri i Djeder-it “Il sangue tradito”

Nuk âsht nevoja të m’a kthejsh volumin të korigjuem. Mjafton të më shënojsh faqen e vendin ku eventualisht ke me bâ korigjim a shtim.

Më mungojnë datat e rezolutës së Senatit amerikan, rezolutë e paraqitur nga senatori Paper (2) në favor të Greqisë ; e deklaratës së Edenit në Dhomën e Komuneve, e Konferencës së Teheranit  e të Jaltës ; kjo e fundit kujtoj ká kenë me 10 Fruer 1944. Nëse ke shënime mbi kto, të lus të m’i njoftojsh. Ȃsht mandej edhe libri i Emërit që mund të ketë diçka interesante.

Prej familjes ká mjaft kohë qi nuk jam tue marrë letra. Lula (eme bijë) ká me e pasë gjygjin në kallnuer ose fruer e simbas mendimit t’avokatit, ká me përfundue me dënim kondicional, jo t’ekzekutueshëm.

Me kaq u dërgoj të fala të përzemërta e përqfime Ty, motrës e djalit.

I yti

Kola

Ps. Kam për të dërgue edhe kopjet e disave nga telegramet e para 7 prillit 1939, ndër të cilat të Kapidanit. Mbasi t’a keni studjue pjesën e dokumentave, më njoftoni se a mendoni të mos botohet  ndonji.

Ps. Pali shkon pra në : Gulielm Koliqi  1895 Beersford Rd.  E. Cleveland – Ohio.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency