Ndërtimi në Dajt/ PD, Ristani: S’ka asnjë procedim penal për krimin mjedisor që po bën mikut i ministrit

0
259

Gëzim Saliu

Arben_Ristani27gusht“Rama e quan vrasje, por lejon miqtë e tij të ndërtojnë pa leje 100 metra larg shtëpisë së tij”

Asnjë procedim penal nuk është ndërmarrë lidhur me vrasjen mjedisore që po bëhet në zonën e Dajtit, vetëm 100 metra larg shtëpisë së kryeministrit të vendit Edi Rama. Kështu pohoi dje nga selia blu, deputeti demokrat Arben Ristani, duke theksuar se kreu i qeverisë nuk e quan këtë rast vrasje mjedisore, pasi objekti që PD denoncoi dy ditë më parë sipas tij, i përket njerit prej të afërmëve të ministrit të Mirëqënies Erion Veliaj. “Pikërisht në kohën kur propaganda e Edi Ramës po arrinte pikun, kur ai e quajti krimin mjedisor të barabartë me vrasje, 100 metra larg shtëpisë së tij, makineri të tonazhit të rëndë shembën një kodër të bukur, për një ndërtim pa leje, në Surrel të Dajtit. Sekreti i këtyre makinerive që kryejnë atë që Edi Rama në një sallë të Hotel Tiranës po e quante vrasje, është se punojnë për një njeri të afërt të qeverisë. Dhe kur krimi mjedisor, ndërtimi pa leje ndodh 100 metra larg shtëpisë së Kryeministrit, bëhet sigurisht me lejen dhe bekimin e tij. Po ju sjellim dhe një herë ndërmend propagandën e Kryeministrit, kur u kërkoi drejtuesve të policisë ta trajtojnë një ndërtim pa leje si vrasje”, deklaroi Ristani, ku u shfaq në ekranin e vendosur në sallën e konferencave të PD-së deklarata e kryeministrit Rama, i cili ka pohuar: “krimi mjedisor identifikohet dhe ndiqet nga Policia e Shtetit, si çdo krim tjetër i rëndë dhe përgjegjësia penale për veprat e krimit mjedisor është e pashmangshme”.

 

Reagimi

Duke u ndalur tek deklaratat e mëparshme të kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri se do të ndëshkohen të gjithë ata që tentojnë të ndërtojnë pa leje, Ristani theksoi se kjo gjë nuk po ndodh në realitet dhe se bëhet fjalë për një propaganda nga ana e qeverisë. Sipas, PD-së vetëm rasti i denoncuar dy ditë më parë për ndërtimin në Dajt tregon se qeveria po prish ndërtimet në mënyrë selektive. “Edi Rama angazhoi në propagandë edhe Ministrin e tij të Brendshëm. Tahiri kërcënoi publikisht këdo që përfshihet në ndërtim pa leje, se e pret burgu. Partia Demokratike denoncoi dje një rast flagrant të ndërtimit pa leje. Cilat ishin masat që mori Edi Rama? Censuruan këto fakte të denoncuara nga qytetarët dhe Partia Demokratike në ekranet dhe faqet e gazetave. Kjo ishte e vetmja masë që morën. Ky ndërtim pa leje që denoncoi dje Partia Demokratike nuk është për Edi Ramën një vrasje. Sepse atë po e bën njeriu më i afërt i Erion Veliajt”, tha ai. Më tej, ligjvënësi demokrat pyeti se pse nuk ka asnjë procedim penal për masakrën mjedisore që bëhet pa leje dhe 100 metra larg shtëpisë së kryeministrit. “Nuk ka asnjë procedim, sepse këtë masakër, këtë krim mjedisor, këtë ndërtim pa leje po e bëjnë vetë ministrat. Ky është një skandal që ndodh në mes të Tiranës ditën për diell. Ky rast, dëshmon qartë politikën selektive e korruptive të Edi Ramës me ndërtimet dhe territorin”, përfundoi deklaratën e tij deputeti i PD-së, Arben Ristani. Për Partinë Demokratike, me urdhër të qeverisë, INUK ka thelluar ditët e fundit një aksion të prishjes selektive e korruptive të ndërtimeve, ku nga ana tjetër për ato objekte që janë në shkelje flagrante, sipas të djathtëve, mazhoranca qeverisëse, policia dhe inspektoriati nuk kanë marrë asnjë masë.

 

Kryeinspektori i INUK/ Shkrirja pas 30 ditësh, Zyhdi Dajti jep dorëheqjen

Kryeinspektori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Zyhdi Dajti ka dhënë dje dorëheqjen dhe në vend të tij është emëruar Dallëndyshe Bici, e cila mbante më parë detyrën e Drejtoreshës Juridike të INUK. Dajti drejtonte Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar prej 11 muajsh. Dorëheqja e Dajtit përkon me kalimin e INUK-ut në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se INUK do të shkrihet brenda 30 ditësh dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku sipas tij ky ndryshim lidhet me faktin se krimi mjedisor ashtu si çdo krim tjetër duhet të jetë përgjegjësi e policisë.

 

Deklarata/ PD: Cdo zyrtar që ka lidhje me oligarkinë, ka leje për shkeljen e ligjit, rregullit e moralit

Partia Demokratike përmes një deklarate publike akuzoi dje mazhorancën qeverisëse se modeli që ka krijuar dhe promovon kryeministri po jep çdo ditë rezultate duke inkriminuar administratën, zyrat e shtetit dhe Parlamentin. Sipas selisë blu, Rama i ka dhënë leje çdo zyrtari, çdo kujt që ka lidhje me oligarkinë që të shkelë ligjin, rregullin dhe moralin.  “Duke futur në parlament të dënuarin për trafik prostitucioni, duke emëruar trafikantët e drogës e rrëmbyesit e fëmijëve në poste kyce, Rama i ka hapur dritën jeshile abuzimit në cdo drejtim. Në këtë mënyrë, ai ka dhënë lejen për miqtë e tij të ndërtojnë pa leje. Ka krijuar lehtësitë që zyrtarët dhe përfaqësuesit politikë të kërkojnë favore seksuale. Ka ngritur sistemin e një korrupsioni masiv”, thuhej në deklaratën e PD-së.  Më tej, demokratët theksuan se mblesëria me përfaqësuesit më në zë të trafikut të drogës e botës së krimit, ka sjellë në jetë oligarkinë e sotme në veprim.  “E vetmja gjë e qëndrueshme sot është lidhja rreth pushtetit dhe qeverisjes e një rrjeti të madh trafikantësh e ish-të dënuarish për vepra të rënda penale. Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të bëjë transparencë me dhe për qytetarët e vendit, në emër të interesit më të lartë publik”, mbylli reagimin e saj Partia Demokratike.

 

Konferenca e Ballkanit/ Sot Merkel me 8 kryeministrat. Berisha: Samiti vlerë, përfaqësuesi ynë mjeran

Kancelarja gjermane Angela Merkel ditën e sotme pritet të takohet me kryeministrat pjesëmarrës në konferencën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila do zhvillohet në Berlin dhe ku i pranishëm  është edhe kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama. Përkatësisht, Kancelarja Merkel do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë. Kjo u bë e ditur dje nga zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, i cili tha se,: “pas pjesëmarrjes së saj para pak javësh në Takimin e Kryetarëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Brdo-Brijun, i cili u zhvillua më 15 korrik në Dubrovnik, Kancelarja Federale Angela Merkel së bashku me Ministrin Federal të Ekonomisë Gabriel dhe Ministrin e Jashtëm Federal Steinmeier do të presin Kryetarët e Qeverive, Ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Ekonomisë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si edhe të Kroacisë dhe Sllovenisë.”. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ish-kryeministri Berisha , i cili ka përsëhndetur samitin dhe e ka cilësuar si një shenjë tjetër të faktit se BE i ka të hapura dyert për Ballkanin. “Përshëndes këtë Samit, thirrjen si dhe dhe formatin e tij si një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Ky Samit dëshmon angazhimin e kancelarisë gjermane për rajonin dhe proçesin e zhvillimit dhe integrimit të tij në BE. Ky Samit rikonfirmon dhe një herë se dyert e BE janë të hapura për ne”. Më tej në reagimin e tij, deputeti demokrat nuk nguroi të akuzonte kreun e mazhorancës duke thënë se vendi ynë do të përfaqësohet në këtë samit nga kryeministri që ka rrënuar institucionet dhe ka inkriminuar administratën. “Shqipëria, mjerisht, përfaqesohet në këtë Samit nga një njeri që po rrënon institucionet e pavarura për të qenë vetë President, Kryeministër, Kryeprokuror, kryegjykatës, kryepolic. Ai po zëvendëson shtetin ligjor, sigurinë ligjore me shtetin policor, vullnetin e tij të sëmurë dhe arkaik. Edi Rama me mazhorancën e tij të mbushur me vrasës, pengmarrës, trafikantë dhe vjedhës në të gjitha nivelet po zhbën me shpejtësi ato standarte të arritura me mundim, sakrifica dhe ndihmën e miqve nga shqiptarët në rrugën e demokracisë”, theksoi Berisha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency