Vjedhja e bankës/ Apeli refuzon lirimin e 7-të të arrestuarve, akuzojnë eprorët për mungesë rregulloreje

0
119

Sonila Mesareja

banka e thesaritRamohitaj, Xhilaga e Tushaj: Nuk kishte rregullore, udhëzime apo dhe kasafortë për vendosjen e çelësave. Nuk u njohëm me ndonjë rregullore të re

Shtatë nga 10-të të arrestuarit e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë janë paraqitur dje para Gjykatës së Apelit duke kundërshtuar qëndrimin në burg. Seancat gjyqësore u zhvilluan me dyer të mbyllura, dhe të dyshuarit një nga një, dolën para treshes gjykuese, ku dhe dhanë versionin e tyre për ngjarjen. Të gjithë të akuzuarit, kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arresti me burg” në një masë më të lehtë. Edhe avokatët e tyre pretenduan se klientët e tyre nuk kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, për të cilën i akuzon prokuroria. Që nga drejtori i kësaj qendre, Dorian Çollaku e deri tek specialistët Petrit Ramohitaj, Liljana Tufa, Myzejen Belba, Bashkim Xhilaga, Lavdim Cani e Dhimitër Davidi, shfaqën pretendime të ndryshme. Sipas burimeve nga gjykata bëhet me dije se disa prej tyre thanë se nuk kishte rregullore për mënyrën e funksionimit të arkës stok dhe asaj në veprim, ku janë kryer vjedhjet. Ndërkohë që akuzat shkuan më tej kur zyrtarë të tjerë të arrestuar deklaruan se nuk kishte kasafortë për mbajtjen e çelësit. Ndërsa eprori i tyre, drejtori Çollaku tha se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në vjedhjen e bankës.

 

Akuza

Para se punonjësit e bankës të ngrinin pretendimet e tyre para togave të zeza, përkatësisht gjyqtarëve Metush Saraçi, Gramoz Levanaj dhe Hysni Demiraj, prokurori Altin Dumani e ka mbështetur akuzën e tij në dëshminë e dhënë nga Ardian Bitraj. Ky i fundit ka treguar me detaje të gjithë mënyrën e funksionimit të bankës dhe skemën e grabitjes. Referuar deklarimeve të Bitrajt, përfaqesuesi i akuzës tha se duken qartë edhe përgjegjësitë penale të secilit prej të arrestuarve. Në mbështetje të këtyre provave, prokurori renditi edhe dëshminë e Mimoza Burzias, e cila ka shpjeguar mosfunksionimin e rregullores së bankës në kontrollin e parave stok. Sipas prokurorisë, vjedhja e arkës stok të Thesarit të shtetit, dyshohet se është kryer për rreth 4 vite rresht nga i dyshuari Bitraj. Lidhur me këtë të fundit, po punohet për të zbardhur edhe bashkëpunëtorët e tjerë te mundshëm të vjedhjes së 713 milionë lekëve.

 

Ramohitaj: S’kishim kasafortë për çelësat

Para togave të zeza, Petrit Ramohitaj mohoi kategorikisht të ketë lidhje me skandalin e vjedhjes. “Nuk kemi pasur logjistikë ku të vendosim çelësat. Nuk kemi kasafortë. Udhëzimi i Bankës për sigurinë e dhomave nuk mund të zbatohej dhe nuk na ishte komunikuar” tha Ramohitaj, duke akuzuar eprorët e tij për këtë mangësi.

 

Xhilaga: Unë mbaja çelësat dublikatë

Pas Ramohitaj, radhën për t’u paraqitur para togave të zeza e pati Bashkim Xhilaga, kontrollori mbikqyrës i arkës ku janë vjedhur 713 milionë lekët. Prokurori Altin Dumani kërkoi të lihet në fuqi masa e arrestit me burg për Xhilagën, ndërsa avokati Bujar Kareci kërkoi ndryshimin e saj në masë “arrest shtëpie”. “Unë mbaja çelësat dublikatë dhe jo ata me të cilat janë vjedhur,” mësohet të ketë thënë Xhilaga, ndërsa avokati tha se “nuk ka pasur asnjë udhëzim për mënyrën e punës”. Edhe avokati i Xhilagës ka akuzuar eprorët për mungesën e udhëzimeve për mirëfunksionimin e punës.

 

Cani punonjesi i arkës stok moh përfshirjen në vjedhje

Lavdim Cani, punonjës i arkës stok akuzohet për “shpërdorim detyre” ashtu si kolegët e tij. Avokatja Brikena Kasmi kërkoi masë arresti më të butë për klientin e saj, përkatësisht “arrest shtëpie”. Ndërsa prokuror Altin Dumani kërkoi të lihet në fuqi masa “arrest burg” duke renditur shkeljet për të cilat akuzohet Cani. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke lënë në fuqi masën e dhënë nga kolegu i Gjykatës së Tiranës, Arben Mullai.

 

Tushaj, specialiste e arkës në veprim: Nuk u njoha me rregulloren e re

E arrestuara tjetër që doli para gjykatës ishte Liljana Tushaj, specialiste e arkës në veprim. Avokati i saj i kërkoi gjykatës caktimin e masës “detyrim me paraqitje”.  Sipas avokatit, klientja e tij respektoi rregulloren në kryerjen e detyrës së saj. “Nuk është njohur me rregulloret e reja pasi s’ia kanë vënë në dispozicion” ka deklaruar avokati i Tushajt para gjykatës, duke akuzuar edhe ai eprorin e klientes për mungesën e rregullores. Prokuroria kërkoi të lihet në fuqi vendimi i “arrestit me burg” për të akuzuarën për “shpërdorim detyre”.

 

Krimet e Rënda/ Akuza se qëlloi me armë ndaj policisë në Lazarat, lihet në burg Boçia

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, me kërkesë të prokurorisë, izoloi në qeli Juxhin Boçian nga Lazarati, pasi kishte filmuar veten dhe shokët, duke qëlluar me mitraloz 12.7 mm ndaj policisë, që po tentonte të hynte në Lazarat. Para gjykatës, i riu mohoi akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë” ndaj policisë, duke pretenduar, se nuk ka qenë në Lazarat ditën kur policia po hynte në fshat në aksionin antikanabis. Pretendimi i tij u kundërshtua nga prokurori, i cili tha se Juxhin Boçia dhe personat e tjerë të shpallur në kërkim, kanë filmuar veten me celular, duke qëlluar drejt policisë me mitraloz të rënde, video kjo që është sekuestruar me cilësinë e provës. Arrestimi i Boçias u krye pak ditë më parë nga policia në një lokal në fshatin Kordhocë. Pas arrestimit të 20-vjeçarit, aparati celular ra në duart e policisë dhe tashmë ndodhet në ato të akuzës së Krimeve të Rënda. Policia arrestoi 20-vjeçarin ndërsa shpalli në kërkim A.Alikon, si personi i dytë që shfaqej në video duke qëlluar me armë zjarri ndaj uniformave blu në operacion antikanabis të zhvilluar muaj më parë. Videoja e zbuluar në celular tashmë përbën një provë të fortë kundër tyre. Burimet zyrtare njoftuan dje se Sektori i antidrogës në Policinë e Gjirokastrës, mbështetura nga forcat RENEA, ka kontrolluar një lokal në Kordhocë të Gjirokastrës, në të cilin kanë zbuluar dhe sekuestruar dy armë zjarri, pistoletë me silenciator, një laptop, server të kamerave monitoruese si dhe një aparat celuar. Gjatë kqyrjes së aparatit celular, policia zbuloi video filmike, në të cilat shfaqej Juxhin Boçia dhe A.Aliko, të cilët qëllonin me mitroloz, dyshohet, mbi policinë. Juxhin Boçia, edhe gjatë ditëve të operacionit në Lazarat, ishte arrestuar nga policia, sepse dyshohej se kishte qëlluar me armë kundër Policisë, që po zhvillonte operacionin “antikanabis”, por Prokuroria e kish lënë atë me “detyrim paraqitje”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency