Pas shkrirjes së INUK/ Ministria e Brendshme: Kush penalizohet në rast të një ndërtimi pa leje

0
132

Sonila Mesareja

inuk prishje ndertimi pa lejeProcedim edhe për uniformat blu në rast mosveprimi ndaj konstatimit të një ndërtimi pa leje

Një ditë pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama se INUK do të shkrihet dhe kompetencat për ndërtimet pa leje i kalojnë policisë, kreu i Ministrisë së Brendshme ka njoftuar edhe subjektet që penalizohen në rast të konstatimit të një ndërtimi të paligjshëm. Sipas ministrit Sajmir Tahiri, nuk penalizohen vetëm ata që ndërtojnë pa leje, por edhe të gjithë ata persona që përfshihen në një aktivitet të tillë do të përballen me ligjin. Sipas ministrit, për çdo ndërtim do të vërtetohet ligjshmëria. Në komunikimin e tij me median, ministri deklaroi se “të ndërtosh pa leje është krim, të përfshihesh në ndërtime pa leje është krim. Çdo punëtor, mbikëqyrës kantieri, përfshirë edhe çdo mjet që transporton lëndë në favor të kësaj veprimtarie do të procedohet penalisht dhe do dalë para drejtësisë për bashkëpunim në këtë vepër penal. Do të vërtetohet ligjshmëria për ndërtimet. Do të ketë kontroll nga policia për çdo ndërtim, do vërtetohet ligjshmëria. Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë. Do të mbyllet historia e shkatërrimit të mjedisit”. Më tej, një apel ministri e ka pasur edhe për vetë uniformat blu, të cilat duhet të monitorojnë procesin, duke i paralajmëruar se do të procedohet njëlloj edhe ndaj uniformave blu, për mosveprim, duke lejuar ndërtime pa leje. “Të denoncohet çdo mosveprim i strukturave të Policisë së Shtetit, duke lejuar aktivitete që lejojnë ndërtimet pa leje. Jemi të vendosur për të fituar betejën me krimin mjedisor, me ndërtimet pa leje, dhe me dëmtuesit e mjedisit. INUK ka shembur mbi 1 mijë ndërtime pa leje dhe kjo flet për vendosmërinë tonë për të luftuar fenomenin. Është koha për luftë frontale me këtë krim që e ka bërë Shqipërinë rast unikal në Evropë” apeloi ministri. Ndërkohë që, i pyetur nga media lidhur me shkrirjen e INUK, ministri Tahiri theksoi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një kalim të kompetencave tek Ministria e Brendshme, por për një ndryshim radikal në funksionimin e këtij institucioni.

 

Denoncimet

Reagimet ndaj ndërtimeve pa leje kanë qenë të menjëhershme. Kanë qenë vetë qytetarët e Tiranës që kanë denoncuar ndërtimet pa leje në kryeqytet. Sipas policisë gjatë ditës në 10 raste qytetarët kanë sinjalizuar mbi ndërtime të paligjshme në Tiranë. Dhe pas denoncimit janë marrë masat e nevojshme për dërgimin e shërbimeve policore, të cilët kanë bërë pezullimin e punimeve dhe shoqërimin e 10 personave të dyshuar për kryerjen e këtyre ndërtimeve të paligjshme. Policia e Tiranës, duke falenderuar qytetarët për bashkëpunimin iu bën thirrje që të telefonojnë në numrin pa pagesë 129, për çdo rast ku vërejnë ndërtime abuzive, duke garantuar ruajtjen e anonimatit. Po ashtu qytetarët mund të komunikojnë me Policinë e Tiranës dhe përmes faqes zyrtare në facebook Drejtoria e Policisë – Qarku Tiranë ose përmes faqes së internetit në rubrikën denoncime në adresën ëëë.tiranapol.org . Policia e Tiranës garanton qytetarët se do të veprojë menjëherë, duke marrë të gjitha masat e përcaktuara ligjore për çdo rast të denoncuar. Ndërkohë që njoftohet zyrtarisht se edhe në Durrës kanë nisur procedimet për tetë persona, të akuzuar për ndërtime pa leje.

 

Laç/ Nuk kallëzoi mbjelljen e hashashit, pranga drejtuesit vendor Gega

Një tjetër drejtues vendor ka rënë në prangat e policisë ditën e djeshme pasi akuzohet se nuk kallëzoi mbjelljen e kanabisit. Sipas burimeve policore, 41-vjeçari Marjan Gega, me detyrë kryeplak i fshatit Skuraj, në Kurbin, është ndaluar pasi nuk ka denoncuar sipas ligjit mbjelljen e bimëve narkotike. Ndërkaq, është shpallur në kërkim 41-vjeçari Artur Kola, pasi 1837 bimët narkotike të asgjësuara ditën e djeshme dyshohet se ishin mbjellë në tokën e tij. Kryeplaku i fshatit Skuraj akuzohet tashmë se nuk ka përmbushur detyrën për kontrollin e territorit për drogë dhe për moskallëzim krimi. Gjithashtu lidhur me këtë rast është proceduar nga detyra dhe punonjësi i policisë së Komisariatit të Kurbinit. Gjithashtu, mësohet se është marrë masa e pezullimit edhe ndaj kryeinspektor Haxhi Hoxha me detyrë ndihmës specialist SPZ në zonën e Skuraj. Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.

 

Sulmi ndaj policisë në Dukagjin/ Arrestohen Dushku e Shpati, dy anëtarë të “Grupit të zjarrit”

Policia e Shtetit bën me dije se dy netë më parë është bërë e mundur ndalimi i njërit prej autorëve të dyshuar të sulmit me armë ndaj helikopterit të policisë, si dhe ndalimi i një funksionari vendor. Ndërsa pasditen e djeshme njoftoi është ashtë arrestuar edhe një person i dytë, i njohur si anëtar i grupit të zjarrit. Sipas të njëjtave burime, nga strukturat e policisë është bërë ndalimi me iniciativë i shtetasit Pal Dushku, 19 vjeç, banues në Fshatin Plan, Komuna Pult. Ky shtetas dyshohet se gjatë operacionit për asgjësimin e bimëve narkotike ka kundërshtuar shërbimet e policisë, që po asgjësonin sipërfaqet e konstatuara të kultivuara me bimë narkotike në këtë zonë. Po ashtu, nga hetimet e deritanishme ky shtetas dyshohet dhe si një nga autorët që kanë qëlluar me armë zjarri Helikopterin e Policisë. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë. Po ashtu njoftohet se është bërë ndalimi me iniciativë i shtetasit Gjon Bungu, 52 vjeç, banues në Fshatin Plan, Komuna Pult. Ky shtetas dyshohet se duke qenë me detyrën e Kryeplakut të Fshatit Pult, nuk ka zbatuar ligjin për të njoftuar organet e policisë për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin e tij. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë. Në orët e pasdites së djeshme, kreu i policisë së Shkodrës, Shaban Nexhi bëri të ditur se dje është bërë i mundur arrestimi i shtetasit kërkuar Fatmir Shpati, 25 vjeç, banues në Grudë e Re, i dyshuar si autori i organizimit dhe sulmit, ku u goditën me armë zjarri helikopteri i ushtrisë dhe i Policisë së Shtetit. Veç kësaj, sipas Nexhit, nga veprimet e deritanishme hetimore ka rezultuar se 25- vjeçari është edhe kultivues i disa parcelave me bimë narkotike në zonat e fshatit Pult. Materialet hetimore në ngarkim të tij  i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “ vrasje e punonjësit të policisë së shtetit në detyrë dhe për shkak të saj, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjithashtu njoftohet se operacioni i Policisë së Shtetit do të vijojë deri në asgjësimin e plotë të sipërfaqeve të konstatuara të kultivuara me bimë narkotike. Gjatë ditës së djeshme, në ditën e gjashtë të operacionit, në komunën Pult, në fshatrat Sumë dhe Xhan, janë asgjësuar 3210 rrënjë bimë narkotike cannabis sativa të kultivuara në 15 parcela. Pas kryerjes së veprimeve hetimore e proceduriale nga oficerët e policisë gjyqësore, bima narkotike është asgjësuar me djegie. Gjithashtu, nga kontrolli i terrenit në një stan është  gjetur dhe sekuestruar edhe një thes me bimë bohçe të bimës narkotike cannabis sativa rreth 4 kg, por që pesha e saktë do të jepet pas peshimit dhe kryerjes së veprimeve proceduriale e hetimore.

 

Vlorë/ Gjendet i vrarë me disa plumba në trup 27-vjeçari nga Lapardhaja

Një 27-vjeçar është gjetur i vdekur dje në fshatin Lapardha të Vlorës. Sipas policisë së qytetit bregdetar, shtetasi me inicialet D.L nga Lapardhaja është gjetur banorët e zonës. Nga hetimet e para dyshohet se viktima ka shenja plumbash. Trupi i 27-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës, ndërsa policia ka marrë në pyetje banorë të zonës si dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency