Takimi i Ramës me drejtuesit e policisë/ Operacioni antikanabis në Dukagjin ndërpritet provizorisht, rinis sot

0
123

Sonila Mesareja

aksioni i policise ne dukagjin shkoder kanabis canabis marijane hashash operacioni droga parcela 2 (7)Rezultatet: U asgjësuan rreth 87 mijë rrënjë bime narkotike në 175 parcela, u shpallën në kërkim 10 persona, u ndalua një person

Pas katër ditësh ndërhyrje intensive në zonat e thella të Dukagjinit, aksioni antikanabis i policisë së shtetit është ndërprerë përkohësisht për të ngritur kampingje dhe për të vijuar më tej me futjen në zonat më të thella. Blutë janë përballur me një terren tejet të vështirë gjatë ndërhyrjes, ku individë të caktuar kanë ngritur armët ndaj tyre. Prokurorët e Shkodrës po ndjekin hetimet lidhur me personat të cilët kanë qëlluar me armë ndaj policisë, apo që ata kanë kultivuar bimën e kanabisit. “Strukturat e Policisë vijojnë operacionin për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit Shkodër” kanë bërë me dije burime zyrtare të Policisë së Shtetit, duke shtuar se gjatë paradites së djeshme, “me qëllim për t’ju përshtatur sa më mirë kushteve të terrenit dhe menaxhimit sa më të mirë të forcave policore, po bëhet dislokimi i tyre në një zonë tjetër të operacionit, ku aktualisht po ngrihet kampingu”. Më tej, policia njofton se operacioni për kontrollin e vendeve, për shkak të pamjaftueshmërisë së kohës për t’u zhvilluar ditën e djeshme, do të nisin në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

 

Operacioni

Operacion policor i zhvilluar prek katër ditësh në Dukagjin është ndarë në dy faza. Gjatë fazës së parë, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, që nga muaji shkurt 2014, nga strukturat policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, u zhvillua fushata sensibilizuese, ku janë organizuar takime me banorë të zonës dhe me strukturat e pushtetit vendor. Zhvillimi i fazës së dytë të këtij operacioni policor, që përkon me fazën operacionale, u ndërmor pas përfundimit të fushatës sensibilizuese dhe pasi, nga marrja e të dhënave dhe informacioneve në rrugë operative e kontrolleve të ushtruara nga ajri me helikopter, u konstatua se në territorit e zonës së Dukagjinit është kultivuar bimëve narkotike cannabis sativa. Në këtë operacion policor u angazhuan me alternime 294  forca policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, të Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat speciale RENEA, oficerë të policisë gjyqësore e ekspertë kriminalistë, mjekë të strukturave të policisë, veprimet e të cilëve u koordinuan nga drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë për realizimin e këtij operacioni u përdorën 20 automjete policore, dy helikopterë të ushtrisë, një helikopter i forcave RENEA, çadra kampingu, etj.

 

Terreni

Operacioni policor u zhvillua në terrene malore tepër të thyera dhe shkëmbore, në lugina dhe përrenj të thella, në zona me bimësi të larta dhe të dendura, larg qendrave të banuara, të cilat rritën ndjeshëm shkallën e vështirësisë. Ndërkohë, që një tjetër element që e vështirësoi disi punën, ishin kushtet meterologjike, të cilat në disa raste u bënë edhe pengesë e zhvillimit normal të operacionit. Në disa ditë, për shkak të shirave të rënë në këtë zonë, u bë tepër e vështirë lëvizja e forcave policore për tek parcelat e  kultivuara me bimë të dyshuara cannabis sativa. Por, sipas burimeve policore, me gjithë vështirësitë e sipërmendura, ky operacion nuk është ndërprerë për asnjë moment. “Për t’iu përshtatur sa më mirë kushteve të vështira të terrenit, në të cilën u zhvillua ky operacion policor,  dhe me qëllim menaxhimin sa të forcave policore, që operonin në terren për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, por jo vetëm, u ngritën kampingje të lëvizshme në zonë e operacionit” bënë me dije burime zyrtare nga Policia e Shtetit.

 

Rezultati

Gjatë këtij operacioni policor, u bë i mundur identifikimi dhe asgjësimi i 86 930 rrënjëve bimësh të dyshuar cannabis sativa, të cilat ishin kultivuar në 175 parcela, 10.5 kg boçe bimë cannabis sativa, 3 krëhëra me 74 fishekë. Ndërkohë,  në kuadër të kryerjes së veprimeve hetimore u shoqëruan për në Komisariatin e Policisë Shkodër 29 persona, për t’u pyetur lidhur me sqarimin e rrethanave të ngjarjes, u ndalua një person dhe u shpallën në kërkim policor 10 të tjerë, përkatësisht Besnard Kol Bungaja, Lek Thani, Nikollë Shpati, Mentor Bungaja, Nik Tonaj, Pal Dushku, Pëllumb Dushku, Gjin Guri, Kol Bungaja dhe Geg Kola. Po ashtu, u kryen 9 kontrolle banesash për kapjen e personave të kërkuar dhe gjetjen e gjurmëve, provave apo sendeve të ngjarjeve kriminale.

 

Pritja me armë

Gjatë këtij operacioni policor, me datë 22.08.2014, pas zbarkimit të forcave policore në zonën e operacionit, gjatë kthimit për në vendin e imbarkimit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një helikopteri të ushtrisë dhe helikopterit të policisë, ngjarje për të cilën po zhvillohen hetime intesive. Nga goditjet me armë zjarri të helikopterëve, bëhet me dije se nuk ka patur të dëmtuar. Hetimet, lidhur me rastet e konstatuara të kultivimit të bimëve narkotike dhe ngjarjet e tjera kriminale të lidhura me këtë operacion policor, po drejtohen nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Shkodër. Oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kriminalistë kanë fiksuar dhe marrë në vendin e ngjarjes provat materiale, që do të bëjnë sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Në të gjitha rastet, prerja dhe asgjësimi me djegie i bimëve narkotike është bërë pasi oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kriminalist kanë përfunduar veprimet hetimore.

 

Takimi

Arsyeja e vërtetë e ndërprerjes së operacionit të strukturave policore në Dukagjin për ditën e djeshme nuk ka qenë zhvendosja nga njëri vend në tjetrin, por takimi që kryeministri Edi Rama ka pasur me drejtuesit e policisë për ndërtimet pa leje. Në takim, përveç përfshirjes së strukturave policore në ndërtimet pa leje, është folur edhe mbi operacionin antikanabis dhe sekuestrimin që do u bëjë policia aseteve kriminale të përfituara nga droga.

 

Lezhë/ Asgjësohen 1837 rrënjë kanabis të mbjella në 6 dynymë tokë pa pronar

Policia ka asgjësuar dje rreth 1837 rrënjë kanabis sativa të mbjellë në 6 dynym tokë pyll pa pronar. Sipas policisë, lënda narkotike u asgjësua rreth orës 13:00 të mesditës së djeshme. Fakti bëhet me dije nga burime zyrtare të Policisë së Lezhës, e cila përmes një komunikate për shtyp bëri me dije se kishte marrë sinjalizime me herët për lëndën narkotike, ndërsa gjatë këtyre ditëve ndërmori aksionin blic. Nga ana tjetër policia nuk ka bërë ende të ditur nëse ka identifikuar apo jo personat që e kultivonin. Gjithsesi, kjo sasi mbetet ndër më të mëdhatë që është asgjësuar në këtë zonë. Asgjësimi i lëndës narkotike u bë në vazhdim të të aksioneve që Policia e Shtetit ka ndërmarrë për kundër lëndëve narkotike. Policia ka asgjësuar qindra rrënjë kanabis sativa në fshatin Skuraj në komunës Milot në Kurbin.

 

Tepelenë/ Mbolli drogë duke hapur parcelë të re, prangoset 57-vjeçari Kanani

Operacionet antikanabis vijojnë edhe në jug të vendit. Policia e Tepelenës ka zbuluar dhe shkatërruar një parcelë të hapur rishtas dhe kultivuar me bimë narkotike. Parcela u zbulua në vendin e quajtur Moçalet e Kananit në luginën e përroit të fshatit Dames, ndërsa policia vuri në pranga kultivuesin e kanabisit, shtetasin Pajtim Kanani, 57 vjeç nga fshati Dames Tepelenë. Mësohet se parcela ishte në pronësi e përdorim si kullotë nga 57-vjeçari, por që ky i fundit e kishte shfrytëzuar për mbjelljen e kanabisit. Nga ana e bluve u asgjësuan me anë të djegies 130 bimë narkotike, që varionin deri në 2 metra lartësi. Ndërkaq materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency