Shkrihet INUK/ Ndërtimet pa leje, Rama: Ndalim krimi. PD: Si funksionon skema korruptive

0
147

Gëzim Saliu

ndertime pa lejeBrenda 30 ditësh/ INUK i kalon MB-së, Rama: Informaliteti, si krim. Çdo tulle pa leje, do jetë një ëndërr e keqe

Kryeministri: Do kalohet nga një INUK që s’na përgjigjet për luftën ndaj krimit mjedisor në një inspektoriat për mbrojtjen e territorit

Kryeministri Rama deklaroi dje se Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të shkrihet brenda 30 ditëve dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në një takim me drejtuesit e policies, kreu i qeverisë bëri të ditur këtë ndryshim, duke theksuar se do të kalohet nga një inspektorat që nuk përgjigjet në atë që mazhoranca qeverisëse pret në luftën ndaj krimit mjedisor, në një inspektorat për mbrojtjen e territorit të . “Jo vetëm kaq, por Inspektorati si tillë do të shkrihet brenda 30 ditëve dhe gjithë burimet njerëzore të këtij Inspektorati do të transformohen rrënjësisht, nga burime njerëzore tërësisht të pamjaftueshme për të përballur problematikën nga pikëpamja juridike dhe teknike, në burime njerëzore që do të merren drejtpërdrejt me këtë problematikë, në funksion të punës së Policisë së Shtetit për zbulimin, shoqërimin dhe arrestimin e çdo krimineli, se i tillë quhet, ai që cenon qoftë edhe një metër katror të përbashkët, pa gjithë autorizimet përkatëse të shtetit”, tha Rama.

 

Territori

Në nisje të fjalës së tij, kryeministri i vendit pohoi se deri më tani janë marrë masa në katër drejtime kryesore që lidhen me territorin: reforma administrative –territoriale, legalizimet, heqja e plehrave nga akset rrugore si dhe investimet strategjike në funksion të rigjenerimit urban. “Ky është një aksion shumëplanësh, që konsiston në vendosjen në kontroll të plotë të territorit dhe në luftën pa kompromis ndaj çdo krimi mjedisor. Por, nga ana tjetër, në një luftë që mund të specifikohet me një fjali të vetme: ndaj informalitetit që mban peng një kapital prej miliarda dollarësh, që sot hyn tek ai që quhet kapital i vdekur dhe i paqarkullueshëm. Dëmi që i ka bërë gjithë këto vite, ndërtimtaria pa leje, këtij vendi, është  i pallogaritshëm. Por i pallogaritshëm është dëmi që i bëhet çdo ditë këtij vendi përmes zinxhirit të ndërtimeve pa leje, që është kthyer në një tel me gjemba përgjatë gjithë bregdetit shqiptar”, theksoi Rama. Në këtë kontekst, kreu i mazhorancës  bëri të ditur se do të nisë faza e dytë e aksionit për mbrojtjen e territorit, ku hyjnë në veprim sipas tij të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. “Do të vazhdojmë goditjen e objekteve të paligjshme, por goditja do të jetë shumëpalëshe dhe goditja do të vazhdojë me të njëjtin intensitet kudo, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, derisa vendosja e një tulle pa leje të jetë një ëndërr e keqe e së kaluarës. Krimi mjedisor identifikohet dhe ndiqet nga Policia e Shtetit, si çdo krim tjetër i rëndë dhe përgjegjësia penale për veprat e krimit mjedisor është e pashmangshme”, u shpreh Rama, duke shtuar se kjo është një betejë me paranë e zezë të ryshfetin, ku s’duhet neglizhuar asnjë lloj tolerimi ndaj rasteve të korrupsioni brenda Policisë së Shtetit. Ndërkaq, kryeministri nuk nguroi të theksonte se përgjegjësinë për ndërtimet pa leje, moralisht dhe shtetërisht e mban Prokuroria dhe Gjykata që sipas tij nuk kanë bërë asgjë, deri më sot për t’i vënë fre këtij fenomeni. “Unë i kam  kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm angazhimin e plotë të institucionit të prokurorisë dhe kam gjetur dëgjimin e vëmendshëm dhe shprehjen e vullnetit të tij të plotë për ta vënë Prokurorinë e Republikës në dispozicion të kësaj beteje që nuk është një betejë për sot, por është një betejë për 100 vitet të ardhshme”, tha kreu i qeverisë.

 

Ministri i brendshëm/ Tahiri: Cdo ndërtim pa leje është tashmë në përgjegjësinë e policisë

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri e ka cilësuar një kapitul që duhet mbyllur përfundimisht çështjen e ndërtimeve pa leje. Në takimin me drejtuesit e policisë, ai u shpreh se kjo çështje është prioritet i Policisë së Shtetit dhe se kjo e fundit do të kontrollojë çdo tullë të vendosur pa leje. “Që nga sot Policia e Shtetit e cilëson prioritet veprat penale që lidhen me mjedisin. Çdo tullë pa leje në zonën tuaj është nën përgjegjësinë tuaj.  Në 300 ditë 1507 persona janë proceduar për pushtim toke dhe ndërtim pa leje. Një vit më parë askush nuk merrej me këtë punë po nuk krahasohet me permasat e këtij problemi. Ndiqen të gjithë në gjendje të lirë procedimet pushohen ase vendosen gjoba. Kjo statistikë nuk është kurrë mjaftueshëm që policia mos bëjë detyrën me më shumë forcë. Kush ndërton pale ka kryer një krim para të gjithëve dhe do mbajë përgjegjësi para ligjit. Kush lejon ka kryer një krim edhe më të madh”,  u shpreh Tahiri, duke theksuar se shumë shpejt pritet që denoncimet e qytetarëve për çdo rast të krimit mjedisor që ata vërejnë mund të bëhet dhe online.

 

Ndalimi me 1 vit i ndërtimeve/ Lame: Frenohet dalldia e fund-mandatit e pushtetarëve vendorë

Kreu i Aluiznit Artan Lame deklaroi dje se vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për ndalimin me 1 vit të ndërtimeve parashikon fillimin e procedurave për rishikimn e të gjithë instrumentave vendorë për planifikimin e territorit. Sipas Lames, me anë të këtij vendimi do ti jepet fund asaj që ai e cilësoi si dalldi e fund-mandatit e pushtetarëve vendorë.  “Zhvillimi i territorit ndodhet në fazë tranzicioni. Pezullimi i vendimmarrjes vendore nuk ka lidhje me politikën. Ky vendim u mor në kuadër të konstituimit të njësive të reja vendore në të gjithë vendin. Ky vendim parashikon fillimin e procedurave për rishikimin e të gjithë instrumentave vendorë për planifikimin e territorit dhe e dyta për sa kohë rishikohen pezullohet vendimmarrja për dhënien e lejeve të ndërtimin deri pas zgjedhjeve vendore të 2015. Të gjitha institucionet e shtetit do të mobilizohen për të frenuar këtë dalldi fund-mandati që po grryente gjithcka ka mbetur hapësirë publike në qytetet tona”, u shpreh Lame. Nga ana tjetër ai i bëri apel opozitës që të mos e përdorë politikisht çështjen. “Opozita e anatemoi këtë vendim sikur do tu heqë kafshatën e gojës punëtorëve të ndërtimit. Nuk sigurohet kafshata e gojës duke zënë me pallate parqet dhe lulishtet”, tha kreu i Aluizni-t. Ndërkohë sipas Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca rezulton se shumica e planeve të miratuara nga njësitë vendore cënojnë rëndë resurset natyrore, tokat bujqësore dhe vijën bregdetare. Në të njejtën linjë, në konferencën e përbashkët për shtyp, Këshilltari i Kryeministrit për zhvillimin urban, Artan Shkreli e quajti situatën e krijuar në vend një emergjencë territoriale, tashmë jo si pasojë e ndërtimeve pa leje, por vendimeve sipas tij absurde të vendorëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency