PDK kërkon vota për kryekuvendarin, “blloku” pret rastin e vet

0
138

Evropëelirë.org

Parlamenti KosovesPas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, partitë politike po i zhvillojnë përgatitjet për vazhdimin e seancës së ndërprerë të 17 korrikut. Por, ende nuk ka ende ndonjë marrëveshje që do të zgjidhte nyjën rreth postit të kreut të legjislativit.

Partia Demokratike e Kosovës të cilën Kushtetuesja e ka përcaktuar tashmë si grupin më të madh parlamentar me çka fiton të drejtën e nominimit të kryetarit të Kuvendit, i fton edhe subjektet tjera që ta mbështesin. Por, kjo parti politike, përveç një takimi që ka realizuar të hënën kreu i saj, Hashim Thaçi me grupin e pakicave jo serbe 6 plus, nuk ka arritur të vendosë kontakt me ndonjë prej partive politike të shumicës. Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti pret që spektri politik të tregohet fleksibil dhe së bashku të gjejnë zgjidhje e cila do të ishte në harmoni me dispozitat kushtetuese. “Partitë politike do të duhej që të uleshin, të bisedonin në lidhje me lehtësimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Haliti.

Në një postin në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, lideri i PDK-së dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi ka shkruar se së bashkë me deputetët e pakicave kanë biseduar për hapat e mëtutjeshëm për ndërtimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit. “U dakorduam që të punojmë bashkërisht si partnerë të koalicionit aktual për tejkalimin e ngërçit politik dhe institucional. T`i bashkojmë forcat për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë së re ku grupi politik “6+” do të ketë vendin meritor”, ka shkruar Thaçi.

Grupi 6 plus, ka takuar më pas edhe liderët e bllokut të partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma. Avni Arifi, këshilltari i parë i kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni edhe për postin e kryeministrit, ka thënë se me PDK-në dhe Hashim Thaçin nuk do të ketë kurrfarë bashkëqeverisje. Sipas tij, blloku LDK, AAK dhe Nisma pret që me botimin e vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese do t’i njihet edhe këtij koalicioni e drejta e kandidimit për postin e kryetarit të Kuvendit. Në të kundërtën, ai thotë se të tri partitë janë unike dhe do të shkojnë së bashku qoftë në krijimin e institucioneve apo edhe në zgjedhje të reja.   “Koalicioni është i vendosur që në Kosovë të ndodhë ndryshimi. Ne nuk mund të imagjinojmë ndryshim në Kosovë me çfarëdo forme të bashkëqeverisjes më PDK-në. Ekziston një gatishmëri e fuqishme e tri subjekteve që të shkohet bashkë në çdo vendim që mund të pasojë”, ka thënë Arifi.   Një rol të theksuar në krijimin e institucioneve mund të ketë edhe Lista Serbe e cila ka nëntë ulëse në Kuvend. Aleksandar Jablanoviq, kryetar i kësaj liste për Kosovën në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ky subjekt politik do të angazhohet për formimin e institucioneve për të shmangur zgjedhjet e reja. “Për ne, ajo palë që fiton shumicën për formimin e qeverisë do të fitojë edhe përkrahjen tonë”, ka thënë Jablanoviq. Ai ka konfirmuar se do të zhvillojë takime me të gjitha grupet parlamentare të interesuara për formimin e institucioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Isa Mustafa, ka nxjerrë si konkluzion që PDK mund të paraqesë kandidaturën e saj për kryetar të Kuvendit në seancën që pritet të thirret ditëve apo javëve në vijim nga ana e deputetes më të vjetër të kësaj legjislature, Flora Brovina. Mirëpo, nëse PDK nuk do të arrijë të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve, kjo kandidaturë mund të mos ketë sukses me çka Kuvendi do të mbetet i pa-konstituuar. Në këtë rast, zgjedhjet e reja të parakohshme do të vinin si opsioni gjithnjë e më real.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency