Në Tiranë, Lushnjë e Librazhd/ Në pak orë ksidentet vijojnë marrin jetë njerëzish, dy të vdekur dhe 3 të plagosur

0
128

aksident bicikleteMakina përplas për vdekje kalimtarin me biçikletë dhe largohet. Dy biçikleta përplasen me njëra-tjetrën, vdes njëri nga drejtuesit

Lushnje e Librazhd

Çdo ditë aksidentet vijojnë të marrin jetë njerëzish. Vetëm gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa kanë mbetur të plagosur tre të tjerë. Kështu, dy persona që kanë kaluar trafikndarësen apo rrugën nga njëra anë në tjetrën në orët e mesnatës janë përplasur në aksin rrugor Lushnje-Rrogozhinë nga ku për pasojë njëri ka mbetur i vdekur në vend dhe tjetri me fraktura të rënda por jashtë rrezikut për jetën. E rëndë ka qenë edhe ngjarja e ndodhur në Librazhd, ku dy persona janë përplasur kokë më kokë me biçikletat e tyre përkatëse, nga ku për pasojë njëri ka humbur jetën pasi iu përplas koka në asfalt, ndërsa dy të tjerët e biçikletës tjetër kanë mbetur të lënduar. Policia e dy qyteteve është duke hetuar ngjarjet dhe pritet të nxjerrë shkaqet e dy aksidenteve.

 

Lushnje

Dy aksidente me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri u shënuan gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme në aksin rrugor Lushnje – Rrogozhinë. Në aksidentin e parë, përkatësisht në bay passin e Lushnjes, një kalimtar që po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën u përplas për vdekje dhe u la në rrugë. Drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes pa u identifikuar. Viktima është Nuredin Beqiri, 59 vjeç banor në Saravë të Lushnjes. Kalimtarë të rastit kanë konstatuar se një person dergjej i vdekur në anë të rrugës dhe menjëherë kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas informacioneve të marra pranë komisariatit mësohet se 59-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me biçikletë në momentin që është përplasur nga një mjet. Aksidenti i dytë ka ndodhur rreth mesnatës në afërsi të fshatit Zhamë, ku mjeti me targa AA 899 BX ka përplasur një person që kalonte trafikndarësin dhe mendohet se është një endacak, i cili është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjes me fraktura në pjesën e këmbëve. Drejtuesi i mjetit deklaroi për uniformat blu në vendngjarje se nuk e ka parë të aksidentuarin, i cili në momentin e fundit është hedhur nga trafikndarësi. I plagosuri është 50-vjeçari Bajram Gorica, me origjinë nga Berati, por banues në Selitë. I aksidentuari ka pësuar vetëm thyerje të këmbëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia e Lushnjes po punon për të zbardhur ngjarjen ku mbeti i vdekur 59-vjeçari nga Lushnja, pasi automjeti që ka shkaktuar aksidentin, duke përfituar dhe nga ora e vonë dhe errësira, është larguar nga vendngjarja.

 

Librazhd

E rrallë por ndodh të vdesësh edhe kur përplasen dy biçikleta. Përplasja e dy personave që lëviznin me biçikleta në orët e mbrëmjes në rrugët e fshatit Rrapun të Librazhdit, ka rezultuar fatale për 39-vjeçarin Bashkim Shkurti, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi ka përplasur kokën në asfalt. Shkurti ka qenë duke lëvizur me biçikletë në fshatin e tij kur është përplasur me një tjetër person, që po ashtu lëvizte me biçikletë përballë tij, Edmond Brahjen, 23 vjeç nga fshati Dorëz. Ndërsa Shkurti ka vdekur, Brahja dhe pasagjeri i ulur pas tij, 27-vjeçari S.A. janë lënduar. Komisariati i Policisë Librazhd, pasi konstatoi vdekjen e Shkurtit në vendngjarje, kreu arrestimin në flagrancë të 23-vjeçarit Brahja mbi të cilin tani rëndon akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

 

Tiranë

Një automjet tip “BMË” me targa angleze është përfshirë nga flakët pranë Urës së Tapozës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 16:15. Sipas hetimeve të para dyshohet se shkak i rënies së zjarrit është një defekt teknik. Fatmirësisht nga flakët e zjarrit nuk ka të lënduar. Nuk dihet identiteti i pronarit të automjetit tip “BMË”. Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë për shkaqet e plota të rënies së zjarrit në makinë.

 

Tiranë/ Keqtrajton familjarët dhe i vë flakën shtëpisë, arrestohet 21-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, ku një i ri ka keqtrajtuar familjen e tij dhe më pas i ka vënë flakën shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur në Institut, pranë repartit ushtarak. Nga informacionet paraprake mësohet se autori i zjarrvënës është shtetasi Rexhep Mija, 21 vjeç, i cili është vënë në pranga. Ndërkohë, nuk dihen ende arsyet që e kanë çuar 21-vjeçarin drejt këtij akti të rëndë, duke dhunuar familjen dhe më pas duke i vënë flakën banesës. Ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

 

Kavajë/ Ujërat e Adriatikut vazhdojnë të marrin jetë, mbytet një fëmijë 6 vjeç

Një fëmijë 6 vjeç u mbyt në bregdetin e Golemit. Vogëlushi i ishte shkëputur vëmendjes së familjarëve dhe është futur në thellësi të detit. Dallgët e kane mbuluar të miturin pa patur asnjë mundësi shpëtimi. Kur pushuesit konstatuan se fëmija po mbytej dhe ndërhynë për ta nxjerrë nga uji, ishte shumë vonë. Mjekët në Durrës bënë me dije se fëmija kishte humbur jetë para se të mbërrinte në spital. Ndonëse prej kohësh në këtë territor është ngritur një kullë vrojtimi dhe me roje bregdetare, kjo është viktima e 3 –të e mbytur në bregdetin e Kavajës.

 

Gjirokastër/ Po tentoj trafiku drejt Greqisë, 34-vjeçarit i kapen 5 kg marijuanë

Policia kufitare ka sekuestruar 5 kilogramë marijuanë në një automjet, ndërsa është shoqëruar në polici Florion Koci 34 vjeç. Sipas burimeve të policisë, lënda narkotike ishte e ndarë në 10 pako dhe u gjet gjatë kontrollit në vijën e dytë të pikës kufitare, përkatësisht në prapakolpin e automjetit tip “Ford” me targa AA 207 JT. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme, ndërsa pritet që më pas të transportohet në Tiranë tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, i akuzuar për veprën penale “trafik ndërkombetar të lëndëve narkotike”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency