Letra e 1952/ Ish sekretari i Bajram Currit, pse dështoi protokolli i Aleksandrisë për shqiptarët në vitin 1948

0
187

bajram curriKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është  një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim

 Nuk mund të mungonin në këtë vëllim letrat e kosovarëve që përfaqësohen nga Tahir Zajmi (1897 – 1971), ish sekretari i Bajram Currit. Kishte lindur në Gjakovën e Bacës e kish hyrë i ri në çetat e tij. Më 1918 u hodh në Shqipëri, ku jetoi në Kukës, Krumë e Shkodër. I u bashkua Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me Hoxhë Kadriun, Salih Gjukën etj. Pak kohë në ministrinë e financave me ministrin Gurakuqi, në Qeverinë Noli. Në vitin 1941 angazhohet kokë e këmbë në projektin e Shqipërisë etnike dhe bëhet një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që synonte të ruante bashkimin me Shqipërinë, duke luftuar edhe me armë kundra çetnikëve apo partizanëve jugosllavë. Në lidhje me këtë periudhë dhe ato ngjarje, në vitin 1964, botoi në Bruksel veprën “Lidhja e dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.

Mërgimi, në pjesën më të madhe i kaloi në Turqi, në një betejë të mundimshme për të përballuar jetesën. Për M.Krujën shpreh një konsideratë shumë të lartë, vlerëson gjithë veprimtarinë e tij të përmbledhur në “objektivin” : “me i bashkue të tanë shqiptarët në një truall të vetëm…” edhe se sendërtimi i tij pati fatin e atyre luleve që shohin vetëm një agim e pastaj vyshken. Ndërmjet të dyve trajtohen temat e veprimtarisë së mërgatës, me të mirat e dobësitë e veta, me shemëritë e përherëshme që e kanë kushtëzuar aq shumë rrugën e Shqipërisë. Ka një çast në këtë letërkëmbim që dua t’a theksoj, sepse është shprehja e një fisnikërie të hollë të mikut gjakovar, të shoqëruar me një ndjeshmëri të pazakontë e një bujari të rrallë njerëzore : “Vetëm për m’e shue disi mallin e mikut T’uej të paharrueshëm, të ndjemit Luigj Gurakuqi, me 26 k.m. me anën e postës Ju a kam nisë veprën e tij : “Vargnimi në gjuhën shqipe”, që tash tridhetë vjet e baj në valigje dhe të cilën, kur të shifemi bashkë ndonjiherë në t’ardhmen, kam me Ju a kërkue qi të m’a këtheni prap.”

Ai libër i lidhur me një kapak ngjyrë vishnje, nuk u këthye më tek i zoti, ai takim mes miqve nuk u krye dhe libri mbeti mes dokumentave e letërkëmbimeve të M.Krujës e sot është, si shumë dhjetëvjeçarë më parë, në bibliotekën që ruan kujtimet e tij.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Manisa, 7 Mars 1952

I dashuni dhe i nderueshmi Zot. Mustafa,

Letrën e Z. Juej e kam marrë mjaft me vonesë, plot nji muej mbasi qi ka mbërri në Manisë, pse tue u – ndodhun vet jashta qêndret e mâ tepër prejse pré komunikasjonet nga shkaku i shinave të mbëdhaj, nuk pata muejtë për nji kohë të gjatë me shkue n’qytet arsye për të cilën kam vonue edhe që t’Ju përgjegjem. Pra Ju lutem të më falni.

Sa herë që marr letër prej Zot. Juej ndjej nji gëzim krejt të veçant dhe po më kândet shum që po më cilsoni e po më titulloni si “mik i dashun” i Jueji. Me gjithse edhe un tâshma në moshë bukur të shtyeme e tue dijtë edhe se miqsija nuk matet në vjetët po në dashunin e sinqert të njerëzve po më duket vetja ênde tepër e vogël (si shkallë shoqnore apo si distancë) me Ju cilsue edhe un me kët titull të bukur. E pra pretendoj se kam qênë gjithnji si nji mik i Jueji që Ju ka dashtë e admirue me të tânë sinqeritetin e mikut, tue çmue në personën e Juej vlerën pozitive, puntorin e palodhshëm dhe luftarin e pafat të çâshtjes s’onë kombtare.

Më falni, i dashuni mik, që po guxoj me Ju cilsue si luftar i pafat, pse mjerisht të tillë kan qênë edhe shokët e bashkluftarët e Juej të mbëdhaj si: Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Qazim Koculi, Lef  Nosi etj.etj. luftar të njoftun e të panjoftun që tash i mbulon toka e zezë dhe pluhni i harresës.

Sakt qi nji ditë kujtimi i tyne do të përtrihet me miradi dhe do t’u a imponojë zêmrave të mpita të këtij brezi bukshkalët nevojën me pasë pak nderim për kta vigaj t’atdheut. E Juve qi Jini gjallë dhe, për ndonjë mrekulli të fatit, nuk keni psue shortin e tyne Ju kritikojnë dhe Ju ngjesin gjithfar bishta e adjektiva të padêjë njerzit e verbuem nga pasjonet politike, sharllatanët dhe politikajt e ri, sepse drejtimi politik i ndjekun prej Jush – me objektivin: me i bashkue të tânë shqiptarët në nji truell të vetëm – nuk pat fat e sukses.

Ju kritikojnë po, e Ju luftojnë pa marrë parasyshë të kaluemen e Juej të gjatë me plot vuejtje e mundime dhe pa i gjykue rrethânat nën të cilat u zhvilluen disa ngjarje dhe mbi të cilat disa njerëz kërkojnë me formulue akuza. Kësisojit banë edhe për shum të tjerë, ndër të cilët edhe për të mjerët Petaine e Laval që me sa njifen për emën shtetarët dhe ushtarakët e atij vendi gjatë ktyne tridhetë vjetve të fundit s’asht nji i vetëm – si kalibër – që mund t’u avitet.

E pra, kta burra e padyshim atdhetar të mbëdhaj që sakrifikuen prestigjet e tyne personale dhe gjithëshka tjetër të shêjtë patën për m’e shpëtue atdheun e tyne nga rrenimi – ironi tragjike e kohës! – i gjykuen si tradhtar e kolaboratorë!…

Ndoshta Juve Ju dishprojnë kto kritika që nuk janë aspak objektive dhe kët shêj dishprimi e konstatoj prej nji fraze së Juej ku thoni: “po përpiqem m’u marrë vesht me të vdekun për dobi t’atyne që nuk kan lêmë ênde.”

Keni arsye deri n’qiell, i dashuni mik, se me të vertetë qênka gjâ e idhët dhe fatkeqsi e madhe mos me muejtë njeriu m’u kuptue e m’u shpjegue me të vetët: me pâ të dënohen, të vriten, të shâhen e të përbuzen patriotët e mbëdhaj të kombit që gjithëshka dhanë e flijuen për vendin dhe kurrgjâ nuk mbajtën për vehten e tyne. Prandaj un q’i njof mjaft për s’afërmi njerzit dhe ngjarjet e ktyne tridhetë vjetve të fundit do të dishrojshem shum me ditë se kush asht aj burrë shqiptar, ndër të gjallët, që mundet m’u matë me juve në vuejtje, në përpjekje dhe në sakrifica për atë copë tokë të shkretë që na e quejmë atdhé.

Syrgyn gjallë të tânë jetën, e syrgun – prite Zot ! – ndoshta, edhe dekun.

Nji shok më shkruente para ca kohe: “Pa si nuk na perlau nâ mordja për mos me i pâ e ndëgjue horllëqet e kësaj epoke! E un po shtoj: “gazepet morale” që thoni Z. Juej.

Tash po Ju shkruej pak mbi punën t’ime: Kam ardhë këtu në Turki qysh në Majë të vjetit kaluem dhe mbasi sigurova lejën e qêndrimit në kta muejt e fundit kam zânë nji far punet – si administrator në çifllikun e madh të nji zotnije – sa mos me i u bâ barrë miqvet e dashamirvet. Ndodhem pak i izoluem dhe në nji ambjent që len mjaft me dishrue, por i qetë dhe largë nga zhurma e qyteteve dhe jeta e kafehanevet. M’e marrë rrugën e Australis bashkë me shokët tjerë kurrsesi nuk m’u pat mbushë mendja, friget se nuk do të muejshëm me i dalë n’krye tue iu shtrue punës së krahut.

Nja dy fjalë edhe për Xhelalin:

Xhelali, si Xhelali: Djalë i ri me studime e me talent shkrimtari, sidomos në fushën e gazetaris, q’i pelqejnë mâ fort aventurat e dallaveret – sikurse e pohon edhe vet – se sa punët pozitive e ndërtimtare. Asht kaqë ambicjoz e mjerisht kaq i dobët nga karakteri sa qi nuk kishte m’u besue se âsht i biri i Dervish Mitrovicës. Aj po orvatet m’e diskreditue e m’e rrëzue Xhaferin, sepse ky nuk muejt m’e kënaqë tue ia dhanë vendin e vet (si pozitë shoqnore) dhe gjithëshka tjetër materiale që mund të dispononte.

E, besa, i shkreti Xhafer ka bâ mjaft për tê. Nji qortim i këtij të fundit e pat bâ me revoltue kaqë fort Xhelalin sa qi ky mandej, tinzisht me anën e disa elementeve të Legalitetit n’Syrië, ka mbërri me ia ndryshue mendimin Abaz Kupit për kundër Xhaferrit, tue bâ kështu me dështue mbledhjen që mendohej të bahet në Romë vj. 1948 me pjesëmarrjen e të gjitha grupevet politike t’emigracjonit shqiptar, simbas protokolit t’Aleksandris. S’ka dyshim se kan muejtë me qênë edhe faktor të tjerë që kan pengue realizimin e asaj mbledhje, por edhe roli i mshefët i Xhelalit ka pasë pjesën e vet.

Të shkuara, të harruara! Pra kam përshtypjen se me temperamentin që ka, Xhelali âsht destinue me dështue në çdo ndërmarrje të tij.

Krejtë ndryshe mund të thuhet për Rexhep Krasniqin : njeri i urtë dhe i matun, siç mirë fillit mund t’a njifni edhe Z. Juej, moderat dhe puntuer i mirë. Faiblesse-a që ka për Xhelalin e ka shtye me vojtë n’Australi.

Sa për Xhaferrin, me gjithë disa të meta që mund të ketë dhe sidomos papjekunin absolute në politikën shqiptare, âsht i vetmi element pozitiv q’i ka ngelë Kosovës s’mjerë, kaqë fort e vorfun për intelektual e sidomos për burra me peshë në popull.

R. Mitrovica e Seit Kryeziu ase disa politikaj të rij që kan dalë në sqênë kto vjetët e fundit nuk më ngjajnë që mund t’a përfaqësojnë Kosovën…

I dashuni mik, ndoshta me kto hollësinat e fundit e çova tepër gjatë dhe Z. Juej eventualisht mund të thom: i lumi Tahir për mênd që paska dhe se sa i teprueka koha!…, por si mik i vjetër dhe i vertetë i Kosovës që patjetër interesoheni për problemet e sajë, edhe pse të gjata, nuk do të Ju merzisin – besoj – sa kishin me lodhë e mërzitë nji tjetër.

Tue Ju urue sukses e punë të mbarë në plotsimin e vepravet me rândësi letrare, shkêncore e historike që keni pregatitë dhe me të cilat do t’a pasunoni bibliothekën t’onë kombtare shum të vorfun, Ju ngjatjetoj me shum mallë e dashuni të sinqertë.

Tahir Zaimi

 

 

Manisa, 4 – VI – 1952

I dashuni Mik,

Vonesa e përgjegjes së Z. Juej më kishte futun në dyshim se letra e ime gjysëm kilometrike do të Ju ketë mërzitun tepër e se për kêt arsye do të preferojshit m’e kalue në heshtje. Kishjem shum nevojë m’u shprehë pak për me muejtë disi me i dhanë shfrim këtij pezmatimi shpirtnuer që po na brenë e po na mundon tash sa vjet’e këndej.

Por qe se edhe un – Oh sa turp! – pa dashtë, prap mungova ndaj Juve tue Ju a vonue përgjegjen e letrës për çka Ju kërkoj ndjesë.

Do Ju kishjem shkrue me kohë por puna e rândë dhe pa orar e pa rregull që jam i detyruem m’e krye – prej orës 5 të mëngjezit dhe deri me 9 të mbramjes – m’ka lodhë e demoralizue kaqë tepër sa qi nuk më del kohë me marrë frymë, si i thonë njaj fjale.

Trupi i lodhun, mêndjâ e lodhun.

Kam pas ardhë me shum qejf në çiftllekun e Fazli Nexhib beut, korçar i ardhun në Turkië qysh para pesëdhetë vjetësh, dhe që në sajë të nji martese me nji grue të pasun asht bâ Zot’i nji pasunije kolosale: përveç ndërtesave të vlefëshme që zotnon në Muradije, n’Izmir e n’Istanbul, me mija rrâjë ullijsh e me qindra dynym vnêshët etj.etj., vetëm çiflleku q’administroj un kalon njizetë mij dynymët, tokë të cilën natyra, dorëgjanë, e ka pajisë me të gjitha të mirat që kërkon lakmija e njerit: ara, livadhe, kullota e pyje të pasun që nuk mund të shetitën veçse me kalë ase me makinë; burime ujnash të pashtershëm me të cilët vaditen tokat e mbjelluna, në shumicë pambuke e bostane, saherë që t’a kërkoë nevoja. Me mija e me mija bagti kullosin në këto toka ver’e dimën të blerta dhe i zoti, burrë plak 74 vjeç dhe i pa fëmi, qeverris pasunin e tij pa pushue kurr tue shetitë me kalë, me makinë, me qerre dhe shpesh më kâmbë, tue  ndërhye vet në çdo punë, në punë motorrash, në lavrime e punime të ndryshme të tokavet dhe të kafshëvet. E me gjith kët, sepse tepër dorështrengut, kalon nji jetë që nuk kishte me ia lakmue as puntori i nji fabrike.

Mb’anë tjetër âsht i rrethuem prej disa dallkaukësh shqiptar nga “vllezërit e Jugut”, t’ardhun edhe kta me kohë; që kot kishte me u lodhë zhenija e Moliere-it me i gjetë e me i krijue typa mâ të përsosun për komedinat e veta. E Zotnija i êm – kështu mâ po e thërrasim! -, si mirë thoni Zot. Juej, i ndëgjon mâ fort kta trima q’e shfrytzojnë pa pikë mshiret e turpit se sa mue e të tjerët që mbrojmë interesat e tij. Sa e çuditëshme qênka bota!

Më falni, i dashuni mik, q’e tjerra kaqë tepër me punën e Zotnis t’im i cili mbi të gjitha të mirat ase të metat tjera e ka shum zët me folë shqip, nonse ktê e flet shum mirë e lirisht vetëm kur nuk don që t’a kuptojnë vendasit.

Me t’arratisunit t’anë në Jugosllavi, për të cilët më pyetni, nuk kam pasë kurrfar korrespondencet. Por me sa marr vesht nga letrat që më vijnë nga njiherë dhe tregimet e Kosovarvet, nënshtetas turq, që venë atje me pasaportë, jo vetëm gjendja e t’arratisunvet por edhe ajo e shqiptarve të Kosovës tani âsht përmirsue mjaft.

Në kundrështim me mendimet e politikajve t’anë dhe të disa miqve e shokve të mij të rrymave të ndryshme, edhe un – si Zot. Juej – jam i mendimit se politika e Titos, cilat do qofshin qëllimet e tij të mshefta, i ka sjellë nji dobi të madhe çâshtjes s’Kosovës, pse tue njoftë zyrtarisht faktin e ekzistencës së nji popullsije shqiptare disi me 67% në atë krahinë t’onën ku sod funksjonojnë mâ se 200 shkolla shqipe Lidhjen e Prizrenit etj. konçesjone politike, ne fitojmë nji të drejtë që na ishte mohue deritash në mënyrë krejtë absolute nga shovenistët serb të cilët po t’kishin ardhë në fuqi me armë sakt qi do t’i përsëritshin masakrat e 1912ës.

Prej refugjatve t’anë që ndodhen n’Izmir ndodhen djelmt e Xhemal Bej Prishtinës, Reshit Mehmeti, Sulejman Kryeziu, Mahmut Sh Pasha dhe disa djelm të ri kosovar që punojnë nepër fabrikë.

Se kush mund të jetë aj që Ju paska shkrue nga Izmiri nuk po e dij, por mbaj ndërmend vetëm që me rastin e hapjes së Foir-it ndërkombtar t’atij qyteti un Ju kam pas shkrue nji kartolinë me pamjen e Panairit.

Nji sqarim të vogël për fjalën “lavde për mue”: aspak i ndikuem nga sympathija ase miqsija që na lidhë, mendimi i êm në atë përshkrim modest që bajshem në letrën e parë s’asht tjetër veçse pemë e nji gjykimi objektiv. Po t’ishjem shprehë n’atë mënyrë kuer ishit në pozitë, atëherë po, kishit pasë të drejtë me dyshue në sinqeritetin t’im. Por tash?

Me shumë shëndet e ngjatjetime.

Tahir Zajmi

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency