Ali Dino – kur Greqia nderonte mjeshtërit e mëdhenj

0

Luan Rama

Loading...

Ali Dino - 600Familja Dino është nga ato familje të mëdha që kanë bërë histori dhe kanë mbetur në histori. Jeta dhe vepra e Abedin Pashë Dinos, ish ministër i Jashtëm i Perandorisë osmane dhe një nga krerët e Lidhjes së Prizerenit, është bërë tashmë e njohur nga disa autorë, edhe pse ende mbetet shumë për të shkruar për të. Vetëm takimet diplomatike në kohën e Kongresit të Berlinit dhe pas tij, të cilat i kam ndeshur në Bibliotekën Kombëtare franceze (BNF) janë një libër me vete, një veprimtari ku shpalosen gjithë krerët e diplomacisë europiane. Po kështu dhe vepra dhe jeta e nipit të tij me po të njëjtin emër, Abedin Dino ishte aq e madhe sa disa libra i janë kushtuar nga autorë turq e francezë si dhe një libër në shqip, të cilin e kam shkruar para disa vitesh. Në këtë  libër shkruhet jo pak për Arif Dinon, vëllain e tij, poet avanguardist, piktor dhe aktor filmash, i cili vdiq shpejt dhe në Shqipëri nuk u njoh fare veprimtaria dhe trashëgimia e tij artistike. Por ndër vëllezërit Dino ishte dhe vëllai i tyre i madh, Ali Dino, një artist i përkorë me një kontribut jo të pakët, i cili madje ishte dhe një politikan që luftoi për çështjen shqiptare si dhe i ati i tyre, Rasih Dino, një nga krerët politikë shqiptarë të vitit 1913, i cili shkoi në metropolet e Europës duke takuar ministrat e Jashtëm dhe duke shkruar memorandume për njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të trojeve të kërcënuara e të pushtuara shqiptare. Ishte një pikëtakim me Boris Dinon në Paris, një i afërt i tyre familjar, i cili më shtyu të shkruaj diçka për këtë personalitet, vepra e të cilit duhet bërë e njohur dhe madje meriton një libër më vete, ashtu si dhe Arif Dino, i cili ishte një «Apollinaire» shqiptar i viteve ‘30.

Në vitin 1978, kur Abedin Dino do të shkonte të hapte një ekspozitë në Athinë, ky udhëtim do të ishte njëherësh shumë simbolik, pasi veprat e tij do të ekspozoheshin bashkë me tablotë dhe punimet e tjera të vëllait të vdekur që në vitin 1938, pra pesëdhjetë vjet më pas. Në këtë ekspozitë erdhën dhe mjaft miq të dikurshëm të Ali Dinos, të cilët përkujtuan njeriun, mikun e tyre dhe artistin e shquar. Në librin e botuar me këtë rast, miku i tij Alexos Lidorikis do të kujtonte: «Ka një shekull që një djalosh 15 vjeçar guxoi të prezantonte punën e tij të parë të vështirë  në literaturë, por jo vetëm këtë. Ai donte t’i mishëronte punimet e tij «sentimentale e miqësore» me tiparet e një vizatuesi të mbaruar e të një karikaturisti që do bëhej i njohur për kohën. Ali Dino, ishte i famshëm në kohën e tij dhe i njohur nga shoqëria jonë jo vetëm për talentin e tij të padiskutueshëm, por edhe për kurajon e tij, për karakterin e këndshëm, vemendjen ndaj të rinjve dhe për humorin veçanërisht të hollë me të cilin ai iu përkushtua artit. Ishte mik i babait tim dhe njihej në të gjitha mjediset letrare. Një artist i respektuar i revistave dhe gazetave, i përkëdheluri i Athinës artistike. Me tiparin e qartë dhe të habitshëm të karikaturave të tij, bashkohej një qëndrim inteligjent dhe tepër satirik, çka i gëzonte të gjithë rreth tij. Vendi i tij ishte mes më të mirëve të bashkëkohësve të tij. Fokos Dimitriadis thoshte për të se “ky emigrant original shpreh diçka krejt të ndryshme në veprën e tij. Karikaturat e tij shfaqin të njëjtën buzëqeshje joshëse, si ajo që zbukuron gojën e tij”. Me këto kujtime të largëta, të ëmbla e prekëse, në këtë çast të lumtur të mbledhur këtu, shikoj se veprat e tij janë një dëshmi e vërtetë arti. Të rinjtë kanë rastin ta njohin tashmë. Për më të vjetrit është një kujtim, freskia e të cilit asnjëherë nuk është zbehur në botën e vet emocionale.”(1)

 

Aliu…

Portretin e tij të hequr e të mprehtë, me ballin e gjerë dhe flokët kaçurrelë, e vëzhgoj për një kohë të gjatë në një fotografi të vjetër, të botuar diku, për të deshifruar atë ndjesi artistike që ka përjetuar ky njeri që la gjurmë në fushën e artit, dhe në veçanti në atë të karikaturës. «Njeriu me fytyrë mitike dhe enigmatike»! – Kështu e ka cilësuar Ali Dinon një kritik i njohur grek i artit, me rastin e vdekjes së tij. «Për gjithë karikaturistët, ai ishte një emër ekzotik. I famshëm nga emri, i jashtëzakonshëm nga puna…».

Po cili ishte në fakt ky piktor i famshëm, aq i njohur në Athinë dhe në Prevezë?

Aliu (1891-1938) ishte më i madhi në moshë nga vëllezërit Dino, ndërsa Abedini, më i vogli. Edhe ai ndoqi shtegtimin e familjes së tij nga Stambolli në Paris, pastaj sërrish në Stamboll, Gjenevë, një kthim në Stamboll pas fitores së Ataturkut, nga ku Aliu do të largohej më vonë drejt Prevezës e Athinës, ku do të bënte karrierën e tij artistike dhe do të ndërtonte jetën e tij. Pasi studioi në Sorbonne të Parisit për shkencat politike, ai u kthye në Prevezë, në qytetin ku kishte hedhur rrënjë familja e tyre pas largimit nga Lopësi, e më vonëai kishte shkuar në Athinë. E donte shumë artin dhe veçanërisht pikturën. Shpejt, skicat e tij do të premtonin për një artist me të ardhme të madhe. Dhe ajo që spikasti që në fillim tek ai, ishte piktura sociale, vizatimi dhe rrokja e jetës në dimanikën e vet, kritika ndaj të vjetrës dhe perspektiva e së resë e modernes. Vite më vonë, ai u bë kryetari i shoqatës «Bashkimi i Karikaturistëve» të Greqisë, si dhe një nga drejtuesit e shoqatës “Bashkimi i Arteve të Bukura» («Union of Srawing Arts»). Një bashkëkohës i tij, artisti Georges Karatzas, më 1978 do të shkruante ndër të tjera për të: “E kisha takuar karikaturistin e paharruar Dino bej për herë të parë tek gazeta Proia, ku në fillim isha sekretar dhe më pas si kryeredaktor i saj. Më kujtohet ende me atë shprehjen e tij përjetësisht të qeshur dhe atë elegancë të siluetës së tij. I thjeshtë në veprimet dhe fjalët e tij, ai kishte dhuntinë të transmetonte te të tjerët humorin e papritur që karakterizonte veprat e tij.” Po kështu do të shkruante dhe Selest Polichroniadi, një tjetër bashkëkohas i Dinos: “Me një emocion të madh më kujtohet ky karikaturist i shkëlqyer, humori i të cilit shprehej me një art delikat. Por këto kujtime sjellin në të njëjtën kohë kënaqësi e gëzim. Kush do ta njohë, ai do ta vlerësojë talentin dhe fisnikërinë e tij dhe do të mbetet gjithnjë i prekur nga kujtimi i tij.”

Në vitet 20-30-të, Ali Dino bashkëpunoi me revistat e gazetat më në zë të Greqisë si Proia apo Satanas, Flit, Fanos of Editors si dhe ekspozoi në disa ekspozita kolektive në Athinë e Selanik. Një ekspozite vetiake e hapi në «Parnassos Hall» dhe një tjetër në «Stratigopoulos Gallery». «Ali Dino, – do të shkruante Papantoniu, në nëntor të vitit 1938, në Elefteria vima, – është një shqiptar që dallohet nga aksenti i tij. Por përsa i përket të tjerave, ai është një artist internacional. Krijimet e tij e vendosin atë ndër karikaturistët dhe humoristët më të mirë të Europës”.

Një nga temat e tij ishin dhe kostumet shqiptare. Seria e skicave të tij nga Çamëria ishte jo vetëm me humor, por dhe me një satirë sociale. Dino ishte një nacionalist i moderuar, duke shpresur në negociatat dhe trajtimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ai ishte një shqiptar që e donte Shqipërinë, por dhe Greqinë. Ai donte që atdheu i tij të bashkëjetonte në paqe me fqinjët e tij shekullorë. Megjithëse ishte bej në origjinë, nuk nguronte të satirizonte dhe bejlerët e Çamërisë. Ali Dino tregoi në skicat e tij jetën e përditshme të shqiptarëve dhe të ballkanasve në përgjithësi, mjerimin dhe jetën social politike. Eshtë i njohur cikli i tij Nostalgia of Arvanitis me një galeri të pafund personazhesh, që mbajnë gjurmët, koloritin dhe atmosferën e kohës. Humori i tij ishte shumë i hollë, çka e dëshmon dhe kritika e kohës. Ai ishte ndër më të pëlqyerit e revistave greke, aq sa në një shkrim, piktori i njohur grek F. Simitriadis shkruante se „Ali Dino ka diçka të ndryshme nga ne. Në punën e tij shfaqet njëkohësisht dhe natyra e tij si emigrant“.

Pol Nor, një shkrimtar i njohur francez i viteve 1930 dhe mik i afërt i tij e kujtonte me shumë dashuri këtë artist me një botë të madhe. “Zemra nuk harron kurrë dhe në zemrën time, Ali Dino ka një vend të ngrohtë. Ky artist i madh dhe me një shpirt të ri, kishte një talent të pakufishëm. Ishte një karikaturist me një penë të lehtë që jetoi në gazetarinë athinase të humorit, të cilës i shërbeu për shumë kohë. Ali Dino jetoi në të njëjtën kohë në shoqërinë e mjeshtërve të tjerë të karikaturës si Spahis, Kostanaqis, Sofo, Mavriolakis, Nuar Geivelis; Bezos, Nomikos, Fokos Dhimitriadhis, Korojanaqis, etj, që i zbavisnin lexuesit tanë për të çliruar energjitë e tyre në një kohë që mjetet e tjera të humorit si radio, televizioni, nuk ekzistonin ende. Vizatimet e tij botoheshin në në gazetat e kohës dhe më shpesh në Proia, ku ne bashkëpunonim dhe ku Aliu bënte vizatimet ndërsa unë vargjet. Ali Dino ka qenë gjithashtu dhe një nga drejtorët e përgjithshëm të Këshillit të Artit dhe të Letërsisë. Përveç gazetës Proia, ai bashkëpunoi dhe me revistat Satans, Flit si dhe Fanos e botuesit. Mori pjesë në ekspozitat kolektive e personale që u hapën në Sallën Parnosson dhe Galeria Stratigopulos. Fisnikëria e tij ishte e jashtëzakonshme dhe vizatimet e tij i trajtonin njerëzit në të njëjtën mënyrë si njerëzit e popullit ashtu dhe personalitetet e botës politike e sociale. Humori i tij e zbukuronte vizatimin, madje e bënte të kënaqshëm dhe atë çka nuk ishte ashtu. Kështu, protagonistët e vizatimeve të tij shkonin të shikonin ekspozitat dhe ndalonin para figurave të tyre që paraqiteshin atje duke qëndruar me orë te tëra…»

Ali Dino i vizatoi me dashuri vallet greke e shqiptare, vallet „çamikos“ apo portrete atdhetarësh të mëdhenj, mes të cilëve Musa Demin nga Filati, një nga patriotët më të mëdhenj të Çamërisë në vitet 10-30-të të shekullit XX-të. Madje një seri karikaturash ai i bëri me figurën e të jatit Rasih Dino nëpër rrugët dhe pazaret e qytetit. Mjaft të bukura janë padyshim portretet e njerëzve të familjes së tij, mes të cilëve dhe portrete që i kishte bërë Abedinit dhe që kanë një frymë shumë moderne për kohën e padyshim të pikturës së viteve 1910-1920 në Francë me të ashtuquajturën „Ecole de Paris“, e cila përmblidhte piktorë nga e gjithë bota,të cilët vinin të krijonin dhe të jetonin në Paris. Të tre vëllezërit ishin duarartë, por secili ishte origjinal në veprën e tij. Një mik i Aliut,PavlosPalailogos, i cili kishte punuar me të, e kujtonte me nostalgji takimin e parë me Ali Dinon: “Mbërrita nga Stambolli. Ishte hera e parë në Athinë. Isha një reporter i panjohur dhe Ali Bej Dino ishte në apogjeun e vet artistik: karikaturist në Proia. Ku të gjeja një vend për ta takuar? Në rrugë dikush më tregoi: “Eshtë ai që qesh e punon”. Pra ishte një personazh i njohur. Ishte aq i rëndësishëm, sa ishte gjë e madhe po të thoje “Isha mbrëmë për darkë në Averof me beun”. Pra emri i tij s’kishte nevojë për Ali dhe Dino nëse ju ishit një nga familjarët e tij. Të thoje se e njihje të jepte një lloj statusi social. Ai ishte i qeshur dhe i gëzuar… Kështu u bë ai takim në një kryqëzim me Ali Dinon, kur një koleg ma tregoi me gisht. Dhe një kujtim tjetër. Mbërrija nga një vend musliman ku ndryshimi  fetar mes grekëve dhe turqve dallohej shumë. Duke ditur se Dino bej ishte i njohur, pyesja veten se cila ishte ajo gjë e fuqishme dhe tërheqëse që ushtronte ky mysliman në Prevezë dhe që me sharmin e vet personal kishte ditur të bënte për vete Athinën si dhe Greqinë, duke u kthyer në një personazh social. Dhe e gjithë kjo ndodhte se ai ishtenjë artist karikaturist me një stil tejet original. Sa më shumë i zbuloja krijimet e beut aq më shumë zgjatej distanca që na ndante. Ndoshta mund të kishte jetuar më shumë por sidoqoftë, emri i tij është tepër i nderuar sot dhe do doja ta tregoja takimin tim me të dashurin e Athinës…»

Ali Dino ishte një intelektual që jetonte me ngjarjet politike të kohës të cilat ishin tronditëse për shqiptarët e Greqisë. Deputet i Prevezës, ky kozmopolit, me finesën e kultivuar në Perëndim, spikati për një kohë të gjatë në peizazhin artistik ballkanas, siç e kujton angazhimin e tij edhe miku i tij Spiros Melas-Fortuno i gazetës athinase Proia:“Ali Dino kishte studjuar shkencat politike në Sorbonne. Kur u kthye në Athinë, ai iu kushtua talentit të tij edhe pse nuk donte t’i braktiste studimet e tij, e megjithatë ai iu kushtua talentit të tij artistik, çka u bë shqetësimi i vetëm i tij. Por ai bëri gjithashtu disa përpjekje që të interesohej për politikën, ku u zgjodh dy herë si përfaqësues i Prevezës në Parlament, me partinë progresiste të Papanastasiu-t. Por ai ishte i pakënaqur, çka del dhe nga diskutimet e tij me Manolis Trëndafilis për shkak të gjendjes së tij në MP. Duke e ngacmuar, ai i thoshte: “Dije biri im se kur jam jashtë ministrisë, bëj diçka për popullin tim dhe vendlindjen, por kur jam këtu në këtë post, në këtë “kopësht të mbrojtur”, siç e quajnë, pyes veten se përse jam këtu…”.

Ali Dino ishte pra dhe një politikan i njohur, për të cilin nuk është folur ose është folur shumë pak në studimet shqiptare. Pothuaj njëzet vjetët e fundit të tij ishin të mbushura me një veprimtari të madhe politike që tregon për një njeri me mjaft kurajo, po të kemi parasysh se jetonte në Prevezë dhe Athinë. Periudha e viteve 1923-1924 është për të mjaft intensive. Eshtë koha kur krijohet Komisioni Mikst i Fuqive të Mëdha, i vendosur në Athinë për shkëmbimin e popullsisë ortodokse nga Turqia dhe muhamedane nga Greqia, në mënyrë respektive. Arkivat e dëshmojnë më së miri këtë periudhë të tensionuar dhe për politikën shqiptare të qeverive të Mitat Frashërit, Sulejman Delvinës apo Fan Nolit, të cilët u kërkuan Fuqive të Mëdha që në këto shkëmbime të mos përfshihej popullsia e Çamërisë, që ishte shqiptare, pavarësisht se nga feja ishte më shumë muslimane. Më 16 tetor 1923, nga Korfuzi, Ali Dino i drejtohej me një letër kryeministrit grek, ku ndër të tjera i pohonte: “Kam nderin t’ju drejtohem si ish deputet i Prevezës, në emër të dyzet mijë shqiptarëve, nënshtetas grekë të Epirit, pasi bashkatdhetarët e mi, autoktonë të Epirit, po ndjekin me agoni veprimet e qeverisë tuaj për shkëmbimin e popullsisë… Çamët duhet të gëzojnë të drejta politike e civile në atdheun tonë.” Ai i drejtohet dhe kryetarit të Komisionit Mikst, gjeneralit De Lara, që të mos i fusnin shqiptarët në këto protokolle, siç e përcaktonte me të drejtë dhe Protokolli i Lozanës, pasi “shqiptarët janë autoktonë dhe se ata duhet të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin grek”. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Lozanës mes Greqisë dhe Turqisë, nga 30 janari i vitit 1923 e deri në fund të vitit 1925, popullsia çame po pësonte shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të saj dhe në letrën drejtuar De Lara-s, Ali Dino shprehte me forcë se “… shqetësimi i bashkatdhetarëve të mi po kalon në ankth për arsye të disa masave të marra ndaj tyre nga qeveria greke, masa shumë të rënda në kundërshtim me Konventën e Lozanës…”.(2) Më 1924, ai i drejtohet kryetarit të ri të këtij komisioni, Karl Marius Widding, ku i vë theksin “për gjuhën dhe ndërgjegjen kombëtare shqiptare”, duke i përmendur “veprat e shumë personaliteteve, konsujve e studiuesve të huaj që kishin shkruar për çështjen shqiptare si Leake (Travels researches in northen Greece), Pouqueville (Voyage dans la Grèce et régénération de la Grèce), Ami Boué (La Turquie de l’Europe), Hobhause dhe Lord Braughton (A Journey throught Albania), Boppe (L’Albanie et Ali Pasha), etj. Në letrën e tij Aliu i referohet veprës së njohur të antropologut francez Eugène Pitard, si dhe traditave shqiptare, riteve të dasmave tek çamët, të gjakmarrjes apo të valleve, ku ata kërcejnë „me pajisje luftarake dhe hedhin pushkë, çka nuk ka lidhje me kulturën turke“. „Tek shqiptarët nuk ekziston një ndërgjegje kombëtare turke“, – theksonte ai. „Duhet të kini parasysh, – theksonte Aliu, – pretendimet e drejta të një popullsie që të mos ç‘rrënjoset nga atdheu i vet. Për këtë kërkojmë: – Që çamët të njihen sa më parë si një pakicë shqiptare; – Që çamëve të mos u mohohet e drejta e votës; – Që të formohet një zonë elektorale e posaçme për pakicat shqiptare në Epir që të përfaqësohen në Parlament njëlloj si pakicat turke në Thrakën Perëndimore dhe izraelitët në Selanik…“ Madje, duke i shkruar për traditat dhe kostumet shqiptare, Ali Dino i kujton atij se “gjyshi im Abedin bej Dino dhe xhaxhamadhi im Vesel Dino, shkuan në Kostantinopojë si përfaqësues të çamëve, veshur me kostumin e tyre shqiptar të qëndisur në ar”.

I tillë ishte Ali Dino, kjo figurë jo shumë e njohur nga historiografia jonë dhe aq më pak nga ajo e historisë së artit , ky personalitet interesant i historisë dhe kulturës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX-të. Studimet e tij për traditat dhe lashtësinë e kulturës shqiptare përbëjnë një referencë mbi botën e intelektualëve të njohur shqiptarë të kësaj periudhe. Gruaja e tij Alba Montini, ishte italiane nga brigjet dalmate dhe Aliu kishte vetëm një vajzë, Safetin, që kishte të njëjtin emër si nëna e tij. Fatkeqësisht ai vdiq i ri, në vitin 1938, në Athinë. Abedini do ta „pikëtakonte“ sërish vëllain e tij, vite më vonë, kur, më  1978, galeria „Silhogi“ e Athinës organizoni ekspozitën e përbashkët të dy vëllezërve piktorë. Greqia nderonte kështu mjeshtrit e mëdhenj të pikturës. Të gjithë të pranishmit që ishin atë ditë në këtë ekspozitë, zbuluan veprat e një artisti në dukje të harruar. Por vepra e vërtetë nuk mund të harrohet, shija artistike, finesa, kultura, gjuha e moderne e artit, siç do të kujtonte dhe miku i tij Pol Nor: „…Më kujtohet njëherë dita e parë e vitit 1932, apo 1933 ose ndoshta 1934. Ne bashkëpunonim atëherë me gazetën Proia për dhuratat e njerëzve politikë, pra dhurata e Vitit të Ri. Sigurisht, Ali Dino bëri karikaturat  dhe unë tekstet. Midis personazheve ishte dhe ajo e Jorgo Pezmazogen, një ekonomist e bankier si dhe vëllai i tij Stefanos, një nga themeluesit e Proia-s dhe njëkohësisht drejtor i saj. Por personazhi u konceptua në atë mënyrë saqë vetë protagonisti tha: «E dua aq shumë karikaturën time, sa çfarëdo të shkruaj Pol Nor, ajo s’do ta prishë përshtypjen e mirë te lexuesit ». Në nëntor të vitit 1937 unë e lashë Greqinë për të shkuar në Paris, pas një problemi me qeverinë e Metaksasë. Më 1938 shkova në New York. Pikërisht atje më njoftuan se miku dhe shoku im kishte ikur nga kjo botë, por jo nga zemrat tona, as nga kujtimet tona».

Duke qenë emigrantë e artistë, ata kishin gjithashtu një atdhe të dytë: artin. Ata ishin njëkohësisht dhe artistë internacionalistë. Itineraret e tyre janë mpleksur sa me Ballkanin, po aq me Evropën, me filozofët e artistët e kontinentit të vjetër.

 

————-

1-      Ai u zgjodh deputet i Prevezës në vitin 1915 si pasojë e votave që i dhanë çamët që banonin atje

2-      Përkthimi nga anglishtja në frëngjisht i kujtimeve mbi Ali Dinon, Boris Dino.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Loading...