Territori / Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend ndarjen e re: Tri arsyet e kundërshtimit

0
130

Gëzim Saliu

“Reforma është e pakonsultuar, jo transparente dhe cënon interesa kombëtare. Sa më shumë ulet numri i njësive vendore, aq më shumë peken parimet e decentralizimit”

 

50f96ece26a4ePresidenti i vendit Bujar Nishani dekretoi dje kthimin për rishqyrtim në Kuvend të refomës për ndarjen administrative-territoriale, duke rënditur tre arsye për marrjen e këtij vendimi. Sipas kreut të shtetit, ndarja e re është e pakonsultuar  me popullsinë lidhur me ndryshimin e kufijve të njësive të qeverisjes vendore, prek decentralizimin e njësive vendore si edhe cënon interesat kombëtare. “Në vlerësimin tim, sa më shumë të ulet numri i njësive të qeverisjes vendore dhe sa më të mëdha të bëhen ato, aq më shumë cenohen parimet e decentralizimit të pushtetit vendor dhe autonomisë vendore, të cilat janë të sanksionuara në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, theksonte Nishani në dekretin e tij.

Arsyet

Një ndër argumentet kryesorë që rëndit Presidenti i vendit në mbështetje të dekretit të tij për kthimin mbrapsht të ndarjes së re territoriale është fakti i mungesës së konsultimit. “Edhe pse ndaj bindjen se reforma e ndarjes administrativo-territoriale është e vonuar pasi e konsideroj atë si një çështje madhore kombëtare, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët në çdo cep të Shqipërisë, me keqardhje konstatoj se gjatë procesit të hartimit të ndarjes administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, është keqzbatuar (për të mos thënë është shkelur) neni 108, pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila qartazi përcakton se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”, nënvizon Nishani, duke theksuar se nga informacionet e administruara si edhe  nga bashkëbisedimet me një pjesë të konsiderueshme të përfaqësuese të njësive vendore, ligji 115/2014 ka ndryshuar kufijtë e njësive të qeverisjes vendore pa marrë aspak mendimin e popullsisë që banon në to, :“ose në rastin më të mirë dhe më të rrallë, ky mendim është marrë në mënyrë të përciptë dhe të paplotë në kuptimin e normës kushtetuese së lartpërmendur. Arrij në këtë konkluzion pas një analize të gjerë dhe të mirëdiskutuar me ekspertë të pushtetit lokal, zhvillimit rajonal dhe planifikimit të territorit me të cilët ndajmë një mendim të përbashkët se kemi të bëjmë me një proces aspak transparent”.  Sipas kreut të shtetit, nuk mund të pretendohet se 50% e 16000 të intervistuarve përbëjnë “mendimin e popullsisë” pasi, theksoi ai, qeveria gëzon të gjitha mjetet dhe format për të marrë një mendim të plotë nga popullsia që preket nga ndryshimet. Ndërkaq arsyeja e dytë e kthimit të ligjit ka të bëjë me atë që Presidenti e konsideron si shkelje e parimeve të decentralizimit të pushtetit vendor. “Në vlerësimin tim, sa më shumë të ulet numri i njësive të qeverisjes vendore dhe sa më të mëdha të bëhen ato, aq më shumë cenohen parimet e decentralizimit të pushtetit vendor dhe autonomisë vendore, të cilat janë të sanksionuara në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, pohoi ai. Në këtë kontekst, President sjell në vëmendje paragrafin e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, e cila thekson se parimi i decentralizmit të pushtetit është parim thelbësor mbi të cilin ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore. Ndërkohë arsyeja e tretë ka të bëjë me kërkesën sipas së cilës reforma duhej të ishte paraprirë medoemos me përshtatjet e duhura në kuadrin ligjor, i cili rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive vendore.   “Ligji i sjellë për shpallje nuk shprehet mbi “fatin” e ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” duke krijuar kështu kundërshti midis dispozitave të këtyre dy ligjeve dhe zbatimit të tyre në praktikë. Për më tepër, në një kohë kur na ndan rreth 1 vit nga zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe vetëm 5 muaj nga detyrimi kushtetues që ka Presidenti i Republikës për të caktuar me dekret datën e zgjedhjeve, mbështes faktin se reforma e ndarjes administrative -territoriale duhej të ishte shoqëruar medoemos edhe me ndryshimet përkatëse në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, mbyll arysetimin e tij kreu i shtetit, duke theksuar se këto argument e bëjnë të padiskutueshme nevojën e rishqyrtimin të ligjit.

 

 

Argumentet e Presidentit

1.Keqzbatim (për të mos thënë shkelje) e nenit 108, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila qartazi përcakton se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to

2. Sa më shumë të ulet numri i njësive të qeverisjes vendore dhe sa më të mëdha të bëhen ato, aq më shumë cenohen parimet e decentralizimit të pushtetit vendor dhe autonomisë vendore, të cilat janë të sanksionuara në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë

3. Reforma e ndarjes administrativo-territoriale duhej të ishte paraprirë medoemos me përshtatjet e duhura në kuadrin ligjor i cili rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive vendore në Republikën e Shqipërisë

 

 

Reforma territoriale u votua me 88 vota, dekreti i Nishanit rikthen debatin mes mazhorancës

Në seancën e fundit parlamentare të sesionit të kaluar parlamentar më 31 korrik, mazhoranca miratoi me 88 vota pro, një kundër, dhe një abstenim reformën për ndarjen e re administrative territoriale të vendit. Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, e vetmja votë kundër, pasi opozita mungoi në këtë votim për shkak të bojktotit të shpallur më parë si pasojë e dhunës në kuvend ndaj deputetit demokrat, shprehu kundërshti të mëdha për këtë ndarje të re, duke nënvizuar se ndër reagimet kundërshtuese mund të përfshihej edhe largimi nga koalicioni qeveritar. Ndërkaq, edhe pse kreu i mazhorancës Rama shprehur dje bindjen se dekreti i djeshëm i Presidentit do të rrëzohet nga të majtët që në seancën e parë parlamentare të sesionit të ri, duket se ky rikthim i ligjit do të shërbejë për rihapjen edhe një herë të debatit mes mazhorancës për reformën territoriale.

 

Reagimi

Rama: Dekreti i Nishanit do zmbrapset që në seancën e parë të Parlamentit

Pas dekretit të Presidentit Nishani për të kthyer në Kuvend për rishqyrtim Reformën Territoriale reagoi dje kryeministri Edi Rama, i cili tha se dekreti i kreut të shtetit do të zmbrapset me shumicë në seancën e parë plenare të sesionit të ri.  “Në seancën e parë të sesionit të ri shumica parlamentare do të zmbrapse dekretet verore të Presidentit. Drejtesia dhe Territori, Reforma s ‘ndalet”, shkruante Rama në mesazhin e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency