Standard.al

Vdekja e dy minatorëve/ Pranga administratorit, revokohet leja minerare për kompaninë “ALBA-CO”

Sonila Mesareja

miniere brendaRaporti i Ministrisë së Energjitikës: Shkak i aksidentit, moszbatimi i rregullores teknike. Subjekti u inspektua dhe gjobit në mars të këtij viti

Vdekja e dy minatorëve në zonë ne Fushë Lopës në Batër të Martaneshit ka sjellë edhe penalizimet e para. Përveç prangosjes së administratorit të subjektit “ALBA-CO”, shpk, Shemsi Ballabani, këtij subjekti në veprimtarinë minerare i është hequr edhe leja nga ana e Ministrisë së Energjitikës. Sipas një raporti të Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave, rezulton se shkak i aksidentit ka qenë moszbatimi i rregullores teknike. Madje, thuhet se në një inspektim të bërë në mars të këtij viti në këtë subjekt, për ishte vendosur edhe gjobë 100 mijë lekë të reja për të metat e konstatuara. Ministria e Energjetikës ndaloi gjithë aktivitetin e punës në objektin minerar të vendburimit Fushë Lopë, që administrohet nga subjekti “ALBA – CO” shpk.

 

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e dy ditëve më parë në brendësi të galerisë, pas shkëputjes së një masivi shkëmbor, i cili i ka zënë poshtë dy minatorët. U deshën 3 orë përpjekje për të nxjerrë trupat e pajetë të dy minatorëve. Sipas hetimeve të kryera, rezulton se mbas zbrazjes së grykës së traversës nga materiali, minator/zjarrmëtari Xhemal Sela dhe ndihmësi Donald Baçi, kanë hyrë dhe janë ekspozuar në brendësi të hapësirës së shfrytëzuar, me qëllim për të vrojtuar për rrëzimin e mineralit. Në këto momente, nga tavani i hapësirës janë shkëputur dy blloqe masivi shkëmbor ultrabazik me përmasa të mëdha, duke i goditur dhe shkaktuar vdekje të menjëhershme të dy punëtorëve. Disa orë pas tragjedisë policia e Burrelit arrestoi Shemsi Ballabanin, administrator, njëherësh dhe drejtues teknik i minierës. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë.

 

Reagimi

Përmes një tjetër reagimi zyrtar për shtyp, Ministria e Energjisë dhe Industrisë informoi se dy ditë më parë, rreth orës 09:30, në subjektin minerar “ALBA – CO”shpk, vendburimi Fushë Lopë, Batër, rrethi Bulqizë, në nënkatin e tretë të galerisë nr. 8, ka ndodhur një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy punonjësve të këtij subjekti. Të dhëna mbi viktimat janë Xhemal Sela, 50 vjeç nga fshati Komsi, rrethit Mat; me profesion minator/zjarrmëtar, instruktuar për herë të fundit më 03/07/2014; i siguruar për jetën ndaj aksidenteve në punë; si dhe Donald Baçi, 32 vjeç, lindur në fshatin Frankth, komuna Komsi, rrethi Mat; instruktuar për herë të fundit me 03/07/2014; i siguruar për jetën ndaj aksidenteve në punë. “Objekti minerar ku ka ndodhur aksidenti është i përfshirë në lejen minerare nr. 548 dt.06.04.2000 që shfrytëzohet nga subjekti “ALBA – CO”shpk me zotërues të lejes inxhinier miniere Shemsi Ballabani, i cili njëkohësisht kryente dhe detyrën e drejtuesit teknik të subjektit” bëhet me dije në reagimin zyrtar të Ministrisë së Energjitikës. Sipas këtij institucioni, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi i inspektorëve të RISHM-it konstaton se “pas zbrazjes së grykës së traversës nga materiali, minator/zjarrmëtari Xhemal Sela dhe ndihmësi Donald Baci, kanë hyrë dhe janë ekspozuar në brendësi të hapësirës së shfrytëzuar, me qëllim për të vrojtuar për rrëzimin e mineralit. Në këto momente, nga tavani i hapësirës janë shkëputur dy blloqe masivi shkëmbor ultrabazik me përmasa të mëdha, duke i goditur dhe shkaktuar vdekje të menjëhershme të dy punëtorëve. Nga këqyrja e dokumentacionit në subjekt u konstatua se ka urdhëra pune të lëna në vazhdimësi nga drejtuesi teknik i subjektit. Urdhëri punës i lënë në objekt më datë 19/08/2014, nuk ka të specifikuar proceset e punës që do të kryhen në këtë front për prodhimin e mineralit, si dhe rrugët e lëvizjes së punëtorëve. Është bërë instruktimi teknik i punëtorëve me dt. 03/07/2014. Personat e aksidentuar janë të siguruar për jetën nga aksidentet në pune sipas VKM nr.1109, datë 30.7.2008 “Për sigurimin e punonjësve të punësuar në veprimtarinë minerare nga aksidentet në punë” dhe Udhëzimit te Ministrit te METE nr.671, datë 12.9.2008. Subjekti ka miratuar programin e zhvillimit të punimeve për periudhën prill 2014 –prill 2015”.

 

Shkaku i aksidentit

Pas veprimeve inspektuese në vendin e ngjarjes, konstatohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e moszbatimit dhe shkeljes së Rregullores së Teknikës së Sigurimit Teknik. Menjëherë janë marrë masat pas zbardhjes së shkaqeve që çuan në aksidentimin e dy minatorëve. “Menjëherë pas ngjarjes u ndalua i gjithë aktiviteti i punës në objektin minerar të vendburimit Fushë Lopë, Batër, galeria nr. 8, qe administrohet nga subjekti “ALBA – CO” shpk. Pas raportimit të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë vendosi nisjen e procedurave për heqjen e lejes minerare dhe të përdorimit të lëndës plasëse nr.548, dt.06.04.2000 për subjektin “ALBA-CO”. Bëjmë me dije se në zbatim të ligjit dhe programit të miratuar për vitin 2014 të inspektimeve të subjekteve minerare, nga ana e RISHM-t, subjekti “ALBA – CO”shpk ishte kontrolluar së fundi nga inspektorët më dt.24.03.2014 dhe për të metat e konstatuara janë lënë detyra specifike dhe masë administrative me gjobë 100 000 lekë (të reja)” përfundon reagimi i ministrisë.

 

Vlorë/ Prishet skafi në mes të detit, 3 persona shpëtohen nga Komanda e Forcës Detare

Komanda e Forcës Detare Vlorë shpëton nga mbytja një skaf me tre persona në bord. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se tre shtetasit kishin dalë me skaf për shëtitje në det dhe papritur u është fikur motori për shkak të erës së fortë dhe dallgëzimit të lartë në det. Për pasojë ata kanë mbetur të bllokuar për rreth 15 minuta mes detit. Skafi ishte nisur nga Vlora drejt Karaburunit. Pas sinjalit të marrë Komanda e Forcës Detare u ka ardhur në ndihmë për 30 minuta, duke shpëtuar jetën e pasagjerëve në skaf.

 

Tiranë/ Plagosi një person, gjykata lë në burg 23-vjeçarin Strataj

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për 23-vjeçarin Enis Strataj, i cili akuzohet për veprën penale të “plagosjes”. Sipas akuzës, Enis Strataj së bashku me Stivens Lasi, 18 vjeç, Sadjon Çika, 23 vjeç janë përpjekur të vrasin me armë zjarri shtetasin Ndriçim Koka, më 25 shtator 2013 në zonën e “21 Dhjetorit”, ndërsa nga të shtënat Koka ka mbetur i plagosur së bashku me një shtetas tjetër, Klodian Shabanaj, i cili ishte kalimtar i rastësishëm. Policia e Tiranës kapi 23-vjeçarin Ensi Strataj, ishte në kërkim për “vrasje në rrethana cilësuese’ e mbetur në tentativë.

 

Tiranë/ I gjendet floriri i grabitur, arrestohet autori i tretë i grabitjes së argjendarisë

Policia e kryeqytetit ka vënë dje në pranga edhe autorin e tretë të dyshuar për vjedhjen e argjendarisë “Gold” në zonën e Selvisë. Në prangat e policisë ka rënë i riu Aljon Çezma, ndërsa sipas forcave blu, atij i janë gjetur bizhuteri të grabitura në argjendari gjatë kontrollit në banesën e tij. Sipas burimeve policore, Çezma është tashmë personi i tretë i arrestuar për këtë ngjarje, pas Klodian Hoxhaj dhe Andrea Bregasit, ku mbeti e plagosur pronarja e argjendarisë, Olta Sinanaj, të cilën autorët e goditën me tytën e pistoletës. Ditë më parë policia arrestoi 2 autorët e tjerë, Andrea Bregasi e Klodjan Hoxhaj, për të cilët njëri pas tjetrit gjykata caktoi masat “arrest me burg”. I pari autor i arrestuar, Bregasi ka mohuar që në momentet e para përfshirjen në ngjarje, ndonëse u gjet i strehuar në Durrës, ku iu kap edhe motori i përdorur në grabitje. I dyti u kap Hoxhaj, i cili pranoi vjedhjen, duke u shprehur se frymëzimin e kishte marrë nga lajmet në televizione.

 

Durrës/ Kapen 420 kg kanabis në port, do trafikohej në Itali

Rreth 420 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar nga policia kufitare në Portin e Durrësit, gjatë imbarkimit të një prej trageteve të linjës Durrës-Bari. Sipas policisë në orën 22:15 të së martës u kap në flagrancë shtetasi Fatmir Doja, 46 vjeç , banues në Spille të Kavajës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin e tij tip “IVEKO” me targa AA366 JJ, u gjetën të fshehura 320 pako të mbështjella me natriban me lëndë të dyshuara si kanabis sativa, përafërsisht 500 kg. Lënda narkotike u gjet në dyshemenë e kamionit, i cili po udhëtonte drejt barit në Itali. Ndërkohë strukturat kundër drogës po vijojnë punën për peshimin e lëndës narkotike të sekuestruar. Nga hetimet e para droga kishte si destinacion Breshian në Itali. Policia po punon për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik, si dhe pritësit në shtetin italian.

 

Comments are closed.