Letra e 1953/ Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë, debati për propozimin e tri besimeve në emigrim

0
174

mustafaKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është  një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim

 Një nga arsyet që ndezi jo pak debat, pse Tahir Kolgjini i shkruan Mustafa Krujës është mungesa e një myslimani në radhët e Komitetit, mbështetur nga Evropa kristiane, për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i Enverit. Mes përshkrimeve të mbijetesës së emigracionit në Turqi, si dhe ndarjes së ideve për ccështje sa politike dhe historike, Kolgjini njofton Krujën dhe i propzon prezencën e tij si imam në radhët e Blokut.

Këto janë ndër letërkëmbimet më të gjata të vëllimit me Kolgjinin, me të cilin e lidhte një bashkëpunim  gjatë kohës së luftës e një respekt i veçantë i ndërsjelltë, edhe se si moshë i ndanin rreth 16 vjet. Tahir Kolgjini ishte shkolluar në Stamboll për teologji. Por veprimtaria e tij, ashtu sikurse dhe ajo e M.Krujës, kishte filluar në rolin e mësuesit në krahinën e tij, në Lumën, ku kishte lindur më 1903, në fshatin Lusen. Më tutje ai emërohet si sekretar i Gjykatës, më parë në Himarë (1928) e më pas në Kukës (1929), ku merr edhe drejtimin e Bashkisë (1939). Gjatë luftës, kur M.Kruja ishte Kryeministër, e emëroi T.Kolgjinin si prefekt të Gjirokastrës. Ishte një njeri shumë i mprehtë e që i kishte idetë e qarta. Me Krujën ndante idenë se rreziku i vërtetë i Shqipërisë nuk ishte pushtimi italian, i cili ishte një dukuri e lidhur me luftën dhe kohëzgjatjen e saj, por lëvizja nac.-çl., jo thjesht si ide, por si një sendërtim në bazë të parimeve të komunizmit e t’organizuar nga “shkjetë”, armiqtë natyrorë të shqiptarëvet. Në ardhjen e mundëshme të komunistëve në pushtet në fundin e luftës, ata shihnin një rrezik të madh për Shqipërinë e bashkuar, që ishte realizimi i idealit të themeluesve të Pavarësisë.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Fort i dashuni Mustafë,

N’ata muejt e mbramë, nuk pata mundun me të shkruem regullisht, për shkak se, më qenë ngatrruem fijet me njâna tjetrën. Puna qi bajshem ishte mjaft e rândë, prânë atijë Kolçinoğlu-t t’em. Natyra e sajë e kërkonte qi, të çohem fort shpejt. Udhtojshem deri në ndalesën e tramit; këtu merrshem autobus-in dhe mbërrijshem n’Eyup. Prej këndej, me barkë e Sütlüce. Ketu, më duhej me veshun uniformën e ndytë të thertinës dhe me u-përziem me personelin e vendit, tue filluem punën. Punë me berre e me berra. Dhen, dhì e shqerra. Me i shikuem, me i tubuem, me i rrëzuem përpara kasapit, me i varun në kërraba ku rjepen, me i bartun në vendin e shitjes, tue i shtyem me “kanca”, me i renduem në pavjonin e shitjes, me asistuem në shitje e në peshime, me ia shkruem numrat, me lëshuem fatura e tjera e tjera. Ora me 17-18, e ndonji herë edhe mâ vonë, hajshem drekën. Mandej këtheheshem në shtëpi, ku fillonte faza e mbajtjes së llogarinave.

Në llogari, më duhej me mbajtun radhorin e përditshëm mbi të tana veprimet e ditës, librin e arkës, librin e veresijave, librin e blemjeve, librin e shpenzimevet, llogarinat e bankës e tjera, dhe, njikohsisht me përgaditun bordrat e me ia çuem llogaritarit, i cilli mbante librat e kontabilitetit të vërtetuem prej noterit e qi ishin bazë për financën. Si thonë në Lumë: treqind pula punë. Udhtime, shko e eja, edhe me financë. Qatib, llogaritar, kujdestar, hammall e të gjitha. S’ka gjâ se, puna asht ibadet. Puna e trimave e mishi i krymbave. Mirë po, nuk na pajtoi as hylli me at Kolgjinin, se pse, me gjith qi kishte ardhun fare i vogël në Stamboll, e kishte pasë të vështirë me mësuem burrni dhe edukatë. Ma në fund, me 30.6.1955, tue e pasë paralajmruem, ia lash qylahen me gjith eyvallahen dhe u hallallosa e shkova në punën t’eme. E mêta e tijë ishte se, edhe me mue sillej si me tjerët, pa pasë nevojë shtrënguese për me u sjellun keq. Si më duket, padronat xhahila, kështu e paskan zakon, mbassi edhe personeli, qi përdorin në punë, nuk asht brumë me të kënaqun. Pra i futin të gjithë në nji thes. Ma në fund u pendue, e kroi kryet dhe m’u-lut me gjithë vëllazën qi, të vazhdoj, por, mbassi u-ftoha nji herë, nuk më qe e mundun me e vijuem ma punën. U-ndava.

Nuk kam pasun asnji dâm. As edhe ndonji shkak tjetër për mos me të shkruem. Veç se, nuk mundshem me të shkruem si më donte zemra; nuk ishem i zoti me u-marrun as me fletore, as me libra. Âsht vështirë, kur të mbulon dëshprimi e pluhni, or Lala Mustafë. E, letra qi të shkruej Ty, nuk duhet të përmbajë vetëm dy rreshta, por, duhet të jetë në gradë për me na shmalluem deri diku.

Mbas do kohe të qëndrimit pa punë, u-pashe me Tozan-in dhe i thash qi, të kishte mirsin m’u-interresuem pranë ndonji firme ose të ndonjijë instituti për ndonji punë. Me tha; Po. Me 15/8 kishte dërguem të shoqen në dyqan, për me më thanun qi, t’i telefonojshem S. Lutfi Begut. I telefonova; shkova dhe biseduem me ‘Te. Më tha se, për njâ dy a tre muej kishte disa punë; dhe tash, jam tue punuem pranë Tijë. Njeri i nâltë në të gjitha pikëpamjet; prandej, për mue asht nji gëzim me punuem për Té. Nuk e kam pasë dijtun; peshueka rândë edhe nga pasunija. Miljonar. Deri tash, më ka ngarkuem me punë të ndryshme administrative të lehta. Të shofim mbas këndej. Aj, po të dojë, punë ka për me më mbajtun shum kohë. Ka: shtëpija, apartamente, han, ndërtesa tjera, troje dhe dy firma tregtije. Pra, mund t’i shërbej sa me iu bamë i dobijshëm për aq vleftën (apo aqvlerën) e pagesës qi më ban.

Tozan-i, me 26/8 qe nisun me fluturak për Londër dhe me 21/9 u këthye. Më ka pyetun për Ty. Bile dje kishim fjalën t’ande. Më tha se: Nji njeri (âalim) si Mustafa, âsht tepër për nji vend të vogël si Shqipnija; për atê duhet nji shesh mâ i gjânë.

Mbramë, mora nji leter prej Munirit, i cilli më shkruente se, i kishe njoftuem drejtimin (Poste Restante). Me Kapidanin kishit ndërruem nga nji kartolinë. Ia kërkova drejtimin t’and, por, si duket harroi a?… tash pra, po të shkruej edhe un me drejtimin e njoftuem nga Tërshana.

Si të kam marrun përgjegje prej Teje, kam mé të dërguem nja pesë numra të fletores “Tan”, e cilla përmban disa artikuj në vargëzim, për sa i përket Shqipnís. I ka shkruem njifarë Kadri Turgut (tue marrun ilham prej nënshkrimit Shero Beqiri dhe me takdim të’hir t’inicjaleve, me qëllim qi t’evitojë persekutime kundra njijë pjese të familjes, qi i ka t’internueme në Lushnje). Nuk e din kush se cilli âsht artikullisti.

Kam vazhduem në bashkëgjegje – kështu e kam pamë diku me shokë e miq. S’ka gja. Nuk jam tue prijtun kurrgja, veç se nuk po më rrihet pa u interresuem me mësuem: ne var ne yok.

Para disa kohësh, patëm filluem me përgaditun bazat e njijë shoqnije për krijimin e njijë kishe shqiptare me shkollë fillore, këtu n’Istanbul, por, ngjarjet e datës 6-7/9 na e përmbysën planin, për shkak se, edhe orthodoksat shqiptare, thuej se, u-damtuen pa përjashtim. Tash, nuk ka me qenë e lehtë me e mbëledhun tufën edhe nji herë. Të shofim.

Djalin e madh e kemi ushtar detar n’Iskenderun. Djalin e vogël e kemi mbrenda në kotec – jo për ndonji gjâ të turpëshme – por, pse ka bashkëpunuem me nji shoqni: “Kibris Türktür”. Më duket se, e humbi vjetin shkolluer. Qamilja e  vogël, të cillën e dërgojmë, ditën, në nji strehë foshnjore, dergji nji javë prej gripit dhe anzhinës e dje u-mbëkamb. E ama, po prej këtyne te mirave, ka dy dit qi, âsht në shtrat me nji zjarmi 39 e fiu (në Lumë, përdoret kjo fiu-ja prej popullit.). Un me shëndet jam mirë. Lavdi i Zotit.

Nji artikull i gjatë, qi të pata thanun, rreth gjendjes në Jugosllavi, për fat të keq, më humbi. Fletorari, të cillit ia pata dorzuem, nuk ma këthei. I mbytun medis evraki perişanit. Koleksjoni i “Besa”s, qi po vërtllon aq tepër, në qoftë se të duhet, po e marr dhe po t’a çoj. Më njofto veç. Për statistikën, qi ma pate kërkuem, i kam shkruem njijë miku n’Ankara, por, …. s’më duket se do të kem sukses. Do t’a ndjek. Sido qoftë, mbassi të kem marrun drejtimin t’and, do t’a rifillojmë në kofte kismet, si ma para. Mbasandej, në qofte se, për faj t’em, t’asht lidhë në zêmër ndonji idhnim i vogël, zgjidhe e hidhe poshtë, se e di vetë mâ…

Po motrën a e ké me vehte. Në qoftë se asht aty, i falem me shëndet bashkë me t’eme shoqe, asajë dhe Ty.

Të përqafoj me mallë. Prej Satvet Lutfiut shumë të fala. I yti:

 

 Istanbul, me 19 nanduer 1955

I dashuni Lala Mustafë,

Letrën t’ande e mora me gëzim. Do t’a kishem vonuem përgjegjen edhe nja tri dit, por, më nguti puna: Sod u nis për Londër Satvet Lutfi Begi me fluturak; prandaj deshta me të vuem në dijeni.

Dje u pamë ndër vedi dhe i thash se: “Kam marrun letër prej Mustafes, i cilli mendoj se, Ju ka shkruem ose do t’Ju shkruejë edhe Ju..”. Ia solla si ndër dyshtas. Aj m’u përgjegj, tue më thanun se, letër prej Teje nuk kishte marrun dhe mbasandej u ankue pak kundër shërbimit të postës, mbassi i kishin ndodhun sa herë disa çrregullime, tue ia sjellun korrespondencën tjetër për tjetër. Shtoi: Un po nisem për Londër dhe po Ju ep drejtimin t’em qi të më shkruejë, mbasi aty, besoj se, nja dy javë kam me qëndrum.

Drejtimi i Tijë asht: Satvet Lutfi Tozan, O.B.E. Hotel Dorchester, Londres.

Letra e Jote e besoj se nuk i ka ardhun, se pse, në Maçka ishte hapun nji zyrë e ré postare dhe kjo ka shkaktuem shum çrregullime, sa qi ankime të ndryshme janë çfaqun edhe nga shtypi.

Për mue mos i shkruej me më mbajtun në punë, për shkak se me të vërtetë punë nuk ka. Zaten edhe kur më ka pasë marrun pranë, më pat thanun vetëm për dy ose tre muej kishte nji farë nevoje. Dje biseduem dhe e vendosëm qi të kërkoj ndonji punë tjetër. I erdh keq, por,… kur tjetri s’ka punë! Me gjith ate, Ti çfaqi ndonji urim qi të mundet me hapun ndonji punë të ré e keshtu t’i epet shteku me e përkrahun edhe Tahirin. Kaq. Un do të përpiqem me gjetun nji punë tjetër. Thuej se puna asht ndaluem krejt në këto te dy vjetët e fundit. Të kemi shëndetin.

Gjendja familjare e këtushme dhe në Shqipni, si ma parë.

E mora vesht mirë për sa më bajshe fjalë për nji zotni. Këtu do të jetë pak si e vështire me kombinuem. Gjithnji do t’a kem ndër mend. Te ata t’Amerikës ka mundësina, por, ata janë puntorë e jo zotni. Të shofim.

Sod, rekomandé të kam impostuem fletoren (Tan) të datave 4,5,6,7 e 8 shtatuer 1955, qi përmban pesë artikuj të Kadri Turgudit. (Gabova: Nga shkaku se në drejtimin t’and mungonte numri i baneses, e pata ndër mend me e impostuem rekomandé, por, mandej e bana dërgesë të zakonëshme me fluturak.). Për ç’do gja, qi do t’a shof të dobishme, do të përpiqem me e impostuem. Kemi shum sende por, vetëm koha më mungon. Kam pasë filluem me e përkthyem nga persishtja “Tahayyülât”-in e N. Frashrit, po ende nuk e kam plotsuem. Në prozë, natyrisht. A thue e vlen barra qiran si vepër? Më duket se, nuk asht i përkthyem shqip. Le të punojmë ndopak edhe badihava.

Kadri Turgudi ka shkarravitun nja tetëdhetë faqe tjera mbi kuqloshîn, përkitas me gjendjen shqiptare dhe ia ka dorzuem për botim të njajtit pronar fletorje. Në se pelqehet dhe botohet, kam me t’i dërguem rregullisht. Besoj se mund të vazhdojë në nja njizet numra.

Po më shkruen se, Avni Begi dhe Hysejn Begi paskan vlejtun pak rreth abetarit. Paçin faqen e bardhë edhe për sa kan bamë. Ma mirë me pak se me aspak. Vullneti nuk po mungon, por, grepi nuk po n’a e kapë. Mandej, si jemi bamë na… Zoti n’a lashtë mendt e krés.

Këtu, Profesori Tarik Tunaya ka shtypë nji libër bukur të vëllimshëm me titullin (Turkiyede Siyasi Partiler). I paska dhanun shum njoftime Tozani. Aty kalon në nji vend dhe emni i Yt, kur keni punuem me ‘Te… Në qoftë se nuk e ké dhe në më lejoftë gjendja, po t’a dërgoj.

Munirit mos iu idhno se, nuk i ka mirë punët, më duket. Edhe aj, si me ka dhanun me kuptuem, punon me pagesë e nuk asht ma zot në punen e vet. Po un nuk i kam thanun kuj. Sigurisht edhe pak përtac asht, por i mirë…

Të përqafoj me mallë. Eme shoqe të merr dorën. Bashkë me te i falemi me shëndet edhe motrës. E vogla asht tue u rrijtun si pehlivane dhe të puth dorën. Nuk u ba keq qi e fali Zoti, se jemi tue i bamë shoqni njani tjetrit dhe jemi tue u dashtun fort ndër vedi.

I yti

Tahiri

 

 Istanbul, 27.2.1956

I dashuni Lala Mustafe,

Po, më duket se ç’do gjâ u lidhka me fat. “Bîbaht olanin…ilâh….: e ke ndër mend. Më pêrhihet nji tregim i Sadiut: Moti, n’Egjypt, prodhimi i pamukut paska pasë dhânun përfundim të keq. Ne Hejet-i Vyqelá qenka biseduem kjo fatkeqsi ekonomike. Njâni prej Shkëlqesave, në forme kritike ose qortimi, paska bërtitun: “Më vjen keq për ket popull; pse vallë nuk mbjell lesh, por, gjithnji e çon mundin kahmund me pamuk?”. Njeriu, qi nuk kishte qenë në gjendje me dijtun ndryshìm medis leshit e pamukut, kishte pasë fatin e bardhë m’u-bamë edhe Ministër. Shka mund të jetë tjetër për veç fatit?

Ndish, edhe mue ia ka nisun me m’u-ngurruem fati në këto vjetët e fundit. “Çeli derën se të prishi rezët!” Pápunsíja m’asht ngjitun mu si rrodhe. Kam mësyem shum dyer, por, deritash asnji nuk asht hapun. Dimni, i tranuem-si thonë kosovarët-dhe krejt i pamëshirshëm. Në ket pikë kemi qenë njisoj. Për ket shkak zakonisht edhe dyqani nuk punon. E me të vërtetë në frùllizë m’u-hijeshuem e m’u-tuskëzuem? Për kê? Djali i madh ushtar kërkon ndihmë. I vogli ende në burg. Edhe aj kërkon ndihmë. Sidomos në këto dit qi janë tue u gjykuem prej gjykatës ushtarake, thuej se, për dit. Asht akuzuem për : 1. Yabanci bir devlet aleyhinde hasmane hareket; 2/6-7 eylul hadiselerine tahrik dhe 3/cürm delillerini imha etmke. Po mbushen 6 muej qi ndodhet mbrenda. Përfundimi ka me dalun xero me xhufka, por, mbas të tana këtyne vuejtjeve…?

Me gjith atê, nuk kam mbetun sall me këto. Ka dy muej qi, të voglën e kam pasun të smuet. Nga të ftohtët i kishte mbledhun gjak skâji i mushkënis së bardhë. Edhe e ama, si duket për mos me e lanun vetëm të bijnë, u-smue shum ranë dhe vazhdoi afër nji muej tue dergjun. Un mbeta medis tri rrugve: mjeku, farmacija dhe shtëpija, tue bamun për to shërbimin e infermjerit nat e dit. Lêna Zot mendt e krésë. Në këto kondita si pata me të shkruem, i dashuni Lalë?

Tash, ia ka nisun m’u-tfillkuem lamçi kah e mbara: Të smuetat u-çuen, tue shpëtuem pa asnji dâm. Kaq. Tjerat pika ende vazhdojnë në trajtën e ma parëshme. Veç se, kam shpresë me hymë si drejtuer i njijë bujtine-me gazino-në Bogaziçi. Të shofim. Në qoftë se hŷ, prej Bosphorit kam me të shkruem mjaft, pse nuk ka me më lejuem karakteri i punës qi të largohem prej detyre, sall nji herë në javë.

Librin “Türkiyede Siyasi Partiler” m’a dha Satvet Lutfi Beu dhe kam me t’a dërguem. Në mûjsha, nuk do të kursehem edhe për ndonji fletore ose libër tjetër, qi t’i shoh të nevojshme. Senza obligazione pero. Jo për tjetër, por, më duhet me vepruem simbas mundësis.

Në përgjegje të letrës s’eme, Tahir Zaimi me njoftoi se, Hysejn Prishtina ka depozituem 500 lira në bankë. Natyrisht n’emnin e vet, por në dispozicionin t’and. E pyeta se, po t’i kishte depozitum n’emnin t’and, atëhere duhej qi t’i tërhjekësh vetë personalisht ose me anën e ndonjijë përfaqsimi notarjal. Bisedova me Lutfi Beun – shum kohë ma parë – dhe më tha se: Po shofim. Janë do dispozita ligjore qi…të ngathin fort. Sido qoftë, mir’o keq, kjo punë dikuer do të kryhet. Kuer? – Nuk e dijë. Me e dijtun Ti se në ç’gradë kan ramë këto llapushat t’ona… habitesh. Nji dollarë = 10 lira.

Sa për mallin te Avniu, do të mundohem me vepruem në përshtatje me porosin t’ande, por, kur të jem i qetë. Për tash jam n’erë.

Të vijmë në çashtjen e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara t’Amerikës: Mos me pasë pasun nënshtetsín e këtushme, me kohë më kishte fluturuem xhybja n’Amerikë. Mirë po, na, ndepërmjet t’I.R.O.s kemi emigruem këtu dhe kemi marrun nënshtetsin e këtijë vendi. Tash, autoriteti kompetent amerikan nuk n’a njeh të drejtë mërgimi; aj n’a trajton si trashigimtarë të Kayihanit. Jam lodhun për ket punë, herë mbas here. Për mue ka tri dispozita:

Me kërkuem kotën shqiptare. Në ket rasë, si me thanë, më duhet me prijtun 10-12 vjet. Hap i pafrytshëm. Mbassi nuk e kam kërkuem me kohë…? Asht mbushun fort kota shqiptare në këto vjetët e fundit. Iş yok.

Mundem me kërkuem si refugjat, edhe tue pasun nënshtetsin e këtushme, por, më duhet me provuem dy elemente: 1. Pamundësin me iu përshtatun rrethinës – e thom për muhit – edhe 2. Nevojën e ngutëshme. Besimi i em islam dhe fakti se un këtu kam mundun me qëndruem prej 30.6.1948 it e këndej, vetiut i çvleftëson këto të dy pika. I kam parashtruem dhe më janë përgjegjun me… nji no!

Me ushtruem imamllëkun dy vjet rresht e me shkuem në xhennet. Këte m’a ka këshilluem dhe konsulli, por, …. ja që he. Këtu imam = lipës dhe shkatrrim ekonomik. Veç kësajë, shoqnija në Fila e ka marrun prapë vendimin e lëshuem mbi personin t’em dhe kan vendosun për nji tjeter. Medis nesh: Jam ne letërkëmbim me Mynirin. Në qoftë se aj do të mundet me u treguem i shkâthtë me disa shokë e me hymë në shoqni dhe me anulluem vendimin e fundit, tue pranuem dhe nji herë nevojën për mue, atehere kam me bamë ç’mos për me iu zhytun imamllëkut dy vjet. Në ket rasë, puna asht e sigurtë.

Ajo e Eisenhoëer-it, në gjendjen e tashme, mue nuk më përfshinë. Për veç qi nuk jam nga ato personalitete, por, si të thash, jam edhe nënshtetas türk.

Të falem nderës. Jam  krejt i sigurtë se po të kishe ndonji gja ne dorë, aspak nuk kursen. Ka dhe nji rrugë tjetër: Me shkuem n’Itali me këto dokumenta dhe mandej m’i hjedhun poshtë e me hymë në ndonji kamp. Si e din edhe vetë, në konditat qi ndodhem un, kjo rrugë më paraqitet e papërshtatëshme. Vetëm, ehh, nuk mundem. Me familje… edhe në ket mënyrë mund të jetë nji aventurë, qi përfundon në nji mizerje të mârrë. Kishte me pasun mundësi me shkuem atje si nënshtetas türk me nji garanci dhe kontratë pune. Ç’farë kontrate pune? A mos jam ndonji specjalist? Edhe kjo nji eventualitet pa shpresë.

Pa të shofim si do t’a gjykojë fati…

Kapidani më pat shkruem se, ka me ardhun me të pamë, po sa të përmirsohet moti. Ia pëlqeva dhe i shkrova. Janë tue u munduem me bamë dritë ndepër terr. Medis nesh: Ka do kohë qi jam ftohun pak prej miqvet, qi janë në Romë. Me gjith ate jam në heshtje. Personalisht Kapidanin e kam nderuem me fjalë e me letra. E kam pasë qortuem nji herë Ndoin me nji letër dhe prej asajë kohe e këndej, të dy, kundrejt njani tjetrit jemi në heshtje. Pata paraqitun nevojën e njijë kleri në gjinin e Komitetit, për elementin mysliman, tue shtuem se, katolikët dhe orthodhoksat, n’Evropë, janë në gjendje me përmbushun nevojat shpirtnore, mbasi Evropa asht botë kristjane. E pata justifikuem pikëpamjen t’eme mjaft mire dhe gjatë. Ndoi më thonte se, Komitetit ia ka bamë ket propozim për tri besimet dhe për myslimanë kishte propozuem Salih Myftiun. Aj e dinte se un due me shkuem në Fila si imam dhe se, për disa pika, ndoshta do t’ishta ma i përshtatshëm. Qëllimi i em ishte qi të baj dy vjet imamllëk pranë Komitetit… e të nisem. Për këte e pata qortuem.

Ky ishte shkaku qi e qortova. Pata të drejtë? I urova martesën, nuk m’u-përgjegj. Tek e mbramja ban edhe pa tâ…. Sa për plakun, nuk due me e lenguem.

Bashkë me t’eme shoqe, Ju falemi me shëndet Ty dhe motrës. E vogla Ju merr dorën.        Të përqafoj me dashuni e nderime.

I yti Tahiri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency