Vjedhja e Bankës/ Sot prokurori dhe grupi i hetimit në burg, marrin në pyetje Dorian Çollakun

0
141

Sonila Mesareja

dorian collaku bshIsh-drejtori i Thesarit do pyetet për destinacionin e parave të vjedhura dhe udhëtimet e shpeshta drejt Greqisë

Sot pritet që prokurori i çështjes, Ramadan Troci dhe grupi i hetuesve të zbarkojnë në paraburgimin 313-të, ku do të merret në pyetje ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku, në departamentin e të cilit janë vjedhura 713 milionë lekë të reja. Për herë të parë pas ndalimit, Çollaku do të merret në pyetje nga vetë prokurori i çështjes, lidhur me detajet më të fundit të hetimit, siç janë lëvizjet e shumta, mbi 30-herë të Çollakut drejt Greqisë, Austrisë apo Italisë, ndërsa disi e çuditshme që gati të njëjtin destinacion ka pasur edhe vartësi i tij Ardian Bitraj, ndonëse më të pakta herët që ka udhëtuar drejt këtij shteti. Nga sistemi TIMS erdhi përgjigja se Çollaku në gjashtë muaj kishte udhëtuar 30 herë, nga të cilat destinacioni më i shpeshtë ka qenë shteti fqinj i Greqisë. Çollaku akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe një nga momentet e marrjes në pyetje do jetë pikërisht edhe shkaku pse u lëshua urdhër-ndalimi për të para se të vetëdorëzohej, pra mungesa e rregullores dhe akteve nënligjore me të cilat duhej të funksiononte Departamenti i Emisionit.

 

Seanca                                                                           

Në seancën e sotme të marrjes në pyetje në ambjentet e paraburgimit 313-të te “Jordan Misja”, momenti më i rëndësishëm do jenë jo shumë rregullat dhe aktet nënligjore sesa destinacioni përfundimtar i parave të vjedhura. Prokuroria dyshon se paratë janë transferuar me rrugë ilegale jashtë shtetit, dhe Çollaku vetëm këtë vit ka pasur 30 hyrje-dalje jashtë Shqipërisë, në Itali dhe Austri, por kryesisht në Greqi, madje është regjistruar në dalje edhe me automjet me targa greke. Herën e fundit që është regjistruar në kufi, ishte në datën 7 korrik kur ka dalë në drejtim të Greqisë. Ndërsa për vitin 2013, Çollaku është regjistruar 14 herë të tjera në kalimin e kufirit. Ndërkohë që nga sistemi TIMS ka rezultuar se edhe Bitraj, ashtu si ai ka qenë në Greqi, por vetëm 3 herë. Dyshimet flasin për transferim të parave jashtë Shqipërisë, në blerje pasurish, hapje llogarish bankare apo dhe humbje në ndonjë nga kazinotë e famshme greke.

 

Dyshimi

Paratë nuk janë vjedhur vetëm nga Ardian Bitraj, ose ai i vetëm nuk i ka shpenzuar ato. Ka pasur bashkëpunëtorë në vjedhje, për t’ia lehtësuar këtë moment dhe për t’i nxjerrë pa problem jashtë bankës, ndërkohë që më pas ato janë ndarë me persona të tjerë. Grupi i hetimit dyshon që Bitraj t’i ketë shpenzuar siç deklaron paratë në kazino, aq më tepër që ai nuk figuron në filmimet e kazinove si klient Vip, siç ndodh rëndon me personat që luajnë shuma të mëdha në lojërat e fatit. Prokuroria dyshon se skemat e vjedhjes janë realizuar brenda 1 viti, ndaj është vënë në gjurmimin e të dyshuarve që kanë dalë jashtë Shqipërisë në 2 vitet e fundit për gjetjen e destinacionit të parave të vjedhura. Në 12 gusht, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, i ka dorëzuar zyrës së prokurorit Troci, listën e familjarëve të afërm të 10 të arrestuarve për skandalin e vjedhjes së Bankës. Prokuroria mësohet se është duke përgatitur një letër-porosi fillimisht për autoritet greke për transfertat apo depozitat e mundshme në bankat e shtetit helen në emër të të arrestuarve apo familjarëve të tyre. Ndërkohë që nga hetimet paraprake rezulton se nga verifikimet e kryera në bankat e nivelit të dytë, nuk janë gjetur llogari kursimesh për të arrestuarit dhe familjarët e tyre në Shqipëri. Të vetmet numra llogarish kanë qenë ato të pagave të personave të dyshuar. Ndërsa ende nuk kanë sjellë përgjigje Zyrat e Hipotekave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve, për pronat në emër të të arrestuarve dhe familjarëve, si dhe automjetet në pronësi të tyre.

 

Skemat

Sipas pohimit të vetë Bitrajt pas arrestimit, janë realizuar 2 skema për vjedhjen e parave. E para ishte vjedhja nga kolitë e importit të kartëmonedhave të reja në lekë që vijnë nga fabrikat në Zvicër. Paratë visheshin dhe zëvendësoheshin me broshura dhe libra. Skema e dytë ishte vjedhja e parave të dëmtuara dhe të vjetra të cilat I nënshtroheshin procedurës së asgjësimin. Të dyja skemat e vjedhjes ishin vënë në zbatim në repartin e Emisionit të Monedhës që gjendet në Linzë. Përveç drejtorit Çollaku dhe Bitrajt, në paraburgim për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës janë edhe Mimoza Bruzi, Petrit Ramohitaj, Liljana Tusha, Lavdim Cani, Myzejen Belba, Dhimitër Davidi, Bashkim Xhilaga dhe Klevis Bejtaj.

 

Mirditë/ Tenton të vrasë prindërit me thikë, pranga adoleshentit 17-vjeçar

E rrit, e ushqen, arsimon, sakrifikon gjithë jetën dhe në fund fëmija të drejton armën apo thikën për të vrarë pse nuk i dhanë para për drogë. Kështu u ka ndodhur edhe një çifti nga Mirdita mesditën e djeshme, të cilët kanë shpëtuar falë ndërhyrjes në kohë të uniformave blu. Policia e Mirditës ka parandaluar ditën e djeshme, një krim të mundshëm brenda familjes, ndërsa ka arrestuar edhe 17-vjeçarin. Mësohet se Ardit K. është arrestuar në flagrancë nga efektivët blu, teksa ka tentuar të godasë me thikë prindërit e tij. Refuzimi i prindërve për t’i dhënë atij para, ka bërë që 17 -vjeçari të rrëmbejë thikën, duke kërcënuar se do ti vriste ata. Ka qenë ndërhyrja e policisë, e cila ka mundësuar parandalimin e krimit në familje. Madje sipas policisë, 17-vjeçari, gjatë momentit të arrestimit, ka kërcënuar edhe punonjësit e policisë. Ndërkohë është sekuestruar edhe thika, në cilësinë e provës materiale. Deri më tani nuk dihen arsyet e konfliktit në familje, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Sarandë/ Përdornin ambjentin për prostitucion, nën hetim dy pronarë hoteli

Pronarët e një lokali në Sarandë kishin menduar t’i nxjerrin ndryshe fitimet këtë verë, jo nga pushues që shfrytëzonin dhomat e hotelit për pushime, por nga klientë që përdornin dhoma për qejf me tri prostituta. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se strukturat e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Shkëndija”, ndërsa bënë të mundur arrestimin në flagrancë të katër shtetasve dhe hetimin në gjendje të lirë të një tjetri; përkatësisht Kostaq Gjini, 38 vjeç, banues në Sarandë, bashkëpronar i hotelit “Korali” në Sarandë, i cili organizonte dhe drejtonte veprimtarinë e prostitucionit; N. Sulejmani, 49 vjeçe, lindur në Skrapar dhe banuese në Sarandë, e dënuar më parë për “Ushtrim prostitucioni”; L. Tahiri, 29 vjeçe, banuese në Sarandë; B. Novaku, 20 vjeçe,  banuese në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë K. GJ., 68 vjeçe, bashkëpronare e hotelit ku ushtrohej prostitucioni. Policia e qytetit bregdetar bën me dije se arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi ushtronin veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit në hotel “Korali” në qytetin e Sarandës. Shtetasi Kostaq Gjini, sipas policisë, kishte ngritur një rrjet të ushtrimit të prostitucionit në hotelin në pronësi të tij, duke u siguruar klientë shtetaseve të arrestuara. Arrestimet u kryen për veprat penale “Shfrytëzim  prostitucioni”, “Ushtrim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” .  Në përfundim të operacionit, policia bën me dije se vazhdon puna për goditjen dhe dokumentimin edhe të rasteve të tjera.

 

Krujë/ Asgjësohen 1 mijë rrënjë kanabis

Rreth 1000 mijë lënë narkotike e llojit kanabis sativa janë asgjësuar nga efektivat e policisë. Në një operacion ku morën pjesë 40 efektivë të Drejtorisë së Policisë Durrës, Komisariatit të policisë Krujë dhe FNSH-së, në fshatin Kurcaj dhe në fshatin Barkanesh janë gjetur 43 parcela të mbjella me 9950 bimë narkotike kanabis sativa. Sipas policisë bima narkotike ishte me një lartësi nga  50 deri në 200 cm, ndërsa u asgjësua me djegie. Policia po punon për identifikimin e autorëve.

 

Durrës/ Në mes të ditës, vetëvaret në hekurat e stadiumit 50-vjeçari

Ka gjetur një mënyrë shumë të dhimbshme për t’i dhënë fund jetës. Është vetëvarur në mes të ditës në hekurat rrethues të stadiumit të qytetit. Një person i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike në qytetin bregdetar të Durrësit. Mësohet se personi i seksit mashkull, rreth 50-vjeç është vetëvarur në hekurat rrethuese të stadiumit të këtij qyteti. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e viktimës, si dhe për zbardhjen e shkaqeve që e shtynë të kryente krimin e rëndë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency