Standard.al

Hyn në fuqi ligji/ Dënimet deri në dy vjet, sa paguhet për të dalë nga burgu

Florenc Drizari

burgimPublikohen ndryshimet për rritjen e dënimeve në veprimtari terrorites, vjedhje të energjisë, drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt dhe shitja e paautorizuar e kartave SIM

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal do të bëjnë të mundur që të gjithë ata të dënuar deri në dy vjet burgim, të lënë qelitë në sajë të pagesës. Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare ndryshimet në Kod me shumicë të cilësuar votash, ndërsa propozimet  e bëra nga një grup deputetës qëndrojnë në zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit. Më konkretisht pas nenit 53 të Kodit Penal shtohet neni 53/a, që përcakton seGjykata, në rastet kur parashikohet shprehimisht nga dispozita, kur çmon që vepra penale dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe kur cakton një dënim gjer në dy vjet burgim, mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë.Ky zëvendësim mund të vendoset kur është kërkuar nga autori i veprës penale.

“Në rast se shuma e të hollave e vendosur nga gjykata nuk paguhet brenda 10 ditëve nga momenti që vendimi merr formë të prerë, me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendos revokimin e vendimit për zëvendësimin e dënimit me burgim.”,-thuhet në ndryshimin e miratuar, i cili pritet të marri formën e prerë pas 15 ditësh. Ndër argumentet e mbështetura nga ligjvënësit e majtë gjatë paraqitjes së propozimeve për ndryshimet në Kodin Penal, ishin se kjo procedurë ndiqet edhe në shumë vende të tjera dhe se pritet të lehtësojë mbipopullimin në burgjet shqiptare, për ato kategori dënimesh që nuk përbëjnë rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Në pranverën e këtij viti ligjvënësit miratuan edhe amnistinë që parashikonte faljen e dënimeve deri në tri vjet. Pas miratimit të amnistisë pati debate mes pozitës dhe opozitës për faljen e dënimit për vjedhjen e votës. Opozita kërkoi rishikimin e amnistisë në këtë pikë, ndërkohë që mazhoranca i rrëzoi propozimet e pakicës me argumentet se ato duhet të ishin bërë në kohë e jo pasi ishin miratuar ndryshimet në seancë plenare. Opozita paraqiti edhe  disa amendamente për këtë çështje, por që nuk u miratuan në fund të sesionit të shkuar.

 

Vjedhja e energjisë

Ndryshimet e miratuara sëfundmi nga shumica parlamentare në Kodin Penal, kanë të bëjnë edhe me dënimin me burg për vjedhjen e energjisë elektrike si dhe të impulseve telefonike.

Neni 137 i Kodit Penal ndryshohet duke parashikuar se “vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik ose rrjetin telefonik, e kryer me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike ose të rrjetit të shërbimit telefonik, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.

 

 Rriten dënimet me burg për pjesëmarrjen  në veprime luftarake në një shtet të huaj

 “Neni 265/a

Pjesëmarrja në formacione luftarake, organizata ushtarake ose paraushtarake në një konflikt të armatosur qëzhvillohet në territorin e një shteti të huaj ose pjesëmarrja në çdo lloj trajnimi të zhvilluar nga këto struktura, pa qenë shtetas në shtetin e huaj, pa qenë pjesëtar i forcave të armatosura të njërës prej palëve në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të forcave të armatosura të një shteti që nuk është palë në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të një organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.Kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 265/b

Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huajNxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, vënia në dispozicion e pajisjeve, krijimi ose përdorimi i fondeve ose mjeteve të tjera për financimin, mbështetjen materiale të personave, në çdo lloj forme dhe mënyre, për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 265/c

Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huajThirrja në mënyrë publike me çdo lloj forme, mjeti dhe mënyre për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a ose 265/b, dënohet me burgim deri në tre vjet.”.

 

“Neni 291 Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt

Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet.Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit.”.

 

 “Neni 293/d

Shitja e paautorizuar e kartave SIM. Shkelja e rregullave të caktuara për shpërndarjen, shitjen dhe pajisjen me produkte/karta SIM përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në gjashtë muaj.

 

Reforma territoriale sërish në Kuvend, sot konsulta me vendorët

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet të zhvillojë të mërkurën një takim me përfaqësues të pushtetit vendor, ndërkohë që burime nga presidenca theksojnë ndarja e re territoriale pritet të kthehet në Kuvend nga kreu i shtetit. Dy ditë më parë presidenti Nishani ka thënë se është duke e ndjekur në vazhdimësi këtë çështje, ndërkohë që ka theksuar se ka marrë shqetësime nga shumë përfaqësues të pushtetit vendor lidhur me vendimin e mazhorancës për të miratuar ndarjen e re administrativo-territoriale me 61 bashki.

Mësohet se në qendër të takimit mes kreut të shtetit dhe vendorëve do të jetë ligjin për reformën administrativo-territoriale, ligji i cili u miratua me 88 voto pro në seancën e fundit plenare për këtë sesion, më datën 31 korrik. Miratimi i këtij projektligji hasi debate të mëdha mes palëve politike dhe u votua pa praninë e opozitës në Kuvend. Kësaj reforme iu bashkua në mbyllje të procesit edhe PDIU, e cila bashkoi votat me mazhorancën. Kjo solli edhe “përcarje” mes PS-së dhe PBDNJ-së, kreu i së cilës Vangjel Dule, deklaroi se miratimi i reformës pa marrë parasysh propozimet e minoritetit, e largon këtë forcë politike nga koalicioni. Në seancën ë fundit plenare pati edhe replika të forta mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, pikërisht për ndarjen e re administrativo-territoriale si dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.

Comments are closed.