Standard.al

Aksidenti në Martanesh/ Shembet masivi shkëmbor në një galeri kromi, humbin jetën dy minatorë

Sonila Mesareja

martanesh galeriPolicia shoqëron dy drejtuesit teknik, Ministria e Energjisë verifikon lejen minerare. Grupe pune në minierë për hetimin e shkaqeve, në dy vjet 11 të vdekur dhe 9 të gjymtuar në minierat e Bulqizës dhe Martaneshit

Minierat në vend vazhdojnë të marrin jetë minatorësh apo dhe personash që nuk janë punonjës por në ato që janë mbyllur shkojnë për skrap. Mëngjesin e djeshëm, dy minatorë humbën jetën në minierën e kromit të Batrës së Martaneshit, një minierë e licensuar dhe privatizuar. Një masiv shkëmbor është shembur dhe për pasojë kanë mbetur nën rrënoja minatorët Xhemal Sela dhe Donald Barçi, të cilët janë nxjerrë të pajetë nga galeritë e nëntokës vetëm pas 3 orësh përpjekje. Kjo galeri mësohet se shfrytëzohej nga një firmë private dhe dy viktimat nuk kishin shumë kohë që ishin punësuar, njëri si minator dhe tjetri si vagonist. Drejt vendit të ngjarjes, përveç policisë, janë nisur grupe hetimi nga Ministria e Energjisë dhe Inspektoriati Shtetëror i Punës për të hetuar shkaqet e shembjes dhe kushtet në të cilat punonin minatorët.

 

Ngjarja

Ngjarja e rëndë në minierën kromit të Batrës në Martanesh, në zonën e Fushë Lopës, ndodhi rreth orës 09.30 të mëngjesit të djeshëm. Sipas policisë, viktimat janë minatori Xhemal Sela, 53 vjeç, baba i pesë fëmijëve dhe vagonisti Donald Barçi 35 vjeç, që të dy nga Komsia e Burrelit. Dy minatorët humbën jetën teksa punonin brenda në galeri. Nuk ka zgjatur shumë kur nga tavani i galerisë është shkëputur një masiv shkëmbor duke zënë poshtë dy minatorë, të cilëve u ka shkaktuar vdekjen e menjëherëshme. Trupat e pajetë u nxorën vetëm pas tre orë përpjekjesh nga galeria e vdekjes. Sipas burimeve, Xhemal Sela babai i pesë fëmijëve dhe Donald Barçi, baba i një djali, nuk kishin shumë kohë të punësuar në minierën e kromit, e cila shfrytëzohej nga një firmë private. Për fatin e tyre të keq, mëngjesin e djeshëm ata humbën jetën për të mos u kthyer më pranë familjeve të gjallë, duke lënë jetimë fëmijët. Minatori 53- vjeçar dhe vagonisti 35 vjeç, po ngarkonin kromin në thellësi të minieres, kur një shkëmb i zuri poshtë. Vetëm fati i ka shpëtuar pesë kolegët e tyre, të cilët dhanë alarmin për t’u ardhur në ndihmë shokëve, por pa mundur t’i nxjerrin të gjallë. Nga Tirana u nis një grup nga Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave për në vendin ku ndodhi tragjedia, që të ndihmonte në nxjerrjen e trupave të dy viktimave. Zyrtarisht ende nuk ka një version përfundimtar mbi shkaqet e ngjarjes, por që në shumicën e rasteve, në aksidente të tilla të ndodhura më parë, ka rezultuar, se shkak është mungesa e kushteve të sigurisë. Miniera ku ndodhi ngjarja e djeshme ka ekzistuar që në kohën e monizmit. Tani ajo është privatizuar dhe liçensuar.

 

Precedentët

Në dy vite rezulton të kenë humbur jetën 11 persona dhe nëntë të jenë gjymtuar. Ky është bilanci tragjik i humbjeve të jetës në galeritë e vdekjes dhe të pakontrolluara në minierat tona të nxjerrjes së kromit, përkatësisht në zonat e Bulqizës dhe Martaneshit ku që prej 18 tetorit 2011 deri më 19 gusht 2014, rezultojnë 11 minatorë të vdekur dhe 9 të plagosur. Më 18 tetor 2011, shpërthimi i gazit do t’i merrte jetën minatorit Naim Bytyçi dhe do të plagoste rëndë 8-të të tjerë. Pa kaluar një muaj, më 11 nëntor Fetah Shehu minatori 55 vjeç do të humbte jetën në minierat e Bulqizës në thellësinë e 200 metrave në galerinë nr.66. Viti 2012 do të sillte sërish viktima ku në qershor 2012 do të humbte jetën Dilaver Koçi dhe më 10 Gusht një tjetër minator 63 vjeçar do të zihej poshtë nga një masiv shkëmbor. Bilanci i viktimave do të shtohej sërish ku më 30 gusht Abdulla Hoti do humbte jetën, për t’u pasuar nga një tjetër minator i vdekur më 27 shtator me humbjen e jetës së 23-vjeçarit Bashkim Mema. E njëjta situatë me aksidente dhe vdekje minatorësh do të vazhdonte dhe në vitin 2013, ku vdekja e minatorit Bujar Suroqi do të çonte në pranga dhe tre persona pasi në atë kohë aksidenti do të rezultonte si mos respektim i kushteve të sigurisë teknike në punë. Ditët e para të vitit 2014 do të sillnin një tjetër viktimë e këtë herë minatori Kujtim Liçi 42 vjeç do të humbte jetën, paçka sjelljes në tiranë të tij me helikopter. Më 29 maj të këtij viti, Shkëlqim Pisli do të ndërronte jetë në minierën e Curjes në Mat. Ndërkohë që vetëm në fund të muajit korrik të këtij viti, një tunel u shemb në hidrocentralin e Qafë Mollës, në Rrëshen, duke u shkaktuar vdekjen 3 punëtorëve, 2 shqiptarë dhe një turk.

 

Policia shoqëron drejtuesit teknikë

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në morgun e spitalit të Bulqizës për ekspertizë mjeko-ligjore. Ndërkohë burime nga policia bëjnë me dije se për këtë ngjarje janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë Bulqizë, drejtuesit teknikë dhe minatorët që punonin në këtë galeri, shokë të viktimave, për t’u marrë në pyetje rreth kësaj ngjarje.

 

Ministria e Energjisë/ Ngushëllime familjarëve, grupe pune për hetimin e çështjes

Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Energjisë dhe Industrisë shprehu dje pikëllim për ngjarjen e ndodhur në orët e mëngjesit në minierën e kromit në Fushë Lopë të Martaneshit, ku humbën jetën dy minatorë. “Ministria gjen rastin t’u shprehë ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe të afërmëve të tyre për këtë ngjarje tragjike. Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se me të marrë njoftim, drejt vendit të ngjarjes janë nisur grupet e posaçme të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave ndërsa paralelisht, grupet e tjera të ndihmës që ndodheshin në zonë kanë ndërhyrë për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të dy viktimave”. Sipas këtij institucioni, ngjarja ka ndodhur në minierën e kromit, në galerinë nr.7 të objektit Fushë Lopë, ku operon subjekti “Alba-Co”, me lejen nr.548, datë 06.04.2000. Pas nxjerrjes së viktimave nga galeritë, drejtuesit e Repartit të Inspektim, Shpëtim, Minierave po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja. Ministria ka nënvizuar në deklaratë se do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e kritereve të sigurisë në punë nga ana e subjekteve të licencuara në fushën minerare. Nga kontrollet e ushtruara deri më sot janë pezulluar dhe revokuar mbi 160 leje minerare për të cilat është konstatuar mospërmbushje e detyrimeve ligjore.

 

Comments are closed.