Letra e 1952/ Rrëzimi i diktaturës, si përçau Abaz Kupi komitetin në emigrim, Blokun me Legalitetin

0

abaz kupi me mithat frasherinKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është  një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim

 Një ndër letërkëmbimet më të gjata të vëllimit është ai me Tahir Kolgjinin, me të cilin e lidhte një bashkëpunim  gjatë kohës së luftës e një respekt i veçantë i ndërsjelltë, edhe se si moshë i ndanin rreth 16 vjet. Tahir Kolgjini ishte shkolluar në Stamboll për teologji. Por veprimtaria e tij, ashtu sikurse dhe ajo e M.Krujës, kishte filluar në rolin e mësuesit në krahinën e tij, në Lumën, ku kishte lindur më 1903, në fshatin Lusen. Më tutje ai emërohet si sekretar i Gjykatës, më parë në Himarë (1928) e më pas në Kukës (1929), ku merr edhe drejtimin e Bashkisë (1939). Gjatë luftës, kur M.Kruja ishte Kryeministër, e emëroi T.Kolgjinin si prefekt të Gjirokastrës. Ishte një njeri shumë i mprehtë e që i kishte idetë e qarta. Me Krujën ndante idenë se rreziku i vërtetë i Shqipërisë nuk ishte pushtimi italian, i cili ishte një dukuri e lidhur me luftën dhe kohëzgjatjen e saj, por lëvizja nac.-çl., jo thjesht si ide, por si një sendërtim në bazë të parimeve të komunizmit e t’organizuar nga “shkjetë”, armiqtë natyrorë të shqiptarëvet. Në ardhjen e mundëshme të komunistëve në pushtet në fundin e luftës, ata shihnin një rrezik të madh për Shqipërinë e bashkuar, që ishte realizimi i idealit të themeluesve të Pavarësisë.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Istanbul, me 31.5.1952

 I dashtuni Mustafë,

Në një kohë, kuër isha tue qartue vedin, pse nuk t’isha përgjegjë, për sá i përket letrës së fundit, të cillën e pata marrë në Romë, mbeta i habitun perpara njijë zarfe me dorëshkrimin t’ând e pá pulla. Nji kartë – vizitë e pruësit, nji letër me diçka mbrenda e në mes të tyne edhe nji tëllësëm, qi m’a sjell menden rrotull: “a thue mos paska ardhë Mustafa në Stamboll?”. Me nji herë e hapa letrën. Këndo e këndo!….

Ah!… Më ká marrë malli shum, more i dashtun. Shka t’i bâjmë kësaj bote, qi na bâni me vuëjtë tepër. Dashtë Zoti e u – pafshim dhe u – përqafshim edhe njiherë.

Shkova e e vizitova Lutfín. Sa njeri i urtë, sá zotni…deri në palcë. Më ká pritë shum mirë; më ká ftue, qi të ve shpesh; e, m’u-lut, qi t’a konsideroj si Mustafën. Ju falenderova; dhe, pá pasë nevojë m’u-zgjatë mâ tepër, i thash se, nuk do të mungoj me e mbajtun nji konsideratë të tillë.

Tŷ, të falenderoj nga zêmra, qi më ké dhânë nji mik të mirë, dhe, qi më ké kujtue prej së largu. Âsht detyra e eme për mos me të lânë të gabuëm në kët paraqitje, sikurse ká qenë përherë edhe në punët e tjera.

Këtheva në Stamboll më 13.5.1952. N’Itali, u – pashë me të gjithë shqiptarët, qi janë në Romë, pá dallim besimi e krahine. Diskutime e polemikë, sá të duësh. Mâ në fund, gjithkushi mendimin e vet. Ndêjta me ′ta veç e veç; biseduëm në forma kolektive; u-përpoqa me e kërkue detin me shkop. Ndonji herë lëshojmë kualt ndepër varresë. Ndonjiherë shtruëm  e fjetëm në tokë. Mâ në fund, munda me e cillsue mirë gjendjen: Puna do të zgjatet. Gjâ konkrete nuk ká. Këto, qi bahen, janë vetëm për selb-i-hûzûr. Asht krijue njifarë distance medis Blokut e Legalitetit, nga sjellja e Bazit me shokë. Bashkimin e kan në dorë shqiptarët; ata, po të duën, nuk i pengon kush. Nji atmosferë esrar-engíz nga Veriu i Shqipnís. Ku dëshrohet me dalë?-….

Te Bazi isha në drekë. Shkova 4-5 herë. Kështu edhe me parësi e vogjelin tjetër. Vasil Andonit i dhash drejtimin t’ând dhe i thash: âsht nderë për Jû, qi gazeta e Juëj t’i shkojë njijë njeriu si M. Kruja. Ká me t’a çue. Ká me t’ardhë edhe nji fletore “Vardar”, qi del n’Istanbul.

Miqt, të kan përmêndë shpesh dhe me mallëngjim. Shumkâhin e ká marrë malli. Ndoit mos ia ve veshin, se me nji anë ká shum punë e m’anë tjetër, nuk âsht i krijuëm për me e zavendësue Markun. Duhej t’ishte pak mâ i shkathtë. Po në përfundim, âsht mâ tepër pozitiv. Besa, edhe po punojnë mjaft. U – âsht hapë lâma me korrespondencë, me politikë, e, edhe me halle të tjera. Do të më thuësh: – A s’ká kohë me shkrue edhe nji letër? – Ká, ká xhanëm, por… gjithkush nuk mund të jetë i përpikët.

Më kan pritë mjaft mirë. N’Itali mora përfaqsime për: cotonate, maçhine lavabiancherie, maçhine maglierie, machine lavaggio a seço, maçhine smerigliatrice e levigatrice dhe erdha këtu. Të shofim, këtu, a do të jetë e mundun me bâ ndonji kombinezan?

Më ké dëshprue për lajmin, qi më ké dhanë mbi vëllaznit. Zoti i pastë në dorë të sigurtë. S’kam se ç’thom. U-lodhëm, tue ngushullue njani tjetrin në kët perjodë fat-keqe për né. Të mijtë janë gjallë. Më pyetët mendimin për m’i tërhjekun në Jugosllavi. Nuk dijë me dhânë vendim. Atje në Jugosllavi ç’mund të bâjnë? Vallë i lejojnë me ardhë në Turqi? Po këtu, në rasë të njijë katastrofe, ku i çoj? Për tash, u-jam pergjegjë, le të rrijnë aty ku janë. Po Ti si kishe me më këshillue?

Këtu mirë janë. Me punë, fort hollë. Paçim shendetin. Po pres, mbassi të shkojsh n’Amerikë, atje të bisedojsh me Agimin e me Munirin, a mos më hapet ndonji rrugë e sigurtë. Edhe vjehrra prej Austrije ká shkue në Detroit Michigan; dhe po na këshillon, qi të vemi atje. U-bâmë si gabelt, me rraqe n’krah.

*          *          *

Me merditas, e bisedova fjalën “m’u-penarue”. Do me thânë: m’e lëshue takati; me rá nga forca; mos me qenë në gjendje fizike me bâ gjâ; me rá plogët; m’e lëshue (njerin) damarët, m’u-ngathë. Un prap them se, pse e mârr prej pê-nit, pênár, pênarue.

*          *          *

Në Prizren na paska dalë nji fletore shqip, me emnin “Flamuri i Lirís”. Këshillon e predikon bashkimin e vëllaznimin kundra E. Hoxhës. Emigrantat atje po mbahen mirë. Hyejnë e dalín shpesh. Gjêndja po shkon drejt përmirsimit. Me hangër e me pí kan.

Në këto të dy muëjt e fundit, në Shqipní janë arrestue 500 vetë; kokrra të zgjedhuna. Natyrisht si mas preventive. Janë prej çdo krahine.

*          *          *

Tjetër nuk kam. Nga të gjithë na të fala e nderime. Të marrim dorën. Motrës shum të fala.

 

Të perqafoj

I yti Tahiri

 

Izmir, me 29.9.1952

I dashtuni Mustafe,

Si po e shef, ndodhem këtu n’Izmir. Kam ardhë qysh në fillim të panajirit, me 20 gusht. Punoj me shperblim te permuejshëm. Tash, ia ka nise me m’u-hollue gjendja, por moralisht jam i fortë dhe per mos me ra ma tepër, i kam thane shpirtit t’em: A po del a te dal. Me vjen keq vetëm për nji pune, se, si po me pergedhele edhe Ti, pata njifarë stofi te mire – jo bash extra, simbas pershkrimit t’and –, por, nuk u-ndodha i pergaditun, sa duhet, per kohen e soçme. E tash, po e kam veshtire m’u-lakue, simbas nevojes. Ka ma teper se nji jave, qi ka mbarue panajiri, por, nuk kam kethye n’Istanbul. Nuk do të kethej, pse do të nisem per vendet e ndryshme t’Anadollit me nji maqine te shoqnis, me të cillen punoj dhe do te vazhdoj me shite mall. Do te kem 10 per qind te fitimit te grosistit. Kam shprese se del diçka.

Letren t’ande e pata marre ketu, para shum kohesh, dhe pergjegjen e vonova, tue mendue, se kam me t’u-pergjegje nga Stamolli. Tash, si luejti puna, po te shkruej prej ketuhit. Veç po te njoftoj, se, jam pak me ethe. Jam ftofe qe dy jave. Jam edhe deshprue tepër, mbrame, pse mora nji leter prej kushrinit t’em në Prizren, ku me njoftonte, se, baben e kishem ne shtrat te vdekjes dhe gjendja ekonomike e femijvet ishte mjaft e keqe, mbasi kishte mbajte thate sivjet dhe nuk kishin ba buke. Nuk ka mbete me thane tjeter veç se: Zoti asht i madh.

Tash, po vijme ne permbajtjen e letres t’ande:

Te falem nderes për bileten. Kondita e vueme prej teje me nenvizim, ne qofte, se, un udhtoj me familje, asht krejt me vend. Udhtimi, vetem, nuk ka kuptim të plote. Në rase se un do t’udhtoj vetem, nuk kam me qene i shtrenguem me t’u-randue, as ty as tjeter kuej, se, jane ata te Philadephia-s, qi paguejne. Vetem jam ne kujdes, se, ne fluturofsh Ti para meje, kush me m’e permbushe ket nevoje?

Per pjesen ma te randesishme te letres t’ande, ate e kemi bisedue edhe ne Shkoder edhe n’Itali, si ne Bologna ashtu dhe ne Rome. Gjithashtu me hollsina me ke pase tregue bashkefjalimin me Ihsan Toptanin. Nuk kemi pase ndonji mosmarrveshtje, se, fundi’i fundit, une e dije mire ate parimin arabisht, i cilli thote: Kema tekyny juve’la alejkum. Tue studjue realitetin e brumit t’one, pa tjeter, duhet te mberrihet n’ate perfundim. Veçse, me ndjeke ket udhe, do me thane me sakrifikue, ne krahasim me konditat e kohes. Ata, qi sakrifikojne kan te drejte me pase ne dore nji arme te forte morale, por me mbeshtete neser pretendimet e tyne. E, kjo arme kishte me qene nji punim i vazhdueshem e serjoz, i dukshem edhe ne sy te publikut, se, ky nuk mberrijne me dijte e me çmue ato pune, qi bahen ndepermjet kanalesh te nalta. Nji punim. f.v. si nji reviste e bukur e permuejshme, e cilla te flase mbi vendet e robnueme shqiptare e tjera dhe te jet’e denje per t’u-lexue, te pakten, ne nji pjese te qarqevet te nalta. Nuk mbushin hesape as vardar-i as te tjerat kesodore. Ky asht mendimi i em. Te mos i thuhet atije tjetrit, se, ti nuk meriton ndryshe, veç se, qe keshtu. Na te shkretët kemi sakrifikue mjaft dhe po sakrifikojme deri ne vdekje. A mos jemi te penduem pse kemi sakrifikue? Aspak. Aspak, pse kemi në dore nji varg argumentash pozitive, sa qi edhe ma i madhi kundreshtar, ne fund, detyrohet me hjeke kapellen. Pra, kesi argumentash duhet te kemi edhe ne kohen e ardheshme, per sa i perket objektit ne bisedim. E, keto nuk duhen kursye, kuer asht mundesija dhe elementi. Me gjithe kete, jam d’akord. Keto te mijat jane deshira, nuk jane kondita.

Kuer ka hy ne konflikt Avni Deralla me tjeret, un kam ndodhe n’Itali, prandej nuk duhet t’a marresh heshtjen t’eme si nji ometim, tue te mos shkrue me kohe.

Xhaferi, qysh në marc, ka pasë ardhë në Romë. I pat zanë nji shpi Bazi, tue i pasë sigurue banimin dhe haen. Besoj se, dhe miqt e tij në Blok kan me e ndihmue ndopak. Asht mirë me shendet. Për fëmijtë lajmet i ka të trubullta.

Për (Abetar’i Të Merguemit), të lumtë, se, ka qenë shum i nevojshem. Këtu në Turqi, po t’ishem un këtu, shitja kishte me u ba e konsiderueshme si hediyyelik, por, nuk po dije se si ka me m’ardhë puna. Do t’ishte mirë, qi t’i bajsh nji shtesë në fund, tue krahasue shkrojat shqipe me ato turqisht, f.v.si y-j, c-xh, j-zh, ü-y, s-sh, ğ-gj, e tjera, tue shtue edhe dh, th, q, ll, rr. Qi nuk janë në turqishte. Ky asht ma i nevojshëm për shqiptarët, qi ndodhen këtu e qi po shkrihen dita ditës. Në këto kohët e fundit, ia kan fillue pak, qi të përmblidhen. Gratis nuk ia ap askuejt, se s’asht nevoja. Pra, çom prej 100-200 copa me postën e par, qi t’i shes me çmimin hediyyelik. Nuk jam në gjendje me e parapa se deri ku mund të mbërrijë shuma. Po të ndiqet serjozisht, shkon në mija e në mija copa, e, po s’u-ndoq, … . Lama asht e gjanë.

Për Kiazimin, të më falish, se, pernjimend e paskem ometue punën e tijë. Patën hy shum sende tjera ndërmjet. Tash, për fat të keq, mbasi e ka ndërrue shpin, nuk ia dijë drejtimin. Kam me të shkrue, kuer të këthehen n’Istanbul, tue të çue edhe enqiklopedinë, qi i perket Arnavutluk-ut.

*          *          *

Tash, po vij ku më dhemb dhambi mue. Shoqnija Muslimane Shqiptare e Phila-s ka marrë nji vendim dhe më ka pranue si imam i xhamise, qi ajo ka ndërtue. I ka shkrue Imamit shqiptar, në Detroit, Z. Vehbi Ismail-it, qi të ndërmjetoje pranë departamentit të shtetit për lejimin t’em me fëmijë, qi të hyej në Shtetet e Bashkueme. Aj kërkon nji certifikatë prej njij autoriteti fetar, certifikatë, e cilla të vërtetojë, se, un kam shërbye dy vjet si imam dhe predikues. Un, me të vërtetë e kam pasë krye ket detyrë në Lumë ma tepër se dy vjet, e ma vonë hyna në tjera rraqe, po, nji certifikatë të tillë nuk mund t’a shtijë në dorë, për deri sa në Shqipni të vazhdoje gjendja e soçme. Imami në fjalë asht i bindun si për zotsinë ashtu edhe për cillsinat e mija të mira. Për ket certifikatë nuk me mbetet gja tjetër, veç se me iu drejtue Z. Salih Myftisë, të cillit nuk i dije as drejtimin, pse më ka mbetë në nji defterë në Stamoll. Pra, të lutem, qi t’a shkruejsh nji certifikatë ne maqinë dhe, tue i komunikue Salih Efendiut nderimet dhe lutjet e mija, të ndërmjetojsh për t’u-nënshkrue prej Tijë si ish kryemyftiu i Zonës së Shkodrës. Nënshkrimi do të legalizohet prej Konsulatës Shqiptare aty dhe certifikata më dërgohet, mundësisht me shpejti, mbasi mund të ndryshojë puna, se ka dhe tjerë kandidat. Kjo për mue asht vitale.

Certifikata, afërsisht, duhet të jetë kështu:

(Un, Salih Myftija, Ish kryemyftiu i Zonës së Shkodrës, vërtetoj, se, z. Tahir Kolgjini, në kohë dhe në vende te ndryshme të Shqipnis, ma tepër se dy vjet ka ushtrue detyrën e imamit dhe të predikuesit dhe se asht i aftë për nji detyrë të tillë.). Salih Efendiu e din se, un e nxjerr faqe-bardhë.

Tjetër nuk kam. Më lodhi kjo maqinë, qi asht e posaçueme për turqisht e qi po e përdorij për të parën herë.

Të përqafoj.

I yti Tahiri

 

Istanbul, me 1.XI.1952

Fort i dashuni Mustafë,

Prej datës 19.8.1952,  jam ndodhë jashta Stamollit. Pardje erdha. Dje u-pashë me Avni Derrallën, ku më dorzoi dhe letrën t’ânde. Mandej, simbas njije letre, qi paska mârrë, më njoftoi lajmin e keq, se, Ti paske pasë qenë sëmunde; paske pasë shkue në nji spital në Kairo; mandej qenke përmirsue dhe do t’u-kethyëke shpejt n’Aleksandrí. M’erdh keq, qi je smun e, m’erdh mirë dhe u-gëzova tepër, qi qenke përmirsue. Paska ndodhë nji ndërpremje në punimet e tua. Por, mos luëj fort me këso smundjesh, sidomos në kët kohë, qi po afrohet stina e dimnit.

Vardari për mungesë të hollash, pushoi njiherë. Prá, …. nuk do t’a kemi fatin me e lexue njânën nga fletoret, qi nxjerrin shqiptarët. A proposito, po due me të pyet: Ti a iu mban kopje, përherë, aktevet e shkresavet qi kan ndonji randësi, qoftë edhe rrelative?

Të falenderoj, qi më ké kujtue me letrën, të cillën ia ké dhanë Avni Beut. Âsht i ambël Avniu, po un, si mâ i vjetër në moshë, e qortoj ndonjiherë, pse nuk e ndjek rrugën e mesme. O rrudhet tepër në bisedime, ase ndonji herë, shkllahet aq tepër, sá nuk i ká hije. Me gjith’ate, duhemi fort me njani tjetrin.

Mustafë, orë vëlla,

Prâmë, mora nji telegram prej Munir Tërshanës. Më thotë kështu: “Sod, Ju kemi dergue (Jû) drejt për së drejti, të tâna dokumentat e nevojshme për vizitën t’Uëj – Tërshana.”. Prá, si duket, un po nisem shpejt për Philadelphia. Ata kan ngarkue nji advokat atje për rregullimin e formalitetevet të mija dhe âsht veprue në sistemin oksidental. Kuër të mârr vizën kam me të njoftue.

Ká kohë, qi me miqt e tjerë, korrespondencën e kam lânë mbasdore, prej hallevet, qi të shpjegova (mbas këndej kam me perdorë: tfillova). Sod, do t’iu shkruëj disavet.

Më pate pyët se si m’u dukën telegramat? Me gjithë këtë, nuk kemi hesapë me shëkue gabimet e kohës së kalueme, se, shkon parmenda thellë. Mandej disá janë riaftesue me punë e me sakrifica dhe me qendrimin pajtimdashës të vjetvet të fundit. Jemi nji komb i ri në jetën politike. Mandej, kështu mâ ká qenë gjerarkija e vendit t’onë. Po unë jam pesimist për t’ardhëshmen.

Nga Izmiri t’a kam pasë çue nji letër, po nuk e dijë a të ká rá në dorë.

Prej shpije në Lumë, nuk kam letër. Prej Jugosllavije kam lajme. Belgradi, si duket, âsht tue u-trembun nga pakicat shqiptare dhe âsht pendue edhe për ato të drejta, qi ia ká pasë dhânë. Prandej, në kohën e fundit, ká fillue me ia paksue, f.v. në formalitete zyrtare, shqipja po synohet m’u mnjanue. Në tabela rrugësh, fjala “Rruga” âsht hjekë. Tash vetëm “ulica” po përdoret. Populli këshillohet drejt për së drejti ase tërthorazi me i çue fëmijtë në shkolla turqisht. Po edhe kjo nuk më trembë, se rrâjët u-hodhën.

Të gjithë të marrin dorën. Motrës shum të fala. Të përqafoj.

I yti Tahiri

 

 

Istanbul, me 14.12.1952

I dashtuni Mustafë,

Herën e parë, kuër këtheva nga Anadolli, Avni Derralla, me nji ânë më dorzoi letrën t’ânde, e, m’ânë tjetër, më njoftoi, se, simbas njâje letre, qi kishte mârrun prej Hysejn Selmanit, kishe qenë smût, porse, ishe nisun drejt përmirsimit. Atëhere, të pata shkruëm. Mbas do kohësh, mora prej T’eje, letrën, së cillën ia ké diktue motrës. Në fillim, u-tremba, por, mâ vonë, aty kah fundi, më jepshe fjalën, se, do të më shkruëjshe, mâ gjatë, me daktilo.

Me të thânë të drejtën, mirzitem shum, kuër Ti dërmitesh, por, mbassi nuk kam gjâ në dorë… Prá, po të paraqes urimet e mija mâ të përzêmërta për shëndetin t’ând të plotë. Tash, sigurisht, do të jesh mâ mirë, se, ashtu më thotë dhe Muniri në nji letër. Mushkënija e zezë dhe puçrra në stomak, po qe se janë të réja, mund të përballohen, sidomos prej téje, qi je njieri përpikët e në gjendje me e frenue vedin. E ké dhe motrën përânë, aso motre, qi mundet, mâ së mirë, me t’a mbajtun moralin nâlt e me të limue e qetsue në ditët e zeza, si ato, qi i ké kalue me mundje. Asajë i falem me shëndet dhe e përgëzoj për sjelljet njerzore në përgjithsí e në mënyrë të veçantë ndaj Teje.

Të falem nderës për certifikatën e dergueme të Zotni Salih Myftís. Të lutem, qi, dhe Salih Efendiut t’ia njoftojsh falenderimet e mija të posaçme bashkë me nderimet e mija mâ të thella.

Gjithashtu të falem nderës për çmimin, qi më ké dhânë me rasën e botimit të studimit mbi Dynastín e Kastrijotve. Aaa! Ç’iu ké dhânë një mësim të pikatun. E i ké fërkue brínat me F. Nolin, herë, tue i rá, e, herë, tue e mbajtun. Askush, deri sod, nuk ká mundun me paraqitun nji studim të dokumentuëm, si ky, me gjithë qi un nuk jam kompetent. Veprat e Tua, i pres me gëzim të madh; gëzohem aqë tepër, sá me i pasë bâ vetë. Luëia fenë, se, nuk âsht mirë, qi të humbish në heshtje. Ani pse, nuk na don ndokush. Shumica âsht me né, dmth Tý të nderon, e, un, vedin, e quëjta të njitrupzuëm me Ty.

Kam fillue formalitetet e vizës në Konsullatën e Sht. të B. n’Istanbul, por, tue e bubrrue punën në katër ânët, kam pá nevojë me pyëtun I.R.O-n n’Itali dhe po presim përgjegje. Në letrat t’ona të njoftimit figurojnë shenime, se, jemi emigranta, dhe, se, shtetsija na âsht dhanë në vendim të Këshillit Ministruër numër e datë e tjera. Ateherë, duël çashtja, se, kemi qenë hajmatlozë. Mbas kësaj zû vend deri në shtetsín shqiptare dhe në kampet e I.R.O-s, n’Itali. Dhash emnat e kampeve, dhe, mbi kërkimin, qi m’u bâ, si dëshmitarë, emnin e Vërlacit dhe të Koliqit. Ata menjiherë i njoftova.

Përfundimi ká me qenë pozitiv, kujtoj, por, kohën nuk e dijë. Të lutem, me nji letër, përgëzoe Munirin, për mundimin, qi ká bâ për mue, se, âsht përpjekun shum i ngrati; e, të paktën, ndiën nji kenaqsi, kuër edhe prej teje t‘i çmohet puna.

Kam vazhdue gjithnji me shetitë andej-këndej, për me sigurue jetesën. Dje erdha prej “Trakya”s.

 

Të përqafoj, i yti Tahiri