Dosja/ Tentoi trafikun e 25 kg drogë për në Itali, në gjyq Balloshiti

0
206

drogeFillimisht u dyshua edhe e motra, më pas u lirua pasi nuk rezultoi e implikuar. Trafiku përmes portit të Durrësit

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim çështjen në ngarkim të Lutfi Balloshitit, i akuzuar për “trafik narkotikësh”, mbetur në tentativë. Fillimisht, procedimi u regjistrua për të pandehurin dhe motrën e tij Saimira Korteshi, por më pas rezultoi nga hetimet se kjo e fundit nuk ishte e implikuar, nuk kishte dijeni për drogën që po transportonte i vëllai. Ngjarja ka ndodhur në portin e Durrësit, ndërsa Balloshiti tentoi trafikimin e 25 kg drogë. Sipas akuzës, rreth orës 22.30’ të datës 30.03.2014, në Pikën e Kontroll Kalimit Kufitar Port i Durrësit, gjatë kontrollit të automjetit  tip Opel Tigra, me targa AA xxx DX, i cili po kryente procedurat për kalimin e kufirit në vende të ndryshme të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar 43 pako me nje sasi prej 24.80 kg  lende bimore, lëndë narkotike Cannabis Sativa.

 

Kontrolli

Sipas akuzës, në momentin e kontrollit në këtë automjet kanë qenë duke udhëtuar shtetasi Lutfi Balloshiti, i cili drejtonte automjetin, të cilin e kishte edhe në pronësi, si dhe shtetasja Saimira Korteshi, motra e shtetasit Lutfi Balloshiti, e cila ishte pasagjere në këtë automjet. Motër e vëlla janë arrestuar në flagrancë, në momentet e para si autorë të dyshuar për kryerje të veprës penale të “trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim , mbetur në tentativë. Duke qenë se ndaj Korteshit nuk kishte dyshime se ishte e implikuar u la e lirë, ndërsa i vëllai deklaroi se e motra nuk kishte asnjë dijeni mbi drogën. I pandehuri Lutfi Balloshiti ka shpjeguar se sasinë e lëndës narkotike e kishte gjetur në malin e Dukagjinit, të futur në një çantë dhe të fshehur në disa shkurre, ku kishte shkuar për të prerë dru. Këtë lëndë narkotike e ka marrë dhe e ka fshehur në shtëpi me qëllimin për ta trafikuar më pas për në Itali. Pasi e ka fshehur lëndën narkotike në dyert dhe serbatorin e makinës së tij, ky shtetas ka deklaruar se ka komunikuar me motrën e tij nga ana e babait, shtetasen Sajmira Korteshi, ku i ka propozuar që të iknin së bashku për në Itali për të takuar disa familjarë të Lutfiut, e cila ka pranuar që të nisej me të për në Itali. I pandehuri ka deklaruar se e mori motërn me vete për të hequr dyshimet e policisë për drogën. Edhe Korteshi ka deklaruar se nuk kishte asnjë dinei mbi veprimet e vëllait dhe ajo kishte pranuar të shkonte në Itali me të pasi nuk kishte qenë ndonjëherë më parë.

 

Shkodër/ Dhunoi gruan dhe djalin adoleshent, pranga 47-vjeçarit

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 47-vjeçar për dhunë në familje. Sipas burimeve policore, Ismet Mehmetaj u ndalua dy ditë më parë në flagrancë nga blutë e këtij qyteti, pasi ka kanosur me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij minoren. Siç bën me dije policia, ngjarja ka ndodhur në banesën ku jeton familja Mehmetaj, dhe Ismeti pas një grindje me të shoqen E.M 36-vjeç, e ka kanosur këtë të fundit për vrasje me thikë, si dhe djalin e tyre Er. M 14 vjeç. Ndërkaq materialet proceduriale lidhur me të ndaluarin iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme për veprën penale “Dhunë në familje”.

 

Sarandë/ Rrezikon mbytjen në det, shpëtohet nga Polici kufitare 34-vjeçari

Polici Kufitare e Sarandës i ka shpëtuar jetën dje një të riu, i cili ka rrezikuar mbytjen në det ndërsa ihte duke lundruar. Sipas burimeve policore, Olsi Cetri, 34 vjeç ishte nisur nga Lukova drejt Sarandës, me një varkë të vogël. Kanë qenë dallgët e fuqishme ato që e kanë penguar atë, duke rrezikuar seriozisht jetën. Ndërhyrja në kohë nga Policia Kufitare dhe sjellja prej saj drejt portit në një largësi prej 6 miljesh, ka shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Valëzimi në det ka arritur deri në 6 ballë ditën e djeshme, ndërsa në Borsh deri në 8 ballë. Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë pushuesve të largohen dhe të shmangin lundrimin në det.

 

Durrës/ Pëson defekt mostoskafi dhe rrezikojnë mbytjen, shpëtohen nga policia 6 persona

Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka arritur të shpëtojë pasditen e djeshme gjashtë persona që po lundronin me motoskaf në Porto Romano. Bëhet me dije se mjeti me të cilin udhëtonin këta persona pësoi një defekt, çka detyroi ata të lëshojnë alarmin sos në det të hapur. Por, policia kufitare bën me dije se shpëtimi i tyre qe mjaft i vështirë, për shkak edhe të dallgëve të mëdha. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se policët kanë rrezikuar shumë për të realizuar me sukses këtë operacion shpëtimi, ndërsa mësohet se motoskafi është përmbysur duke rrezikuar seriozisht jetën e këtyre personave. Mjeti në fjalë është konstatuar nga shërbimet e policisë në patrullim i batuar pasi ishte përfshirë nga një dallge e madhe. Nga ndërhyrja është bërë i mundur shpëtimi i 6 personave në bord, të cilët janë Gj.B;, 46 vjeç, djali i tij F.B;, 22 vjeç, dhe 4 shokë të të birit, E.K, 24 vjeç, E.A dhe dy të rinj të tjerë emrat e të cilëve ende nuk dihen. Ndërkohë, policia është duke punuar për të nxjerrë edhe mjetin e përmbysur.

 

Elbasan/ Sherr masiv mes të burgosurve në burgun e sigurisë së lartë në Peqin

Një sherr masiv i ndodhur në burgun e Peqinit ka përfunduar me dëmtimin e rëndë të dy personave të dënuar. Ata janë dërguar në spital me fraktura të rënda në kokë dhe në trup. Mësohet se të dëmtuarit janë Ergys Gjovesha 30 vjeç nga Vlora dhe Edison Sulejmani 29 vjeç nga Tepelena. Nuk dihet ende shkaku i kësaj përplasjeje në ambjentet e ajrimit për të burgosur në burgun Peqinit, por mësohet se aty janë përdorur sende të forta, shufra hekuri deri dhe thika. Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sipas së cilës, konflikti ka ndodhur gjatë orarit të pushimit, por që nuk janë përdorur mjete të forta apo prerëse. Gjithashtu bëhet e ditur se njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë dhe do të transportohet drejt Tiranës për një mjekim më të specializuar. Deri më tani nuk dihen ende rrethanat e konfliktit brenda qelive, por po punohet për zbardhjen e plotë të konfliktit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency