Ku vajtën mburrjet?!

0
124

Ervin Kaduku

 

largea_porti-i-durresit1351326679Në fillim të korrikut, siç ishte adeti, Elisa Spiropali vuri në lëvizje kalemxhinjtë e vet për të trumbetuar bëmat e administratës doganore si 6-mujor. Citojmë: “Vërehet një trend pozitiv sa i përket rritjes së eksporteve me 9% ku kontributin kryesor vazhdon ta ketë rritja e eksporteve nga përpunimi aktiv me 32%. Gjithashtu, si rezultat i një fushate sensibilizuese, informuese dhe parandaluese në fushën e akcizës organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me Crown Agents është konstatuar një rritje e ndjeshme në zbatimin e detyrimeve të parashikuara me ligj si dhe në pagimin e detyrimeve përkatëse nga ana e subjekteve të akcizës.

Muaji Qershor 2014 karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e sasive dhe vlerave të mallrave të akcizës krahasuar me Qershorin e vitit 2013 përkatësisht: Karburante, 40.185 ton përkundrejt 36.693 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës; Kafe, 538 ton përkundrejt 514 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës; Cigare, 258 ton përkundrejt 238 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës; Birrë, 3.055 h/l përkundrejt 2.828 h/l të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës”.

Çuditërisht, në garën me shefen e Tatimeve, kjo e fundit doli si zakonisht me “dacibaon” e rradhës për t’u përgëzuar nga kryeministri Edi Rama lidhur me rezultatet e 7-mujorit, por ish-shefja tepër aktive e FRESH-it, tashmë e katapultuar në krye të një prej segmenteve më të rëndësishëm të administratës fiskale shqiptare nga vetë shefi i Ekzekutivit, edhe pse ajo i kishte treguar disa herë karshillëk më parë, rezultatet e Doganave për 7-mujorin mbetën në heshtje.

Në vija të trasha, që rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin, kjo u mësua nga statistikat paraprake të zërave të Buxhetit të shtetit për periudhën janar-korrik 2014 që publikohen nga ministria e Financave. Këtu mësohet se, ndonëse ka rritje në realizimin e taksës doganore në krahasim me një vit më parë, akciza shënon rënie krahasuar me 7-mujorin e 2013-ës. Dhe është zëri i akcizës ai që i është ngarkuar si detyrë kryesore Doganës së zonjushës Spiropali, duke qenë edhe shumë herë më i lartë si burim të ardhurash krahasuar me atë që hyn si e ardhur buxhetore në arkën e shtetit nga taksa doganore.

Sipas këtyre statistikave zyrtare, del se këtë vit akzica ka sjellë në shtet 19.5 miliardë lekë. Por një vit më parë, që ishte edhe vit elektoral, madje është pranuar nga të gjithë që në periudha të tilla vihet re shkrehje e punës në administrata, rezultati ka qenë më i lartë: 20.1 miliardë. Çfarë ka ndodhur? Dhe jo vetëm kaq. Në shtatë muaj vjet ishte realizuar 47.3 për qind e planifikimit vjetor për akcizën, shifër jo e kënaqshme, duke menduar se shtatë muaj janë më shumë se gjysma e vitit dhe niveli duhej të ishte të paktën mbi 50 për qind. Po çfarë thonë statistikat e sivjetshme? Spiropali, pavarësisht nga sokëllimat e saj nëpër zyra e jashtë tyre, ka realizuar vetëm 41.2 për qind të planifikimit vjetor në shtatë muaj. Duket se “sharmi” i saj nuk ka mjaftuar që evazioni të bëjë të vetën, që korrupsioni të vijojë të kanalizojë paratë e pista në xhepat e “rilindasve”, që shteti të mos ketë paratë që mendon se duhej të merrte, në një kohë që nuk po i dalin hesapet për të paguar super-borxhet ku po e funt vendin.

Ja një tabelë e realizimeve progressive sipas muajve e të ardhurave nga akciza dy vitet e fundit

 

Akciza në miliardë lekë

 

Muaji      Viti 2013       Viti 2014

 

Janar      2.6             1.6

Shkurt     4.7             3.7

Mars       7               6.1

Prill      9.9             9.1

Maj        13              12.5

Qershor    16.7            16.3

Korrik     20.1            19.5

 

Në asnjë muaj nuk është arritur efektiviteti i punës së një viti më parë. Këto janë statistikat zyrtare të ministrisë së zotit Cani, që përgënjeshtrojnë totalisht edhe mburrjet e Spiropalit se si gjashtëmujor është tejkaluar shifra e akcizës krahasuar me 6-mujorin 2013.

Po ta vesh re me kujdes deklarimin e drejtoreshës së përgjithshme të Doganave për 6-mujorin, që ndoshta do të mbetet i fundit, sepse në vijim do të ketë edhe më pak se ç’të thotë e të mburret, aty flitet për kaq ton, kaq hektolitra të mallrave të akcizës të zhdoganuara. Po kujt i duhet sasia që deklaron, zonjusha Spiropali, ndërkohë që tin ë arkën e shtetit ke futur më pas PARA?! Nuk dimë që në ndonjë vend të botës të llogariten të ardhurat me kilogram, kilovatorë apo me litra. Praktikisht, ti si shtatëmujor ke sjellë 600 milionë lekë apo 4.3 milionë lekë më pak se administrata doganore në vitin e mëparshëm.

Në fillim të vitit, ka qenë ish-zëvendësministri i Financave Florjon Mima, që akuzoi qeverinë se po mashtron shqiptarët me deklaratat për tejkalim të planit të të ardhurave në dogana. “Teksa dëgjonim ‘paradën e sukseseve’ të agjencisë kryesore të të hyrave publike, me gjoja tejkalime me 28% të planit të ulur të të ardhurave, miratuar me Aktin Normativ të fundvitit 2013, nuk kishte si mos të të binte në sy se kjo shifër ishte pikërisht ajo që ne paralajmëruam që të ardhurat të mos uleshin dhe të mos borxhohej vendi në mënyrë të panevojshme, por të përvisheshin mëngët dhe të mblidheshin të hyrat që ekonomia reale, jo ajo në krizë e Edi Ramës, prodhonte”.

Sipas deputetit të PD-së, “shqiptarët do të paguajnë edhe për gjoja tejkalimet e të ardhurave. Sasitë dy apo trefish më të larta në ç’doganimin e cigareve dhe karburanteve gjatë muajit dhjetor 2013, për të shmangur regjimin e ri fiskal me taksat e reja që do të hynin në fuqi me 1 janar 2014, përfaqësojnë para qe jo vetëm mungojnë në arkën e përbashkët të shqiptarëve, por që në të njëjtën kohë u zhvaten atyre paralelisht njëlloj sikur për këto mallra të ishin paguar akciza e re dhe taksa e re e qarkullimit duke aplikuar çmime të rritura ekzaktësisht sa masa e taksave të reja”.

Rezultate të ekzagjeruara të të hyrave nga akciza u deklaruan me mburrje në dhjetor e në nëntor të vitit të kaluar, por ato ishin fryt i një femonemi tashmë të njohur dhe aspak për t’u mburrur: kur ndryshon niveli i akcizave, tregtarët nxitojnë të mbushin magazinat me mallra që t’i zhdoganojnë me akcizë më të ulët, për t’i shitur ne treg më pas me çmim të kripur. Shteti nuk fiton, privati përfiton nga mungesa e mbrojtjes së konsumatorit nga qeveria.

Dy momente ja vlen të diskutohen. Së pari, ku janë rezultatet marramendëse të futjes së kompanisë Crown Agents si doganierë mbi doganierët shqiptarë, që do të rritnin të ardhurat fiskale nga Doganat me 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto? Këta zotërinj vijojnë të marrin para nga taksat tona, por rezultatet nuk po duket në horizont.

Dhe, së dyti, akcizat u rritën. Barra fiskale mbi supet e brishta të shqiptarëve u shtua, por Spiropali veç pozave që hedh në Facebook me veshje sikur shkon në sfilate dhe jo në mes të naftës së Porto Romanos, nuk po na ofron performancë tjetër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency