Krimet e Rënda/ Një 16-vjeçar në gjyq, i mori me kërcënim 150 mijë lekë një të mituri

0
142

Sonila Mesareja

gjykata e krimeve te renda Akuza: Erjon Bushi kërcënoi 13-vjeçarin: Do të të fus plumb në gojë nesër, po nuk më dhe paratë. Fëmija, nën presionin e kërcënimit, i dha disa herë shuma të ndryshme

 Vetëm 16 vjeç, megjithatë kishte menduar një rrugë mjaft të shkurtër, por kriminale për të bërë lekë, duke kërcënuar me jetë një fëmijë të 9-vjeçares për të marrë para në banesë dhe t’ia dorëzonte. Madje, shkoi edhe më tej, duke e kërcënuar se do t’i fusë një plumb në gojë, nëse nuk i dorëzonte paratë. Kërcënimet në adresë të fëmijës nga më të ndryshmet, verbale, përmes sms-ve në celular dhe në rrjetin social Facebook. Ka qenë motra e 13-vjeçarit F. Prroj që ka konstatuar lëvizjet e dyshimta të të vëllait dhe ka vënë në dijeni nënën e saj, e cila ka konstatuar edhe mungesën e parave, 150 mijë lekë dhe 200 euro. I mituri i ka rrëfyer të vërtetën të atit, duke i deklaruar se i ka marrë ai paratë dhe ia ka dhënë një djali të lagjes, Erjon Bushit, i cili e kishte kërcënuar se do ta vriste, nëse nuk i jepte shumat e kërkuara.

 

Denoncimi

Me të mësuar ngjarjen, babai i të miturit, Rifat Prroj, i është drejtuar policisë me një kallëzim penal. Në dispozicion të akuzës është vënë telefoni i djalit, adresa në rrjetin social dhe të tjera të dhëna të rëndësishme për hetimin. I mituri Prroj ka dëshmuar para hetuesve se gjithçka nisi më 16 maj të vitit të kaluar, kur Erjon Bushi i kishte dalë përpara dhe i kishte kërkuar 200 mijë lekë. Bushi, i cili nuk frekuentonte shkollën, i ka dërguar një kërcënim në telefon me sms F. Prrojit, ku i kërkonte t’i gjente paratë pasi në të kundërt: “nëse nuk sjell lekët nesër në shkollë do të vras, do të fus plumbat në gojë”. Më pas i ka shkruar se do ta priste kur të ishte pushimi i gjatë që t’i sillte paratë e kërkuara. Nga frika, minoreni ka shkuar në banesë dhe ka marrë nga vendi ku nëna fshihte lekët 200 mijë lekë, duke ia dorëzuar Erjonit. Por, porsa mori shumën e parë, Erjoni ishte i përgatitur për të bërë kërkesën e radhës, duke parë se “gjahu” i tij ishte i trembur dhe do t’ia plotësonte kërkesat. Ai i është drejtuar 13-vjeçarit me kërkesën për 300 mijë lekë të tjera, ndërsa ky i fundit i është shprehur se nuk kishte ku t’i gjente. Më pas, Erjoni i shkruan në Facebook Prrojit dhe më pas e takon duke i kërkuar edhe 500 mijë të tjera dhe më pas edhe 500 mijë të tjera, shuma që arriti t’i përfitonte falë frikës së fëmijës. E fundit kërkesë ishte për t’i dhënë një shumë prej 300 mijë lekësh, shumë që sërish prej frikës fëmija i familjes Prroj ia dorëzoi kërcënuesit të tij.

 

Akuza

“Shtrëngimi për dhënie të pasurisë me anë të kanosjes” është akuza që rëndon ndaj 16-vjeçarit Erjon Bushi nga Durrësi; çështja që është hetuar dhe do të gjykohet nga Krimet e Rënda. I pandehuri adoleshent, duke përfituar nga mosha e vogël e “gjahut” të tij, e ka kërcënuar verbalisht, me sms në celular dhe në rrjetin social Facebook se do ta vriste, po të mos i jepte lekët. Këto kërkesa dhe kërcënime janë provuar jo vetëm nga dëshmia e Prrojit, por edhe nga këqyrja e telefonit dhe adresa e tij në rrjetin social.

 

Tiranë/ I kërkon t’i thyejë një 5 mijë lekësh, i vjedh me dhunë portofolin gruas

Në mes të ditës, një grua nga Kukësi, e cila ishte nisur për në spital, bëhet pre e vjedhjes. Madje, si për ironi të fatit, ngjarja ka ndodhur aty ku prej ditësh policia është stacionuar për të mos lejuar punëtorët e Bashkisë për të vendosur semaforin. Pavarësisht prej përleshjes në rrugë me autorin 40-vjeçar të grabitjes dhe thirrjes së gruas për ndihmë, policia ka mbërritur me vonesë dhe autori ia ka mbathur rrugicave që të nxjerrin për nga Prokuroria e Tiranës. Gruaja e moshës 55-vjeçare ka deklaruar se autori i ka marrë portofolin brenda të cilit kishte 300 euro dhe 10 mijë lekë. Sipas gruas, autori me të cilin është përleshur, kishte një bluzë blu dhe pantallona treçerekëshe. “Më tha se kishte marrë një gjobë dhe donte të thyente ca lekë. Unë isha me nxitim se po shkoja në spital, ai u ofrua të më shoqëronte. Kur i thashë se po më presin njerëz, më goditi me bërryl dhe më mori portofolin që e kisha nxjerrë për t’i thyer lekët”, – rrëfen gruaja, ndërsa shton se ky person është larguar me vrap në drejtim të rrugicave që të çojnë tek Prokuroria.

 

Lezhë/ Sërish viktima në det, mbyten një 7-vjeçare dhe një shtetas kosovar

Një 7-vjeçare nga Fushë-Kuqja dhe një kosovar nga Mitrovica humbën jetën duke u larë në plazhet e Patokut dhe Shëngjinit. Burime zyrtare policore njoftuan se dy persona kanë humbur jetën dje, ndërkohë që po laheshin në det pranë plazheve të Patokut dhe të Shëngjinit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë bënë të ditur se fillimisht ka qenë 7-vjeçarja, me iniciale S. H., banuese në Fushë-Kuqe, Kurbin, e cila ka mbërritur e vdekur në spitalin e Laçit. Sipas familjarëve të saj fëmija ka qenë duke u larë në det në plazhin e Patokut dhe është mbytur në det nga dallgët. Ndërkohë, rreth një orë më pas, në spitalin e Lezhës ka mbërritur i vdekur shtetasi kosovar Besim Gara, 46 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë. Sipas familjarëve të tij, Gara ka qenë duke u larë në det në plazhin e Shëngjinit dhe është mbytur në rrethana të paqarta. Për të dyja rastet është ngritur grupi hetimor për kryerjen e veprimeve procedurale. Në pak ditë ka shkuar në 7 numri i personave që kanë humbur jetën në det.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency