Koncesionet, ja çfarë ndryshon në ligj

0
240

Ervin Kaduku

rruga e kombit–  Koncesionarët kanë xhiruar në vitin e kaluar një shifër marramendëse: 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por paguajnë vetëm 5% të totalit të tatimfitimit të ndërmarrjeve private. Deklarojnë të punësuar vetëm… 1.3% të të zënëve me punë në sektorin jobujqësor

 Ndryshimet më të reja në ligjin për koncesionet hyjnë në fuqi në fund të këtij muaji. Ndryshimet u referohen kryesisht disa përjashtimeve, në procedura dhe taksa për koncesionet në shëndetësi dhe në transport.

 

Rrugët

Ndryshimi i parë është ai që parashikon dhënien me koncesion të rrugëve, ku për raste të veçanta dhe të një rëndësie të madhe për infrastrukturën nacionale rrugore të vendit parashikohen procedura përjashtuese, me qëllim që koncesioni të realizohet në mënyrë të përshpejtuar. Përpjekjet për dhënien me koncesion të ndërtimit të akseve të reja rrugore apo edhe atyre ekzistuese janë të hershme në Shqipëri, por ende nuk kemi një rast të suksesshëm. Prej disa vitesh, qeveria shqiptare ka nisur një procedurë për dhënien me koncesion të autostradës Durrës – Kukës, që pritet të mbyllet pas Shtatorit të këtij viti.

Një opsion tjetër që po shqyrtohet nga qeveria është edhe ai i dhënies së mirëmbajtjes me koncesion të autostradës Tiranë – Elbasan. Ajo që duhet theksuar është se sipas kësaj strategjie, që vjen në një kohë vështirësie për arkën e shtetit dhe emergjence për situatën e rrugëve, shqiptarët do të jenë ata që do të paguajnë sërish, tashmë për përdorimin e rrugës për të cilën kanë paguar më parë për ndërtimin. Po ashtu, një ndryshim tjetër është ai me koncesionet në sektorin e shëndetësisë. Ndryshimet ligjore parashikojnë përjashtimin nga taksa e koncesionit për partneritetet në këtë sektor.

 

Shëndetësia

Gjatë prezantimit të ndryshimeve në Kuvend, ministri i Shëndetësisë pati paralajmëruar se një serë shërbimesh për pacientët do të ofrohen nga privatët. Ndërsa ndryshimi i fundit në ligj është ai që parashikon zgjerimin e fushës së zbatimit të koncesioneve, ku tashmë listës i shtohet edhe ndriçimi publik në territorin e njësive administrative vendore të cilat mund të menaxhohen nga privatët.

 

Koncesioni

Koncesionet janë një e drejtë zhvillimi që shteti ia kalon një privati dhe konsiderohen si financime private. Bashkë me kalimin e së drejtës së zhvillimit, shteti kalon te sipërmarrja private edhe rrezikun që mbart ky investim, sidomos për ata sektorë që jo shumëkush ka njohuritë dhe kapitalin e nevojshëm për t’i vënë në punë. Avantazhi kryesor i koncesioneve për publikun është se e drejta pronësore, pas një periudhe të caktuar (sipas asaj të përcaktuar në ligj) i kthehet shtetit.

Për pothuajse të gjitha qeveritë shqiptare të pas viteve ‘90, koncesioni ka qenë një formë e preferuar zhvillimi. Madje, në krahasim me vendet e tjera, ka një numër të lartë të të drejtave të dhëna me koncesion, në shumë sektorë, si: ai i telefonisë së lëvizshme, infrastrukturës portale dhe infrastrukturore, minerare, të naftës, lotarive, etj.

Në një marrëveshje të tillë kontraktuale, pritet që përfitimet të jenë të dyanshme. Shteti i jep kompanisë në administrim pasurinë natyrore të vendit, apo të drejtën e shfrytëzimit të një licence, shpesh dhe monopol, në këmbim të menaxhimit me eficencë të tyre, krijimit të vlerës së shtuar, shërbimeve më cilësore dhe me kosto më të lira për qytetarët, rritjes së të ardhurave në buxhet dhe krijimit të vendeve të punës, me dy elementet e fundit që kanë dhe ndikimin më të madh në rritjen ekonomike. Kompania, nga ana e saj, natyrshëm, pret që përmes shfrytëzimit të të drejtave, të nxjerrë vlerën e investimit fillestar dhe një normë të kënaqshme fitimi.

 

Kush përfiton?

Kompanitë kryesore koncesionare në vend kanë qarkulluar në vitin 2013 rreth 120 miliardë lekë, sa 9% e asaj që ekonomia shqiptare prodhon në një vit. Por, përfitimet për buxhetin e shtetit dhe në hapjen e vendeve të punës kanë qenë minimale. Të punësuar në këto kompani janë rreth 4000 persona, vetëm 1.3% e të punësuarve në sektorin privat jobujqësor. Tatim fitimi i paguar prej tyre zinte vetëm 5% të totalit të këtij zëri të mbledhur nga tatimet në 2013-ën, teksa shumica e kompanive vijojnë të deklarojnë humbje.

 

Monitorimi

Juristët thonë se Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera, ka një numër të lartë të të drejtave të dhëna me koncesion, në shumë sektorë, si: ai i telefonisë së lëvizshme, infrastrukturës portale dhe infrastrukturore, minerare, të naftës, lotarive etj. E në këtë rast, lind natyrshëm pyetja: koncesion apo privatizim? Juristët thonë se përgjigjja e saj varet nga ajo që shteti do të përfitojë, nëse duhet të jetë si një masë për të siguruar më shumë likuiditet apo shërbim më cilësor. Në rastet kur shteti (siç ka ndodhur me disa koncesione, si ai i minierave, naftës, aeroportit) nuk arrin të sigurojë zhvillim me standarde për shkak të mungesës së kapaciteteve atëherë, sipas juristëve, zgjedh si rrugën më të drejtë koncesionin. Në rastin e Shqipërisë, juristët thonë se duhet të ishte kryer një monitorim më i ashpër ndaj të gjitha koncesioneve të dhëna, natyrisht sipas fazave.

Një tjetër pikë e diskutueshme dhe që ngjall më shumë polemika është ajo e normave të fitimit që sigurojnë kompanitë koncesionare, veçanërisht në ata sektorë që kanë situatë monopoli (të pakontestueshëm) në treg. Kjo gjë i siguron kompanisë (si e vetme në treg) një marzh të lartë fitimi. Natyrshëm lind pyetja: A duhet të ketë një lloj “tavani” apo rregullimi ndaj këtyre normave të fitimit. Juristët thotë se kjo është një pikë e cila diskutohet në momentin e hartimit të kontratës mes shtetit dhe privatit. Ata thonë se zgjidhja nuk është “prishja” e këtyre marrëveshjeve, gjë e cila do të shoqërohej me pasoja të rënda financiare në dëm të buxhetit të shtetit, por monitorimi dhe kontrolli sipas fazave që njeh ligji, duke e detyruar kompaninë që të përmbushë detyrimet ligjore, por pa cenuar të drejtat e saj dhe pa qasje politike apo klienteliste.

Prandaj, juristët këshillojnë që shteti, që në fazën e negocimit të kontratave, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje përzgjedhjes së këshilltarëve ligjorë që kanë përvojë të gjerë në këtë fushë. Së dyti, t’i kushtohet vëmendje respektimit të procedurave në ato kontrata, pasi kryesisht paditë flasin për zgjidhje të kontratës pa shkak, ose mospërmbushje thelbësore të detyrimeve nga shteti. Së treti, shteti duhet të marrë masa të përzgjedhë avokatë me përvojë në arbitrazh si dhe në procedurat e ICSID, pasi janë procedura të sofistikuara që kërkojnë specializim të veçantë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency