Shoqata Shqiptare e Bankave/ AAB: Sistemi bankar është i mirëkapitalizuar

0
128

aabShoqata Shqiptare e Bankave (AAB) publikoi dje të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e dytë të vitit 2014, sipas të cilave sistemi bankar shqiptar vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe të ketë një ecuri të qëndrueshme. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në nivelin 17.5 për qind nga 16.8 për qind, raportuar në të njëjtën periudhë një vit më parë. Në fund të qershorit, aktivet e sistemit bankar arritën në 1,253 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej 4.1 për qind në krahasim me një vit më parë. Sipas AAB-së, depozitat e vendosura pranë bankave janë rritur me ritme të ulta por të qëndrueshme përgjatë tremujorëve të fundit duke shënuar një rritje vjetore prej 3.1 për qind në fund të qershorit. Zgjerimi i stokut të depozitave u mbështet kryesisht nga depozitat e bizneseve, të cilat vetëm përgjatë tremujorit të dytë 2014 u rritën me rreth 5.4 për qind. Në ndryshim nga tremujorët e mëparshëm, teprica e kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat në tremujorin e dytë 2014 paraqitet me rritje prej 4.5 miliardë lekë ose rreth 0.8 për qind. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori në total shënoi rreth 61.8 miliardë lekë dhe përbëhet në pjesën më të madhe (rreth 83 për qind) nga kredia e dhënë për biznese. Rritja e portofolit të kredisë erdhi plotësisht nga zgjerimi i kredisë në monedhën vendase, stoku i së cilës ishte rreth 1.9 për qind më i lartë në krahasim me marsin 2014. Gjithashtu, 45 për qind e kredisë së re është disbursuar në lekë, duke treguar një zhvendosje ndaj kredisë në lekë. Kjo ecuri është mbështetur nga një kërkesë më e lartë e bizneseve për financim në lekë, në kushtet kur dhe normat e interesit për këtë kredi kanë qenë në rënie. Kredia për individë, edhe pse në rritje këtë tremujor pas disa tremujorësh që pësonte tkurrje, paraqitet në nivele të moderuara, duke konfirmuar një kërkesë të ulët të individëve për kredi pavarësisht produkteve atraktive të prezantuara nga bankat. Kreditë me probleme vazhdojnë të mbeten në nivelin rreth 24 për qind, me luhatje shumë të vogla përgjatë gjashtëmujorit.

 

Energjia bërthamore, mbyllen katër reaktorë në Britani

Kompania franceze e energjisë EDF deklaroi se kishte mbyllur katër prej reaktorëve të saj bërthamorë në Britaninë e Madhe gjatë tetë javëve të fundit ose afërsisht ¼ e kapacitetit të saj të përgjithshëm bërthamor.

Arsyeja kryesore është se, gjatë një inspektimi rutinë, kompania gjeti disa defekte. Dega britanike e kompanisë shtetërore franceze EDF operon në tetë centrale bërthamore në këtë vend dhe gjeneron 8.8 miliardë kilovat-orë ose 10% të totalit të energjisë në Britani.

Mbyllja e reaktorëve nxjerr në pah se sa e varur është bërë Mbretëria e Bashkuar nga centralet bërthamore, që janë në fund të jetës së tyre. Të gjithë reaktorët bërthamorë të EDF parashikohet të mbyllen në vitin 2023, por kompania ka kërkuar një zgjatje të jetëgjatësisë për shumicën e tyre. EDF planifikon të ndërtojë një stacion të ri energjetik që pritet të kushtojë disa miliardë paund, ndërsa vitin e kaluar nënshkroi një kontratë investimi me qeverinë britanike.

Kompania franceze njoftoi se ka marrë një “vendim konservator” për të mbyllur edhe tre reaktorë të tjerë që janë të ngjashëm me centralet e prekura. Këto mbyllje do t’i lejojnë kompanisë të kryejë inspektime të mëtejshme, në mënyrë që të plotësojnë kushtet e brendshme të kompanisë dhe të operojnë sipas rregullave. Sipas EDF-së, inspektimet do të duan rreth 8 javë kohë dhe më pas do të vendoset nëse reaktorët mund t’i rikthehen punës apo jo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency