Pse Papa po viziton vendet aziatike?!

0
182

Alba Kepi

papa ne aziNisi sot vizita 5-ditore zyrtare e Papa Francesco në Korenë e Jugut. Është ky udhëtimi i tretë apostolik jashtë Italisë dhe i pari në kontinentin aziatik. Prej vitit 1995 kur Papa Gon Pali II vizitoi Manilën, ekstremin oriental të Azisë, kjo është hera e parë që kreu i Selisë së Shenjtë gjendet në zemër të këtij kontinenti me një vëmendje të veçantë kushtuar çdo shteti përbërës të tij. Papa Francesco ndodhet në Korenë e Jugut për të festuar Ditën Botërore të Rinisë Aziatike, me mjaft tema për të diskutuar e me një mision të qartë paqe e pajtim.

Por kjo iniciativë e Papa Francescos për të përcjellë mesazhin e paqes në gadishullin korean, i cili që prej vitit 1953 është i ndarë në dy pjesë, nuk ka miratimin e gjysmës veriore të Koresë. Pak para se avioni papal të mbërrij në Seul, Koreja e Veriut ka qëlluar tre raketa me rreze të shkurtër nga bregdeti lindor e drejt detit të Japonisë duke mbuluar një shtrirje prej 220 km. Në orën 9.30, ora lokale me një operacion që zgjati rreth 25 minuta e pa asnjë paralajmërim, raketat janë qëlluar nga një lëshues i shumëfishtë, sistemuar pranë qytetit Wonsan. “Forcat tona ushtarake kanë forcuar vigjilencën nga Veriu, me një vëmendje të veçantë nëse rast sulmesh të tjera”, – ka pohuar për mediat ndërkombëtarë Um Hyo-Sik, zëdhënësi i Komandës Qendrore Ushtarake të Koresë së Jugut.

Papa Francesco udhëton drejt Azisë me një ambicie të fortë të diplomacisë së tij të krishterë: nisjen e një dialogu me Kinën. Një mur i ftohtë mosbesimi pengon prej vitesh rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës Popullore Kineze e Vatikanit. Por në këtë vizitë është hera e parë që avioni papal autorizohet të udhëtojë mbi këtë shtet e hera e parë në histori që kreu i Selisë së Shenjtë fluturon mbi qiellin e Republikës Popullore Kineze. Në dy udhëtimet e mëparshme të Papa Gjonit II në Korenë e Jugut nuk i është autorizuar ky fakt; më 1984 avioni papal u detyrua të bënte një zbritje në Alaskë e më 1989 të ndryshonte drejtim e të fluturonte mbi qiellin sovjetik.

Ndërsa kapërcen hapësirën ajrore të Kinës, Papa Bergoglio, sipas traditës, i dërgon Presidentit kinez Xi Jinping telegramin: “Në momentin që po hyj në hapësirën ajrore kineze, ju përcjell urimet më të mira për ju e për bashkëqytetarët tuaj, e bekimet hyjnor për paqe e begati të kombit”. Shumë herë gjatë intervistave mediatike Papa i Shenjtë ka shprehur dëshirën e tij që të vizitojë Kinën, ky shtet që shpesh gjendet në krye të statistikave botërore për shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Francesco Bergoglio, i pari Papë jezuit kujton historinë e Kishës Katolike me një lidhje të ngushtë dashurie mes Urdhrit të Jezuitëve e Kinës. Azia është kthyer në prioritet të papatit të tij, në janar do të udhëtoj drejt Sri Lankës e Filipineve, ndër synimin shumë të dëshiruar që të jetë i pari Papë që viziton Pekinin.

Pengesë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kinës e Selisë së Shenjtë është njohja e Tajvanit dhe e drejta e Pekinit për të vetemëruar peshkopët.

Nuk ka ende një përgjigje zyrtare të Kinës ndaj mesazhit përshëndetës të Papës, por “Global Times”, një gazetë mjaft Partisë Komuniste Kineze titullon sot editorialin e saj “Aprovimi i Pekinit për fluturimin papal mbi qiellin kinez, shihet një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet”. Fakt mbetet që Republika Popullore Kineze ka ndaluar çdo lloj pelegrinazhi të kristianëve drejt Koresë së Jugut, ka mohuar peshkopët kinezë besnikë të Romës e ka shembur mbi 230 kryqe e kisha në provincën e Zeijiangut.

Pak minuta pasi raketat e Pyongyang qëllojnë në det, avioni i Papa Francescos mbërrin në aeroportin e Seulit, ku pritet nga Presidenti Park Geun- Heyn. Në takimet me autoritetet e larta në Pallatin Presidencial të Seulit, Papa Francesko shprehet; “Bota është lodhur nga lufta,se kërkesa për paqe nga ana e Koresë, ndikon në stabilitetin e zonës e të një bote të tërë”.

Në fjalimin e tij zyrtar në Republikën e Koresë së Jugut, Papa Francesco përballon problemin e ndarjes së këtij gadishulli më 1953, në dy shtete; Veri e Jug, e thekson se “diplomacia sot ka një sfidë të madhe, të operojë për drejtësinë, pa harruar padrejtësitë e së shkuarës, e duke i kapërcyer ma falje, tolerancë e bashkëpunim. Takimi me 200 autoritetet e larta, anëtarë të ekzekutivit e të institucioneve qeveritare u krye në sallonin “Blue house”, emër i marrë nga 150 mijë tjegullat që mbulojnë selinë kryesore të Pallatit Presidencial e ku Papa i Shenjtë kujtoi “trashëgiminë kombëtare të koreanëve, e vënë në provë gjatë viteve të dhunës, luftës e persekutimit, por që nuk kanë humbur kurrë shpresën për paqe e bashkim. Paqe nuk është thjesht mungesë e luftës, por vepër e drejtësisë”.

Takimi i fundit i ditës së parë të vizitës së Papa Francescos në Korenë e Jugut është bashkëbisedimi me peshkopët koreanë në selinë e Konferencës Episkopale.Të premten më 15 gusht Papa Francesco do të transferohet me helikopter në Daejeon, për të festuar e pagëzuar Ditën Botërore të Rinisë Aziatike, mes 50 mijë të rinjve, meshës së shenjtë në “World Cup Stadium” e vizitës në Shenjtoren e Solomonit.

Programi 5 ditor i vizitës së Papa Francescos është i mbushur plot në axhendë pune mes të cilëve veçojmë hyjnimin e 124 martirëve të brezit të parë kristian në Kore, viktima të persekutimit, si dhe takimin me të mbijetuarit e pushtimit japonez gjatë Luftës së dytë Botërore, të detyruar në skllavëri seksuale.

Komuna e Seulit ka parashikuar mbi 1 milionë besimtarë të ardhur në këtë qytet për këtë event të rrallë e që do të arrijë kulmin me meshën e pajtimit, për një Azi ku besimet fetare të jetojnë krahë më krahë. Në Korenë e Jugut rreth 11% e popullsisë është katolike me një shtim prej 30% gjatë 10 viteve të fundit e kisha në këtë shtet është e vogël dhe e të pasurve.

Vizita e Papës së Shenjtë në Azi vjen në një moment delikat për diplomacinë ndërkombëtare; konflikti në Ukrainë, në Gaza, në Irak preokupojnë Vatikanin e shpesh janë objekt apeli për një botë të paqtë e të lirë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency