Letra e 1956-ës/ Rrëfimi i klerikut nga Amerika, Kushtoi 25 mijë dollarë teqeja që nxiti debatin e madh nga Tirana e Parisi

0

u3_Mustafa_Kruja1_600992261Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Më poshtë, letërkëmbimi i Baba Rexhepit me Mustafa Krujën, pak letra që përfshijnë periudhën njëvjeçare, shtator 1956 deri më korrik 1958

Loading...

Një letër prekëse, komunikimi i Mustafa Krujës me Baba Rexhepin në emigrim, në Amerikë. Këto letra, mbajtur në një vit, dëshmojnë përpjekjen e klerikut për të mbajtur gjallë frymën e besimit bektashian, në dëshpërimin e thellë se çfarë po ndodh me këtë kulturë. Po ashtu, ngjarje paraqet ndërtimi i një teqeje në Amerikë, për t’u bërë qendër e shqiptarëve atje. Me një kosto prej 25 mijë dollarësh, kjo ishte teqeja unike që hapi debatin më të madh në vitet ‘50, duke dëshmuar dhe frikën që ekziston ndër emigrantë nga spiunazhi i regjimit. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

 Teqe, më 12 – 9 – 956

 

Shkëlqesi, Z. Kruja !

Gëzohem q’i mbrrijtët qëllimit të kaq dëshiruar dhe erdhët pranë Bashkimit, të rroni pesë ditë rehat, që thotë fjal’e popullit. Ju uroj mirseardhjen me frazën popullore të Shqiptarëvet t’Amerikës : Ju marrtë Amerika për mirë! Lutem këtë urim i a njoftoni dhe zojushës Haxhire. Tash ju njoftoj dhe lajmet e mia, pse e di që mjaft i dëshironi. Deri në Tetuer 1953 qëndrova në New York, pranë motrës. Kisha qejf të ngrihja ndonjë furik të vogël atje, por mjerisht Shqiptarët atje janë shumë të prekur nga sëmundja e së majtës dhe s’mund të bëhej gjë.

Nga nëntori i atij viti erdha këtu në Detroit, ku u prita shumë mirë nga populli shqiptar i kësaj kolonie. Një pjesë e konsiderueshme, e frymëzueme me tradita Bektashjane më çfaqën dëshirën se donin të kishin një Teqe këtu dhe menjëherë hapën një fushatë dhe mblodhën në një ditë shtatë mijë dollarë.

Fatkeqësisht, kur u hap propaganda e Teqes, me një herë u vu në lëvizje propaganda e kuqe, qysh nga Tirana e Parisi dhe filloi luftën me trakte, gazeta e çdo mjet tjetër. U luftova keqas më të djathtë e më të mëngjërt, aq sa m’u larguan dhe shumë shokë. Nuk m’erdhi keq për luftën e të majtës, pse atë e prisja, por për atë të së djathtës, të organizuar nga një hoxhë i papjekur që kemi këtu, i quajtur Vehbi, nga Shkodra, pse kjo ishte e pajustifikuar. Kjo luftë ishte mjaft e fortë. Shfrytëzonte propagandën komuniste, duke u thënë popullit : mosni, mos bëni Teqe, se keni njerëz në Shqipëri dhe ju a dëmtojnë ata pastaj. Nuk kishte arsye tjetër veç ambicje e monopolizim. Me gjithë këtë, me ndihmën e Zotit dhe me mjaft vështirësi mundëm t’i bënim ballë situatës dhe të vendosim këtë çerdhe të vogël Shqiptare. E blemë 25000 dollarë dhe kemi paguar deri tashti 20000.

Ka një godinë me 8 të ndara, me dy kate ; ka dy kasolle të mëdha, një garazh automobili, kotec pulash dhe një vênd me xhame, për lule e filiza zarzavatesh. Ka një tokë prej 20 ekrash amerikane, me pemë t’egra e të buta, midis të cilavet 200 drunj mollë e dardha. Kam 1000 pula. Tokën e kam mbjellë misër për pula. Kam mbjellë dhe disa zarzavate, me të cilat bëjmë një jetë modeste. Vëndi është gjysmë orë lark nga qendra e Detroitit, dmth. 16 mila.

Marrim ajrin e pastër të fushës, të pemvet dhe jemi bërë gjysmë bujk. Vizitorë shqiptarë na vijnë mjaft, sidomos për piknikë dhe kur kemi ceremonitë fetare, si Ashuren, Nevruzin e tjera. Këtë vjet për Ashure ishin më se 200 veta.

Besoj ju dhashë mjaft lajme, të cilat e di q’i dëshironit. Nxjerr dhe një të përkohëshme fetare me emër “Zër’i Bektashizmës”, të cilën, po nuk e kini parë, ju a dërgoj. Për shkak buxheti e nxjerr dy herë në mot.

Për Haxhiren mirë e keni menduar. Po ju a jap drejtimin dhe në qoftë se s’e keni dhe të merret vesh me të. Kur t’i shkruaj i them dhe un të kujdesohet, për t’a sistemuar në punë. Tash s’kam më. Ju përqafoj dhe ju uroj mirës’ardhjen.

Adresa : Z. Çuçi  141 Ludlov str. New York 2, NY.

Baba Rexhepi

Nuk di Agua ku gjëndet? A këmbeni letra ?

 

Teqe, më 18 – 10 – 956

I dashur Shkëlqesi, Zoti Kruja !

Mora letrën tuaj, gëzohem që jeni në shëndet. Lavdi Zotit dhe fakiri mirë jam me gjithë dervishin e dashamirsit.

Gëzohem që Haxhireja paska zënë punë të përshtatshime; kështu dhe ajo nuk mërzitet dhe shiguroni jetesën dhe u bëni ballë spezevet të shumta. Pse, siç e shikoni, këtu n’Amerikë jetohet mirë, me çdo komoditet, por është shumë shtrenjt.

Përsa më shkruani është e tepërt të mendoni të tillat, Z. Kruja, pse Teqeja është e gjithë Shqiptarëvet dhe foleja e të gjithëvet. Prandaj kurdo që t’ju vijë mbarë urdhroni , pa ndonjë ndroje. Këtu është shtëpia dhe qëndra e kujtdoji.

Haxhires, Kimit hair dua dhe përshëndje.

Ju përqafoj me mall.

I juaji

Babai

 

Teqe, më 22 – 12 – 956

I ndershëm dhe i dashur z.Kruja !

Së pari gëzohem që jeni mirë shëndetërisht.

Ju falënderoj për urimet me rastin e vitit të ri. Lus që dëshirat e shfaqura në letrën t’uaj u realizofshin gjatë vitit të arthshëm !

Tash të vijmë në çështjen e Bektashizmës : siç mund të keni ide, z. Kruja, Bektashizma bazohet në mistiçizmën Islame (tesavvuf) që shpjegojnë Myhiddin Arabiu, Xhelaleddini Rumi dhe shumë të tjerë. Për interpretimin dhe vënien në praktikë të një filosofie të hollë si kjo ndjeksi duhet të jetë i pajosur mirë me kulturë. Përndryshe s’mund t’a vejë dot në praktikë këtë dogmë delikate. Mjerisht kleri Bektashi ka qënë shumë pas nga kjo pikpamje dhe s’kish aftësinë e duhur për këtë punë. Një pakicë fare e vogël që shquhej me gjisht ishte ajo që mund të hiqte këtë barrë. Të tjerët shkonin pas hijes së këtyre. Situata nuk ka qenë kështu fare, por qysh në disfatën e madhe Bektashijane, në kohën e Sulltan Mahmutit, në të cilën u masakruan me qindra personalitete klerikë, filloi dekadenca. Atëhere u prish seminari i math Bektashijan që ka qënë në Teqen e Sejid Ali Sulltanit, në Dimotokë të Bullgarís dhe burimi i kulturës Bektashijane shterroi, sa dal kadal arriti në shkallën e sotme. Rrethanat e tashme të komunizmit e shkatërruan fare, kështu që u bë me të vërtetë për të qarë hallin !

Fjalët, që më drejtoni, rrjedhin nga simpathia që ushqeni për personin tim, se – në të vërtetë – le që s’jemi adapt dhe të pajosur për një ndërmarrje të tillë, por, edhe sikur t’a pranojmë për një minutë, me gjithë mungesat e mëdha, fjala popullore thotë : s’vjen behari me një lule.

Prandaj për t’ardhmen Bektashijane – Zoti Kruja – koha më bën të mendohem dhe të jem pesimist. Këtë nuk duhet t’a them, por e them, pse e di që flas përpara një figure, e cila mat dhe është largpamëse, me eksperjencë të gjerë e të pjekur.

Sa për çështjen t’uaj për persona si ju – sidomos me kulturë orjentale – Bektashizma ka shumë nevojë. Ju, sikur t’ishit dhe pak m’i ri nga mosha, jo vetëm si myhib e dervish, por edhe si Baba Bektashi mund t’i bënit shërbime të mëdha Bektashizmës. Megjithkëtë, siç thoni dhe vetë, për këto pika do të flasim gjer’ e gjatë kur të jemi së bashkut.

Tash s’kam më

Ju përqafoj. Të ndershmes motër e djalit përshëndetje.

I juaji

Baba Rexhepi

 

Teqe, më 1 Maj 957

I dashur z. Kruja !

Dje mora urimet dhe sot, ditën e Bajramit, po i përkthej me falënderime, tuke lutur Zotin të na gjejë çdo mot, ashtu si na dëshëron zëmra të gjithvet !

Gëzohem që u afrua koha të takohemi. Sa për banim mos bani merak, se vërtetë Teqja e vogël është, ka shumë mungesa, por disa gjëra të dorës së parë, shyqyr Zotit, i kemi. Ju do banoni në Teqe: për ju kam caktuar një dhomë me dy krevate, njërin për ju dhe njerin për të ndershmen motër, Haxhiren. Ndofta nuk do keni komoditetin që meritoni, por Shqiptari në natyrë është (kalender meshreb) dhe i pëlqen thjeshtësia.

Haxhires dhe të gjithvet urime e hair dua.

Babai

 

Teqe, më 1 qershor 957

I dashur, evlad i Haxhi Bektashit, z.Kruja !

Mora letrën t’uaj, gëzohem që mbritët mirë dhe jeni në shëndet.

Fakiri siç më latë kam qênë me rrufë dhe me një kollë të mërzitshme. Bëra dhe vazhdoj të bëj të ngrohta, qumësht, çaj e tjera dhe tash jam pak më mirë.

Vizita e juaj ka lënë një përshtypje të mirë ndër të gjith’këta që ju kanë vizituar.

E vërteta është se mburremi që rruga e Haxhi Bektashit të ketë evladë një pjesëmarrës, si ju. Këtë e them pa ndrojë, për të vërtetë historike.

Kur të kem qejf do t’a ngrë tekstin e lutjevet dhe do të t’a dërgoj, bashkë me përkthimet modeste q’u kam bërë. Kur t’i këndosh rivistat më shkruani përshtypjet se a kam mundur t’i a dal në krye qëllimit, tuke u dhënë një ide të përgjithëshme Shqiptarvet mbi filosofín Bektashijane dhe mbi bazën e saj, mistiçizmën ?

Juve, Haxhiren, djalin dhe të gjithëvet me radhë ju përqafoj me simpathi.

Dervishi, Fadili dhe të gjithë këta këtej kujtime

I juaji

Babai

 

Teqe, 8 korrik 957

I dashur z. Kruja

Ju lus shëndet të mirë.

Sot është dit’e Bajramit. Për shumë vjet e gëzuar ! Më 27 korrik, të shtunën mbrëma fillon agjërimi i Matemit dhe çelet më 6 gusht, ditën e martë në drekë. Ashuren këtë vit do t’a nxjerrim më 11 gusht, ditën e dielë dhe do t’a kremtojmë si ngaherë. Nuk kemi ftesa të veçanta, vetëm e shpallim në gazetën “Dielli” që janë të ftuar gjithë Shqiptarët të marrin pjesë. Ndofta e kini zor për të marrë pjesë ju, por u shkruaj për njoftim se qysh e bëjmë.

Haxhires e të gjithëvet hair dua.

Nga të gjithë të fala. Ju përqafon i juaji

Babai

 

 

Teqe, më 16 /7/ 957

I dashur zoti Kruja!

Mora letrën t’uaj, gëzohem që jeni mirë. Sa për agjërim fillon pas mbramjes. Është e lejueshme deri në mesnatë. Nuk hahet mishi dhe veja, natyrisht dhe gjellët që bëhen me këto. Përdoret çdo zarzavat dhe gjellët gatuhen me vaj. Mund të pini çdo lënk peme. Qumështi, kosi, sidomos dhalla përdoren shumë. Çaj, kafe e çdo gjë e lënkshme përdoren.

Sa për ardhje un, tuke menduar q’është udhëtimi gjatë e i mërzitshëm dhe Haxhireja e penguar me punë, ju shkrova që nuk është e domosdoshme të ndodheni. Munt të vini vjetin e arthmë që është në korrik dhe Haxhireja merr pushim ato dit dhe ndodhet dhe ajo. Sidoqoftë kjo është punë për ju, mendojeni vetë. E dini vetë që un mysafirë të dashur dua.

Mbes tuke ju përqafuar e tuke ju lutur shëndet. Haxhires përshëndetje me simpathi.

I juaji

Babai

 

Teqe, më 23 /10/ 957

I dashur, evlad’i udhës, zoti Kruja!

Mora letrët t’uaj, të cilën e pritja prej ditësh. Do pritja dhe dy dit, pastaj do shkruaja prapë, se dyshova mos ishit sëmurur nga kjo influenca që hiqet tash këtë kohë. Por shyqyr mora letrë dhe hoqa atë merak.

Jashari, ndjesë pastë, ishte ahere në darkën t’uaj, por natyrisht ju s’e mbani mënd. Ish njeri bujar dhe kish simpathi të madhe për Teqe. Këtë e tregoi me fakte. Ay kish dhuruar 800 dollarë për blerjen e Teqes. Dhe tash që shkoi i la me testament 1000 dollarë Teqes. Me këtë dhuratë të Jasharit paguhet fare Teqeja, se dhe 1000 dollarë i mblodha un kur isha në udhëtim. Un mendoj këtë dhuratë të Jasharit të mos e fut në borxhin e Teqes, por t’ia bëj një hajrat këtu, tuke i vënë dhe emrin e tij. Do jetë kujtim për të dhe një shëmbull për të tjerët.

Vasil Gërmënji erdhi dhe këtu një vizitë dhe më pyeti për atë djalin. I thash ay është një djal’i thjeshtë, i ri nga katundet t’ona, por mjerisht është bërë anormal dhe shkruan të kota.

Lutjet e duhura i drejtova dhe po vazhdoj me to për shërimin t’uaj. Un s’i jap asnjë rëndësi asaj, se nuk besoj të ketë nevojë për operacjon, por dhe sikur të ketë, operacjone të tilla këtu n’Amerikë janë gjëra të thjeshta fare. Prandaj s’ka përse të bëheni merak dhe të preokupoheni për këtë. Ne kemi punë akoma dhe s’kemi kohë të shkojmë, se po shkuam un dhe ju Bektashizma e jonë mbetet e varfër, për hirë të (qesatllëkut) të kohës.

Tash ju përqafoj tuke lutur të gëzoni shëndet. Zojushës e djalit kujtime me simpathi. Nga të gjithë të fala.

Fakiri juaj

Babai

 

Teqe, më 9 /6 / 958

I dashur, Zoti Kruja!

Jemi mirë, po kështu lusim dhe për ju. Me anën e kësaj letre po ju shfaq një mendim, jo t’imin personal, por të sugjeruar nga Nevruzi:

Nuk di ç’mendoni ju dhe ç’mendim ka dhe Haxhireja. Nevruzi mendon se këtu ësht një djalë, i quajtur Iljas Guri, nga një familje fisnike nga Këlcyra, me një kulturë të shkollës Normale (mësues), me moshën 38 vjeç, i cili dëshiron të fejohet me Haxhiren. Unë e njoh, cilësit i ka shumë të mira. Tash ju mendojeni dhe studjojeni çështjen. Siç e dini në këtë kohë të rinjt para se të bëjnë çdo gjë duan të shikohen dhe me njeri tjetrin më parë, pastaj të bëjnë punë. Prandaj – po e gjeni një gjë t’arësyeshme këtë – më 22 qershor, ditën e dielë, bëhet një përshpirtje fetare këtu në Teqe, për të ndjerin Muhamed Poli, nga Këlcyra, që ka ndruar jetë tash afër, dhe me këtë rast ejni disa dit këtu në Teqe dhe kështu mbarohet dhe ky formalitet.

Haxhires, djalit dhe të gjithëvet hairsira. Nga të gjithë këtej të fala.

Ju përqafoj

I juaji

Babai

 

 

Teqe, më 7 / 7 / 958

I dashur, evlad’i udhës, zoti Kruja!

Mora letrën t’uaj, gëzohem që jeni në shëndet. Lavdi Zotit dhe fakiri mirë jam me gjithë dervishin e shokët.

Për Matemin jeni drejt: fillon t’ejten mbrëma, më 17 korrik dhe çelet më 27 korrik, ditën e dielë në drekë! Po atë ditë del dhe Ashureja.

Për sa ju pyet prifti ne kemi t’atillë persona, si nga laikët Bektashi ashtu dhe nga kleri, të cilët kanë luajtur një rol të math për çështjen shqiptare. Për shembull Naim Frashëri ka qënë myhib Bektashi. Abdul Frashëri u vu në kontakt me krerët kosovarë me anën e Baba Alush Frashërit dhe Haxhi Adem Babait në Kosovë.

Baballarë të tjerë kemi Baba Ali Gjirokastrën, Baba Hajdërin dhe Baba Zejnel Gjoksin në Gjirokastrë, të cilët u internuan në Janinë, kur u muarnë masa kundra Lidhjes së Prizrenit. Baba Ademi në Korçë, Baba Hysejn Kruja e të tjerë kanë luajtur dhe ata një rol në kohën e tyre. Dhe Hoxha Tahsini nga Çamëria u bë myhib në Stamboll dhe kur arriti në Sarandë të merresh vesh me Baba Aliun, Turqit nuk e lanë, por e internuan. Ka plot episode të tilla, por mendoj se do ish mirë t’i studjonim një herë mirë kur të jemi së bashkut dhe t’i koordinonim mirë që të ish një përgjegje e saktë.

Djalit, Haxhires dhe gjithë atyreve që na duan hairsira.

Dervishi dhe të gjithë këtej të fala.

Ju përqafon Fakiri i juaj.

Babai

 

Loading...