Gëzim Saliu
“Sistemi bankar me problem, BSH nuk mund të heqë veten nga përgjegjësia. Sot jemi në kolaps”
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, kërkon dorëheqjen e guvernatorit të Bankës, Ardian Fullani, pas vjedhjes të ndodhur në Thesar. Ndryshe nga deklarata e dy ditëve më parë e kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili tha se përgjegjësia kryesore për këtë skandal qëndron tek Këshilli Mbikëqyrës, Manjani theksoi për “Ora News” se zyrtari publik në kushtet e çfarëdo skandali, duhet të japë dorëheqjen. “Ky shtet e ka krijuar një standard. Zyrtari publik në kushtet e çfarëdo skandali, edhe më të vogël se i Fullanit, ka dhënë dorëheqjen. Nuk u është lënë mundësia të vazhdojnë detyrën publike, sepse kanë dëshmuar që nuk e bëjnë dot. Edhe në rastin në fjalë Fullani s’ka pse të bëjë përjashtim. Ose me dorëheqje, ose me shkarkim, duhet gjetur një mënyrë mbi të gjitha të vëmë nën sundimin e ligjit të gjithë sistemin financiar shqiptar”, – deklaroi ai.
Deklarata
Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehu rezerva edhe për funksionimin e institucionit më të lartë financiar ndër vite, çka, sipas tij, ka ardhur nga keqmenaxhimi. “Nuk është vetëm akti i vjedhjes, por ka shumë ngjarje të tjera që lidhen me sistemin bankar niveli i kredive të këqija, niveli i ulët i kreditimit. Ka shumë probleme të tjera për të cilat BSH nuk mund të heqë veten nga përgjegjësia. Sot jemi në kolaps. Bëhet një tender për privatizimin e një kompanie publike me garanci false që i shkaktoi shtetit 85 milionë, minimumi, humbje. 60 milionë janë nga skema e vjedhjes së TVSH-së”, – theksoi ai. Nga ana tjetër, Manjani hodhi poshtë mundësinë se mazhoranca PS-LSI, po mbështet politikisht guvernatorin, Ardian Fullani. “As PS e as LSI nuk mund të mbrojnë individët. Jo individët që s’i ka zgjedhur vetë por as ato që i zgjedh vetë. Nuk është në politikën tonë. Fenomeni duhet diskutuar dhe kritikuar”. Dy ditë më parë, kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, e cilësoi një ngjarje të rëndë vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, që, sipas tij, ndikon edhe tek siguria financiare e vendit. Por, sipas tij, përgjegjësia kryesore për këtë ngjarje bie mbi 7 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, ndërsa sa i përket guvernatorit Ardian Fullani, Braho theksoi se ai nuk mban përgjegjësi ligjore dhe se dorëheqja e tij është çështje personale. “Pezullimi e shkarkimi kanë procedurat e tyre ligjore. Deri sot në këtë moment nuk ka akuza penale. Në momentin kur ka akuza penale ai shkarkohet. Moralisht është tjetër gjë nëse jep dorëheqjen. Nëse ai vetë propozohet apo vetë merr nismën për t’u larguar është çështje e tij. Por ligji e ka të parashikuar kur pezullohet dhe kur shkarkohet”. Ndërkohë, ndaj kërkesës së kreut të komisionit të Sigurisë reagoi edhe anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, Ermelinda Meksi, e cila theksoi se në rast se do të dorëhiqeshin tre anëtarët e këtij Këshilli, banka do të futej në ngërç. “Këshilli Mbikëqyrës në këtë rast me 3 anëtarë të dorëhequr do ndodhej pa kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve aq të nevojshëm kurdoherë,por sidomos në situatën aktuale”, – ka pohuar Meksi.
Kërkesa për shkarkimin e guvernatorit/ Peticioni firmoset në Shkodër. Nismëtarët: Ka arritur mbi 500 mijë firma
Peticioni për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është firmosur dje në qytetin e Shkodrës. Kërkesa që po artikulohet prej ditësh nga qytetarët, që prej publikimit të skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve vë në qendër të saj denoncimin e vjedhjes si edhe përgjegjësinë e guvernatorit. Pas firmosjes së peticionit, qytetarët shkodranë i bënë thirrje dje politikës të reagojë përballë këtij skandali, duke kërkuar shkarkimin e Fullanit si edhe hetimin e pasurisë së tij. Firmosja e peticionit për shkarkimin e guvernatorit do të vijojë për disa ditë në qytetin e Shkodrës, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen kësaj nisme të ndërmarrë në qytetet kryesore të vendit. Firmat që do të mblidhen gjate këtyre ditëve do t’i bashkëngjiten peticionit të Tiranës me 18 gusht, për t’iu dorëzuar më pas Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Ndërkaq, nismëtarët e këtij peticioni bën të ditur dje se mbi 5000 qytetarë i janë drejtuar tavolinave ku nënshkruajnë emrin e tyre për shkarkimin e guvernatorit. Ndërkaq, ata kërkuan mbështetjen e politikës për këtë çështje.
Mbështet Brahon/ Braçe kundër Meksit: Nuk bie në ngërç Banka me dorëheqjen tënde e anëtarëve të Këshillit
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, nëpërmjet një thirrjeje publike, i ka kërkuar Kuvendit dhe qeverisë që të rishikojë ligjin për Bankën e Shqipërisë, me qëllim që të largojë prej saj, guvernatorin, Këshillin dhe inspektorin e Përgjithshëm, pasi, sipas tij, Këshilli nuk ka ndërmend ta bëjë detyrën e vet. “Dua të ndaj me ju, detyrën për të bindur autoritetet më të larta të Kuvendit e qeverisë për nevojën ulëritëse të një auditi ndërkombëtar në Bankën e Shqipërisë, prej vitesh e abuzuar dhe keqpërdorur dhe natyrisht, kryerjen sa më parë të këtij auditi”, – shkruante deputeti socialist. Nga ana tjetër, Braçe ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për kërkesën e bërë nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho, që tre nga anëtarët e Këshillit të japin të parët dorëheqjen për ta zhbërë këtë Këshill dhe ka kundërshtuar gjykimin e ish-deputetes socialiste, Ermelinda Meksi, se kjo do shkaktonte një ngërç institucional, bërë një ditë më parë. “A e lexuat se ç’thonë: Do bjerë në ngërç Banka! Asfare! Banka është kapur nga e keqja dhe largimi i Guvernatorit, Këshillit, Inspektorit vetëm e çlirojnë Bankën. Këta nuk e çlirojnë dot! Duhet ta bëjmë ne. Me ligj!”, – deklaroi ai.