Të vërtetat dhe etiketat e Ahtisarit

0
177

Milazim Krasniqi

milazim krasniqiE sigurtë është vetëm një: pavarësia e Kosovës nuk u pranua si shpërblim për vuajtjen dhe për luftën çlirimtare të popullit shqiptar. Pse? Sepse po të ishte ashtu, nuk do të ndodhte gjithë ky demonizim dhe gjithë kjo përndjekje ndërkombëtare ndaj lëvizjes së armatosur shqiptare për pavarësi (UÇK-së.) Marti Ahtisari, Detyra në Beograd, Prishtinë, 2008

 

Libri “Detyra në Beograd” i Marti Ahtisarit është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2008 (nga shtëpia botuese finlandeze “Toiminim Nevla Tuula”) me synimin që të jetë në dispozicion të publikut shqiptar, që edhe ky të ketë shansin të njihet me versionin e të vërtetës të njeriut që ka qenë njëri nga arkitektët e marrëveshjes që i dha fund luftës dhe solli çlirimin e Kosovës. Libri është botuar me një tirazh modest prej 1000 ekzemlarësh, që në kushte normale nuk do të mjaftonte të plotësonte interesimin e lexuesve as për një javë. Për sa jam në dijeni, libri më nuk është ribotuar dhe nuk ka qarkulluar fare në tregun edhe ashtu mizerabël të librit në vendin tonë. Kam pyetur shumë njerëz të politikës dhe të kulturës se a e kanë lexuar këtë libër. Shumica absolute e tyre më kanë thënë se nuk e kanë lexuar.

 

Mosleximi- dëshmi e mosmirënjohjes 

Mosleximi i këtij libri nga ana e shqiptarëve të Kosovës është dëshmi e mosmirënjohjes  të cilën njëherë e një kohë Stalini e pati quajtur “sëmundje qeni”.  (Ne shqiptarët e dalë nga errësira e katakombeve komuniste, shumë herë dukemi si të infektuar nga ky këndshikim stalinist për mirënjohjen.) Por, në rastin konkret, mosmirënjohja jonë ndaj autorit të famshëm të këtij libri, atij nuk i shkakton asnjë zavall, sepse ai thjesht kalon mbi të duke e njoruar dhe pa u dëmtuar me asgjë nga mosmarrja prej nesh e një satiskaksioni moral. Mirëpo, mosleximi i këtij libri, që realisht do të thotë mosnjohje e procesit të komplikuar të çlirimit të vendit tonë, është mungesë e vetërespektit. Ne kemi pranuar të na mashtrojnë lloj-lloj matrapazësh me versionet e tyre të rreme lidhur me çlirimin e vendit dhe në mënyrë naïve jemi bërë viktima të gënjeshtëve të tyre e prej andej edhe të abuzimit të tyre me lirinë tonë. Edhe pse shumica e lexuesve janë vonuar kaq gjatë, pa e lexuar këtë libër të Ahtisarit, secili ka ende kohë që ta lexojë dhe të korrigjojë sadopak njohurinë e vet lidhur me luftën e vitit 1999 dhe procesin e komplikuar të arritjes së paqes e të çlirimit të vendit. Bile edhe për zhvillimet e fundit dramatike si  bllokimi i institucioneve dhe raporti i Uilliamsonit, ky libër do t’i ndihmonte secilit lexues të kuptonte se nga  ç’humbella u shfaqën.

“Detyra në Beograd” është rrëfim autentik i Marti Ahtisarit, lidhur me detyrën e tij si përfaqësues i Bashkimit Evropian në negociatat për ndalimin e armiqësive ndërmjet NATO-s e Jugosllavisë, të cilat zhvillohesin ndërmjet zëvëndëssekretarit amerikan të shtetit, Strob Tallbotit dhe emisarit të presidenetit të Rusisë, Viktor Çernomyrdinit. Autori është i besueshëm, sepse nuk e aktron as narratorin e gjithëdijshëm e as heroin e pagabueshëm të ngjarjeve që përfundojnë me hepiend. Modestia dhe toni kritik e vetëkritik janë prezente pothuajse në çdo fjali të librit të tij. Pra, e kundërta e “heronjve të gjallë “ të Kosovës, të cilët i kanë legjendarizuar bëmat e tyre modeste, krejt  në shpërpjestim me realitetin që e kemi jetuar të gjithë.

Rrëfimi i Ahtisarit është i besueshëm edhe për një arsye tjetër: për arsye të patriotizmit të tij të pastër finlandez. Ai e thotë që edhe detyrën e pati pranuar vetëm që t’i bënte një shërbim atdheut të vet, Finlanës, në vigjilie të marrjes prej saj të rolit si kryesuese e Bashkimit Evropian. Ahtisari synonte që ta mbaronte misionin para se Finlanda të merrte detyrën si kryesuese e BE-ë më 1 korrik 1999, që ta lehtësonte pozitën e saj, duke e zgjidhur problemin e Kosovës para asaj date.  “ Ndoshta arsyeja ime kryesore pse e pranova ishte, megjithatë, marrveshja që procesi të përfundonte para fillimit të korrikut, deri atëherë kur Finlanda do të bëhej kryesuese  e BE-së. Ky ishte absolutisht, afati i fundit” (f.16) Pra, Ahtisari nuk lamnton se gjoja e pranoi atë detyrë nga ndjenja e dhembjes për refugjatët a nga katastrofa humanitare, po as nga trubulencat gjeopolitike në kontinent, thjesht e mori nga dëshira që atdheut të vet t’ia bënte një nder e t’ia eliminonte një barrë para se të merrte kryesimin e BE-së. Auto që flet kaq sinqerisht,  është i besueshëm në rrëfimin e tij, pavarësshta se a e ka mirë a keq.  Për më tepër, autori e sjellë në vëmendje të lexuesit te vet përmasën e atdhedashurisë së tij edhe në një rast tjetër, shumë më interesant se i pari: derisa po bisedonte me Strob Tallbotin për krizën e Kosovës, ai po e përcillte ndeshjen e hokejit ndërmjet Finlandës e Suedisë. Edhe pse e shihte se po e  nevrikoste bashkëbiseduesin e tij të famshëm, ai nuk e prishte terezinë e tifozit të flaktë të ekipit të vet të zemrës. (Edhe po ta lexonin librin, nuk jam i sigurtë se do të arrinin ta kuptonin këtë të fshehtë të atdhedashurisë shumica e politikanëve shqiptarë. Mund edhe ta kem gabim po thjesht jam skeptik për ta.)

 

“Aftësitë e kosovarëve”

Mbase i brumëzuar me atë ndjenjë atdhedashurie të fortë, Ahtisari që në fillim të librit  prognoznonte se qytetarëve të Kosovës do të duhej t’u jipej shansi që ta udhëheqnin veten e tyre: “ Tani do të duhej të ishte koha që kosovarëve t’i jepet mundësi për t’i treguar aftësitë e tyre” (fq. 8) Edhe pse ai këtë e mendonte në kohën e krizës dhe e publikonte në vitin 2000 në librin e vet, qytetarëve të Kosovës ( “kosovarëve”si thotë ai) kjo mundësi nuk iu dha deri në vitin 2014. Në vitin 2014 kjo mundësi iu dha formalisht me zgjedhjet e 8 qershorit, por shpresa e autorit që ata t’i tregonin  “aftësitë e tyre” tash për tash nuk duket se do të përmbushet. Elita politike e Kosovës, në kundërshtim me shpresën e Ahtisarit,  me veprimet e veta,  tashmë i ka paralizuar institucionet e vendit, kuvendin dhe qeverinë.  as që e sjellë ndër mend se kush e ka dhe kush e merr kryesimin e BE-së, ashtu si bënte vetë Ahtisari në maj të vitit 1999. Nga ana tjetër, lehtësia e madhe e kësaj elite është që Kosova nuk ka ekip të hokejit mbi akull, prandaj ata nuk kanë mundësi ta nervozojnë ndonjë bashkëbisedues të huaj.   “Detyra në Beograd: është një radiografi e përpjekjeve të mëdha ndërkombëtare për arritjen e paqes përkatësisht për çlirimin e Kosovës. Autori na ka sjellë si në pasqyrë angazhimet e diplomacisë amerikane, e cila në një konfrontim të ashpor e të rrezikshëm me Rusinë, arriti të imponojë zgjidhje që rezulton me çlirimin e Kosovës. Figura më markante e këtij rrëfimi është Strob Tallboti, diplomat të palodhur e të vendosur amerikan, i cili i koordinonte dhe i korrigjonte të gjitha iniciativat dhe të gjitha veprimet diplomatike dhe ushtarake.  (Kam frikë se po t’i pyesësh të rinjtë tanë sot për figurën e tij, mund t’i rrudhin krahët e të shtrembërojnë buzët, duke e bërë edhe më kuptimplotë ndjenjën e përhapur të mosmirënjohjes ndër ne, që vazhdojmë ta gënjejmë veten se jemi çliruar dhe pavarësuar “me forcat tona”.

Pra, edhe pa ndihmën e pakursyer të Strob Tallbotit. Ndërsa, libri i Ahtisarit “Detyra në Beograd” dëshmon se çlirimi dhe liria e Kosovës e kanë në themelet e veta edhe punën guximtare të atdhetarit të madh amerikan, Strob Tallbotit. Dr. Alush Gashi më pati treguar para çlirimit një detaj nga takimi i tij me Tallbotin: derisa po i tregonte arsyet e angazhimit aq të madh në diplomaci, Tallboti e kishte marrë bashkëbiseduesin e vet dhe e kishte afruar te dritarja e zyrës së vet, prej nga dukeshin varrezat e Arlingtonit dhe i kishte thënë se ai tërë jetën  e vet po punonte që ta meritonte që të varrosej në ato varreza. E bërë bashkë kjo atdhedashuri e amerikanit Strob me atë të findandezit Marti, e detyruan Millosheviqin të gjunjëzohej dhe Rusinë ta braktiste në tentativë ndarjen e Kosovës. Ishte një fitore spektakulare e Perëndimit, brenda zonës tradicionale të influencës ruse.

 

Globaliteti dhe provincialiteti

Rrëfimi i Ahtisarit sjellë në vëmendje të lexuesit aktivitetet e  shumta të SHBA-ve, të BE-së, të Rusisë, të OKB-së të OSBE-së, të G8 dhe shumë insitucioneve të tjera ndërkombëtare, që ishin të involvuara në gjetjen e një zgjidheje për krizën e Kosovës. Ishte një angazhim global. Edhe emrat e shtetarëve, diplomatëve dhe ushtarakëe që ishin direkt të angazhduar, që nga Bill Klintoni, A Gori, Boris Jelcini, Gerhard Shrederi, Zhak Shiraku, Hoze Maria Aznari, Kofi Anani, Havier Solana, Medlin Olbrajti, Igor Ivanovi, Strob Talbot, Viktor Çernomyrdini, Knut Vollebeku e shumë të tjerë, poashtu dëshmon për një angazhim global të të gjitha resurseve politike, diplomatike e ushtarake.  Këtë na e fakton libri i Ahtisarit. Mirëpo, në vitet që pasuan, sigurisht pa e lexuar as këtë libër, dim,ensioni global i luftës në Kosovë e për Kosovën u shnang nga gazetaria, nga publicistika, nga memoaristika, nga politika e edhe historiografia jonë. Globaliteti u zëvendësua nga provincialiteti, përkatësisht nga primitivizmi, gjë që ka ndikuar keq jo vetëm në katandisjen e politikës, por edhe në edukitmin e  gjeneratave të reja të qytetarëve të këtij  vendi.  Sot jemi këtu ku jemi, të paaftë për t’i treguar aftësitë tona, për të cilat fliste me shpresë Ahtisari.

Ndoshta do të na duhet të kthehemi në fillimin e tregimit, te vlerat që janë etabluar në themelet e shoqërisë dhe të shtetit tonë të ri. Te kontributorët e vërtetë,  te çlirimtarët e vërtetë.  Nëse jo për tjetër, së paku për t’u çliruar nga ankthi që po prodhon ndarja e shoqërisë sonë shqiptare në Kosovës në “tradhtarë” e “heronj”.  Dhe për ta korrigjuar falsifikimin e të vërtetave historike para syve tanë. Si puna e “datës  së çlirimit” të Prishtinës, fjala vjen. E vërteta është se më 11 qershor forcat serbe ende ishin në Prishtinë e në gjithë Kosovën, sepse nuk kishte filluar largimi i tyre,  ndërsa në të gdhirë të datës 12 qershor, siaps Ahtisarit, forcat ruse pushtuan aeroportin e Prishtinës. (Një qytet që e ka aeroportin të pushtuar, edhe nëse territori tjetër është i lirë, nuk ka si të quhet i çliruar.)

Vlerësimet negative për UÇK-në, që shënon Ahtisari, si fjalë të personave të tjerë, si Krisofer Hilli dhe një tjetër i paidentifikuar, edhe sot, kur ballafaqohemi me raportin e prokurorit Uilliamnson, janë shqetësuese. Fjala vjen, Ahtisari sjellë këtë mendim të Hillit: “ Edhe Millosheviqi edhe lëvizja kundërshtuese e Kosovës janë vrasës të pafytyrë dhe vetëm veprimet e përbashkëta të Perëndimit dhe Rusisë mund ta parandalojnë një luftë të mirëfilltë” (fq.26)  Ndërsa, Ahtisari në një rast tjetër i kumton Çernomyrdint se një diplomat i huaj i paskësh thënë atij se “ UÇK-ja janë gjysma nazistë, kurse gjysma tjetër stalinistë  (fq. 60) Sigurisht mbi këso shtresimesh të vlerësimeve, me të cilat duket se nuk janë marrë seriozisht institucionet tona pas luftës, ka ardhur duke u ntrashur edhe paragjykimi, që solli etiketime si ato të prokurores zvicerane , Karla del Pontes dhe raportet si ai i Dik Martit dhe ky i Uilliamsonit. Edhe në këtë rast po vërtetohet se politika primitive e provinciale nuk sheh përtej hundës së vet, bile as hundën e vet. Librin e Ahtisarit me të vërtetat dhe etiketat  e  tij edhe më pak. Gjithsesi, ky libër përbën një minierë të pashtershme për eksploatimin e të vërtetave ende të panjohura lidhur me çlirimin dhe shtendërtimin e Kosovës, nga këndvështrimi ndërkmbëtar. Duhet ta kemi para sysh se pikërisht autori i këtij libri, ka qenë edhe hartuesi i Planit Gjithëpërfshirës me të cilin u arrit pavarësia e Kosovës në vitin 2008. Nga  këndvështrimi i legalitetit, Ahtisari është babai i pavarësisë së vendit tonë (edhe pse në librin e vet ai e pranon se në vitin 1999 ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës.) Kujtoj se as shkaqet që sollën evoluimin e qëndrimit të tij dhe të komunitetit ndërkombëtar , ne si shoqëri ende nuk i kemi plotësisht të njohura. A e solli ndryshimin e qëndrimit në favor të pavarësisë (përkundër faktit që në deklaratën e G8 dhe në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit shprehej zotimi që të respektohej integriteti dhe sovraniteti i Jugoslalvisë së Zhablaku) dinamika e brendshme e shoqërisë, apo ishte kjo pavarësi (e mbikëqyrur) produkt i “konspiracionit antirus anglo-amerikan”, apo erdhi si rezultat i kalkulimit gjeopolitik se ishte e vetmja mënyrë për stabilizimin e rajonit? E sigurtë është vetëm një: pavarësia e Kosovës nuk u pranua si shpërblim për vuajtjen dhe luftën çlirimtare të popullit shqiptar. Pse? Sepse po të ishte ashtu, nuk do të ndodhte gjithë ky demonizim dhe gjithë kjo  përndjekje ndërkombëtare ndaj lëvizjes së armatosur shqiptare për pavarësi ( UÇK-së), e cila pritet të inkriminohet edhe me ngritjen e një gjykate speciale në bazë të raportit të Dik Martit dhe Uillimansonit. Në kohën kur armata, policia dhe elita politike serbe janë rehabilituar plotësisht në sytë e komunitetit ndërkombëtar, (edhe kanakari i ri i BEsë,  Aleksander Vuqiqi, që ka qenë ministër i informatave në kohën e spastrimt etik të Kosovës, prej të cilit për luftën speciale do të mund të mësonte edhe Gebelsi) mbajtja e kësaj linje të presionit ndaj luftëtarëve shqiptarë, është në funksion të mbajtjes së shqiptarëve të Kosovës nën fre dhe nën diktat afatgjatë ndërkombëtar.  Sidoqoftë, na duhen vite të tëra studimi për t’i kompletuar dosjet e pistave, dokumenteve, bisedave, prapaskenave, pazareve dhe vendimeve që janë marrë, për ta kuptuar jo vetëm se si u ndërpre spastrimi etnik dhe gjenocidi, si u dëbua Jugosllavia nga Kosova, si u pengua plani rus për ndarjen e Kosovës dhe si u krijuan kushtet për pavarësimin e saj, por edhe si do të ecën fati ynë, kur matet në peshore me humorin e Serbisë së sotme “evropiane.”  “Detyra në Beograd” e Marti Ahtisarit është galeria e parë e kësaj miniere të dhënash, faktesh, pazaresh, spekulimesh dhe kalkulimesh.  Për këtë arsye, personalisht kujtoj se ne do të na duhet një disiplinë e re e njohjes së vetes, (edhe për të riardhur në vete) që do të mund të quhej Ahtisarologjia. Për të gjitha të vërtetat që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë të afërt dhe për të gjitha etiketat që po rëndojnë më shumë se plumbi mbi jetën tonë shoqërore e shtetërore të tashme po edhe të ardhshme.

10 gusht 2104

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency