“Spiuni” i SHBA-së/ 1 milion vetë të dyshuar për terrorizëm

0
135

ShBA GjermaniSipas një informatori, thuajse një milion vetë gjenden në listat e SHBA të të dyshuarve për terrorizëm. Në bazë të këtyre të dhënave vendoset edhe se kush mund të hypë në një avion, edhe në Gjermani.

 Në aeroportet gjermane janë aktivë punonjës të Ministrisë së SHBA për Mbrojtjen e Atdheut. Në mesatare vjetore madje janë më shumë se 50 punonjës të Department of Homeland Security (DHS) në veprim në Gjermani. Kjo rezulton nga një përgjigje e qeverisë gjermane ndaj një kërkese përkatëse të grupit parlamentar në Bundestag të partisë E Majta, në dhjetor 2013. Në bazë të një marrëveshjeje për të dhënat e pasagjerëve mes BE-së dhe SHBA-së, shoqëritë ajrore janë të detyruara t’u japin akses nëpunësve të sigurisë të SHBA tek të gjitha të dhënat e pasagjerëve. Për kontrollet ekziston edhe një bashkëpunim me policinë federale gjermane. Për shembull në aeroportin e Frankfurtit.

Deputetja Ulla Jelpke donte informacione të tjera për artikujt që u botuan në nëntor 2013 në gazetën “Süddeutsche Zeitung”. Sipas gazetarëve nëpunës amerikanë vendosin në aeroportet gjermane se kush lejohet të fluturojë në SHBA dhe kush jo. Sipas të dhënave të artikujve personeli i SHBA në Gjermani ka madje kompetenca të kryejë arrestime. Qeveria gjermane nuk ka konfirmuar që nëpunësit amerikanë i kanë lejuar vetes të kryejnë veprime që bien ndesh me ligjet shtetit gjerman. Ajo shkruan në përgjigjen e saj se në prokurorinë federale nuk ka procedura hetimore për cënim lirie. Qeveria gjermane pranon megjithatë se nuk regjistrohet nëse arrestimeve nga policia federale gjermane i kanë paraprirë sinjalizime nga autoritetet e sigurisë të SHBA-së.

 

Kufizim i lirisë së udhëtimit

Të ashtuquajturat “Sugjerime per te mos fluturuar” do të jenë më të shpeshta pasi sasia e të dhënave në bankat e të dhënave për të dyshuarit për terrorizëm në SHBA është shtuar në mënyrë dramatike, dyshojnë ekspertët. Në këtë kuadër nuk mund të përjashtohen as defektet pra prekja nga masat e personave krejt të pafajshëm. Eksperti për luftën kundër terrorizmit Rolf Tophoven shprehet qartë: “Sasi të tilla të dhënash thjesht është e pamundur të administrohen.” Për Tophoven nuk ka asnjë dyshim se autoritetet amerikane të sigurisë të stacionuara në Gjermani përdorin listat me të dyshuar për terrorizëm si ajo TIDE.

Rastet tek të cilat ngjashmëria e emrave me terroristët apo thjesht një kryq në vendin e gabuar kanë bërë që ndalimet e fluturimit të mos jenë të rralla.

Dyshimi i thjeshtë për lidhje me shoqata terroriste apo një angazhim politik që shihet shtrembër mund të mjaftojnë që të përfundosh në listën „No fly“ të SHBA.

Kështu e pësoi juristi belg dhe punonjësi i Parlamentit Evropian Paul-Emile Dupret, i cili donte të fluturonte drejt Meksikës për të marrë pjesë në një konferencë. Avioni në të cilin ndodhej nuk mori leje për të fluturuar mbi hapësirën ajrore të SHBA dhe iu desh të devijonte. Ndërkohë që nuk ishte planifikuar asnjë tranzit në SHBA.

 

Ndalime edhe për hapje llogarish

Që ndërkohë nuk është i prekur vetëm transporti por edhe pjesë të tjera të jetës në Gjermani, e shpjegon kryetari i Partisë Pirate, Stefan Körner. Pak kohë më parë një burrë nuk kishte mundur të hapte një llogari pasi emri i tij me gjasë ndodhej në një listë paralajmërimi për terrorizëm. E pazakontë. Pasi listat e SHBA me të dyshuar për terrorizëm mbajnë shënimin „Noforn“ (No foreign nationals) dhe nuk duhet të ofrojnë akses as për shërbimet e huaja sekrete dhe as për institucione të tjera. Megjithatë qeveria amerikane pranon se rreth 4,2 milionë punonjës të ushtrisë, ministrive dhe 16 shërbimeve sekrete kanë të drejtë aksesi në listat me të dyshuarit për terrorizëm. „Druaj se ngadaë kjo po merr përmasa që shpërthejnë çdo lloj përfytyrimi“, thotë deputeti gjerman Stefan Körner.

Mbetet pyetja se në çfarë përmasash autoritetet gjermane të sigurisë shfrytëzojnë të dhënat e mbledhura nga SHBA. Körner është para së gjithash i pakënaqur me të dhënat e shërbimit informativ gjerman. Që në komisionin hetimor parlamentar për NSA-në, përfaqësues të BND-së thanë se shfrytëzojnë vetëm 20 për qind të materialit të SHBA. Se kujt i referohen këto 20 për qind është krejt e hapur. Eksperti për luftën kundër terrorizmit Rolf Tophoven bën të qartë: „Unë e përjashtoj që Gjermania adopton një më një strategjinë e SHBA për mbledhjen masive të të dhënave.“ Gjermania në rast sinjalizimesh nga autoritetet e SHBA është e detyruar të shqyrtojë rreptësisht të gjitha të dhënat. E rrezikshme është natyrisht kur informatorë të tjerë do të publikonin vërtet emra nga listat „No fly“. Sipas të dhënave të faqes informatore të internetit “The Intercept”, për rreth 300.000 persona nga këto lista nuk ka asnjë lloj lidhje me ndonjë organizatë terroriste.

 

 NYT: Ta bësh armëpushimin në Gaza jetë-gjatë

Lajmi i parë i mirë që një kohë të gjatë ishte arritja e një armëpushimi 72 orësh derisa izraelitët dhe palestinezët numërojnë humbjet dhe arritjet gjatë luftës së fundit rreth një Rripi të dëshpëruar të Gazës. Këto janë fjalët me të cilat “The New York Times” e nis editorialin e sotëm rreth situatës në Lindje të Mesme.

Pas dhënies së numrave të viktimave te të dyja palët, bordi editorial i gazetës vlerëson se në këtë luftë ekziston edhe një humbje që është më pak e prekshme: mënyra se si izraelitët e rëndomtë është dashur të jetojnë me frikën e sulmeve me raketa; çarja cdo herë në rritje në marrëdhëniet në mes të Izraelit dhe SHBA-ve; kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit dhe protestat antisemite dhe dhuna në Evropë.

“The New York Times” vlerëson se tani duket se ka pak mundësi që dikush në politikën e Izraelit t’i jap fund okupimit të Bregut Perëndimor dhe Gazës dhe të krijojë shtetin palestinez.

Pavarësisht asaj që të dyja palët po e fajësojnë njëra tjetrin për viktimat në civil e më e rëndësishmja, se kush e fitoi luftën, “The New York Times” vlerëson se të dyja palët dështuan të arijnë qëllimin kryesor, shkatërrimin e njëri tjetrit.

“Izraeli nuk do zhduket. As palestinezët, ndërsa ekstremistët në mesin e tyre do e gjejnë vendin dhe audiencën e vet nëse nuk ka shpresë dhe asnjë lider i përgjegjshëm dhe i moderuar që ta qoj vendin drejt një të ardhme më të mirë”, vlerëson më tej gazeta amerikane.

Konflikti izraelito-palestinez nuk është më një problem që mund të durohet, përmbahet apo edhe të menaxhohet. Editoriali i “The New York Times” shkruan më tej se “deri në një nivel të pazakonshëm, e tërë Lindja e Mesme është një problem i pazgjidhur – nga një lumë refugjatësh, përhapja e militantëve Sunni në mes të Sirisë dhe Irakut, rivaliteti në mes të Shiitëve dhe Sunnitëve dhe bile edhe një ndarje në mes të vet Sunnitëve. Forcat Sunnite në Irak po sulmojnë kurdët dhe popullatën e krishterë. Gjithandej në tërë rajonin ka ekstremizëm dhe jo stabilitet”.

Për këtë arsye, sipas gazetës amerikane, gjatë bisedimeve në mes të izraelitëve dhe palestinezëve në kryeqytetin egjiptian, Kajro, duhet të vendoset baza për dicka shumë më të madhe dhe më jetëgjatë se sa vetëm një armëpushim.

“Disa kushte janë të qarta”, thotë më tej “The New York Times”, duke shtuar se palestinezët duhet të ndalojnë grupet ekstremiste, sulmet me raketa, kontrabandimin e armëve dhe pajisjeve për raketa. “Duhet  të mbahet një konferencë donatorësh për të rindërtuar Gazën, por me garancionin se Hamasi nuk do i përdor paratë e dhëna për projekte civile për të krijuar raketa apo ndërtuar tunele. Ndryshe, ka shumë pak mundësi që Izraeli t’i jap fund bllokadës që e ka mbajtur Gazën të mbyllur brenda Rripit duke ia pamundësuar importet, eksportet dhe vendet e punës”, vlerëson më tej “The New York Times”.

Gazeta shkruan se çelësi për diçka më të madhe mund të gjendet tek presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, institucion që e pranon ekzistimin e Izraelit dhe që kërkon rol në kontrollimin e kufirit në mes të Izraelit dhe Gazës.

Kjo është dicka që sipas editorialit të “The New York Times” do të mund të pranohet edhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, pasi ai për këtë tashmë ka dhënë sinjale.

“Nëse cfarëdo marrëveshje arrihet në Kajro, ajo duhet të hartohet në atë mënyrë që e forcon autoritetin (palestinez) dhe presidentin e saj, Mahmud Abbas, duke menaxhuar çfarëdo fondesh që i dhurohen Gazës”, vlerëson më tej “The New York Times”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency