Krimi makabër/ Nëna vret me thikë fëmijën 4 vjeç, ishte në gjumë

0
142

Sonila Mesareja

policia ne fshatin Godolesh ku ndodhi vrasjaDebatet për takimin e fëmijës me gjyshërit nga i ati dhe kalimin në depresion të rëndë këto tri vjet, dyshohet shkak i aktit të rëndë. Gruaja 26-vjeçare, Nexhmie Dushku, në gjendje të rëndë, kërkon të vdesë

Një krim makabër është shënuar në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme në fshatin Godolesh të Elbasanit. Nëna ther me thikë në gjumë djalin e saj 4-vjeçar dhe më pas në të njëjtën mënyrë tentoi edhe vetëvrasjen e saj. Kanë qenë prindërit e 26-vjeçares Nexhmie Dushku ata që kanë konstatuar të parët krimin e rëndë, duke vënë në dijeni menjëherë uniformat blu. Gruaja, e divorcuar 3 vjet më parë nga bashkëshorti Altini, i cili prej pak vitesh ndodhet në Angli si emigrant, ndodhej në gjendje të rënduar depresive. Nga familjarët e saj mësohet se tri ditë më parë, por edhe një natë para krimit të rëndë, ka pasur debate të ashpra mes saj dhe prindërve për çështjen e djalit, K.Murati, pasi nuk u lejonte ish-krushqve ta takonin. Ky dyshohet paraprakisht të ketë qenë shkaku i krimit, pasi Nexhmia nuk lejonte askënd të shihte fëmijën dhe deklaronte se e kishte vetëm për veten e saj djalin.

 

Ngjarja

Ka qenë ora 01:30 e mëngjesit kur nëna e Nexhmie Dushkut nuk ka gjetur në dhomë vajzën dhe djalin e saj të mitur dhe bashkë me të shoqin kanë nisur ta kërkojnë, fillimisht nëpër shtëpi dhe më pas nëpër bahçe. Në një serë afër shtëpisë kanë gjetur dy trupa të përgjakur, fillimisht nipin e pajetë dhe më pas vajzën e tyre, e cila kërkonte të vdiste. Menjëherë kanë lajmëruar të tronditur të plotfuqishmin e lagjes dhe policinë, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Policia gjeti të pajetë 4-vjeçarin K.Murati, me një prerje vdekjeprurëse në fyt, ndërsa në të njëjtën mënyrë prerjeje edhe nënën e tij Nexhmien, e cila u transportua me urgjencë për në spitalin e Elbasanit ku iu dha ndihma e parë dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Policia nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes, duke marrë në pyetje familjarë nga familja Dushku dhe Murati, kjo e fundit e prindërve të ish-bashkëshortit Altinit që ndodhet emigrant në Angli te vëllai i tij.

 

Motivi dhe debatet

Nexhmie Dushku prej vitesh vuante nga depresioni. Këtë e konfirmojnë familjarë dhe të afërm të saj. Por, më e rënduar gjendja u bë dy vitet e fundit, kur debatonte shpesh me prindërit e saj pasi nuk lejonte ish-krushqit Murati të shihnin nipin e tyre sipas vendimit të gjykatës. Madje, këta të fundit e kishin kërkuar edhe me Përmbarim zbatimin e vendimit të gjykatës për të parë nipin. Nga dëshmitë e familjarëve, por edhe të afërmve, mësohet se babai i Nexhmies ndodhej emigrant në Greqi dhe ishte kthyer prej andej ditën e premte. Ai ka debatuar me të bijën 26-vjeçare gjatë këtyre tri ditëve, duke i kërkuar t’u jepte mundësinë edhe gjyshërve të tjerë të takonin dhe të mbanin djalin 2 javë këtë gusht, sipas vendimit të gjykatës. Por, Nexhmia nuk ka pranuar, ka debatuar ashpër dhe ka qenë mjaft e acaruar, duke deklaruar se “djalin e kam vetëm timin dhe nuk ia çoj asnjë njeriu në shtëpi, aq më tepër atyre”. Në debat kanë ndërhyrë edhe të afërm të tjerë, duke qetësuar sadopak situatën, por pa menduar se çfarë kishte ndërmend të bënte 26-vjeçarja Dushku, e cila jetonte vetëm pas divorcit me nënën në shtëpi, pasi 3 motrat i kishte të martuara. Nexhmija ishte acaruar shumë dhe nuk donte që fëmijën e saj ta çonte te gjyshërit nga i ati, një formë hakmarrje për divorcin me të shoqin Altinin.

 

Divorci

Gjashtë vjet më parë, Nexhmia dhe Altini u dashuruan me njëri-tjetrin, ndërsa mësohet në fshat se jetonin vetëm 10 minuta larg. Familjet Dushku dhe Murati e kurorëzuan me martesë këtë dashuri, dhe katër vjet më parë, më 16 gusht 2010 i gëzoi zoti me një fëmijë, djalë, K.Muratin. Por, edhe lindja e djalit, e cila u mendua se do sillte përmirësim të situatës, nuk solli asnjë ndryshim mes çiftit. Debatet ishin të shumta, çka sollën divorcin e pashmangshëm, edhe pse të dy familjet negocionin që marrëdhëniet e tyre të përmirësoheshin. Divorci u bë i pashmangshëm dhe pas ndarjes, gjykata ia la djalin e mitur nënës, duke caktuar edhe kohën e takimeve me të atin dhe familjen e tij, si dhe dy javë në gusht për të qëndruar për pushime me ta. Ky vendim u zbatua vetëm vitin e parë dhe më pas, Nexhmia nuk pranoi të djali të takohej me të atin dhe gjyshërit, situatë që vijoi për afro 3 vite. Më 16 gusht djali mbushte 4 vjeç, kishte ditëlindjen dhe familja Murati donte ta mbante dy javë sipas vendimit të gjykatës, duke folur edhe me babanë e Nexhmies. Ky i fundit ishte dakord, por kishte të bijën që nuk arrinte ta bindë, duke pasur debate të shumta me të tri ditët e fundit, çka solli edhe shtimin e depresionit të të bijës. Por, askush nuk kishte menduar se Nexhmia mund të arrinte deri në kryerjen e një akti kaq ekstrem.

 

Dëshmitë e banorëve/ Të vdesë më mirë pas krimit që kreu, ka tentuar të vrasë edhe të shoqin

Banorë të shumtë në fshat e përshkruajnë Nexhmie Dushkun si mjaft agresive dhe problematike, të cilat i shfaqi që në momentet e para të martesës, çka solli edhe divorcin. “Më mirë të vdesë edhe ajo sesa të kthehet e gjallë, pas turpit që ka bërë duke therur djalin. E tillë ka qenë Nexhmia, tentoi të vrasë edhe të shoqin kur ishin të martuar për shkak të zënkave” reagojnë banorë të shumtë, të cilët vijojnë se për herë të parë u ndodh në fshat një gjëmë e tillë. “Jemi fshat mikpritës, nuk ka ndodhur ndonjëherë krim i tillë në zonën tonë” reagojnë ata ndërsa shkojnë të japin lamtumirën e fundit për të pafajshmin që iku nga kjo jetë, 4-vjeçarin K.Murati.

 

Dëshmia/ Mehmet Murati: Kishim dy vjet pa parë nipin, e kërkuam deri me Përmbarim

Në familjen e Mehmet Muratit janë hapur dyert e mortit, ashtu si te shtëpia e ish-krushkut. Ish-nusja u ka vrarë nipin e tyre 4-vjeçar, të cilin kishin 2 vjet pa e takuar, por e shihnin vetëm në distancë. Mes dhimbjes, lotëve dhe mallit të pashuar, gjysh Mehmeti shprehet i tronditur për ngjarjen. “E mësova lajmin rreth orës 03:30 të mëngjesit nga i plotfuqishmi i lagjes, Më thirri në lokalin e lagjes dhe më tha çfarë kishte ndodhur. U trondita. Nuk di si ta përshkruaj lajmin që mora. Kishim dy vjet pa e takuar djalin dhe kishim vënë në lëvizje deri Përmbarimin për ta takuar, donim vetëm të zbatohej vendimi i gjykatës” tregon Mehmeti, ndërsa shton se shpesh i kishte kërkuar ndihmë edhe ish-krushkut të tij. Ndërkohë që lamtumira e fundit do i jepet nga familja Dushku, Mehmeti shprehet se do negociojnë që të shkojnë në këtë familje për t’i dhënë të paktën lamtumirën e fundit nipit 4-vjeçar, pasi nuk arritën do ta takojnë të gjallë. Ndërsa për djalin e tyre Altinin, ata thonë se ndodhet te i vëllai në Angli dhe për shkak të dokumentave e ka të pamundur të vijë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency