Institucionet e Kosovës/ Ngërçi politik, mesazh i keq për investitorët

0
175

kosove ngerci politikVonesat për formimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, reflektojnë në mënyrë negative edhe tek investitorët e huaj, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Sipas tyre, kjo ngecje dhe ngërç politik, në fund të vitit do të rezultojë me një vlerë më të ulët të investimeve të huaja direkte.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se tashme është dëshmuar se moskonstituimi i institucioneve qendrore ka prolonguar disa projektet kapitale që kanë qenë në fazën e zhvillimit.

Fjala është për koncesionimin e qendrës turistike “ Brezovica”, shpalljen e kompanisë fituese për ndërtimin e Termocentrali “Kosova e Re”, si dhe me projektligjet që kanë qenë në procedura parlamentare dhe nuk dihet kur mund të përfundojnë, siç është Ligji për Ristrukturimin e Trepçës.

“Të gjitha këto bashkë tregojnë se nuk ka gatishmëri, nuk ka ambient që të ecet përpara me projekte dhe qarqe zhvillimore – çka do të thotë se në këtë rast edhe investitorët e huaj nuk kanë kujt t’i drejtohen apo edhe nuk kanë si t’i drejtohen qeverisë aktuale rreth mundësisë së investimeve të kapitalit të tyre në Kosovë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit konsiderojnë se ngërçi politik në vend ka krijuar një paqartësi tek investitorët ndërkombëtar potencial.

Agim Shahini, udhëheqës në Aleancën Kosovare të Biznesit, madje thekson se kjo gjendje krijon imazhin e mungesës së sigurisë për investitorët potencial.

Në këtë situatë, sipas Shahinit, mungon edhe vizita e investitorëve të mundshëm në Kosovë.

Ai thotë se ka pasur disa propozime nga qeveria në largim për përmirësim të kushteve për investitorët e huaj.

“Ne, si Aleancë, këto propozime i kemi proklamuar tek investitorët e huaj. Dhe ata tashmë pyesin se çfarë po ndodh. E, ne duhet t’u themi që ende nuk ka institucione, të cilat mund t’i marrin dhe që kanë guxim t’i marrin këto vendime për reformat e politikave që rrisin investimet dhe interesin e tyre. Po e shihini se tashmë rrallë po vijnë investitorë për të vizituar Kosovën”, bën të ditur Shahini.

Mesazh tjetër në dëm të investitorëve, sipas Shahinit, janë edhe paralajmërimet e fundit të koalicionit – Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – që të rishikohen të gjitha vendimet e marra nga qeveria në largim.

“Ka krijuar huti të madhe tek investitorët që në Kosovë nuk funksionojnë institucionet shtetërore deri në momentin kur bëhet pranim – dorëzimi i qeverive. Prandaj, mendoj se politikanët duhet të jenë shumë të kujdesshëm që mos të shprehen për inate apo çështje tjera, e të dërgojnë mesazhe tek investitorët e huaj se këtu mund të rishikohet i gjithë i gjithë procesi”, shprehet Shahini në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ndryshe, viteve të fundit Kosova nuk qëndron mirë sa i përket investimeve të huaja direkte. Që nga viti 2008, këto investime kanë shënuar rënie të vazhdueshme.

Ndërkaq, vitin e kaluar, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja kanë qenë 258.9 milionë euro.

 

Maqedoni: Shqiptarët, pak të përfaqësuar në institucione

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore si një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, edhe pas 13 vjetësh mbetet larg normës së garantuar në këtë dokument dhe garantuar me Kushtetutën e Maqedonisë, thekson Naser Ziberi, një nga ekspertët pjesëmarrës në hartimin e këtij dokumenti kornizë.

“Përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucione duhet të përfundojë në vitin 2004, siç parasheh dhe aneksi C i Marrëveshjes së Ohrit. Obstruksionet permanente, të cilat i bëhen këtij dokumenti nëpër institucionet shtetërrore, nëpër ministri apo drejtori ose sekretariate, kanë penguar realizimin e këtij përcaktimi edhe kushtetues, edhe dispozite të Marrëveshjes së Ohrit”.  “Në ato institucione ku drejtues janë ministra apo drejtorë, kuptohet se kohë pas kohe shënohen lëvizje, por në momentin kur këta persona zëvendësohen me drejtues maqedonas, sërish vjen deri te debalansi i përfaqësimit”, thotë Ziberi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se numri i shqiptarëve në institucione është rritur për 13 mijë të punësuar, ose vetëm rreth 7 për qind nga 2007 e këtej, prej kur ky institucion përpunon raporte të detajuara për institucionet, në veçanti se në cilin nivel ato e kanë zbatuar këtë dispozitë ligjore.

Shqiptarët edhe më tej mbeten nën 18 për qind të përfaqësuar në gjykata, polici, në dikasterin e mbrojtjes, në financa dhe diplomaci. Madje, disa institucione mbeten hermetikisht të mbyllura për shqiptarët siç janë njësitet elite të dikasterit të Mbrojtjes apo dikasteri Shërbimeve Sekrete të Shtetit.

“Dhimbja më e madhe apo përfaqësimi më ekstremisht i parealizuar mbetet në institucionet, që nuk janë në varësi të drejtpërdrejtë nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një obstruksion, si rezultat i mungesës së vullnetit politik për implementimin e përcaktimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Ohrit”, vlerëson Ziberi.

Por, analisti maqedonas, Sasho Klekovski, konsideron se do të ishte gabim i madh nëse gjithçka do të ishte vetëm për përfaqësimin e drejtë, meqë sipas tij, edhe pjesët tjera të këtij dokumenti kornizë janë po aq të rëndësishme, për palcën multi-kulturore të Maqedonisë.

“Vlerësoj se përfaqësimi i drejtë i etniteteve që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit, edhe pse nuk zbatohet ashtu siç do të donin të gjithë në raport me sasinë dhe cilësinë, megjithatë ka ndryshuar raportet e kontaktit në vendet e punës. Tani mund të hasni shumë më shumë përfaqësues të etniteteve të ndryshme nga ajo që ishte më parë, njëjtë është puna edhe në sektorin e biznesit”, konsideron Klekovski.

Ai shton se mbase tani është koha për një analizë thelbësore rreth këtij dokumenti, i cili instaloi paqen pas konfliktit të armatosur në Maqedoni gjatë vitit 2001 duke u fokusuar në atë se çka funksionon, e çka nuk funksionon nga Marrëveshja e Ohrit.

Ndërkaq, BDI-ja që përfaqëson shqiptarët në Qeveri, në vazhdimësi thekson se ky proces është i vështirë dhe për t`u arritur rezultate të kënaqshme nevojitet kohë. Ndërkohë që, sipas saj, ende nuk është gjetur një mekanizëm që do t’i sanksiononte ato institucione që nuk zbatojnë këtë dispozitë të Kushtetutës që ka të bëjë me përfaqësismin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency