Kë do të zgjedhin kurdët në Turqi?

0
130

Për herë të parë një pjesëtar i minoritetit më të madh në vend kandidon për postin e Presidentit. Nëse kandidati kurd do ta marrë shumicën e votave të kurdëve, kjo është e pasigurtë.

 

Recep-Tayyip-Erdogan-005Ai kërkon më shumë demokraci dhe të drejta të njeriut – dhe është kandidati më i ri për postin e Presidentit: kurdi 41-vjeçar Selahattin Demirtas nga Partia Demokratike e Popujve (HDP). Në zgjedhjet presidenciale të së dielës (10.8.14) në Turqi, ai do të kandidojë kundër Kryeministrit në post, Recep Tayyip Erdogan, dhe kandidatit kemalist Ekmeleddin Ihsanoglu. Këtë të fundit e mbështesin forcat sekulariste dhe nacionalistët.

Kurdët mendojnë në mënyrë pragmatike

Po nëse shumica e kurdëve do ta zgjedhë kandidatin kurd, është e pasigurtë, sepse para së gjithash zgjedhës të moshës së mesme në zonat kurde të Turqisë do të lidhin shpresa të mëdha me Erdoganin, mendojnë analistët. “Sondazhet tregojnë se kurdët janë të kënaqur me investimet e deritashme në rajon të qeverisë së Erdoganit”, – thotë Vahap Coskun nga Universiteti Dicle në Xhiarbakir. Kurdët shpresojnë për investime të tjera në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë.

Të gjitha përmirësimet konkrete në infrastrukturë njerëzit ia dedikojnë Erdoganit. Pas shumë viteve të gjendjes së jashtëzakonshme, në të cilat popullata e zonave kurde në Turqi ka vuajtur edhe nga varfëria ekonomike, njerëzit në fushatën elektorale mendojnë më tepër në mënyrë pragmatike. Edhe zgjedhjet komunale në mars, në të cilat partia e Erdoganit, AKP, mori rezultate shumë të mira, tërheqin vëmendjen në faktin se edhe këtë herë ai mund të bëjë për vete shumë kurdë.

Kurse Demirtasin e mbështesin para së gjithash të rinjtë, për të cilët vlerat demokratike janë shumë të rëndësishme, thotë Coskun. Sepse për këto të drejta flet herë pas here kandidati kurd. Njëkohësisht, mbështetësit e Demirtasit midis kurdëve janë të interesuar për të “ruajtur identitetin e tyre kurd”, – thotë Coskun.

 

Procesi i paqes si emërues i përbashkët

Një temë qendrore e fushatës elektorale është për kurdët procesi i paqes midis qeverisë turke dhe partisë punëtore kurde PKK – si parakusht për të gjitha përparimet e tjera në rajon. Si Erdogani, ashtu edhe kurdi Demirtas kanë bërë të ditur se do t’i përmbahen pas një fitoreje në zgjedhje negociatave për paqen.

Pak para zgjedhjeve, qeveria turke nxori një ligj të ri, i cili u jep siguri juridike negociatave të paqes me PKK dhe u premton ish-luftëtarëve të PKK mundësinë e risocializimit. “Ligje të tilla krijojnë te kurdët besim të madh përballë qeverisë”, – mendon Coskun – dhe kjo do të ishte përparësi e qartë për Erdoganin.

Si bisedimet e paqes ashtu edhe stabiliteti ekonomik në vend e forcojnë Erdoganin – edhe në zonat kurde. Demirtasi nuk do të marrë më shumë se shtatë për qind të votave, mendon gazetari turk Cengiz Candar, i cili shkruan prej vitesh për kurdët dhe për partinë kurde. Por me kërkesat e tij për më shumë demokraci dhe të drejta për minoritetet, Demirtasi e paraqet veten si forcë opozitare për t’u marrë seriozisht në Turqi – pavarësisht si përfundojnë zgjedhjet.

 

 

 

Miratim në Berlin për misionin e Gazës

Ministri i Jashtëm izraelit Lieberman u kërkon gjermanëve në një intervistë që të marrin pjesë në kontrollin e kufijve në Rripin e Gazës. Në Berlin ai gjen mbështetje.

Politikanë të kampeve të ndryshme politike e quajnë të mundur një pjesëmarrje të Gjermanisë në kontrollin e kalimit kufitar Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit. “Unë personalisht mendoj që këtu ne jemi të detyruar dhe nuk duhet t’i mbyllim sytë”, – thotë Reinhard Robbe, kryetari i Shoqatës Gjermano-Izraelite, i cili më parë ka qenë i Ngarkuari me Çështjet e Mbrojtjes i Bundestagut. “Gjermania ka me gjithë të kaluarën e saj një përgjegjësi të veçantë”.

Forca evropiane të Mbrojtjes së Kufirit e kanë kontrolluar kalimin kufitar Rafah edhe në vitet 2005-2007, pasi Izraeli i pati dhënë fund pushtimit të Rripit të Gazës. Pas fitores në zgjedhje të Hamasit në vitin 2007, BE i dha fund misionit. Ditët e fundit, ministri i Jashtëm gjerman propozoi që këto kontrolle të rifillojnë. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman e përshëndeti këtë ide në një intervistë që dha. BE duhet të “dërgojë inspektorë, të cilët të kontrollojnë tregtinë e Gazës me fqinjët e saj”, – tha ai. Gjermania “duhet të marrë përgjegjësi si drejtuese e një misioni të tillë”. E paqartë mbetet megjithatë se çfarë qëndrimi kanë Hamasët për këtë ide dhe nëse Egjipti do të lejonte një hapje të kalimit kufitar. Kajroja, e cila vepron me ashpërsi në vend kundër islamistëve, dëshiron që Hamasët të izolohen në plan ndërkombëtar.

“Që Gjermania të marrë pjesë, për këtë duhet të jenë dakord të gjitha palët”, – thotë Niels Annen, zëdhënës i politikës së jashtme i socialdemokratëve. Edhe ai sheh megjithatë në hapjen e pikës kufitare nën kontroll ndërkombëtar një rrugë të drejtë. “Po të ruhet bllokada, do të hapen sërish tunele të reja”, – paralajmëron Annen. Edhe partia opozitare E Majtë, e cila si traditë i sheh me skepticizëm misionet në botën e jashtme të forcave gjermane të sigurisë, sinjalizon mbështetje. “Po të jetë në gjendje të mbështesë BE, le ta bëjë”, – thotë eksperti për politikën e jashtme, Stefan Liebich. Dhe nëse Gjermania do të ishte në gjendje të japë kontribut për këtë, ai do ta mbështesë këtë hap, tha Liebich. Një rol më të gjerë të Gjermanisë dhe të BE-së propozoi kristiandemokrati Philipp Missfelder. “Një mision vëzhgues mund të ndihmonte në çarmatosjen e grupeve radikale në Rripin e Gazës”, – propozon ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency