Bilanci / Aksidentet, rrugët dhe energjia elektrike u marrin jetën 4 personave

0
155

Sonila Mesareja

Dy persona humbën jetën prej aksidenteve me automjete në Shkodër e Fushë-Krujë, dy të tjerë ranë në kontakt me energjinë elektrike

 

aksident-rrugorAksidentet janë duke shënuar dita-ditës viktima. Aksidentet me makinë, aksidentet në ndërtim apo dhe vdekjet aksidentale gjatë riparimeve elektrike kanë shënuar vetëm ditën e djeshme katër të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Kështu, nga aksidenti i dy ditëve më parë në Dukagjin të Shkodrës, në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, është raportuar edhe viktima e dytë, një shtetas italian, i cili u gjet i pajetë vetëm dy orë pas ngjarjes. Ndërkohë, në orët e pasdites së djeshme, një mjet me shpejtësi ka përplasur për vdekje një 43-vjeçar në Fushë-Krujë, ndërsa vetëm disa minuta më pas u vetëdorëzua në polici autori. Por aksidentet me makinë nuk janë të vetmet, pasi dy persona në Lezhë dhe Elbasan kanë humbur jetën teksa riparonin defekte elektrike, ndërsa një punonjës ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme, teksa punonte në një pallat në ndërtim.

Aksidenti në Shkodër

Një shtetas italian, pronar i një agjencie turistike, është personi i dytë që ka humbur jetën nga aksidenti i dy netëve më parë në vendin e quajtur Guri i Maxhës në Dukagjin të Shkodrës. Shtetasi italian ishte sipërmarrës në një agjenci turistike dhe kishte shkuar bashkë me pesë personat e tjerë, një i mbetur i vdekur dhe katër të aksidentuar rëndë pas rënies së fuoristradës në humnerë, për të inspektuar zonën e Dukagjinit ku do çonte ditën e sotme një grup turistësh italianë. Viktimat e aksidentit të dy netëve më parë janë një shtetas italian, Giorgio Faraggiano, 67 vjeç, dhe Pëllumb Murri, 35 vjeç, e të plagosur mbetën Fatjon Pjetri, drejtuesi i automjetit, Kristjan Gjini, Fran Deda dhe Eral Papleka. Sipas policisë, 6 personat po ktheheshin në Shkodër, pas një ekspedite që organizuan në zonën e Dukagjinit. Nga hetimet dyshohet se drejtuesi i mjetit humbi kontrollin e makinës nga rruga e keqe dhe më pas doli nga rruga duke përfunduar në humnerë. Vetëm pas 2 orësh u bë e mundur nxjerrja nga gremina e viktimave dhe të plagosurve, në aksion u përfshinë edhe banorë të zonës. Drejtuesi i mjetit, i cili ndodhet në gjendje më kritike, u transportua me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Aksidenti në Fushë-Krujë

Një automjet ka përplasur një çiklomotor dhe për pasojë një 43-vjeçar ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në Fushë-Krujë, ku një automjet tip “Volkswagen Touareg” me targa PR 007 II, ka përplasur çiklomotorin në vendin e quajtur ‘Ura e Gjolës’ duke sjellë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të çiklomotorit, Dashamir Kurti, 43 vjeç. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë të cilët bënë të mundur identifikimin e autorit Edison Shota, 25 vjeç, i cili ishte larguar fillimisht nga vendi i aksidentit. Më pas me ndërmjetësim të policisë, ai u është vetëdorëzuar autoriteteve të rendit, duke pranuar edhe fajësinë për ngjarjen. Deri më tani nuk dihen ende shkaqet e aksidentit, ndërkohë efektivët blu, po punojnë për zbardhjen e plotë të tyre.

Elbasan e Lezhë

Dy shtetas humbën jetën ndërsa tentonin të riparonin defekte elektrike në Lezhë dhe Elbasan. Kështu, dje ndërsa ka rënë në kontakt me energjinë, ka humbur jetën një elektricist nga Elbasani. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Karakullak, disa kilometra larg këtij qyteti. Sipas burimeve, Shefqet Skura, 45 vjeç, ishte duke riparuar një defekt kur ra në kontakt me energjinë elektrike dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që, pak orë me vonë, 22-vjeçari Erion Gjeka nga Lezha humbi jetën, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, teksa punonte me matrapik.

Aksidenti në Laç

Një punëtor 35-vjeçar, ka rënë nga kati i 4-t i një pallati ku punonte, dhe për pasojë është plagosur në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite në Laç, ku Arjan Prenga ka rënë nga kati i katërt i një pallati teksa po punonte. Mësohet se ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Laçit dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa për ndihmë më të specializuar u dërgua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

 

Vlorë

Operacioni antikanabis, asgjësohen 2003 rrënjë bimë narkotike

Policia e Vlorës ka asgjësuar gjatë 24 orëve të fundit 2003 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Sipas burimeve zyrtare policore, në fshatin Drashovicë, në vendin e quajtur Përroi i Muçoit, u bë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i 100 rrënjëve bime narkotike kanabis sativa, e cila ishte kultivuar në 5 parcela, në një zonë me bimësi të egër, në tokë publike. Në fshatin Treblovë dhe pikërisht në vendin e quajtur Përroi i Veizajve dhe Kodra e Tre Këmbëve u bë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i 450 rrënjëve bimë narkotike. Lënda narkotike, me lartësi deri në 2 m, ishte kultivuar në 9 parcela të ndryshme, në tokë në pronësi publike. Gjithashtu, në fshatin Vezhdanisht të Komunës Vllahinë dhe pikërisht në pjesën verilindore të këtij fshati u bë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i 400 rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa. Lënda narkotike me lartësi deri në 2 m ishte kultivuar në 9 parcela të ndryshme në tokë publike. Edhe në fshatin Treblovë, në vendin e quajtur Ondricë, Përroi i Veizajve dhe Përroi i Madh u bë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i 1053 rrënjëve bimë narkotike. Lënda narkotike me lartësi deri ne 1.7 m ishte kultivuar në 16 parcela të ndryshme në toke në pronësi publike. U bë dokumentimi i plotë ligjor për të katërta rastet dhe asgjësimi me zjarr i lëndës narkotike. Materialet procedurale ju referuan organit të Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore për identifikimin e autorëve për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

 

 

Vlorë

Merr flakë skafi teksa nisej të lundronte, plagoset pronari Zemani

Një skaf i fuqisë së lartë dhe luksoz ishte gati për t’u nisur në një guidë turistike në Gjirin e Vlorës, kur ka marrë flakë si pasojë e një shkëndije elektrike. Pronari i skafit, 45-vjeçari Shemsi Zemani, i cili ishte në bord, ka marrë plagë të lehta djegieje në duar dhe këmbë. Skafi ndodhej në portin e jahteve në Orikum të Vlorës, ndërsa mësohet se i lënduari është edhe pronar i një mobilierie në Vlorë. Sipas burimeve policore, Zemani është transportuar me ambulancë në spital, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se shkak për përfshirjen në flakë mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike.

 

 

Durrës

Kapen 50 kg kanabis në port, do të transportohej në Itali

Një sasi prej 50 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit, ndërsa është vënë në pranga drejtuesi i furgonit ku u gjet droga. Kanabisi ishte fshehur në dyshemenë e furgonit me targa CF 153 JE, i cili do të imbarkohej në traget me destinacion përfundimtar Italinë. Furgoni drejtohej nga Rustem Xhepi nga Librazhdi, i cili u arrestua dhe ndaj tij po zhvillohen hetime për vendin e origjinës së lëndës narkotike.

 

 

Elbasan

E pickon gjarpri në ullishtë, humb jetën 34-vjeçari

Një 34-vjeçar humbi jetën, pasi u pickua nga gjarpri në Elbasan. Burime policore bëjnë me dije se viktima Hidajet Faci ishte duke punuar në ullishtë në momentin që e ka pickuar gjarpri. Ai është gjetur në rrugë nga policia, por nuk mundi të mbijetonte, edhe pasi u dërgua në spital. Pavarësisht nga ndihma e dhënë nga mjekët, 34-vjeçari ndërroi jetë pas mesnate në spital.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency