Për herë të parë/ Mbretëresha Geraldinë i shkruan “burrit tradhtar”

0

geraldinaLetrat e panjohura me familjen mbretërore

Loading...

Për herë të parë, pas botimit, publikohen në media letrat e familjes mbretërore

 Vëllimi i tretë i letërkëmbimeve përfshirë në librin “Kuvend letrash me miqtë”, botimet “OMSA-1”; trashëgimtari i Mustafa Krujës vendos një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë që lidhet me familjen mbretërore, vështruar jo vetëm si kulturë letrash, por edhe si histori dhe gjeopolitikë që po krijonte ngjarjet jashtë atdheut, ndërkohë që vendi ishte nën regjimin komunist

 Mendimin politik dhe programatik të Mbretit na e paraqet Mustafa Kruja në dokumentet që botohen në këtë vëllim për herë të parë, dokumente të hartuara në vitet 1948-‘55, kur armiqësia e dy prej shtetarëve më cilësorë e më të përfolur të historisë shqiptare u kthye në një miqësi që, jo vetëm përtëriu një ndjenjë të tillë të shfaqur shumë vite më parë, mbas shpalljes së Pavarësisë, por u bë një dëshmi e gjallë marrëdhëniesh të reja në dritën e ndryshimeve që bëjnë të detyrueshme edhe ndërrimin e koncepteve, opinioneve e programeve politike.

Vëllimi hapet me një letërkëmbim të shkurtër me familjen mbretërore. Krahas pak letrave, të firmuara kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, janë vënë edhe disa dokumente të hartuara nga M. Kruja me kërkesën e Mbretit apo me autoritetet e Lëvizjes së Legalitetit, për të nxitur këtë të fundit në një ripërtëritje e modernizim të Partisë Monarkiste. Më poshtë botojmë të plotë qarkoren drejtuar në emigrim gjithë shqiptarëve me shpresën për t’u rikthyer në një Shqipëri të çliruar.

Letrat e para mbajnë të nënshkruar firmën dhe kujdesjen e Mbretëreshës Geraldinë, gjë e rrallë për kohën dhe rrethanat në emigrim. Këto letra e telegrame janë dërguar në gjuhën frënge që për botimin e tretë janë përkthyer nga trashëgimtari, Eugjen Merlika.

Janë letra që rivendosin komunikimin me familjes mbretërore dhe Krujës, ndërkohë që ky i fundit përndiqej nga regjimi, duke u quajtur “renegati”, “tradhtari”, një konotacion që u mbajt për një kohë të gjatë, të cilën e përdorim dhe në këtë tekst redaksional.

Ashtu siç shënohet edhe në parathënie të vëllimit të tretë të letrave, ky është një letërkëmbim i panjohur, që publikohet për herë të parë.

Është një korrespodencë e nisur fillimisht me nënshkrimin e Mbretëreshës që më vonë u pasua nga një komunikim intensiv me Mbretin Zog për çështjet politike mbi Shqipërinë, duke përfshirë vitet 1956-1958. Ne i botojmë ekskluzivisht, me leje të botuesit, duke kuptuar marrëdhënien e vështirë, por edhe delikate që u krijua mes emigrantëve shqiptarë dhe përpjekjen e tyre për të “çliruar” Shqipërinë e Enver Hoxhës. Në këtë kohë, Kruja ndodhej në Amerikë dhe familja mbretërore në Kanë, në Evropë, Francë, ndërsa përpiqej të kalonte në Angli.

Janë shumë të përzemërta letrat e Geraldinës, e cila në një prej tyre bën të gjitha përpjekjet për t’i shkruar edhe shqip, për të kënaqur “ministrin” e tyre, ashtu siç e thërrisnin ende. Ajo e informon për gjendjen morale e shpirtërore të Zogut, si dhe për familjen e tij, motrat. Bie në sy se si i drejtohen njëri-tjetrit në këto letra: exellence apo shkëlqesi!

Në dy letrat e fundit bie në sy dëshpërimi nga pamundësia për t’ia dalë depërtimit në Shqipërinë komuniste, me gjithë kërkesat për ndërhyrje të Perëndimit. Ky është momenti kur Geraldina fillon e shkruan në emër të Mbretit, duke vazhduar më pas komunikimin për çështje politike, që lidhen me organizimin e emigracionit, siç qe rasti i memorandumit që do ta shohim në ditët në vijim të botimit të letrave.

“Në këtë drejtim meriton një vëmendje të veçantë trajtimi i figurës së Mbretit Zog I, si figura më e spikatur e gjithë mërgatës shqiptare të mbas-Luftës së Dytë Botërore. Burrë shteti me një vizion politik të qartë e të gjerë, e përjetoi tragjedinë e Atdheut me dhimbje të thellë. Por, në ndryshim nga disa drejtues të tjerë politikë, sidomos nga brezi i ri, për atë kohë, i Ballit Kombëtar, i organizuar në Partinë Agrare, që mbeti i ankoruar në ide e koncepte të lindura gjatë viteve të pushtimit, e që i ruajti gjatë gjithë jetës së gjatë të mërgimit, Mbreti Zog, me nuhatjen e hollë të politikanit e me largpamësinë e burrit të shtetit, kuptoi se kataklizma e Atdheut ishte një dukuri e përmasave të tilla, që nuk mund të radhitej në praktika normale të luftës politike në një vend, qoftë edhe të prapambetur, siç ishte Shqipëria e braktisur prej tij në 7 prill 1939 dhe nga pjesa tjetër e mërgatës në nëndor 1944”, – shkruan trashëgimtari Eugjen Merlika në parathënie. Mendimin politik dhe programatik të Mbretit na e paraqet Mustafa Kruja në dokumentet që botohen në këtë vëllim për herë të parë, dokumente të hartuara në vitet 1948-‘55, kur armiqësia e dy prej shtetarëve më cilësorë e më të përfolur të historisë shqiptare u kthye në një miqësi që, jo vetëm përtëriu një ndjenjë të tillë të shfaqur shumë vite më parë, mbas shpalljes së Pavarësisë, por u bë një dëshmi e gjallë marrëdhëniesh të reja në dritën e ndryshimeve që bëjnë të detyrueshme edhe ndërrimin e koncepteve, opinioneve e programeve politike.

 

***

Madhnisë së Saj, Mbretneshës Gjeraldina të Shqipnisë,

Cannes

 Sa ma shumë largohemi, aq ma shumë mendojmë për ju të gjithë. Në këtë ditë të gëzueshme të ditlindjes Suej pranoni urimet tona shumë të ngrohta.

 Mustafa

   Haxhire

 Telegram i 5gushtit 1956, ora 23.00, nga Transatlantiku K. Kolombi

 

 

Cannes, 6 shtatuer 1956

 Shkëlqesi,

Telegrafin t’uej, për ditëlindjen t’eme e mora, ju falënderoj me gjithë zêmër. Nuk dijshe ku të mundesha me u përgjegj, kështu prita letrën e juej, qi ka qenë për të gjithë ne nji gëzim. Aqë mirë e përshkrueni vendin ku jeni, sa më duket se vetë isha me ju.

Nuk shkon ditë qi nuk përmendeni ju, dhashtë Zoti qi të shifemi prapë! M’u bâ qejfi qi djalin e keni gjetë shëndosh; pa e njoftun i jepni pra të falat e mija. Haxhires i puth syt.

Nuk mujta me ju dhanë përgjegje mâ shpejt për arsye se deri tani kam qenë në klinikë për operacionin e dhambit edhe sinusitit. Jam hala shum e dobët dhe kam dhimbje. Mbreti, me shëndet shyqyr Zotit, ka qenë mirë, por gjithnji mendon se më hiku shkëlqesia edhe s’kam me ke të flas!

Princesha Maxhide asht hala në klinikë, por shkon shumë ma mirë.

Tue ju urue shëndet të plotë, edhe tue pritë kohë mbas kohe letrën prej jush, po ju dërgoj me Lekën dhe Mbretin të falat t’ona mâ të përzemërta.

  Geraldine                                                                                                                                                                                                                                     

  Cannes, 8 shtatuer 1956                                                                                                                                                                                                               

 

Shkëlqesi!

Letrën t’uej “gentile” e mora me gëzim. U gëzuem qi mbërritët shëndosh edhe mirë afër djalit t’uej.

Princ. Maxhide, shyqyr Zotit, shkon shumë mâ mirë edhe Gerry ka dalë prej klinike.

Zoti Ministri na mungon shumë në mes të nesh, ju dhe Haxhire. Kur të mërziteni, na bâni nji shenj, se ju thrrasim prapë këtu.

Unë dhe Myzejeni ju dërgojmë të falat mâ të përzemërta ju dhe djalit t’uej, Haxhiren e marrim ngryk me mall.

   

     Senija

    Cannes, 22 nëndur 1956                                                                                                                                                                                                 

 

                                                                                                                                                                                                         

Excellence,

Dëshirojsha me ju shkrue shum ma përpara, vonesa i detyrohet dëshirës t’eme me ju dërgue nji letër në gjuhën shqipe, në stilin t’em dhe jo në frengjisht. Si e shifni, po të marr mundim me shkrue gjuhën t’onë t’ ëmbël, gjâ e cila ju kënaq, jam e sigurtë.

Tragjedija e Hungarisë më ka tronditë pa masë dhe më ka lodhun shumë. Ditët i kaloj tue i u përgjigjun telefonit, telegramave e letravet të njerzve qi tregojnë sympatinë e tyne. Duhet me bamë qi Franca të marrë pjesë me diftue ndihmë morale e medicale!

Shum kohë marr për me kërkue nji shtëpi, pse më 1 mars duhet qi të lajmë kët vilën e mirë. Natën ndigjojmë gjithë stacionet e radios.

Zotit lavdi, morali i Mbretit asht nalt dhe optimizma e tij na jep shpresë. Ka qenë mirë, me shëndet dhe lus Zotin të vazhdojmë kështu. Koha asht hala shum e bukur këtu. Madame A. Sula ka qenë për disa ditë këtu, evenimentet e Proche Orientit e kapën në Romë, po zoti Ministri Sula asht mirë në Cairo. Lekës i erdhi leja, speciale për me hyë në Kalnur në Sandhurst, në Inglí dhe jam tani shumë ma e qetë.

Princeshat janë të gjitha mirë dhe ju çojnë urimet e tyne ma të përzemërta. Pr. Maxhide ka fitue 52 kilo dhe asht këtu me nji muze.

Shpresoj Hadjire ka marrë librin e vogël qi i kam çue e qi vazhdon mirë tue qenë e kënaqun. Mbreti dhe unë ju çojmë urimet t’ona ma të përzemërta.

Edhe unë pres nji letër të gjatë prej Jush. Sigurisht edhe atje evenimentet e Kontinentit t’onë bajnë përshtypje?!

 Geraldine                                                                                                                                                                                         

 

18 – III – 1957

Villa Clément Bayard

Ave. Jean de Noailles

 

 I dashun Zoti Ministër,      

Më duket se ka kalue nji kohë e gjatë që nuk kemi lajme prej jush. Koha kalon gjithmonë shpejt e në shtëpinë time më duket se mungon deri diku mundimi moral për të mbajtë një letërkëmbim të rregullt.

Dimri këtu ka qenë shumë i butë, por po aq i ashpër me Mbretin. Me gjithë kujdesin tonë ai pat marrë nji grip shumë të keq qi e ka mundue shumë e, në të vërtetë e ka marrë veten vetëm tashti.

Kisha shkue tek Leka më 15 janar në Londër. Kisha ba ndërmend me ndejtë nja dhjetë ditë, por të tretën ditë u detyrova të marr aeroplanin e të kthehesha shpejt tek Mbreti. Mezi gjeta kohë t’a vejsha Lekën në kontakt me familjet angleze qi njifsha e me ndonji personalitet zyrtar. Duhet t’Ju them se jam shumë e prekun nga mirësjellja e përsosun e këtyne miqve për të pritë Lekën në shtëpitë e tyne.

Ai ka ba nji përparim të madh në akademinë ushtarake të Sandhurstit dhe komandanti i përgjithshëm i akademisë i ka shkruejtë Mbretit nji letër plot lavdërime për te. Natyrisht fillimi asht veçanërisht i vështirë përsa i përket stërvitjes fizike, por ajo nuk i ban veçse mirë e ai asht dakord. Pati fatin e keq të thyente kaviljen në nji stërvitje, por duket se po e përballon mrekullisht.

Atmosfera politike nuk po kthjellohet e mbas pafuqisë të diftueme nga Kombet e Bashkueme, përballë tragjedisë së vendit tonë, unë nuk lexoj ma gazetat. Me u vendosë në Shtetet e Bashkueme, siç e dini, ka qenë dëshira jonë për nji kohë të gjatë, por mjetet financiare na mungojnë për me ushqye ende nji projekt të tillë. Zoti i Madh ka dëshirue që ne të qëndrojmë në Evropën tonë të mirë e të hershme dhe unë përulem me mirënjohje që vullneti i Tij i mirë të plotësohet…

Këtu gjithshka asht ashtu si e keni lanë. Për lajmet nga Shqipnia preferoj ma mirë me ju lanë nji Kolonel. Nuk më pëlqen me u tërheqë në thashetheme. Un i due të gjithë me nji zemër nane, asht e vetmja gja që mundem me ju dhurue.

Shpresoj që kurajozja ime Haxhire të jetë mirë. Me kujtimet e mira të gjithë neve ju dërgoj urimet më të mira të mijat për ju të tre.

  Geraldine                                                                                                                                                                                                             

 

1gusht 1957

Excellence,

Kët pjesën tjetër po e shkruej të diktueme prej Mbretit. Nji dënim për popujt e robnuem nën nji formë “diabolique” po përgatitet në Europën centrale edhe ne Balkan. Tue i marrë parasysh interesat e nalta të vendit t’onë nji memorandum i paraqita Nato-s, Ambasadës Inglize, t’Amerikës, të Francës, t’Italisë.

2-3 muej ma përpara tue i pa gjasat paç ba do démarcha verbale, prej të cilëve paç përgjegjen qi nuk besohet se nji gja e tillë mund të bahet. Do t’ishte mirë, tashma qi ka rrahë çeshtja edhe në shtyp, t’u bante prej emigratës shqiptare qi ndodhet atje démarcha kolektive në Departamentin e Shtetit, burimi i vetëm qi mund të na shpëtojë prej zgjedhjes slave. Këtë çështje po va laj edhe në gjykimin tuej e nuk po i shkruej tjetër kujt.

Shpresoj se Shqiptarët, tue i marrë para sysh qi nuk asht çeshtje partizanije, qi humbën kohë kot tue i ngatrrue njenën me tjetrin, po asht çeshtje atdhetarije, do të mundin të bajnë nji hap, si detyrë qi e kanë kundrejt atdheut.

 

Loading...