Kinematografi/ “Të vjedhësh” nga libri!

0
152

Gani MEHMETAJ

adapt2Kinema/“Adaptimi (2002), në regji të Spaik Jonzes, sipas skenarit të Çarli Kaufmanit (Charlie Kauffman)

 Filmi “Adaptimi” për vështirësitë e adaptimit/ Mëdyshjet për besnikërinë apo shmangien nga teksti bazë nuk janë vetëm mëdyshje teorike, por edhe çështje praktike, me të cilat skenaristi e regjisori përballen vazhdimisht dhe gjatë gjithë karrierës së tyre artistike. Mbi këto premisa nis shtjellimi i filmit amerikan “Adaptimi”. Ai është ndër ilustrimet e mira të këtij rrafshi, ndërsa është gjysmë-autobiografik, gjysmë-imagjinativ

 Njëra ndër format e adaptimit është edhe modifikimi dhe permutacioni. Ndërkaq, gërshetimi i fiksionit me jo imagjinativën është fenomen i ri, i cili po inkuadrohet me sukses në film. Regjisori Spaik Jonze në filmin “Adaptimi” pikërisht bënë një qasje risimtare, duke inkuadruar imagjinativën me jo imagjinativën, por njëkohësisht duke inkuadruar edhe format e debateve teorike apo ligjëratat e ekspertëve të skenarit nëpër shkolla verore e universitete të filmit.

Mëdyshjet për mënyrën e adaptimit, për besnikërinë apo shmangien nga teksti bazë, nuk janë vetëm mëdyshje teorike, por edhe çështje praktike me të cilat skenaristi e regjisori përballën vazhdimisht dhe gjatë gjithë karrierës së tyre artistike. Mbi këto premisa nis shtjellimi i filmit amerikan “Adaptimi”. Ai është ndër ilustrimet e mira të këtij rrafshi, ndërsa është gjysmë-autobiografik, gjysmë-imagjinativ, sa i përket llojit qëndron në mes të komedisë, dramës e metafilmit. I ka të tria elementet e llojeve të caktuara, por përpiqet të ngrihet mbi to, me problemet që nxjerre në pah.

“Adaptimi (2002), në regji të Spaik Jonzes, sipas skenarit të Çarli Kaufmanit (Charlie Kauffman) paraqet mëdyshjet e mëdha, skepsën, vështirësitë dhe sfidat që e presin skenaristin gjatë procesit të adaptimit. Filmi është adaptim i veprës “Vjedhësi i orhideve” e Susan Orleane. Fjala është për vjedhësit e luleve të quajtura La Roche. Ndërkaq, duke u nisur nga premisat fillestare, “Adaptimi” më shumë përqendrohet në problemin e skenaristëve e të regjisorëve gjatë adaptimit, ndërsa e ve në pikëvështrim krizën krijuese, atëherë kur artisti s’mund të lëviz nga pika zëro, pastaj raportet në mes të artistëve etj. se sa në atë të vjedhësit të luleve.

Që nga kuadrot e para paraqitet përpjekja e ngulmët e skenaristit Charlie Kaufman (në interpretim të Nikolas Keixh (Nikolas Cage), i cili bënë përpjekje të bëjë adaptim për film. Skenari është i frymëzuar nga ngjarja reale, sepse edhe në jetën reale skenaristi Çarli Kaufman kishte një kontratë për adaptimin e librit të Susan Orleane. Kështu ndër rastet e rralla kur peripecitë e adaptimit u bënë film për aventurat e adaptimit si një proces i gjatë dhe i vështirë.

Për të nxjerr në pah qasje e qëndrime të ndryshme, filmi mbledh një koloni të shkrimtarëve të cilat punojnë në veprat e tyre: Susan Orleane (Meryl Strip), derisa e shkruan librin “Vjedhësit e orkideve”, paraqet pikëpamjet e veta dhe vështirësitë më të cilat ballafaqohet, Charles Kaufman (Nikolas Keixh) derisa e shkruan adaptimin e të njëjtës vepër për film, i frustruar nxjerr në debat vështirësitë e adaptimit. I vëllai binjak i Çarlit, Doaldi, të cilin prapë e interpreton Nikolas Keixh, shkruan tekste komerciale për reklama. Ai mendon dhe frymon krejtësisht ndryshe, sepse bota e biznesit e mendësia konsumatore e ka transformuar, e ka bërë më praktikë, duke e shpërfill shpirtin e artistit. Ai nuk ka mëdyshje të këtilla, sikurse i vëllai krijues. Pastaj në film inkuadrohet shkencëtari Çarls Darvin, i cili është marrë me adaptimin e qenieve gjatë evolucionit, kur kanë mbijetuar ato më të forta, përkatësisht ato qenie që i përshtatën ambientit e rrethanave, ndërsa shkruan librin “Origjina e llojit”. Madje edhe hajduti paraqitet duke shkruar.

Ka edhe shkrimtarë të tjerë të cilët mbajnë kurse trajnimi, apo ligjërata për procesin e shkrimit të skenarit dhe adaptimit të veprës. Secili përpiqet të jep kontributin e vet dhe secili përpiqet të paraqes përvojën e vet. Natyrisht qasjet ndryshojnë, varësisht nga cili kënd shikohet adaptimi dhe si e shohin ata këtë proces kreativ.

Filmi në fakt e vë në plan të parë procesin e të shkruarit, duke zhvilluar debatet teorike e praktike për mënyrën se si duhet të bëhet adaptimi, çka duhet hequr e çka duhet shtuar, ku është çelësi i suksesit, pse adaptimi është proces i të shkruarit që huazon nga forma tjetër e të shkruarit. Debatet pastaj nisin për besnikërinë e adaptimit dhe shmangiet nga teksti i frymëzuar, për mëdyshjet se a mund të quhet kjo tradhti apo nevojë e skenaristit që të krijoj situata sipas specifikës së filmit.

Njëri nga vëllezërit në film mbron teorinë e adaptimit artistik, kurse tjetri teorinë e adaptimit komercial. Njëri përpiqet të mbrojë artin, ndërsa tjetri botën konsumatore, komerciale, meqë i përket asaj bote. Secili duke e projektuar vetën në llojin e caktuar të adaptimit. Mospajtimet paraqitën në rrafshin praktikë e artistik. Bota konsumatore e mund botën artistike, e ngulfat me makinerinë e vet të reklamave.

Filmi pastaj përqendrohet tek qasjet e teoritë e ndryshe për adaptimin e skenarit, mëdyshjet me të cilat ballafaqohet çdo skenarist, me konformizmat dhe shmangiet që i bëhen veprës, meqë situatat ta imponojnë një zgjidhje tjetër e jo ashtu sikurse është në libër, me kundërshtimet kolegiale dhe përpjekjet që të imponohet një qasej e gabuar etj.

Regjisori e skenaristi paraqesin situatat dhe personazhe të kundërt me teorinë e Aristotelit për figurat e fuqishme, fisnike, katarza etj. Ai sikur përpiqet të rrënoj ose të tallet me disa klishe, por të imponoj prapë disa rregulla, të cilat nuk janë po aq të qëndrueshme, megjithëse ende funksionojnë.

Filmi “Adaptimi” nxjerrë në pah të gjitha rrymat e adaptimit të filmit, për proceset e adaptimit, për mëdyshjet: a është adaptimi vepër e re artistike apo hibrid, gërshetim, apo është tradhti ndaj veprës nga e merr frymëzimin. Sikurse në film edhe në punën praktike të adaptimit, jo rrallë shtrohet mëdyshja: cili është obligimi i adaptuesit ndaj veprës së adaptuar, apo s’ka asnjë obligim ndaj bazës etj.

Të gjitha ato që janë debate të vazhdueshme e të pashtershme për adaptimin për film që nga fillimi i adaptimeve e deri me sot, dalin edhe në dialogun në mes të krijuesve në këtë film.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency