Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur sulmet ajrore kundër militantëve të ISIS në Irak një ditë pas autorizimit të Presidentit Obama.
Lajmi për nisjen e sulmeve ajrore është bërë i ditur nga zyrtarët e Pentagonit. Në një fjalim që mbajti të enjten në mbrëmje vonë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se avionët amerikanë i kanë hedhur nga ajri ushqime dhe ujë banorëve të kërcënuar nga ekstremistët. Në fjalimin e tij, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara “nuk mund ta bëjnë një sy qorr” ndaj përparimit të militantëve, të cilët kanë detyruar largimin dhe vrasjen e pakicave etnike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësinë të parandalojnë “një akt genocidi të mundshëm” nga militantët. Presidenti theksoi se në Irak nuk do të dërgohen trupa amerikane. Megjithatë, ky vendim i presidentit për sulme ajrore përfaqëson përdorimin më të madh të forcës ushtarake amerikane në Irak, që kur trupat amerikane u tërhoqën nga vendi në vitin 2011, pasi qëndruan atje për rreth një dekadë.